2017
Produkte dhe Burime të Reja
maj 2017


Produkte dhe Burime të Reja

Këtu keni një përmbledhje të produkteve dhe burimeve të reja që Kisha ka vënë në dispozicion kohët e fundit.

Histori nga shkrimet e shenjta dhe libra për ngjyrosje. Për të nxitur studimin individual dhe familjar të shkrimeve të shenjta, Kisha po nxjerr në qarkullim burime të reja për historitë nga shkrimet e shenjta, duke filluar me një seri librash për ngjyrosje të skicuar për fëmijët e moshave 2–8 vjeç. Variantet falas në formatin PDF janë në scripturestories.lds.org dhe variantet e shtypura mund të porositen në store.lds.org dhe në qendrat e Shërbimeve për Shpërndarjen.

Librat për ngjyrosje do të përkthehen në gjuhët që i kanë botimet SHDM të shkrimeve të shenjta. Variantet e përkthyera do të vihen në dispozicion gjatë gjithë vitit 2017, duke filluar me gjuhët: spanjisht, portugalisht, frëngjisht, japonisht, koreane, kineze (tradicionale), gjermane, ruse dhe italiane.

Shkrime të shenjta. Presidenca e Parë ka njoftuar përkthimin e ri të kombinimit tresh të shkrimeve të shenjta në frëngjisht, që është në dispozicion në écritures.lds.org dhe në programin për celular Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Përkthimi përfshin një ndryshim të vogël formulimi në një nga lutjet e sakramentit. Ata gjithashtu njoftuan se përkthimi i kombinimit tresh në gjuhën kroate, është në dispozicion në internet. Botimet e shtypura të kombinimit tresh në gjuhën kroate, ruse dhe islandeze janë vënë në dispozicion gjithashtu së fundmi.

Ndihma për familjet që përballen me tërheqjen ndaj së njëjtës gjini. Për t’i ndihmuar anëtarët të reagojnë me ndjeshmëri dhe me kujdes kur ndeshen papritur me tërheqjen ndaj së njëjtës gjini në vetë familjet e tyre, midis anëtarëve të tjerë të Kishës ose tjetërkund, burimet përfshijnë faqen e re mormonandgay.lds.org dhe një Gospel Topic [Tema e Ungjillit] të përditësuar mbi tërheqjen ndaj së njëjtës gjini (në anglisht), duke përfshirë pyetjet që bëhen rëndom dhe mësimet e Kishës.

Programi i përditësuar Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Programi, që përdoret nga anëtarët në mbarë botën për të studiuar shkrimet e shenjta, bisedat e konferencave dhe materiale të tjera, kohët e fundit nxori në qarkullim një përditësim të madh si për sistemin iOS edhe për atë Android. Në variantin 4, mjetet e studimit janë më të kapshme, veçoritë dhe funksionet janë më të unifikuara dhe janë vënë në dispozicion mësime praktike me materiale filmike. Për shkak se tani mund të vihen shënime në të gjithë përmbajtjen, ju mund të nënvizoni, të shtoni komente, të vendosni hallka lidhëse, të etiketoni dhe ta organizoni të gjithë përmbajtjen në librin e shënimeve. Ju mund të vini shënime te materialet filmike, te krerët e kapitujve të shkrimeve të shenjta dhe ndihmat për studimin, te listat në manualet e ndryshme mësimore, himnet dhe këngët e Fillores dhe më shumë.

Programi i përditësuar LDS Tools [Mjetet SHDM]. Varianti 3.2.0 i programit për celular LDS Tools [Mjetet SHDM], e bën më të lehtë frekuentimin e tempullit. Veçoritë e shtuara u lejojnë anëtarëve të shohin tempullin që u është caktuar, të gjejnë pesë tempujt më të afërt, të vihen në kontakt me një tempull ose të mësojnë se kur planifikohet të mbyllet ai dhe të lajmërohen përpara se t’i mbarojë vlefshmëria e rekomandimit vetjak.