2017
Themelet e Besimit
maj 2017


Themelet e Besimit

Përgjërimi im është që ne do t’i bëjmë sakrificat dhe do ta kemi përulësinë e nevojshme për t’i forcuar themelet e besimit tonë te Zoti Jezu Krisht.

Kjo ka qenë një konferencë e përgjithshme e mrekullueshme. Ne vërtet jemi ngritur shpirtërisht. Nëse konferenca e përgjithshme ka një synim parësor, ai synim është që të ngrejë besimin te Perëndia, Ati, dhe te Shpëtimtari ynë, Zoti Jezu Krisht.

Fjalën time ua drejtoj themeleve të atij besimi.

Themelet vetjake, ashtu si shumë përpjekje me vlerë, zakonisht ngrihen dalëngadalë – shtresë pas shtrese, përvojë pas përvoje, sfidë pas sfide, pengesë pas pengese dhe sukses pas suksesi. Një nga përvojat fizike më të dashura është kur një vogëlush hedh hapat e parë. Është një mrekulli ta shikosh. Pamja e çmuar në fytyrën e fëmijës – një gërshetim i vendosmërisë, gëzimit, habisë dhe arritjes – është me të vërtetë një ngjarje me shumë rëndësi.

Në familjen tonë, ka një ngjarje të një natyre të ngjashme që spikat. Kur djali ynë më i vogël ishte rreth katër vjeç, hyri në shtëpi dhe tërë hare i bëri të ditur familjes me krenari të madhe: “Unë mund të bëj gjithçka tani. Unë mund të lidh, unë mund të ngas dhe unë mund të hap e mbyll.” Ne e kuptuam që ai po na thoshte se mund t’i lidhte këpucët e veta, mund ta ngiste triçiklin e tij “Rrota e Madhe” dhe mund ta mbyllte zinxhirin e palltos së tij. Ne të gjithë qeshëm, por kuptuam se për të ato ishin arritje madhështore. Ai mendonte se ishte zhvilluar me të vërtetë dhe qe rritur.

Zhvillimi fizik, mendor dhe shpirtëror kanë shumë të përbashkëta. Zhvillimi fizik është njëfarësoj i thjeshtë për t’u vënë re. Ne fillojmë me hapa si të fëmijës dhe përparojmë dita-ditës, nga viti në vit, duke u rritur e zhvilluar për të arritur te shtati ynë përfundimtar fizik. Zhvillimi është i ndryshëm për çdo person.

Kur shikojmë një arritje të shkëlqyer atletike apo muzikore, ne shpesh themi se personi është shumë i talentuar, gjë që përgjithësisht është e vërtetë. Por arritja është bazuar në vite përgatitjeje dhe ushtrimi. Një shkrimtar i mirënjohur, Malkolm Gleduelli, e ka quajtur këtë, rregullin e 10,000 orëve. Studiuesit kanë përcaktuar se kjo masë e të ushtruarit është e nevojshme në sportet e atletikës, interpretimet muzikore, zotësinë akademike, në aftësitë e lidhura me zanatet, në përgatitjen mjekësore apo ligjore dhe kështu me radhë. Një prej këtyre specialistëve të studimit pohon “që duhet të ushtrohesh dhjetë mijë orë për të arritur nivelin e mjeshtërisë që lidhet me të qenit një specialist i nivelit botëror – në çdo gjë”1.

Shumica e njerëzve e pranojnë se për të siguruar majat e arritjes fizike e mendore, një përgatitje dhe një ushtrim i atillë janë të domosdoshme.

Fatkeqësisht, në një botë gjithnjë e më shumë laike, më pak theks i vihet masës së rritjes shpirtërore të nevojshme për t’u bërë më shumë si Krishti dhe për të hedhur themelet që çojnë në besim të qëndrueshëm. Ne priremi që ta vëmë theksin te çastet e kuptueshmërisë së madhërishme shpirtërore. Këto janë ngjarje të çmuara, kur ne e dimë që Fryma e Shenjtë i ka dëshmuar zemrës e mendjes tonë pikëpamje të veçanta shpirtërore. Ne gjejmë gëzim në këto ngjarje; atyre nuk duhet t’u ulet vlera në asnjë mënyrë. Por për besim të qëndrueshëm dhe për të pasur shoqërimin e vazhdueshëm të Shpirtit nuk gjendet asnjë zëvendësues i zbatimit individual të besimit, i cili është i krahasueshëm me zhvillimin fizik dhe mendor. Ne duhet të ngremë mbi bazën e këtyre përvojave, të cilat nganjëherë u shëmbëllejnë hapave të parë të fëmijës. Ne e bëjmë këtë me anë të zotimit të përkushtuar ndaj mbledhjeve të shenjta të sakramentit, studimit të shkrimeve të shenjta, lutjes dhe shërbimit siç thirremi. Në një nekrologji të kohëve të fundit për babanë e 13 fëmijëve, u njoftua se “besnikëria [e tij] ndaj lutjes dhe studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta pati ndikim të thellë te fëmijët e tij, duke u dhënë atyre një themel të palëkundur besimi te Zoti Jezu Krisht”2.

