2017
Gra të Sigurta
maj 2017


Gra të Sigurta

Gratë e sigurta janë dishepulle që përqendrohen te Shpëtimtari, Jezu Krishti, dhe kanë shpresë nëpërmjet premtimit të flijimit të Tij shlyes.

Motrat e mia të dashura, sa ju duam dhe ju falënderojmë për përgjigjen zemërgjerë dhe entuziaste ndaj ftesës së Presidencës së Parë dhe nismës #IWasAStranger. Ju lutemi vazhdoni të luteni, t’i dëgjoni pëshpëritjet e Shpirtit dhe të veproni sipas nxitjeve që merrni.

Pavarësisht nëse udhëtoj këtu afër apo anembanë botës, nuk është e pazakontë për dikë që të më pyesë: “A më mbani mend mua?” Ngaqë jam tepër e papërsosur, duhet ta pranoj se shpesh nuk mund t’i mbaj mend emrat. Megjithëkëtë, vërtet më kujtohet dashuria shumë e vërtetë që Ati Qiellor ma ka lejuar ta ndiej teksa takohem me bijat dhe bijtë e Tij të shtrenjtë.

Kohët e fundit pata mundësinë të vizitoj disa gra të dashura që janë në burg. Ndërkohë që po ndaheshim përzemërsisht, një grua e dashur m’u përgjërua: “Motra Barton, ju lutemi, mos na harroni”. Shpresoj se ajo dhe të tjerat që dëshirojnë të mbahen mend, do ta ndiejnë këtë gjë teksa ndaj me ju disa mendime.

Gra të Sigurta në Kohën e Shpëtimtarit: Të Përqendruara te Shpëtimtari, Jezu Krishti

Motrat tona përgjatë epokave kanë treguar modelin e besnikërisë së dishepulleve, për të cilin ne përpiqemi fort. “Dhiata e Re përfshin rrëfimet e grave [të sigurta], të përmendura me emër ose jo, të cilat ushtruan besim në Jezu Krishtin dhe [në Shlyerjen e Tij], i mësuan dhe i jetuan mësimet e Tij dhe dëshmuan për shërbesën, mrekullitë dhe madhështinë e Tij. Këto gra u bënë dishepulle shembullore dhe dëshmitare të rëndësishme në punën e shpëtimit.”1

Disa gra

Merrini parasysh këto tregime në librin e Llukës. Së pari, gjatë shërbesës së Shpëtimtarit:

“Dhe … ndodhi që [Jezusi] shkonte nëpër qytete dhe nëpër fshatra, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë; me të ishin të dymbëdhjetët,

dhe disa gra [të sigurta], … Maria, e quajtur Magdalenë, … Joana, … Suzana dhe shumë të tjera të cilat e ndihmonin atë”2.

Tregimi tjetër, pas Ringjalljes së Tij:

“Edhe disa gra [të sigurta] … shkuan herët në mëngjes te varri,

… [kur] nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë një vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton”3.

E kam lexuar dhe e kam anashkaluar shumë herë më parë shprehjen në dukje jombresëlënëse “disa gra [të sigurta]” [në anglisht “certain”], por kohët e fundit, teksa përsiata më me kujdes, ato fjalë dukej se më tërhoqën vëmendjen në atë faqe. Merrini parasysh këto sinonime të njërit prej kuptimeve të termit të sigurta kur lidhet me disa gra besnike: “të bindura në vetvete”, “pozitive”, “vetëbesuese”, “të qëndrueshme”, “të vendosura”, “të siguruara” dhe “të besueshme”4.

Teksa përsiatja këto fjalë të fuqishme përshkruese, më erdhën ndërmend dy prej atyre grave të sigurta të Dhiatës së Re, të cilat dhanë dëshmi pozitive, vetëbesuese, të qëndrueshme, të vendosura për Shpëtimtarin. Ndonëse ato, sikurse ne, ishin gra të papërsosura, dëshmia e tyre është frymëzuese.

A e kujtoni gruan te pusi që nuk i përmendet emri, e cila i ftoi të tjerët të vinin e të shihnin atë që ajo e kishte mësuar nga Shpëtimtari? Ajo e dha dëshminë e saj të sigurt në formën e një pyetjeje: “Vallë mos është ky Krishti?”5 Dëshmia dhe ftesa e saj ishin kaq bindëse sa “shumë … besuan në Të”6.

Marta jep dëshmi për Shpëtimtarin

Pas vdekjes së vëllait të saj, Llazarit, Marta, dishepullja dhe mikesha e shtrenjtë e Zotit, shpalli me atë që duhet të ketë qenë një emocion i madh: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur”. Merrni parasysh sigurinë e saj teksa vazhdoi: “Por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë”. Më tej ajo dëshmoi: “Unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”7.

Ne mësojmë nga këto motra se gratë e sigurta janë dishepulle që përqendrohen te Shpëtimtari, Jezu Krishti, dhe kanë shpresë nëpërmjet premtimit të flijimit të Tij shlyes.

