2017
Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë
maj 2017


Bëni Gjithçka që Ai t’ju Thotë

Kur vendosim t’i bëjmë “të gjitha ato që Perëndia [na] ka thënë”, nezotohemi me zell që ta përputhim sjelljen tonë të përditshme me vullnetin e Perëndisë.

Shpëtimtari e kreu mrekullinë e Tij të parë të shënuar në një festë martese në Kanë të Galilesë. Maria, nëna e Tij dhe dishepujt e Tij ishin atje po ashtu. Maria me sa duket ndiente njëfarë përgjegjësie për suksesin e festës. Gjatë kremtimit, doli një problem – të ftuarve në dasmë u mbaroi vera. Maria u shqetësua dhe shkoi te Jezusi. Ata folën shkurtimisht; pastaj Maria iu kthye shërbëtorëve dhe u tha:

“Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!

Aty ishin gjashtë enë prej guri. … [Këto enë prej guri nuk përdoreshin për të ruajtur ujë të pishëm, por përdoreshin për larje ceremoniale sipas ligjit të Moisiut.]

Jezusi u tha [shërbëtorëve]: ‘Mbushni enët me ujë!’ Dhe ata i mbushën deri në grykë.

Pastaj u tha: ‘Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës’. Dhe ata ia çuan.

[Më pas] i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë” dhe u shpreh i habitur që vera më e mirë u shërbye kaq vonë në festë.1

Ne zakonisht e kujtojmë këtë ngjarje ngaqë shndërrimi i ujit në verë ishte një shfaqje e fuqisë së Perëndisë – ishte një mrekulli. Ky është një mesazh i rëndësishëm, por ka një tjetër mesazh të rëndësishëm në rrëfimin e Gjonit. Maria ishte “një enë e çmueshme dhe e zgjedhur”2, e thirrur nga Perëndia për t’i dhënë jetë, për ta edukuar dhe rritur pikërisht Birin e Perëndisë. Ajo dinte për Të më shumë se çdokush tjetër në tokë. Ajo e dinte të vërtetën e lindjes së Tij të mbinatyrshme. Ajo e dinte se Ai ishte pa mëkat dhe se Ai “nuk fliste si njerëzit e tjerë, as nuk mund të mësohej; pasi s’kishte nevojë që dikush ta mësonte”3. Maria e dinte zotësinë e Tij të jashtëzakonshme për t’i zgjidhur problemet, përfshirë një problem aq personal sa dhe sigurimi i verës për një festë martese. Ajo kishte siguri të palëkundur në Të dhe në fuqinë e Tij hyjnore. Udhëzimi i saj i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë ndaj shërbëtorëve nuk kishte as paralajmërime, as kushte, as kufizime: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë”.

Maria ishte e re kur engjëlli Gabriel iu shfaq asaj. Në fillim ajo u “shqetësua” ngaqë u thirr “hirplote” dhe “e bekuar ndër gratë … dhe pyeste vetveten çfarë kuptimi mund të kishte një përshëndetje e tillë”. Gabrieli e siguroi atë se nuk kishte pse të frikësohej – lajmi që ai sillte, ishte i mirë. Ajo do të “mbete[j] shtatzënë … [me] Biri[n e] Shumë të Lartit” dhe do të “lind[te] një djalë … [i cili] do të mbretëro[nte] mbi shtëpinë e Jakobit përjetë”.

Maria mendoi me zë të lartë: “Si do të ndodhë kjo, përderisa unë nuk njoh burrë?”

Engjëlli ia shpjegoi, por vetëm shkurtimisht, duke i pohuar asaj se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme”.

Maria iu përgjigj me përulësi se ajo do të bënte atë që Perëndia do t’i kërkonte, pa kërkuar t’i dinte hollësitë dhe pa dyshuar, pavarësisht se kishte pyetje të panumërta rreth pasojave në jetën e saj. Ajo u zotua pa e kuptuar saktësisht arsyen përse Ai po ia kërkonte këtë asaj apo mënyrën se si do të funksiononin gjërat. Ajo e pranoi fjalën e Perëndisë pa kushte dhe përpara kohe,4 duke pasur pak njohuri të asaj që e priste në të ardhmen. Me mirëbesim të thjeshtë te Perëndia, Maria tha: “Ja shërbëtorja e Zotit; le të më ndodhë sipas fjalës sate”5.

