Që Drita Jonë të Mund të Jetë një Flamur për Kombet
Ungjilli i Shpëtimtarit dhe Kisha e Tij e rivendosur na japin shumë mundësi që drita jonë të jetë pjesë e flamurit të mrekullueshëm për kombet.
Vite më parë, ndërsa po shërbeja si mësues seminari, dëgjova një nga bashkëpunëtorët e mi t’u kërkonte studentëve të vet të reflektonin mbi pyetjen në vijim: “Nëse do të kishit jetuar në kohën e Shpëtimtarit, përse mendoni se do ta kishit ndjekur Atë si një nga dishepujt e Tij?” Ata arritën në konkluzionin se ata që e ndjekin Shpëtimtarin në kohën e sotme dhe përpiqen të jenë dishepuj të Tij me gjasa do të bënin po kështu në atë kohë.
Qysh atëherë, kam reflektuar mbi atë pyetje dhe konkluzionin e tyre. Shpesh e pyes veten se si do të isha ndier po ta dëgjoja Vetë Shpëtimtarin kur Ai tha sa vijon në Predikimin në Mal:
“Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.
Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t’u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.
Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:14–16).
A mund ta përfytyroni se si do të ishit ndier po të dëgjonit zërin e Shpëtimtarit? Në fakt, ne nuk na duhet ta përfytyrojmë. Është bërë një përvojë e vazhdueshme që ne ta dëgjojmë zërin e Zotit sepse kur e dëgjojmë zërin e shërbëtorëve të Tij, është e njëjta gjë.
Në vitin 1838, në një mesazh të ngjashëm me atë që u dha te Predikimi në Mal, Zoti deklaroi sa vijon nëpërmjet Profetit Jozef Smith:
“Sepse kështu do të quhet kisha ime në ditët e fundit, madje Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Në të vërtetë unë ju them ju të gjithëve: Ngrihuni e shkëlqeni, që drita juaj të mund të jetë një flamur për kombet” (DeB 115:4–5).
Ditët tona janë aq të jashtëzakonshme saqë ato iu shfaqën madje në një vegim profetit Isaia; ai gjithashtu e pa dhe profetizoi për këtë ditë të Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit dhe për qëllimin e saj, duke thënë: “Ai do të ngrerë flamurin për kombet, do të mbledhë të dëbuarit e Izraelit dhe do të grumbullojë ata që u shpërndanë nga Juda në të katër anët e dheut” (Isaia 11:12).
Në një kontekst shkrimi të shenjtë, shenja, apo standardi, është një flamur rreth të cilit njerëzit do të mblidheshin në unitet qëllimi. Në kohët e lashta një flamur shërbente si pikë bashkimi për ushtarët në betejë. Duke folur simbolikisht, Libri i Mormonit dhe Kisha e rivendosur e Jezu Krishtit janë flamuj për të gjitha kombet. (Shih Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta, “Ensign”, scriptures.lds.org.)
Nuk ka dyshim se një nga flamujt e mëdhenj të këtyre ditëve të mëvonshme është kjo konferencë e përgjithshme e mrekullueshme, ku puna dhe plani madhështor i Atit tonë Qiellor për “të bë[rë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme (Moisiu 1:39) shpallet vazhdimisht.
Mbajtja e vazhdueshme e konferencës së përgjithshme është një nga dëshmitë më madhështore të faktit që ne si shenjtorë të ditëve të mëvonshme “besojmë gjithçka që Perëndia ka zbuluar, gjithçka që Ai zbulon tani dhe ne besojmë se Ai përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë” (Nenet e Besimit 1:9).
Çfarë ka zbuluar mandej Zoti nëpërmjet Presidentit Tomas S. Monson që ne duhet të vazhdojmë ta bëjmë, që drita jonë të mund të jetë një flamur për kombet? Cilat janë disa nga gjërat e rëndësishme që duhen bërë në këtë çast të ndritur të ndërtimit të Sionit dhe mbledhjes së Izraelit?
Zoti gjithmonë na i ka zbuluar vullnetin e Tij “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Prandaj, ne duhet të mos befasohemi nga ato që mund të duken gjëra të vogla për shkak të natyrës së tyre të thjeshtë dhe përsëritëse, sepse Zoti tashmë na ka këshilluar, duke na treguar se “të bekuar janë ata që dëgjojnë parimet e mia dhe që i vënë veshin këshillës sime, pasi ata do të mësojnë urtësi; pasi atij që merr, unë do t’i jap më shumë” (2 Nefi 28:30).
Unë dëshmoj se duke mësuar “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” dhe duke ua vënë veshin këshillave të udhëheqësve tanë, ne do të kemi vaj për llambat tona që do të na aftësojnë t’u japim dritë të tjerëve sikurse Zoti na urdhëroi.