Gra të Sigurta që i Mbajnë Besëlidhjet e Rivendosjes: Gatishmëria për të Sakrifikuar

Në lashtësi, gratë e sigurta bënë sakrifica ndërkohë që dëshmonin dhe vinin në jetë mësimet e Jezusit. Gratë e sigurta në ditët e hershme të Rivendosjes bënë të njëjtën gjë. Druzila Hendriksi dhe familja e saj ishin mes atyre që, kur ishin të kthyer të rinj në besim, vuajtën gjatë përndjekjes së shenjtorëve në kontenë Klei në Misuri. Bashkëshorti i saj u paralizua përgjithmonë gjatë Betejës së Lumit Krukëd. Asaj iu desh të kujdesej për të si edhe të siguronte për nevojat e familjes së saj.

“Në një kohë veçanërisht të mundimshme, kur familjes i ishte mbaruar ushqimi, ajo mbante mend që një zë i tha: ‘Duro se Zoti do të sigurojë’.”

Kur ishte nevoja që biri i saj të dilte vullnetar për Batalionin Mormon, fillimisht Druzila kundërshtoi dhe u ndesh në lutje me Atin Qiellor derisa “të ishte sikur një zë t’i thoshte: ‘A nuk e dëshiron lavdinë më të lartë?’ Natyrisht ajo u përgjigj ‘Po’ dhe zëri vazhdoi: ‘Si mendon ta fitosh atë përveçse duke bërë sakrificat më të mëdha?’”8

Ne mësojmë nga kjo grua e sigurt se të jemi dishepulle që i mbajmë besëlidhjet, kërkon gatishmërinë tonë për të sakrifikuar.

Gra të Sigurta Sot: Të Kujtuarit dhe Përgatitja për të Festuar Ardhjen e Tij

Kam përmendur gra të sigurta në kohën e Shpëtimtarit dhe në ditët e hershme të Rivendosjes së ungjillit, por a ka shembuj të dishepullimit dhe dëshmive të grave të sigurta në kohën tonë?

Motra Barton me motra në Azi

Në vizitën time të kohës së fundit në Azi, përsëri u frymëzova nga shumë gra të sigurta që takova. Më bënë veçanërisht përshtypje njerëz në Indi, Malajzi dhe Indonezi që janë anëtarët e parë të Kishës në familjet e tyre, të cilët përpiqen ta jetojnë kulturën e ungjillit në vetë shtëpitë e tyre, nganjëherë duke bërë sakrificë të madhe ngaqë të jetuarit e ungjillit shpesh ndeshet me kulturat e familjes dhe të vendit. Gratë e sigurta anëtare të Kishës prej shumë brezash, që i takova në Hong-Kong dhe Tajvan, vazhdojnë ta bekojnë jetën e familjeve të tyre, të anëtarëve të Kishës dhe të komuniteteve duke mbetur të përqendruara në Shpëtimtarin dhe duke sakrifikuar me gatishmëri që të mbajnë besëlidhjet. Gra të sigurta si këto gjenden anembanë Kishës.

Motra Barton me motra në Azi

Një grua e sigurt që e ka bekuar jetën time për dekada, është ndeshur për 15 vitet e fundit me sëmundjen ligështuese, të vështirë dhe në përkeqësim që i dobëson vazhdimisht muskujt e saj. Edhe pse e detyruar të lëvizë vetëm me një karrige invalidësh, ajo përpiqet të jetë mirënjohëse dhe e kryen “Listën Mund Mund” të saj: një listë e përditësuar e gjërave që ajo mund t’i bëjë, të tilla si mund të marr frymë, mund të gëlltitem, mund të lutem dhe mund ta ndiej dashurinë e Shpëtimtarit tim. Ajo ua jep pothuajse çdo ditë familjes dhe miqve dëshminë e saj të sigurt, të përqendruar te Krishti.

Kohët e fundit dëgjova historinë e Xhenit. Ajo është një misionare e kthyer nga misioni prindërit e së cilës u shkurorëzuan ndërkohë që ajo po shërbente në mision. Ajo tregoi se si ideja e kthimit në shtëpi “e frikësonte tmerrësisht”. Por në fund të misionit të saj në Itali, teksa ndaloi në shtëpinë e misionit në udhën e kthimit për në Shtetet e Bashkuara, një grua e sigurt, gruaja e presidentit të misionit, butësisht i shërbeu asaj thjesht duke i krehur flokët.

Vite më vonë, një tjetër grua e sigurt, Teri – një presidente e Shoqatës së Ndihmës të kunjit dhe një dishepulle e Jezu Krishtit – e bekoi jetën e Xhenit kur Xheni u thirr si presidente e Shoqatës së Ndihmës të lagjes. Në atë kohë, Xheni po punonte për disertacionin për doktoratën e saj. Jo vetëm që Teri shërbeu si këshilluese për Xhenin si udhëheqëse, por gjithashtu u ul me të për 10 orë në spital kur Xheni mori diagnozën alarmuese të leukemisë. Teri shkoi në spital dhe e çoi Xhenin me makinë për vizitat e saj mjekësore. Xheni rrëfeu: “Mendoj se mund të kem vjellë disa herë në makinën e saj”.

