2017
Dashuria e Përsosur e Nxjerr Jashtë Frikën
maj 2017


Dashuria e Përsosur e Nxjerr Jashtë Frikën

Le ta lëmë mënjanë frikën tonë dhe në vend të kësaj të jetojmë me gëzim, përulësi, shpresë dhe një mirëbesim të patundur që Zoti është me ne.

Vëllezërit dhe motra e mia të dashura, të dashur miq, ç’privilegj dhe ç’gëzim është që të mblidhemi si një Kishë mbarëbotërore, të bashkuar në besimin dhe dashurinë tonë për Perëndinë dhe fëmijët e Tij.

Unë jam veçanërisht mirënjohës për praninë e profetit tonë të dashur, Tomas S. Monson. President, ne do t’i rrënjosim përherë në zemër fjalët e tua të drejtimit, këshillës dhe urtësisë. Presidenti Monson, ne të duam dhe lutemi gjithnjë për ty.

Vite më parë, kur po shërbeja si president kunji në Frankfurt të Gjermanisë, një motër e dashur, por e pakënaqur, m’u afrua në fund të një prej mbledhjeve tona të kunjit.

“A nuk është e tmerrshme?” tha ajo. “Duhet të ketë pasur [nja] katër a pesë veta në gjumë të rëndë gjatë bisedës suaj!”

U mendova për një çast dhe u përgjigja: “Jam mjaft i sigurt se gjumi në kishë është ndër më të shëndetshmit nga të gjitha [llojet] e gjumit”.

Bashkëshortes sime të mrekullueshme, Herietës, ia kapi veshi këtë shkëmbim të rastësishëm fjalësh dhe më vonë e përmendi se qe një nga përgjigjet më të bukura që kisha dhënë ndonjëherë.

Zgjimi i Madh

Disa qindra vite më parë, në Amerikën e Veriut, një lëvizje e quajtur “Zgjimi i Madh” u përhap nëpër fshatra. Një nga objektivat e saj kryesore ishte që t’i zgjonte njerëzit të cilët dukeshin se ishin në gjumë për sa u përket çështjeve shpirtërore.

I riu Jozef Smith u ndikua nga gjërat që dëgjoi prej predikuesve të cilët ishin pjesë e këtij zgjimi fetar. Ajo është një nga arsyet që ai vendosi ta kërkonte me zell vullnetin e Zotit në lutje vetjake.

Këta predikues kishin një stil predikimi dramatik, emocional, me predikime që ishin të njohura për theksin e tyre të fortë mbi tmerret përvëluese të ferrit që e presin mëkatarin.1 Fjalimet e tyre nuk i vinin njerëzit në gjumë – por mund të kenë shkaktuar disa makthe natën. Qëllimi dhe modeli i tyre duket se ishte t’i frikësonin njerëzit që të shkonin në kishë.

Frika si Manipulim

Historikisht, frika është përdorur shpesh si mjet për t’i bërë njerëzit të ndërmarrin një veprim. Prindërit e kanë përdorur atë me fëmijët e tyre, punëdhënësit me të punësuarit dhe politikanët me votuesit.

Ekspertët në fushën e marketingut e kuptojnë fuqinë e frikës dhe shpesh e shfrytëzojnë atë. Kjo është arsyeja përse disa reklama duket se përçojnë mesazhin e tërthortë që nëse nuk arrijmë të blejmë drithërat e tyre për vaktin e mëngjesit apo të provojmë videolojën ose celularin më të ri, ne rrezikojmë që të kemi një jetë të mjerueshme, të vdesim të vetëm dhe të brengosur.

Ne buzëqeshim me këtë dhe mendojmë se kurrë nuk do të binim pre e një manipulimi të tillë, por ja që biem ndonjëherë. Më keq akoma, ne nganjëherë përdorim metoda të ngjashme për t’i bërë të tjerët që të bëjnë atë çfarë duam ne.

Mesazhi im ka dy qëllime sot: I pari është që të na nxitë të përsiatim dhe ta marrim parasysh masën në të cilën ne e përdorim frikën për t’u dhënë shtysë të tjerëve – përfshirë dhe veten. I dyti është që të sugjerojë një mënyrë më të mirë.

Problemi me Frikën

Së pari, le ta trajtojmë problemin e frikës. Në fund të fundit, cili nga ne nuk ka qenë ndonjëherë i detyruar nga frika që të ushqehet më mirë, të vërë rripin e sigurimit, të stërvitet më shumë, të kursejë para ose madje të pendohet për mëkatin?