Një përvojë që pata kur isha 15 vjeç qe themeltare për mua. Nëna ime besnike ishte përpjekur trimërisht të më ndihmonte të hidhja themelet e besimit në jetën time. Unë merrja pjesë në mbledhjen e sakramentit, në Fillore, më pas tek Të Rinjtë dhe në seminar. E kisha lexuar Librin e Mormonit dhe përherë isha lutur individualisht. Në atë kohë, një ngjarje e rëndësishme ndodhi në familjen tonë, kur vëllai im i dashur më i madh po merrte parasysh një thirrje të mundshme për mision. Babai im i mrekullueshëm, një anëtar më pak aktiv i Kishës, donte që ai të vijonte me shkollimin e tij dhe të mos shërbente në një mision. Kjo u kthye në një çështje grindjeje.

Në një diskutim mbresëlënës me tim vëlla, i cili ishte pesë vjet më i madh dhe e udhëhoqi diskutimin, ne arritëm në përfundimin se vendimi i tij për të shërbyer ose jo në një mision varej nga tri çështje: 1) A ishte Jezu Krishti hyjnor? 2) A ishte Libri i Mormonit i vërtetë? 3) A ishte Jozef Smithi profeti i Rivendosjes?

Teksa po lutesha çiltërsisht atë natë, Shpirti më pohoi të vërtetën e që të tria pyetjeve. Unë gjithashtu arrita të kuptoj se thuajse çdo vendim që do të merrja për pjesën tjetër të jetës sime do të bazohej në përgjigjet e atyre tri pyetjeve. Unë veçanërisht kuptova se besimi te Zoti Jezu Krisht ishte jetësor. Duke vështruar pas, unë pranoj se, kryesisht për shkak të nënës sime, themelet qenë siç duhej të ishin për mua që ta merrja atë pohim shpirtëror atë mbrëmje. Vëllai im, që e kishte një dëshmi tashmë, mori vendimin që të shërbente në një mision dhe përfundimisht e fitoi mbështetjen e babait tonë.

Udhërrëfimi shpirtëror merret kur nevojitet, në kohën e Zotit dhe sipas vullnetit të Tij.3 Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit është një shembull i shkëlqyer. Kohët e fundit pashë një botim të parë të Librit të Mormonit. Jozef Smithi e përfundoi përkthimin kur ishte 23 vjeç. Ne dimë diçka rreth procesit dhe mjeteve që përdori në atë përkthim. Në atë botim të parë të 1830-s, Jozefi përfshiu një parathënie të shkurtër dhe në mënyrë të thjeshtë e të qartë shpalli se ishte përkthyer “nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë”4. Po ndihmuesit në përkthim – Urimi dhe Thumimi, gurët e shikuesit? A ishin ata thelbësorë apo mos ishin ata si rrotat anësore ndihmëse në një biçikletë derisa Jozefi të mund të ushtronte besimin e nevojshëm për të marrë zbulesë më të drejtpërdrejtë?5

Kapaku i Librit të Mormonit të vitit 1830
Parathënia e Librit të Mormonit të vitit 1830

Ashtu siç përsëritja dhe përpjekjet këmbëngulëse nevojiten për të fituar një aftësi fizike apo mendore, po kjo është e vërtetë në çështjet shpirtërore. Kujtoni se Profeti Jozef Smith e priti të njëjtin vizitor, Moronin, me po të njëjtin mesazh katër herë në përgatitje për marrjen e fletëve. Unë besoj se pjesëmarrja e përjavshme në mbledhjet e shenjta të sakramentit ka rrjedhoja shpirtërore që ne nuk i kuptojmë plotësisht. Përsiatja e rregullt e shkrimeve të shenjta – në vend të leximit të tyre me raste – mund ta zëvendësojë një kuptueshmëri sipërfaqësore me një përforcim madhështor e jetëndryshues të besimit tonë.

