2017
Ec me Mua
maj 2017


“Ec me Mua”

Shugurimi ynë në priftëri është një ftesë nga Zoti për të ecur me Të, për të bërë atë çka Ai bën, për të shërbyer në mënyrën siç Ai shërben.

Vëllezërit e mi të dashur të priftërisë, qëllimi im sot është si për t’ju siguruar përsëri edhe për t’ju fuqizuar në shërbimin tuaj të priftërisë. Në disa mënyra, është i ngjashëm me qëllimin që unë përfytyroj se Shpëtimtari pati kur takoi një të ri të pasur, i cili e pyeti: “Çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?” (Mateu 19:16.) Ndoshta ju keni ardhur në këtë konferencë sikurse shkoi ky i ri te Shpëtimtari, duke pyetur veten nëse shërbimi juaj ishte i pranueshëm. Dhe njëkohësisht, ju mund ta ndieni se ka më shumë për të bërë – ndoshta shumë më tepër! Lutem që të mund të jem në gjendje ta përcjell miratimin e dashur të Zotit për atë që tashmë keni bërë, duke ju ofruar gjithashtu një vështrim nxitës për atë që, me ndihmën e Tij, ende mundeni ta arrini si mbajtës të priftërisë së Tij të shenjtë.

Të riut pasanik iu kërkua të shiste gjithçka që kishte për ta ndjekur Shpëtimtarin; përparimi juaj i ardhshëm mund të mos ta kërkojë këtë, por me gjasa do të kërkojë një masë sakrifice. Sido që të jetë, unë shpresoj që mesazhi im të mos ju bëjë të “ik[ni të] trishtuar” sikurse bëri i riu. (Shih Mateu 19:20–22.) Përkundrazi, unë besoj se ju do ta “vazhdoni udhën tuaj të gëzuar” (DeB 84:105) sepse ju doni të përmirësoheni dhe ju mendoni se mundeni.

Megjithatë, është e natyrshme të ndiesh pak pamjaftueshmëri kur merr parasysh atë që Zoti na ka thirrur të bëjmë. Në fakt, po të më thoshit se ndiheni përsosurisht të aftë për t’i plotësuar detyrat tuaja të priftërisë, unë mund të shqetësohesha se mos ju nuk i kuptoni. Nga ana tjetër, nëse do të më thoshit se ndiheni se po dorëzoheni ngaqë detyra është shumë larg aftësive tuaja, atëherë do të doja t’ju ndihmoj ta kuptoni se si Zoti i rrit dhe i forcon mbajtësit e priftërisë së Tij për të bërë gjëra që ata kurrë nuk do të mund t’i bënin vetëm.

Kjo është po aq e vërtetë për mua në thirrjen time sikurse është për ju në thirrjet tuaja. Asnjë nga ne nuk mund ta bëjë punën e priftërisë dhe ta bëjë mirë, duke u mbështetur vetëm në urtësinë dhe talentet vetjake. Është kështu sepse kjo nuk është puna jonë – është puna e Zotit. Prandaj, e vetmja mënyrë për të pasur sukses është mbështetja tek Ai, qoftë nëse jeni dhjak i sapothirrur që ju është besuar detyra të sillni paksa fuqi shpirtërore në ordinancën e sakramentit, apo mësues shtëpie i caktuar nga Zoti për t’i dhënë dashuri dhe shërbyer një familjeje që nuk e njihni dhe që duket të mos e dojë dashurinë apo shërbesën tuaj, ose baba që e di se duhet të kryesoni në shtëpinë tuaj me drejtësi, por ndoshta jeni i pasigurt se si ta bëni këtë dhe duket se koha po mbaron, pasi ata fëmijë po rriten me shpejtësi dhe bota duket kaq e ashpër dhe armiqësore.

Kështu që, nëse ndiheni paksa i tronditur, merreni atë si shenjë të mirë. Ajo tregon se mund ta ndieni rëndësinë e mirëbesimit që Perëndia ka vendosur te ju. Ajo do të thotë se ju e keni njëfarë kuptueshmërie se çfarë është priftëria në të vërtetë.