Është e vërtetë se frika mund të ketë një ndikim të fuqishëm në veprimet dhe sjelljen tonë. Por ai ndikim ka prirje të jetë i përkohshëm dhe i cekët. Frika rrallëherë e ka fuqinë ta ndryshojë zemrën tonë, dhe ajo kurrë nuk do të na shndërrojë në njerëz të cilët e duan atë që është e drejtë dhe të cilët duan t’i binden Atit Qiellor.

Njerëzit të cilët janë të frikësuar mund t’i thonë dhe t’i bëjnë gjërat e duhura, por ata nuk i ndiejnë gjërat e duhura. Ata shpesh ndihen të pafuqishëm dhe të mërzitur, madje të zemëruar. Me kalimin e kohës këto ndjenja çojnë në mosbesim, mosbindje, madje rebelim.

Fatkeqësisht, kjo qasje e gabuar ndaj jetës dhe udhëheqjes nuk kufizohet vetëm në botën laike. Më hidhëron kur dëgjoj rreth anëtarëve të Kishës që ushtrojnë sundim të padrejtë – qoftë në shtëpitë e tyre, në thirrjet e tyre në Kishë, në punë apo në bashkëveprimet e tyre të përditshme me të tjerët.

Shpesh, njerëzit mund ta dënojnë kërcënimin tek të tjerët, prapë ata nuk arrijnë ta shohin atë te vetja. Ata kërkojnë pajtueshmëri me rregullat e tyre arbitrare, por kur të tjerët nuk i zbatojnë këto rregulla të diktuara, ata i ndëshkojnë ata gojarisht, emocionalisht dhe ndonjëherë edhe fizikisht.

Zoti ka thënë se “kur … ushtrojmë kontroll apo sundim, apo detyrim mbi shpirtrat e fëmijëve të njerëzve, në çfarëdo shkallë padrejtësie, … qiejt tërhiqen [dhe] Shpirti i Zotit hidhërohet”2.

Mund të ketë çaste kur ne tundohemi t’i përligjim veprimet tona duke besuar se qëllimi e justifikon mjetin. Ne madje mund të mendojmë se të qenit kontrollues, manipulues dhe të ashpër do të jetë për të mirën e të tjerëve. Aspak e saktë kjo, pasi Zoti e ka bërë të qartë se “fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia [dhe] vetëkontrolli”3.

Një Mënyrë më e Mirë

Sa më shumë arrij ta njoh Atin tim Qiellor, aq më shumë shoh mënyrën se si Ai i frymëzon dhe i udhëheq fëmijët e Tij. Ai nuk është idhnak, hakmarrës ose shpagues.4 Vetë qëllimi i Tij – vepra e Tij dhe lavdia e Tij – është që të na këshillojë, të na lartësojë dhe të na udhëheqë drejt plotësisë së Tij.5

Perëndia ia përshkroi Veten Moisiut si “i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri”6.

Dashuria e Atit tonë në Qiell për ne, fëmijët e Tij, e tejkalon së tepërmi aftësinë tonë për të kuptuar.7

A do të thotë kjo se Perëndia i toleron apo nuk i vë re sjelljet që bien në kundërshtim me urdhrat e Tij? Jo, pa dyshim që jo!

Por Ai dëshiron të ndryshojë më tepër sesa vetëm sjelljet tona. Ai dëshiron të ndryshojë vetë natyrën tonë. Ai dëshiron të ndryshojë zemrat tona.

Ai dëshiron që ne të zgjatemi e të kapemi sa më fort pas shufrës së hekurit, të përballemi me frikërat tona dhe me guxim të bëjmë hapa përpara dhe lart përgjatë shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar. Ai e dëshiron këtë për ne pasi na do dhe për shkak se kjo është rruga drejt lumturisë.

Kështu që, si u jep shtysë Perëndia fëmijëve të Tij që ta ndjekin Atë në kohën tonë?

Ai dërgoi Birin e Tij!

Perëndia dërgoi Birin e Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtin, që të na tregonte udhën e drejtë.

Perëndia na jep shtysa nëpërmjet bindjes, durimit, mirësjelljes, zemërbutësisë dhe dashurisë së pashtirur.8 Perëndia është në anën tonë. Ai na do dhe, kur pengohemi, Ai dëshiron që ne të ngrihemi, të përpiqemi sërish dhe të bëhemi më të fortë.

