Sheron Iubank
Këshilltare e Parë në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës
Si një punonjëse e re në Shërbimet Humanitare SHDM, Sheron Iubanku dëshmoi mjerim, trishtim dhe pikëllim, që e vështirësuan kryerjen e funksionit të saj. Përmes lutjes, ajo arriti të kuptonte që, edhe pse mund ta ndihmonte Zotin të kujdesej për fëmijët e Tij, ajo nuk ishte përgjegjëse për atë dhembje. “Jezu Krishti është në krye. Ai do ta mbajë këtë barrë. Ata janë populli i Tij dhe Ai i dëgjon e u përgjigjet lutjeve të tyre.” Ajo përgjigje e ndryshoi aftësinë e saj për t’ua shtrirë dorën e ndihmës [të tjerëve] dhe për t’u shërbyer atyre.
Vite më vonë, Motra Iubank, si drejtoreshë e LDS Charities [Organizatës Bamirëse SHDM] – organizata humanitare e Kishës – u ka shpërndarë ndihma njerëzve që janë në nevojë anembanë globit, dhe i ka nxitur ata drejt mbështetjes te vetja.
E mbështetur më 1 prill 2017, në Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, ajo do ta vazhdojë rolin e saj si drejtoreshë e LDS Charities [Organizatës Bamirëse SHDM]. Ka një “lidhje të madhe” midis LDS Charities [Organizatës Bamirëse SHDM] dhe Shoqatës së Ndihmës, ku anëtare të Presidencës së Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës ulen në kryesinë e drejtorëve për LDS Charities [Organizatës Bamirëse SHDM], shpjegoi ajo. Përgjegjësitë e saj në të dyja organizatat do ta forcojnë atë lidhje.
E lindur në vitin 1963, në Reding të Kalifornisë në SHBA, Sheroni është fëmija më e madhe e shtatë fëmijëve të Mark dhe Xhin Iubankut. E rritur në Bauntifull të Jutës në SHBA, Motra Iubank u rrit në 4 ha ngastër tokë, ku fëmijët e familjes Iubank mblidhnin kajsi, rregullonin spërkatësit e ujit dhe u qaseshin nga afër maleve të Jutës.
Motra Iubank mori një diplomë universitare për anglisht dhe histori nga Universiteti “Brigam Jang” në Provo të Jutës dhe shërbeu në Misionin e Helsinkit në Finlandë.
Përveç punës së saj në Sektorin e Mirëqenies në Kishë, Motra Iubank punoi në Kongresin Amerikan në Uashington D.K. të SHBA-së, ishte bashkëpronare e një firme të vogël dhe jetoi jashtë vendit, në Japoni e Francë.
Çdo mundësi ishte një “hap besimi” që e ndihmoi të mësonte aftësitë të cilat ajo i përdor sot, që i mundësoi asaj të takonte njerëz të mrekullueshëm brenda e jashtë Kishës dhe që i dha dashuri e vlerësim për shumë kultura, gjuhë dhe ushqime të botës.