Kur vendosim t’i bëjmë “të gjitha ato që Perëndia [na] ka thënë”, ne zotohemi me zell që ta përputhim sjelljen tonë të përditshme me vullnetin e Perëndisë. Veprime të tilla të thjeshta të besimit si studimi i shkrimeve të shenjta çdo ditë, agjërimi rregullisht dhe lutja me qëllim të vërtetë, e thellojnë kapacitetin tonë shpirtëror për t’i përmbushur kërkesat e vdekshmërisë. Me kalimin e kohës, zakone të thjeshta besimi çojnë në rrjedhoja të mrekullueshme. Ato e shndërrojnë besimin tonë nga një filiz, në një fuqi dinamike për mirë në jetën tonë. Më pas, kur sfidat dalin përpara në udhën tonë, rrënjosja jonë në Krisht, siguron vendosmëri për shpirtin tonë. Perëndia i forcon dobësitë tona, e shton gëzimin tonë dhe bën që “të gjitha gjëra[t të] bashkëveprojnë për të mirë[n tonë]”6.

Disa vite më parë, fola me një peshkop të ri, i cili po kalonte orë të tëra çdo javë duke u këshilluar me anëtarët e lagjes së tij. Ai bëri një koment mbresëlënës. Problemet me të cilat përballeshin anëtarët e lagjes së tij, tha ai, ishin ato me të cilat përballeshin anëtarët e Kishës kudo – çështje të tilla si: si të krijonin një martesë të lumtur; probleme me drejtpeshimin e punës, familjes dhe detyrave në Kishë; sfida me Fjalën e Urtësisë, punësimin ose pornografinë; apo vështirësi për të gjetur paqe rreth një rregulloreje të Kishës ose pyetjeje historike që ata nuk e kuptonin.

Këshilla e tij për anëtarët e lagjes shumë shpesh përfshinte kthimin te praktikat e thjeshta të besimit të tilla si: studimi i Librit të Mormonit – siç u këshilluam të bënim nga Presidenti Tomas S. Monson – pagimi i së dhjetës dhe shërbimi me përkushtim në Kishë. Gjithsesi, shpesh, reagimi i tyre ndaj tij ishte mosbesues: “Nuk jam dakord me ju, Peshkop. Të gjithë e dimë se ato janë gjëra të mira për t’u bërë. Ne bisedojmë për ato gjëra gjatë gjithë kohës në Kishë. Por nuk jam i sigurt se po më kuptoni. Ç’lidhje ka bërja e ndonjërës prej atyre gjërave me problemet me të cilat po përballem?”

Kjo është një pyetje e drejtë. Me kalimin e kohës, unë dhe ai peshkop i ri kemi vërejtur se ata që janë të kujdesshëm për t’i bërë “gjëra[t e] vogla dhe të thjeshta”7 – duke u bindur në mënyra në dukje të vogla – bekohen me besim dhe forcë që shkojnë përtej veprimeve ekzistuese të bindjes dhe, në fakt, mund të duken sikur nuk kanë fare lidhje me to. Mund të duket e vështirë të bësh lidhjen midis veprimeve bazë të përditshme të bindjes dhe zgjidhjeve ndaj problemeve të mëdha e të koklavitura me të cilat përballemi. Por ato kanë lidhje. Nga përvoja ime, kryerja e zakoneve të besimit siç duhet, është mënyra e vetme më e mirë për ta forcuar veten tonë kundrejt telasheve të jetës, cilatdo qofshin ato. Veprime të vogla të besimit, madje edhe kur duken të parëndësishme apo tërësisht të shkëputura nga problemet e veçanta që na mundojnë, na bekojnë në gjithçka që bëjmë.

Kijeni parasysh Naamanin, një “komandant i ushtrisë së … Sirisë … njeri i madh dhe trim”, dhe një lebros. Një shërbëtore tregoi për një profet në Izrael, i cili mund ta shëronte Naamanin, dhe prandaj ai udhëtoi me një shpurë shërbëtorësh, ushtarësh dhe dhurata për Izraelin, duke mbërritur përfundimisht në shtëpinë e Eliseut. Shërbëtori i Eliseut, jo vetë Eliseu, e njoftoi Naamanin se urdhri i Zotit ishte që të “shkon[te] të lahe[j] shtatë herë në [lumin] Jordan”. Një gjë e thjeshtë. Ndoshta kjo porosi e qartë iu duk luftëtarit të fuqishëm kaq e palogjikshme, e thjeshtëzuar apo madje nën nivelin e tij, saqë ai e pa si fyes sugjerimin e thjeshtë. Në fund të fundit, udhëzimi i Eliseut nuk kishte kuptim për Naamanin, “kështu u kthye dhe iku tërë inat”.