Ai është këshilluesi ynë.

Ai është shpresa jonë e madhe dhe fort e dashur.

Ai dëshiron të na stimulojë me besim.

Ai ka mirëbesim se ne do të mësojmë nga hapat tona të gabuara dhe do të bëjmë zgjedhje të sakta.

Kjo është mënyra më e mirë!9

Po për sa u përket Ligësive të Botës?

Një nga mënyrat se si Satani dëshiron nga ne që t’i manipulojmë të tjerët është duke u përqendruar te ligësia në botë dhe madje duke e zmadhuar atë.

Sigurisht, bota jonë gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë e papërsosur. Shumë e shumë njerëz të pafajshëm vuajnë për shkak të rrethanave të natyrës, si edhe nga mizoria e njeriut. Korrupsioni dhe ligësia në ditët tona janë të pashoqe dhe alarmuese.

Por pavarësisht nga e gjitha kjo, unë nuk do ta këmbeja të jetuarin në këtë kohë më asnjë kohë tjetër në historinë e botës. Ne jemi të bekuar jashtë mase që jetojmë në një kohë begatie, iluminizmi dhe epërsie të pashoqe. Mbi të gjitha, ne jemi të bekuar që kemi plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit, i cili na jep një këndvështrim të pashoq mbi rreziqet e botës dhe na e tregon mënyrën se si ose t’i shmangim këto rreziqe, ose si t’i bëjmë ballë atyre.

Kur mendoj për këto bekime, unë dëshiroj të bie në gjunjë dhe t’i thur lavde Atit tonë Qiellor për dashurinë e Tij të pafundme për të gjithë fëmijët e Tij.

Unë nuk besoj se Perëndia dëshiron që fëmijët e Tij të jenë të frikësuar apo të rrinë e vrasin mendjen për ligësitë e botës. “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.”10

Ai na ka dhënë një bollëk arsyesh për t’u gëzuar. Ne vetëm duhet t’i gjejmë dhe t’i dallojmë ato. Zoti shpesh na kujton që të “mos k[em]i frikë,” të “m[arrim] zemër”11 dhe të “mos k[em]i frikë, o tufë e vogël”12.

Zoti Do Të Luftojë në Betejat Tona

Vëllezër dhe motra, ne jemi “tuf[a] e vogël” e Zotit. Ne jemi Shenjtorët e ditëve të mëvonshme. Pjesë e pandarë e emrit tonë është zotimi që ta presim me padurim kthimin e Shpëtimtarit dhe ta përgatitim veten dhe botën për ta pranuar Atë. Prandaj, le t’i shërbejmë Perëndisë dhe t’i duam bashkënjerëzit tanë. Le ta bëjmë këtë me mirëbesim të natyrshëm, me përulësi, duke mos e parë kurrë me përçmim ndonjë fe apo grup tjetër njerëzish. Vëllezër dhe motra, na është ngarkuar detyra që ta studiojmë fjalën e Perëndisë dhe t’ia vëmë veshin zërit të Shpirtit, që të mund të “di[më] shenjat e kohërave dhe shenjat e ardhjes së Birit të Njeriut”13.

Për rrjedhojë, ne nuk jemi në padijeni të sfidave të botës, as nuk jemi të pavetëdijshëm për vështirësitë e kohëve tona. Por kjo nuk do të thotë se ne duhet ta ngarkojmë veten apo të tjerët me frikë të vazhdueshme. Në vend që të rrimë e vrasim mendjen për pafundësinë e sfidave tona, a nuk do të ishte më mirë që të përqendrohemi te madhështia e pafund, mirësia dhe pushteti i pakufizuar i Perëndisë tonë, duke i mirëbesuar Atij dhe duke u përgatitur me një zemër të gëzuar për kthimin e Jezusit, Krishtit?

Duke qenë populli i Tij i besëlidhjes, ne nuk duhet të paralizohemi prej frikës ngaqë gjëra të këqija mund të ndodhin. Përkundrazi, ne mund të bëjmë përpara me besim, guxim, vendosmëri dhe mirëbesim te Perëndia ndërsa u qasemi sfidave dhe mundësive përpara nesh.14

Ne nuk ecim të vetëm në rrugën e dishepullimit. “Zoti, Perëndia yt … ecën me ty; ai nuk do të të lërë dhe nuk ka për të të braktisur.”15

“Zoti do të luftojë për ju, dhe ju do të rrini të qetë.”16

Në përballjen me frikën, le të marrim guxim, të mbushemi me besim dhe të kemi mirëbesim te premtimi se “asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses”17.