Pavarësisht nga sëmundja e saj, Xheni vazhdoi të shërbente me besnikëri si presidente e Shoqatës së Ndihmës së lagjes. Edhe në këto rrethana jashtëzakonisht të vështira, ajo bënte telefonata e dërgonte mesazhe me celular dhe mesazhe elektronike nga shtrati e i ftonte motrat të vinin e ta shihnin. Ajo u dërgonte kartolina dhe letra njerëzve, duke i dashur motrat e saj nga larg. Kur lagjja e saj kërkoi një fotografi të presidencës së saj për historinë e lagjes së tyre, kjo është ajo që morën. Ngaqë Xheni është vetë një grua e sigurt, ajo i ftoi të gjithë t’i ndanin barrët me të tjerët, përfshirë të vetat.

Presidenca e Shoqatës së Ndihmës të lagjes me kapela

Si grua e sigurt, Xheni dëshmoi: “Jo vetëm që jemi këtu për të shpëtuar të tjerët, por edhe për të shpëtuar vetveten. Dhe ai shpëtim vjen nga bashkëpunimi me Jezu Krishtin, nga të kuptuarit e hirit të Tij dhe Shlyerjes së Tij, dhe të ndjenjave të Tij të dashurisë për gratë e Kishës. Ajo ndodh nëpërmjet gjërave aq të thjeshta sa krehja e flokëve të dikujt, dërgimi i një letre me një mesazh të frymëzuar, të qartë, zbulues të shpresës dhe të hirit, ose duke i lejuar gratë të na shërbejnë.”9

Motra, kur jemi bërë të shpërqendruara, dyshuese, të shkurajuara, mëkatare, të trishtuara ose të tronditura shpirtërisht, pranofshim ftesën e Zotit për të pirë nga uji i Tij i gjallë, sikurse e pranoi gruaja e sigurt te pusi, duke i ftuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, ndërkohë që ne japim dëshminë tonë të sigurt: “Vallë mos është ky Krishti?”

Kur jeta duket e padrejtë, sikurse duhej t’i ishte dukur Martës në vdekjen e vëllait të saj – kur përjetojmë dhembjet e vetmisë, moslindjes së fëmijëve, humbjes së njerëzve të dashur, të mundësive të humbura për martesë e familje, të shtëpive të shkatërruara, depresionit ligështues, sëmundjes fizike ose mendore, stresit ndrydhës, ankthit, vartësisë, vështirësisë financiare ose një mori mundësish të tjera – kujtofshim Martën dhe shpallshim dëshminë tonë të ngjashme, të sigurt: “Por … e di [dhe] besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë”.

Gra te kryqi

I kujtofshim gratë e sigurta të shumta që nuk pranuan ta braktisnin Shpëtimtarin tonë të shtrenjtë gjatë përvojës torturuese që Ai e vuajti në kryq dhe prapëseprapë orë më pas patën privilegjin që të ishin mes dëshmitareve të sigurta të Ringjalljes së Tij të lavdishme. Le të gjendemi duke qëndruar pranë Tij në lutje dhe në studimin e shkrimeve të shenjta. Le ta afrojmë veten pranë Tij duke u përgatitur për emblemat e shenjta të flijimit të Tij shlyes dhe duke i marrë ato çdo javë gjatë ordinancës së sakramentit dhe teksa i mbajmë besëlidhjet duke u shërbyer të tjerëve në kohët e tyre të nevojës. Ndoshta atëherë mund të jemi pjesë e grave të sigurta, dishepulleve të Jezu Krishtit, të cilat do ta festojnë kthimin e Tij të lavdishëm kur Ai të vijë sërish.

Shpëtimtari në Ardhjen e Dytë

Motra, unë dëshmoj për Prindërit e dashur Qiellorë; për Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin; dhe për Shlyerjen e Tij të pafundme në emrin tonë. Unë e di se Profeti Jozef Smith u parashugurua si profeti i Rivendosjes. E di që Libri i Mormonit është i vërtetë dhe u përkthye nëpërmjet fuqisë së Perëndisë. Ne jemi bekuar me një profet të gjallë në kohën tonë, Presidentin Tomas S. Monson. Për këto të vërteta jam e sigurt! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society (2011), f. 3.

  2. Lluka 8:1–3; theksimi i shtuar.

  3. Lluka 24:22–23; theksimi i shtuar.

  4. Në anglisht fjala certain ka një kuptim të dytë të “një përzgjedhjeje të” ose “një larmie të”. Por në bisedën time sot dëshiroj të theksoj një kuptim tjetër të fjalës në anglisht, që tregon një ndjenjë të sigurisë, vetëbesimit dhe besnikërisë.

  5. Gjoni 4:29.

  6. Gjoni 4:39.

  7. Gjoni 11:21–22, 27; theksimi i shtuar.

  8. Shih Jennifer Reeder and Kate Holbrook, red., At the Pulpit: 185 Years of Discourses by Latter-day Saint Women (2017), f. 51–52.

  9. Përdoret me lejen e autores, Jennifer Reeder, një specialiste e historisë së grave të shekullit të 19-të në Sektorin e Historisë së Kishës.