Plaku Adilson de Paula Parreja
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Kur Plaku Adilson de Paula Parreja ishte tetë vjeç, misionarët filluan t’i mësonin familjes së tij rreth Profetit Jozef Smith dhe Rivendosjes së ungjillit.
“Edhe kur isha fëmijë, nuk kisha dyshim se Jozef Smithi e kishte parë në fakt Perëndinë dhe Jezu Krishtin”, tha Plaku Parreja, i cili më 1 prill 2017, u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë. “Kurrë nuk e vura në dyshim që nga ajo kohë e tutje.”
Plaku Parreja lindi në vitin 1962 në Guaruja të Brazilit, në bregun atlantik pranë San-Paolos, nga Fioravante dhe Vanu de Paula Parreja.
Secili prej dy vëllezërve të tij më të mëdhenj shërbeu në mision. Shembulli i tyre dhe ai i një peshkopi të dashur, Anxhelino Borges de Freitas, i cili e këshillonte për mënyrën se si të ishte mbajtës i Priftërisë Aarone, ngjallën tek ai dëshirën për të shërbyer në një mision kohëplotë. Shërbimi misionar e përforcoi tek ai “realitetin e Perëndisë dhe të Birit të Tij dhe se të gjithë ne jemi fëmijë të Perëndisë”.
Pasi shërbeu në Misionin e Porto-Alegres në Brazil, Plaku Parreja ndoqi Universitetin “Brigam Jang” në Provo të Jutës në SHBA, ku ai mori një diplomë universitare për komunikim dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi. Ai punoi si drejtori përgjegjës i Kodak Polychrome Graphics dhe si ortak për Korn Ferry International. Më së fundi, ai ishte ortak për Kaldwell Partners.
Ai u martua me Illejn Finholdtin në dhjetor 1988, në Tempullin e San-Paulos në Brazil. Ata janë prindër të pesë djemve.
Plaku Parreja ka shërbyer si president dege, peshkop, këshilltar i lartë, këshilltar në një presidencë kunji, I Shtatëdhjetë Zonal dhe si president i Misionit të Belo-Horizontes në Brazil, nga viti 2009 deri në vitin 2012.
Qëkurse i takoi misionarët, jeta e tij ka qenë një udhëtim për të kuptuar ndjenjën që përjetoi kur ishte tetë vjeç. Pjesëmarrja në Kishë, vazhdimësia e të mësuarit nga fjala e Perëndisë dhe përpjekja për t’i jetuar urdhërimet, kanë ndihmuar në zgjerimin e largpamësisë së tij që nga [ajo] shkëndijë e së vërtetës që iu dha kur ishte fëmijë. “Kjo është me të vërtetë mbretëria e Perëndisë mbi tokë”, tha ai.