A jetojmë në një kohë rreziku dhe trazirash? Natyrisht që po.

Perëndia Vetë tha: “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”18.

A mund ta ushtrojmë ne besimin për të mirëbesuar dhe për të vepruar në përputhje me të? A mund të jetojmë ne në lartësinë e zotimeve dhe besëlidhjeve tona të shenjta? A mund t’i mbajmë ne urdhërimet e Perëndisë edhe në rrethana të vështira? Sigurisht që mundemi!

Ne mundemi pasi Perëndia ka premtuar: “Gjithë gjërat do të punojnë së bashku për të mirën tuaj, në qoftë se ecni drejt”19. Prandaj, le ta lëmë mënjanë frikën tonë dhe në vend të kësaj të jetojmë me gëzim, përulësi, shpresë dhe një mirëbesim të patundur që Zoti është me ne.

Dashuria e Përsosur e Nxjerr Jashtë Frikën

Miqtë e mi të dashur, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura në Krisht, në qoftë se ndonjëherë e shohim veten që po jetojmë në frikë apo ankth ose në qoftë se ndonjëherë shohim se vetë fjalët, qëndrimet apo veprimet tona po shkaktojnë frikë tek të tjerët, unë lutem me tërë forcën e shpirtit tim që ne të mund të çlirohemi nga kjo frikë me anë të kundërhelmit ndaj saj të caktuar në mënyrë hyjnore: dashurisë së pastër të Krishtit, pasi “dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën”20.

Dashuria e përsosur e Krishtit i mposht tundimet për të dëmtuar, detyruar, kërcënuar apo shtypur.

Dashuria e përsosur e Krishtit na lejon të ecim me përulësi, dinjitet dhe një mirëbesim të patundur si pasues të Shpëtimtarit tonë të dashur. Dashuria e përsosur e Krishtit na jep vetëbesimin që të bëjmë përpara pavarësisht nga frikërat tona dhe që ta vëmë besimin tonë të plotë te fuqia dhe mirësia e Atit tonë Qiellor dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit.

Në shtëpitë tona, në vendet tona të punës, në thirrjet tona në Kishë, në zemrat tona, le ta zëvendësojmë frikën me dashurinë e përsosur të Krishtit. Dashuria e Krishtit do ta zëvendësojë frikën me besimin!

Dashuria e Tij do të na bëjë të aftë që ta dallojmë dhe të kemi mirëbesim e besim te mirësia e Atit tonë Qiellor, te plani i Tij hyjnor, ungjilli i Tij dhe urdhërimet e Tij.21 Dashuria për Perëndinë dhe bashkëqeniet tona do ta kthejë bindjen tonë ndaj urdhërimeve të Perëndisë në një bekim, dhe jo në një barrë. Dashuria e Krishtit do të na ndihmojë të bëhemi pak më të mirë, më falës, më të dashur dhe më të përkushtuar ndaj punës së Tij.

Ndërsa i mbushim zemrat tona me dashurinë e Krishtit, ne do të zgjohemi me një freski të ripërtërirë shpirtërore dhe do të ecim me gëzim, me vetëbesim, të zgjuar [nga gjumi] dhe të gjallë në dritën dhe lavdinë e Shpëtimtarit tonë të dashur, Jezu Krishtit.

Unë dëshmoj bashkë me Apostullin Gjon: “Në dashuri[në e Krishtit] nuk ka frikë”22. Vëllezër dhe motra, të dashur miq, Perëndia ju njeh në mënyrë të përsosur. Ai ju do në mënyrë të përsosur. Ai e di se çfarë rezervon e ardhmja juaj. Ai dëshiron që ju të “mos ki[ni] frikë, vetëm ki[ni] besim”23 dhe të “qëndroni në dashurinë”24 e Tij të përsosur. Kjo është lutja dhe bekimi im në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Xhorxh Uajtfildi dhe Xhonatan Eduardsi janë dy shembuj të spikatur të këtyre lloj predikuesish.