Besimi është një parim fuqie. Më lejoni ta ilustroj: Kur isha misionar i ri, një president i jashtëzakonshëm misioni6 më njohu në një mënyrë depërtuese me rrëfimin e shkrimit të shenjtë që gjendet te Lluka 8, për gruan që kishte një fluks gjaku prej 12 vitesh dhe kishte harxhuar gjithçka zotëronte ndër mjekë që nuk mund ta shëronin atë. Ai ka mbetur sot e kësaj dite një prej shkrimeve të mia të shenjta të parapëlqyera.

Ju e mbani mend se ajo kishte besim që nëse vetëm mund ta prekte cepin e rrobës së Shpëtimtarit, ajo mund të shërohej. Kur e bëri atë, ajo u shërua në çast. Shpëtimtari, i cili po ecte përkrah dishepujve të Tij, tha: “Kush më preku?”

Përgjigjja e Pjetrit qe se të gjithë ata, duke ecur së bashku, po e shtynin Atë.

“Por Jezusi tha: ‘Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje’.”

Rrënja e fjalës virtyt [siç gjendet te shkrimi në anglisht] mund të interpretohet lehtësisht “fuqi”. Në spanjisht dhe portugalisht [ashtu si dhe në shqip], është përdorur drejtpërdrejtë fjala “fuqi”. Por pavarësisht [nga kjo], Shpëtimtari nuk e pa atë; Ai nuk qe përqendruar te nevoja e saj. Por besimi i saj qe i atillë saqë prekja e cepit të rrobës tërhoqi drejt saj fuqinë shëruese të Birit të Perëndisë.

Ashtu siç Shpëtimtari i tha asaj: “Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe”7.

Kam menduar për këtë rrëfim gjatë gjithë jetës sime si i rritur. Unë e kuptoj që lutjet dhe përgjërimet tona vetjake drejtuar një Ati të dashur në Qiell në emrin e Jezu Krishtit mund të sjellin bekime në jetën tonë përtej aftësisë tonë për ta kuptuar. Themelet e besimit, e llojit të besimit që kjo grua dëftoi, duhet të përbëjnë dëshirën e madhe të zemrës sonë.

Sidoqoftë, themelet fillestare të besimit, qoftë dhe me konfirmim shpirtëror, nuk do të thonë se ne nuk do të përballemi me sfida. Kthimi në besim në ungjill nuk do të thotë se të gjitha problemet tona do të zgjidhen.

Historia e hershme e Kishës dhe zbulesat e shënuara në Doktrina e Besëlidhje përmbajnë shembuj të shkëlqyer të hedhjes së themeleve të besimit dhe të përballjes me peripecitë e sfidat që i has kushdo.

Përfundimi i Tempullit të Kirtlandit qe themelor për tërë Kishën. Ai u shoqërua me dhurime shpirtërore, zbulesa doktrinore dhe rivendosjen e çelësave të domosdoshëm për vazhdimësinë e themelimit të Kishës. Ashtu si Apostujt e lashtë në ditën e Rrëshajave, shumë anëtarë përjetuan përvoja të mahnitshme shpirtërore në lidhje me përkushtimin e Tempullit të Kirtlandit.8 Por, ashtu si në vetë jetën tonë, kjo nuk do të thoshte se ata nuk do të përballeshin me sfida apo vështirësi paskëtaj. Asfare nuk e dinin këta anëtarë të hershëm se do të përballeshin me krizën financiare të Shteteve të Bashkuara – paniku i 1837-s – që do t’i sprovonte deri në shpirt.9

Një shembull i sfidave të lidhura me këtë krizë financiare u përjetua nga Plaku Parli P. Prat, një nga udhëheqësit e mëdhenj të Rivendosjes. Ai ishte një nga anëtarët e parë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Në pjesën e parë të vitit 1837, bashkëshortja e tij e dashur, Thenkfulli, ndërroi jetë pasi lindi fëmijën e tyre të parë. Parli dhe Thenkfulli kishin qenë të martuar për thuajse 10 vjet dhe vdekja e saj e dërrmoi atë.

