Shpirti i Shenjtë na Udhëzoftë
Detyra hyjnore e Frymës së Shenjtë, është të na frymëzojë, të na dëshmojë, të na mësojë dhe të na nxitë që të ecim në dritën e Zotit.
Vëllezër e motra, unë, sikurse të gjithë ju, e kuptojmë se po e shohim përshpejtimin e punës së Zotit nëpërmjet Presidentit Tomas S. Monson nga mesazhi i tij këtë mëngjes. Presidenti Monson, ne ju duam, ju mbështetim dhe lutemi përherë për ju “profeti ynë i dashur”1.
Ne kemi ndier një mbushullim të Shpirtit këtë fundjavë. Qoftë nëse ndodheni këtu në këtë sallë të madhe ose nëse po e shihni nga shtëpitë, apo jeni mbledhur në shtëpitë e mbledhjeve në pjesë të largëta të botës, ju keni pasur mundësinë ta ndieni Shpirtin e Zotit. Ai Shpirt i pohon zemrës dhe mendjes suaj të vërtetat e dhëna mësim në këtë konferencë.
Merrni parasysh fjalët e këtij himni të njohur:
Shpirt’ i Shenjt’ na udhëzoft’;
Të vërtetën na mësoft’.
Për Krishtin do të dëshmoj’,
Mendjet tona do ndriçoj’.2
Nga zbulesa e ditëve të mëvonshme, ne e dimë se Kreu-Perëndi përbëhet nga tri qenie të ndryshme dhe të veçuara: Ati ynë në Qiell; Biri i Tij i Vetëmlindur, Jezu Krishti dhe Fryma e Shenjtë. Ne e dimë se “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne.”3
Mesazhi im sot përqendrohet te rëndësia e Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Ati ynë në Qiell e dinte se në vdekshmëri ne do të hasnim sfida, mundime dhe shqetësime; Ai e dinte se do të na mundonin pyetjet, zhgënjimet, tundimet dhe dobësitë. Për të na dhënë forcë fizike dhe udhërrëfim hyjnor, Ai siguroi Shpirtin e Shenjtë, një emër tjetër i Frymës së Shenjtë.
Fryma e Shenjtë na lidh me Zotin. Detyra e Tij hyjnore, është të na frymëzojë, të na dëshmojë, të na mësojë dhe të na nxitë që të ecim në dritën e Zotit. Ne kemi përgjegjësinë e shenjtë që të mësojmë ta dallojmë ndikimin e Tij në jetën tonë dhe të reagojmë.
Mbajeni mend premtimin e Zotit: “Unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim.”4 Unë e dua shumë atë sigurim. Gëzimi që e mbush shpirtin tonë, sjell me vete një këndvështrim të përjetshëm në dallim me të jetuarin ditë pas dite. Ai gëzim vjen si paqe mes vështirësive ose pikëllimit. Ai na jep ngushëllim dhe kurajë, i shpalos të vërtetat e ungjillit dhe e rrit dashurinë tonë për Zotin dhe të gjithë fëmijët e Perëndisë. Edhe pse nevoja për të tilla bekime është kaq e madhe, në shumë mënyra bota i ka harruar dhe i ka braktisur ato.
Çdo javë, teksa e marrim sakramentin e shenjtë, ne bëjmë një besëlidhje që “gjithmonë ta kujtoj[m]ë atë”, Zotin Jezu Krisht dhe sakrificën e Tij shlyese. Kur e mbajmë këtë besëlidhje të shenjtë, premtimi është dhënë që ne “të mund të ke[mi] gjithmonë Shpirtin e tij me [ne]”5.
Si ta bëjmë ne këtë?
Së pari, ne përpiqemi fort të jetojmë të denjë për Shpirtin.