Ndërsa ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të qenë një dritë dhe një flamur për të tjerët, unë do të doja të përqendrohem në tri prej tyre: respektimi i ditës së Shabatit, përshpejtimi i punës për shpëtim në të dy anët e velit dhe dhënia mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
Drita për të cilën po flasim vjen nga përkushtimi që ne i japim respektimit të ditës së Shabatit, në Kishë si dhe në shtëpi; ajo është drita që rritet ndërsa ne e mbajmë veten të panjollë nga bota; është drita që vjen nga ofrimi i sakramenteve tona në ditën e Tij të shenjtë dhe nga drejtimi i lutjeve tona Më të Lartit – ku secila prej tyre na aftëson që ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete. Ajo është drita që rritet dhe bëhet e dukshme kur ne kthehemi në shtëpi me ndjenjën e faljes për të cilën Presidenti Henri B. Ajring foli në konferencën e përgjithshme të tetorit të kaluar kur ai tha: “Nga të gjitha bekimet që mund të numërojmë, bekimi më i madh deri tani është ndjenja e faljes që vjen kur ne marrim sakramentin. Ne do të ndiejmë dashuri dhe vlerësim më të madh për Shpëtimtarin, flijimi i pafundmë i të cilit bëri të mundur që ne të pastrohemi nga mëkati” (“Mirënjohje në Ditën e Shabatit” Liahona, nëntor 2016, f. 100).
Kur ne e mbajmë ditën e Shabatit të shenjtë dhe e marrim sakramentin, ne jo vetëm që pastrohemi, por gjithashtu drita jonë bëhet më e shkëlqyer.
Drita jonë shtohet edhe kur ne i kushtojmë kohë gjetjes së emrave të paraardhësve tanë, duke i çuar emrat e tyre në tempull dhe duke e mësuar familjen tonë dhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë.
Kjo punë e shenjtë në tempull dhe për historinë familjare që ne ndajmë me shenjtorët në të dy anët e velit po shkon përpara më shumë se kurrë ndërsa tempujt e Zotit po ndërtohen. Tani që tempujt kanë orare të veçanta për grupe familjare që vijnë me kartat e tyre të emrave të familjes, unë dhe bashkëshortja ime kemi pasur përvoja të këndshme ndërsa kemi shërbyer në tempull së bashku me fëmijët dhe nipërit e mbesat tona.
Kur i gjejmë dhe i çojmë emrat në tempull dhe i mësojmë edhe të tjerët se si ta bëjnë këtë, së bashku ne shkëlqejmë si një flamur apo standard.
Të mësojmë të japim mësim sikurse dha Shpëtimtari është një mënyrë tjetër si ne mund të ngrihemi dhe të shkëlqejmë. Unë gëzohem bashkë me cilindo që po mëson se si të japë mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Më lejoni të lexoj nga kopertina e manualit të ri të mësimdhënies: “Synimi i çdo mësuesi të ungjillit – çdo prindi, çdo mësuesi të thirrur formalisht, çdo mësuesi të shtëpisë, çdo mësueseje vizitore dhe çdo pasuesi të Krishtit – është që të japë mësim doktrinën e pastër të ungjillit, me anë të Shpirtit, me qëllim që t’i ndihmojë fëmijët e Perëndisë për ta ndërtuar besimin e tyre te Shpëtimtari dhe për t’u bërë më shumë si Ai” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016]).
Pikërisht tani, mijëra nga mësuesit tanë besnikë mbajnë lart një dritë ndërsa mësojnë si të japin mësim sipas mënyrës së Shpëtimtarit. Në këtë kontekst mbledhja e këshillit të mësuesve të rinj është një mënyrë për t’u ngritur dhe shkëlqyer ndërsa studentët takohen rreth flamurit të doktrinës së Krishtit, sepse “çelësi për të dhënë mësim sikurse Shpëtimtari dha është të jetosh sikurse Shpëtimtar jetoi” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 4).
Ndërsa ne të gjithë japim mësim dhe mësojmë sipas mënyrës së Tij dhe bëhemi më shumë si Ai, drita jonë shkëlqen më shumë dhe nuk mund të fshihet, dhe bëhet një flamur për ata që po e kërkojnë dritën e Shpëtimtarit.
Vëllezër dhe motra të mia të dashura, ne nuk duhet ta fshehim dritën tonë. Shpëtimtari ynë na urdhëroi që ta lëmë dritën tonë të shkëlqejë si një qytet mbi kodër apo si dritë qiriri në një shandan. Ndërsa e bëjmë këtë, ne do ta përlëvdojmë Atin tonë në Qiell. Ungjilli i Shpëtimtarit dhe Kisha e Tij e rivendosur na japin shumë mundësi që drita jonë të jetë pjesë e flamurit të mrekullueshëm për kombet.
Unë dëshmoj se Jezu Krishti është drita që ne duhet të pasqyrojmë, në emër të Jezu Krishtit, amen.