Ka shumë pak njerëz në botë që e kanë atë kuptueshmëri. Edhe ata që mund të thonë një përkufizim të pranueshëm, mund të mos ta kuptojnë vërtet. Ka disa shkrime të shenjta që, nëpërmjet fuqisë së Shpirtit që mbartin, mund ta thellojnë ndjesinë tonë të vlerësimit nderues lidhur me priftërinë e shenjtë. Këtu janë disa nga ato shkrime të shenjta:

“Fuqia dhe autoriteti i priftërisë … Melkizedeke është të mbajë çelësat e të gjitha bekimeve shpirtërore të kishës—

Të ketë privilegjin e marrjes së mistereve të mbretërisë së qiellit, t’i bëjë qiejt të hapen për ta, të komunikojë me kuvendin e përgjithshëm dhe kishën e të Parëlindurit dhe të gëzojë shoqërimin dhe praninë e Perëndisë, Atit, dhe Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re.

Fuqia dhe autoriteti i priftërisë … Aarone është të mbajë çelësat e shërbesës së engjëjve” (DeB 107:18–20).

“Në ordinancat e [priftërisë], fuqia e perëndishmërisë manifestohet. …

Sepse pa këtë, askush nuk mund të shohë fytyrën e Perëndisë, madje Atit, dhe të jetojë” (DeB 84:20, 22).

“Kjo priftëri e lartë [është] sipas urdhrit të Birit të [Perëndisë], urdhër i cili ishte që prej krijimit të botës; ose me fjalë të tjera, duke qenë pa fillim ditësh ose mbarim vitesh, duke qenë e përgatitur nga përjetësia në gjithë përjetësinë, sipas paraditurisë së tij të të gjitha gjërave” (Alma 13:7).

“Secili që shugurohet sipas këtij urdhëri dhe thirrjeje do të ketë pushtet, me anë të besimit, të çajë male, të ndajë dete, të thajë ujëra, t’u ndryshojë atyre rrjedhën;

Të sfidojë ushtritë e kombeve, të ndajë tokën, të prishë çdo lidhje, të qëndrojë në praninë e Perëndisë; t’i bëjë të gjitha gjërat sipas vullnetit të tij, sipas urdhërit të tij, të nënshtrojë principata dhe pushtete; dhe këtë me anë të vullnetit të Birit të Perëndisë, i cili ishte që përpara themelimit të botës” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:30–31 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]).

Një mënyrë për t’iu përgjigjur përshkrimeve të tilla madhështore të fuqisë së priftërisë, është të hamen-dësojmë sikur ato nuk zbatohen për ne. Një tjetër mënyrë për t’u përgjigjur është me pyetje që e përshkojnë shpirtin, të bëra nga zemra jonë, të tilla si këto: A e kam ndier ndonjëherë se qiejt ishin hapur për mua? A do ta përdorte ndokush frazën “shërbim [i] engjëjve” për të përshkruar shërbimin tim në priftëri? A e sjell unë “fuqi[në] e perëndishmërisë” në jetën e atyre që u shërbej? A ka ndodhur ndonjëherë që të shemb një mal, të mund një ushtri, të thyej prangat e dikujt apo të mposht fuqitë e botës – qoftë edhe në mënyre figurative – për të përmbushur vullnetin e Perëndisë?

Një vetëshqyrtim i tillë sjell gjithmonë mendimin se ne mund të bëjmë më shumë në shërbim të Zotit. Unë shpresoj se ai ju sjell gjithashtu mendimin se doni të bëni më shumë – një dëshirë të zjarrtë për të marrë pjesë më plotësisht në punën e mrekullueshme të Zotit. Mendime të tilla janë hapi i parë për t’u bërë si ata lloj burrash që pritet të krijojë shërbimi i priftërisë.