Pak muaj më vonë, Plaku Prat e gjeti veten në një nga periudhat më të vështira që Kisha ka kaluar. Në mes të krizës kombëtare, probleme ekonomike vendore – përfshirë spekulimin me shitblerjen e tokës dhe vështirësitë e një institucioni financiar të krijuar nga Jozef Smithi dhe anëtarë të tjerë të Kishës – krijuan mosmarrëveshje dhe grindje në Kirtland. Udhëheqësit e Kishës nuk morën përherë vendime të mençura materiale në jetën e tyre. Parli pësoi humbje të rëndësishme financiare dhe për njëfarë kohe qe i pakënaqur me Profetin Jozef.10 Ai i shkroi një kritikë thumbuese Jozefit dhe foli kundër tij nga foltorja. Në të njëjtën kohë, Parli tha se ai vazhdonte të besonte te Libri i Mormonit dhe Doktrina e Besëlidhje.11

Plaku Prat kishte humbur bashkëshorten e tij, tokën e tij dhe shtëpinë e tij. Parli, pa e njoftuar Jozefin, u nis për në Misuri. Rrugës për atje, ai papandehur takoi shokët e tij Apostuj, Tomas B. Marshin dhe Dejvid Patenin, që po ktheheshin për në Kirtland. Ata ndienin një nevojë të madhe për të bërë që harmonia të rikthehej në Kuorum dhe e bindën Parlin të kthehej me ta. Ai e kuptoi se askush nuk kishte pësuar më shumë humbje sesa Jozef Smithi dhe familja e tij.

Parli u përpoq ta takonte Profetin, qau dhe rrëfeu se ajo që kishte bërë ishte e gabuar. Në muajt pas vdekjes së bashkëshortes së tij, Thenkfullit, Parli kishte qenë “nën një re të zezë” dhe ishte mposhtur nga frikërat dhe zhgënjimet.12 Jozefi, duke e ditur se ç’do të thoshte të luftoje përkundër tundimit dhe kundërshtimit, “e fali çiltërsisht” Parlin duke u lutur për të dhe duke e bekuar atë.13 Parli dhe të tjerët që qëndruan besnikë patën dobi nga sfidat e Kirtlandit. Ata u rritën në mençuri dhe u bënë më fisnikë e të virtytshëm. [Ajo] përvojë u bë pjesë e themeleve të tyre të besimit.

Fatkeqësia nuk duhet të shihet as si mospëlqim nga Zoti, as si një tërheqje e bekimeve të Tij. Kundërshtimi në të gjitha gjërat është pjesë e zjarrit të rafinuesit që na përgatit për një fat të përjetshëm çelestial.14 Kur Profeti Jozef qe në Burgun e Libertisë, fjalët e Zotit drejtuar atij i përshkruan të gjitha llojet e sfidave – përfshirë vuajtje dhe akuza të rreme – dhe përfundojnë:

“Në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde.

Biri i Njeriut ka zbritur nën këto të gjitha. A je ti më i madh se ai?”15

Zoti, në këtë udhëzim për Jozef Smithin, e bëri të qartë gjithashtu se ditët e tij njiheshin dhe s’do të numëroheshin më pak. Zoti e mbylli: “Mos ki frikë se ç’mund të bëjë njeriu, sepse Perëndia do të jetë me ty përherë e përgjithmonë”16.

Cilat, atëherë, janë bekimet e besimit? Çfarë arrin besimi? Lista është thuajse e pafundme:

Mëkatet tona mund të na falen për shkak të besimit në Krisht.17

Të gjithë ata që kanë besim, kanë lidhje të ngushtë me Shpirtin e Shenjtë.18

Shpëtimi vjen me anë të besimit në emrin e Krishtit.19

Ne marrim fuqi sipas besimit tonë në Krisht.20

Askush nuk hyn në pushimin e Zotit përveç atyre që i lajnë rrobat e tyre në gjakun e Krishtit për shkak të besimit të tyre.21

Lutjet marrin përgjigje sipas besimit.22

Pa besim mes njerëzve, Perëndia nuk mund të bëjë asnjë mrekulli mes tyre.23

Së fundmi, besimi ynë te Jezu Krishti është themeli qendror për shpëtimin dhe ekzaltimin tonë të përjetshëm. Ashtu siç Helamani i mësoi bijtë e tij: “Mbani mend se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj … , që është një bazë e sigurt, një bazë mbi të cilën në qoftë se njerëzit ndërtojnë, nuk mund të bien”24.

Unë jam mirënjohës për fortifikimin e themeleve të besimit që ka ardhur nga kjo konferencë. Përgjërimi im është që ne do t’i bëjmë sakrificat dhe do ta kemi përulësinë e nevojshme për t’i forcuar themelet e besimit tonë te Zoti Jezu Krisht. Për Të unë jap dëshminë time të sigurt, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Malcolm Gladwell, Outliers: The Story of Success (2008), f. 40. Ai citon neurologun Daniel Levitin.