Fryma e Shenjtë i shoqëron ata që janë “të zellshëm që të kujtojnë Zotin, Perëndinë e tyre, nga dita në ditë”6. Siç këshilloi Zoti, ne duhet “t’i l[ëmë] mënjanë gjërat e kësaj bote dhe të kërko[jmë] gjërat e një më të mire”7, pasi “Shpirti i Zotit nuk banon në tempuj jo të shenjtë”8. Ne duhet të përpiqemi gjithnjë t’u bindemi ligjeve të Perëndisë, t’i studiojmë shkrimet e shenjta, të lutemi, të marrim pjesë në tempull dhe të jetojmë të vërtetë ndaj nenit të trembëdhjetë të besimit, duke qenë “të ndershëm, të vërtetë, të dëlirë, mirëdashës, të virtytshëm dhe [duke u] bër[ë] mirë të gjithë njerëzve”.
Së dyti, ne duhet të jemi të gatshëm për ta marrë Shpirtin.
Zoti ka premtuar: “Unë do të të them në mendjen tënde dhe në zemrën tënde, me anë të Frymës së Shenjtë, që do të vijë mbi ty dhe që do të banojë në zemrën tënde”9. Unë fillova ta kuptoja këtë kur isha misionar i ri në moshë, në Skoç-Pleins, Nju-Xhërsi. Një mëngjes të nxehtë korriku unë dhe shoku im i misionit ndiem nxitjen për të kërkuar [dikë], sipas një referimi, te Sheshi i Tempullit. Ne trokitëm në derën e banesës së Elud Shaferit. Zonja Shafer me mirësjellje nuk na pranoi.
Ndërkohë që po e mbyllte derën, unë ndjeva se duhej të bëja diçka që nuk e kisha bërë kurrë më parë dhe që nuk e kam bërë kurrë më që atëherë! E vendosa këmbën te dera dhe e pyeta: “A ka ndonjë tjetër që mund të jetë i interesuar për mesazhin tonë?” Vajza e saj 16-vjeçare, Marti, ishte vërtet e interesuar dhe ajo qe lutur me zjarr për udhërrëfim pikërisht një ditë më parë. Marti u takua me ne dhe, me kalimin e kohës, nëna e saj mori pjesë në diskutime. Të dyja u bashkuan me Kishën.
Si rrjedhojë e pagëzimit të Martit, 136 veta, përfshirë shumë prej familjarëve të saj, janë pagëzuar dhe kanë bërë besëlidhje të ungjillit. Sa mirënjohës jam që dëgjova Shpirtin dhe e vendosa këmbën te dera atë ditë të nxehtë korriku. Marti dhe disa pjesëtarë të dashur të familjes së saj janë këtu sot.
Së treti, ne duhet ta dallojmë Shpirtin kur vjen.
Përvoja ime ka qenë se Shpirti më së shumti komunikon si një ndjenjë. Ju e ndieni atë në fjalë që janë të njohura për ju, që kanë kuptim për ju, që ju nxitin. Merreni parasysh reagimin e nefitëve kur e dëgjuan Zotin të lutej për ta: “Dhe turma e dëgjoi dhe dëshmon; dhe zemrat e tyre qenë hapur dhe ata kuptuan në zemrat e tyre fjalët me të cilat ai u lut”10. Ata ndien në zemrën e tyre fjalët e lutjes së Tij. Zëri i Shpirtit të Shenjtë është i qetë dhe i ulët.
Në Dhiatën e Vjetër, Elija debaton me priftërinjtë e Baalit. Priftërinjtë prisnin që “zëri” i Baalit të vinte në formën e një shkreptime dhe të ndizte flijimet e tyre me zjarr. Por nuk erdhi asnjë zë, dhe nuk pati asnjë zjarr.11
Në një rast më vonë, Elija u lut. “Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet.
Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël.”12
A e njihni atë zë?