  2. Doktrina e Besëlidhje 121:37.

  3. Galatasve 5:22.

  4. Në një rast, Shpëtimtari dëshironte të hynte në një fshat të samaritanëve, por njerëzit nuk e pranuan Jezusin dhe nuk deshën ta prisnin Atë në fshatin e tyre. Dy prej dishepujve të Tij u lënduan fort nga kjo gjë dhe pyetën: “Zot, a do Ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë?” Jezusi u përgjigj me këtë paralajmërim: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni; sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t’i shpëtuar” (shih Lluka 9:51–56, Varianti i Ri i Mbretit Xhejms [1982]).

  5. Shih Moisiu 1:39; shih edhe Efesianëve 3:19.

  6. Eksodi 34:6.

  7. Shih Efesianëve 3:19.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 121:41. Sigurisht në qoftë se Perëndia pret nga ne, fëmijët e Tij të vdekshëm, të sillemi në këtë mënyrë kundrejt njëri-tjetrit, Ai – një qenie e përsosur, i zotëruar nga çdo virtyt – do të ishte modeli për një sjellje të tillë.

  9. Këshilli para lindjes në Qiell është një rast i shkëlqyer studimor që e dëfton karakterin e Perëndisë. Atje, Ati ynë Qiellor paraqiti planin e Tij për përparimin tonë të përjetshëm. Elementet kyç të atij plani përfshinë lirinë e zgjedhjes, bindjen dhe shpëtimin nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit. Luciferi, megjithatë, parashtroi një qasje të ndryshme. Ai doli dorëzanë se të gjithë do të bindeshin – asnjë nuk do të humbte. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë do të ishte përmes tiranisë dhe forcës. Por, Ati ynë i dashur Qiellor nuk do ta lejonte një plan të tillë. Ai e çmonte lirinë e zgjedhjes së fëmijëve të Tij. Ai e dinte se ne duhet të bëjmë gabime gjatë udhës, nëse duam të mësojmë me të vërtetë. Dhe ajo është arsyeja përse Ai siguroi një Shpëtimtar, sakrifica e përjetshme e të cilit mund të na pastronte nga mëkati dhe të lejonte hyrjen tonë përsëri në mbretërinë e Perëndisë.

    Kur Ati ynë në Qiell pa se shumë prej fëmijëve të Tij të dashur u joshën nga Luciferi, a i detyroi Ai ata që ta ndiqnin planin e Tij? A i frikësoi apo i kërcënoi Ai ata të cilët po bënin një zgjedhje kaq të tmerrshme? Jo. Perëndia ynë i gjithëfuqishëm me siguri mund ta kishte ndaluar këtë rebelim. Ai mund t’ua kishte imponuar vullnetin e Tij kundërshtarëve dhe t’i bënte ata që t’i bindeshin. Por përkundrazi, Ai i lejoi fëmijët e Tij të zgjidhnin vetë.

  10. 2 Timoteut 1:7.

  11. Shih, për shembull, Jozueu 1:9; Isaia 41:13; Lluka 12:32; Gjoni 16:33; 1 Pjetër 3:14; Doktrina e Besëlidhje 6:36; 50:41; 61:36; 78:18.

  12. Lluka 12:32.

  13. Doktrina e Besëlidhje 68:11.

  14. Këshilla e Moisiut për njerëzit e kohës së tij gjen ende zbatim: “Mos kini frikë, … çlirimi do të vijë nga Zoti, i cili do ta bëjë sot për ju” (Eksodi 14:13, Varianti i Ri i Mbretit Xhejms).

  15. Ligji i Përtërirë 31:6.

  16. Eksodi 14:14, Varianti i Ri i Mbretit Xhejms.

  17. Isaia 54:17.

  18. Gjoni 16:33.

  19. Doktrina e Besëlidhje 90:24; shih edhe 2 Korintasve 2:14; Doktrina e Besëlidhje 105:14.

  20. 1 Gjoni 4:18.

  21. Le të kujtojmë që Shpëtimtari nuk erdhi “në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:17). Në fakt, “Ai nuk bën asgjë që nuk është për të mirën e botës; pasi ai e do botën, deri në pikën sa të japë jetën e tij, që ai të mund të tërheqë të gjithë njerëzit te vetja” (2 Nefi 26:24).

  22. 1 Gjoni 4:18; shih edhe 1 Gjoni 4:16.

  23. Marku 5:36.

  24. Gjoni 15:10.