  2. Kushtim për Bryant Hinckley Wadsworth, Deseret News, 15 janar 2017, legacy.com/obituaries/deseretnews.

  3. Shih 2 Nefi 28:30. Ne nuk e marrim gjithë tërësinë e njohurisë rreth një çështjeje apo të gjitha parimet e lidhura me të. Ato vijnë kur nevojiten: rresht pas rreshti dhe parim pas parimi.

  4. Në botimin e parë të Librit të Mormonit, të shtypur më 1830-n, Profeti Jozef Smith shkroi: “Unë do të doja t’ju vija në dijeni se unë përktheva nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (shih preface to the Book of Mormon [1830]). Botimet vijuese të Librit të Mormonit përfshijnë një deklaratë të ngjashme: “Fletët iu dorëzuan Jozef Smithit, i cili i përktheu ato nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë” (shih introduction to the Book of Mormon [2013]).

  5. Orson Prati kujtoi se ai kishte qenë i pranishëm shumë herë kur Jozef Smithi po përkthente Dhiatën e Re dhe kishte pyetur veten se përse ai nuk kishte përdorur një mjet gjatë atij procesi. “Jozefi, sikur t’i kishte lexuar mendimet e tij, ngriti sytë dhe shpjegoi se Zoti ia dha Urimin dhe Thumimin kur ishte i papërvojë lidhur me Shpirtin e frymëzimit. Por tani ai kishte përparuar kaq shumë sa i kuptonte veprimet e atij Shpirti dhe nuk kishte nevojë për ndihmën e atij mjeti” (“Two Days’ Meeting at Brigham City, June 27 and 28, 1874”, Millennial Star, 11 gusht 1874, f. 499; shih edhe Riçard E. Tërli i Riu, Robin S. Xhensen dhe Mark Ashurst-Mek-Gi, “Jozef Shikuesi”, Liahona, tetor 2015, f. 10–17).

  6. Presidenti i misionit ishte Plaku Marion D. Henks, i cili qe gjithashtu Autoritet i Përgjithshëm.

  7. Shih Lluka 8:43–48.

  8. Shih Veprat e Apostujve 2.

  9. Shih Mosia 2:36–37; shih edhe Henry B. Ajring, “Spiritual Preparedness: Start Early and Be Steady”, Liahona, nëntor 2005, f. 38 [Henri B. Ajring, “Përgatitja Shpirtërore: Fillo Herët dhe Ji i Qëndrueshëm”, Konferenca e Përgjithshme Tetor 2005 (nr. artikullit 00075 101), f. 53]: “Kështu, prova e madhe e jetës është të shohim nëse ne do t’ia vëmë veshin dhe do t’i bindemi urdhërimeve të Perëndisë në mes të stuhive të jetës. Nuk është që të durojmë stuhitë, por të zgjedhim të drejtën kur ato shtohen. Dhe tragjedia e jetës është të dështosh në atë provë dhe kështu dështon për t’u kualifikuar për t’u kthyer me lavdi në shtëpinë tonë qiellore.”

  10. Shih Terryl L. Givens dhe Matthew J. Grow, Parley P. Pratt: The Apostle Paul of Mormonism (2011), f. 91–98; hyrja e volumit dhe hyrja e pjesës 5, The Joseph Smith Papers, Documents, Volume 5: October 1835–January 1838, red. Brent M. Rogers dhe të tjerë (2017), f. xxviii–xxxi, 285–293.

  11. Shih “Letter from Parley P. Pratt, 23 May 1837”, në The Joseph Smith Papers, Documents, Volume 5: October 1835–January 1838, f. 386–391.

  12. Shih “History of John Taylor by Himself”, f. 15, në Histories of the Twelve, 1856–1858, 1861, Church History Library; Givens dhe Grow, Parley P. Pratt, f. 101–102.

  13. Shih The Autobiography of Parley P. Pratt, red. Parley P. Pratt Jr. (1874), f. 183–184.

  14. Shih 2 Nefi 2:11.

  15. Doktrina e Besëlidhje 122:7–8.

  16. Doktrina e Besëlidhje 122:9.

  17. Shih Enosi 1:5–8.

  18. Shih Jaromi 1:4.

  19. Shih Moroni 7:26, 38.

  20. Shih Alma 14:26.

  21. Shih 3 Nefi 27:19.

  22. Shih Moroni 7:26.

  23. Shih Ethëri 12:12.

  24. Helamani 5:12.