Presidenti Monson ka dhënë mësim: “Teksa vazhdojmë në rrugëtimin e jetës, le ta mësojmë gjuhën e Shpirtit”13. Shpirti flet fjalë që ne i ndiejmë. Këto ndjenja janë të buta, një shtytje e lehtë për të vepruar, për të bërë diçka, për të thënë diçka, për të reaguar në njëfarë mënyre. Nëse jemi rastësorë ose të vetëkënaqur në adhurimin tonë, të largët dhe moskokëçarës si pasojë e veprimtarive në botë, ne do ta gjejmë veten të mpakur në aftësinë tonë për të ndier. Nefi i tha Lamanit dhe Lemuelit: “Ju keni dëgjuar zërin e tij herë pas here; dhe ai ju ka folur me një zë të qetë, të ulët, por ju kishit humbur ndjesinë, që ju nuk mund të ndjenit fjalët”14.
Qershorin e kaluar m’u ngarkua një detyrë në Amerikën e Jugut. Patëm një program shumë të ngjeshur 10-ditor, për të vizituar Kolumbinë, Perunë dhe Ekuadorin. Një tërmet tejet i fortë kishte vrarë qindra njerëz, kishte plagosur dhjetëra mijëra, kishte dëmtuar dhe shkatërruar shtëpi dhe komunitete në qytetet Portovieho dhe Manta të Ekuadorit. Ndjeva nxitje që t’i shtoja programit tonë edhe një vizitë tek anëtarët që jetonin në ato qytete. Për shkak të dëmtimeve në infrastrukturë, nuk ishim të sigurt nëse mund të shkonim deri atje. Në fakt, na ishte thënë se nuk mund të shkonim deri atje, por nxitja nuk më largohej. Si pasojë, ne u bekuam dhe mundëm t’i vizitonim të dyja qytetet.
Për shkak të njoftimit brenda një kohe kaq të shkurtër, unë prisja që vetëm disa udhëheqës priftërie vendorë të merrnin pjesë në mbledhjet e organizuara me ngut. Sidoqoftë, ne mbërritëm në secilën qendër të kunjit dhe i gjetëm godinat kishtare të mbushura deri në fund të sallës. Disa anëtarë që merrnin pjesë ishin të dalluarit e zonës, pionierët që ishin kapur fort pas Kishës, duke i nxitur të tjerët të bashkoheshin me ta në adhurim dhe të ndienin Shpirtin në jetën e tyre. Në rreshtat e parë ishin ulur anëtarët që kishin humbur të dashurit dhe fqinjët e tyre nga tërmeti. Unë ndjeva nxitje t’u jepja një bekim apostullor të gjithëve atyre që merrnin pjesë, një bekim që e jepja për herë të parë. Ndonëse po qëndroja në krye të sallës, ishte sikur duart e mia qenë mbi kokën e secilit prej tyre dhe unë ndjeva fjalët e Zotit të më buronin.
Nuk përfundoi me kaq. Unë u ndjeva i nxitur t’u flisja atyre ashtu si kishte bërë Jezu Krishti kur vizitoi njerëzit në kontinentin amerikan. “Ai i mori fëmijët e tyre të vegjël … dhe i bekoi dhe iu lut Atit për ta.”15 Ne ishim në Ekuador, shkuam për të bërë punët e Atit dhe këta ishin fëmijët e Tij.
Së katërti, ne duhet të veprojmë që me nxitjen e parë.
Kujtojini fjalët e Nefit. “Unë isha i udhëhequr nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që unë duhet të bëja. Megjithatë,” tha ai “vazhdova të ecja”16.
Dhe kështu duhet të bëjmë edhe ne. Ne duhet të kemi besim në nxitjet tona të para. Nganjëherë ne arsyetojmë, ne e pyetim veten a jemi duke ndier një mbresë shpirtërore apo janë thjesht mendimet tona. Kur fillojmë të hamendësojmë për herë të dytë, madje për herë të tretë për ndjenjat tona – diçka që të gjithë e kemi bërë – ne po e largojmë Shpirtin; ne po e vëmë në pikëpyetje këshillën hyjnore. Profeti Jozef Smith dha mësim se nëse do t’ua vini veshin nxitjeve të para, [do të ndodhë] që nga dhjetë herë, nëntë herë do t’i dalloni saktë [nxitjet]”17.