Por shërbëtorët e Naamanit iu afruan me butësi dhe i thanë se ai do të kishte bërë “një gjë të madhe” nëse Eliseu do t’ia kishte kërkuar. Ata vunë në dukje se meqenëse atij iu kërkua të bënte vetëm një detyrë të vogël, a nuk duhej ta bënte atë, edhe pse nuk e kuptonte arsyen? Naamani e shqyrtoi sërish reagimin e tij, ndoshta dhe me mosbesim, por me bindje “zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan” dhe u shërua në mënyrë çudibërëse.8

Disa shpërblime të bindjes vijnë vërtet shpejt; të tjerat vijnë vetëm pasi vihemi në provë. Te Perla me Vlerë të Madhe, ne lexojmë rreth zellit të palodhur të Adamit për zbatimin e urdhërimit që të ofronte flijime. Kur engjëlli e pyeti Adamin përse po ofronte flijime, ai u përgjigj: “Nuk e di, përveçse që Zoti më urdhëroi”. Engjëlli shpjegoi se flijimet e tij ishin “në ngjashmëri me flijimin e të Vetëmlindurit të Atit”. Por ai shpjegim me sa duket erdhi vetëm pasi Adami e kishte treguar zotimin e tij për t’iu bindur Zotit për “shumë ditë”, pa e ditur arsyen përse ai duhej t’i ofronte ato flijime.9

Perëndia gjithmonë do të na bekojë për bindjen tonë të patundur ndaj ungjillit të Tij dhe për besnikërinë ndaj Kishës së Tij, por rrallëherë na e tregon që më përpara kohën e Tij se kur do ta bëjë këtë. Ai nuk na e tregon tablonë e plotë që në pikënisje. Ky është çasti kur lind nevoja për besim, shpresë dhe mirëbesim në Zot.

Perëndia na kërkon të tregojmë durim me Të – t’i mirëbesojmë Atij dhe ta ndjekim Atë. Ai na lutet që të mos “dysho[jmë], sepse nuk sh[ohim]”. Ai na paralajmëron se nuk duhet të presim përgjigje të thjeshta apo zgjidhje të shpejta nga qielli. Gjërat rregullohen kur ne qëndrojmë të vendosur gjatë “provës së besimit [tonë]”, sado e vështirë që mund të jetë ajo provë për t’u duruar apo sado e ngadaltë mund të jetë ardhja e përgjigjes.10 Nuk po flas për “bindje të verbër”11, por për një siguri të matur te dashuria dhe koha e përsosur të Zotit.

Prova e besimit tonë do të përfshijë gjithmonë që të qëndrojmë të vërtetë ndaj praktikave të thjeshta e të përditshme të besimit. Atëherë, dhe vetëm atëherë, premton Ai, do ta marrim përgjigjen hyjnore të cilën e duam kaq shumë. Vetëm një herë e kemi vërtetuar gatishmërinë tonë për të bërë atë që Ai na kërkon, pa kërkuar të dimë kohën, arsyet dhe mënyrat se si i “korr[im] shpërblimet e besimit [tonë] dhe të zellit [tonë] dhe të durimit, dhe të durueshmërisë”12. Bindja e vërtetë i pranon urdhërimet e Perëndisë pa kushte dhe përpara kohe.13

Në mënyrë të ndërgjegjshme apo jo, çdo ditë, të gjithë ne zgjedhim “kujt d[uam] t’i shërbe[jmë]”14. Ne e dëftojmë vendosmërinë tonë për t’i shërbyer Zotit duke u përfshirë besnikërisht në veprime të përditshme të përkushtimit. Zoti premton t’i drejtojë shtigjet tona15, por që Ai ta bëjë këtë, ne duhet të ecim, duke mirëbesuar se Ai e di udhën për shkak se Ai është “udha”16. Ne duhet t’i mbushim enët e ujit deri në grykë. Kur ne i mirëbesojmë dhe e ndjekim Atë, jeta jonë shndërrohet, ashtu siç u shndërrua uji në verë. Ne bëhemi diçka më shumë dhe më të mirë sesa do të mund të bëheshim ndonjëherë. Mirëbesojini Zotit dhe “bëni gjithçka që ai t’ju thotë”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.