Po ju jap një paralajmërim: Mos prisni fishekzjarrë për arsye se reaguat ndaj Frymës së Shenjtë. Mbani mend se jeni duke ndjekur zërin e qetë e të ulët.
Ndërsa po shërbeja si president misioni në Nju-Jork-Siti, isha ulur me disa nga misionarët tanë në një restorant në Bronks. Një familje e re hyri brenda dhe u ul pranë nesh. Ata dukeshin gati për ungjillin. I vëzhgova misionarët teksa vazhdonin takimin me mua, më pas vërejta familjen që e mbaroi vaktin dhe u largua pa rënë në sy. Më pas u thashë: “Pleq [Misionarë], sot do të marrim një mësim. Ju patë një familje të këndshme që hyri në këtë restorant. Çfarë duhet të kishim bërë?”
Një nga pleqtë [misionarët] me të shpejtë u përgjigj: “E mendova se duhej të ngrihesha dhe të shkoja t’u flisja. E ndjeva shtysën, por nuk reagova.”
“Pleq [Misionarë], thashë unë, “ne duhet të reagojmë gjithmonë ndaj nxitjes sonë të parë. Shtysa që ndjeve ishte Fryma e Shenjtë!”
Nxitjet e para janë frymëzim i kulluar nga qielli. Kur nxitjet na pohojnë dhe na dëshmojnë, ne duhet t’i dallojmë ato për atë që janë, dhe të mos i lëmë të na kalojnë. Shumë shpesh, është Shpirti që na frymëzon t’i drejtohemi dikujt në nevojë, familjes e miqve në veçanti. “Kështu … zëri i vogël, i qetë, që pëshpërit përmes gjithë gjërave”18, na drejton drejt mundësive për ta dhënë mësim ungjillin, për të dhënë dëshmi për Rivendosjen dhe Jezu Krishtin, për të ofruar përkrahje dhe interesim dhe për të shpëtuar një nga fëmijët e çmuar të Perëndisë.
Mendojeni këtë si të jetë diçka që quhet ndihma e shpejtë. Në shumicën e komuniteteve, ndihma e shpejtë në tragjedi, katastrofa ose fatkeqësi janë zjarrfikësit, policët, personeli i urgjencës. Ata vijnë me sirena dritash dhe më lejoni të shtoj se jemi thellësisht mirënjohës për ta. Mënyra e Zotit është më pak e dukshme por kërkon një reagim po aq të menjëhershëm. Zoti i di nevojat e të gjithë fëmijëve të Tij – dhe Ai e di se kush është i përgatitur për të ndihmuar. Nëse ia themi Zotit në lutjet tona të mëngjesit se jemi gati, Ai do të na thërrasë që të reagojmë. Nëse reagojmë, Ai do të na thërrasë herë pas here dhe ne do ta gjejmë veten në atë që Presidenti Monson e quan “punën e Zotit”19. Ne do të jemi ndihma e parë shpirtërore që e sjellim ndihmën nga lart.
Nëse tregojmë vëmendje ndaj nxitjeve që na vijnë, ne do të rritemi në shpirtin e zbulesës dhe do të marrim gjithnjë e më shumë këndvështrim dhe drejtim prej Shpirtit. Zoti ka thënë: “Vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë”20.
E marrshim me seriozitet thirrjen e Zotit: “Merrni zemër, sepse unë do t’ju udhëheq përgjatë udhës”21. Ai na udhëheq nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Jetofshim pranë Shpirtit, duke vepruar me të shpejtë ndaj nxitjeve tona të para, duke e ditur se ato vijnë prej Perëndisë. Unë jap dëshmi që Fryma e Shenjtë ka fuqinë të na udhëheqë, të na mbrojë dhe të jetë gjithmonë me ne, në emrin e Jezu Krishtit, amen.