Hapi tjetër është përshkruar në një ndërveprim midis Jehovës dhe Enokut. Ne e njohim Enokun si një profet të fuqishëm që krijoi Sionin në mes të një ligësie të madhe. Por, para se të ishte një profet i fuqishëm, Enoku e shihte veten “veçse [si] një djalosh … [të] ngadaltë në të folur”, të urryer nga të gjithë njerëzit (Moisiu 6:31). Dëgjojini fjalët që përdori Zoti për ta nxitur Enokun. Ato janë gjithashtu fjalët e Tij për ju që jeni thirrur t’u shërbeni të tjerëve si mbajtës të priftërisë:

“Dhe Zoti i tha Enokut: Shko e bëj siç të kam urdhëruar dhe askush nuk do të të ngacmojë. Hape gojën tënde dhe ajo do të mbushet e unë do të t’i jap fjalët, sepse tërë mishi është në dorën time dhe unë do të bëj si të më duket mirë. …

Vër re, Shpirti im është mbi ty, si rrjedhim të gjitha fjalët e tua do t’i justifikoj; dhe malet do të marrin arratinë përpara teje dhe lumenjtë do ta ndryshojnë rrjedhën e tyre; dhe ti do të banosh në mua dhe unë në ty; prandaj ec me mua” (Moisiu 6:32, 34).

Vëllezër, shugurimi ynë në priftëri është një ftesë nga Zoti për të ecur me Të. Dhe çfarë do të thotë të ecësh me Zotin? Ajo do të thotë të bësh atë çka Ai bën, të shërbesh në mënyrën siç Ai shërben. Ai e sakrifikoi rehatinë e Vet për të bekuar nevojtarët, ndaj kjo është çka ne përpiqemi të bëjmë. Ai dukej se u kushtonte vëmendje të veçantë njerëzve që i shpërfillën dhe madje i shmangën nga shoqëria, ndaj ne duhet të përpiqemi ta bëjmë këtë gjithashtu. Ai dëshmoi me guxim e megjithatë me dashuri për doktrinën e vërtetë që mori nga Ati i Tij, edhe nëse ishte e panjohur dhe kështu duhet të bëjmë edhe ne. Ai u tha të gjithëve: “Ejani tek unë” (Mateu 11:28) dhe ne u themi të gjithëve: “Ejani tek Ai”. Si mbajtës të priftërisë, ne jemi përfaqësues të Tij. Ne nuk veprojmë për veten, por për Atë. Ne nuk themi fjalët tona, por të Tijat. Njerëzit të cilëve u shërbejmë, arrijnë ta njohin Atë më mirë për shkak të shërbimit tonë.

Sapo e pranojmë ftesën e Zotit “Ejani tek unë”, natyra e shërbimit tonë të priftërisë ndryshon. Ajo bëhet njëkohësisht më e lartë dhe më fisnike, por gjithashtu më e arritshme, sepse ne e dimë që nuk jemi vetëm. Unë e ndjeva në mënyrën më të fuqishme këtë kur Presidenti Tomas S. Monson vendosi duart e tij mbi kokën time nëntë vjet më parë dhe më bekoi kur fillova shërbimin në thirrjen time të tanishme. Në atë bekim, ai tha këto fjalë të Shpëtimtarit: “Dhe kushdo që ju pranon ju, atje do të jem unë gjithashtu, sepse unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart” (DeB 84:88).

Unë jam mbështetur tek ai premtim shumë herë dhe e kam parë të përmbushet në shumë mënyra gjatë gjithë 72 viteve të mia të shërbimit në priftëri. Ndodhi kur isha një mbajtës i ri i Priftërisë Aarone me detyrë për të shpërndarë sakramentin. I tmerruar se mos bëja ndonjë gabim, dola jashtë godinës së kishës përpara se të fillonte mbledhja dhe u luta në dëshpërim që Perëndia të më ndihmonte. Një përgjigje erdhi. Ndjeva që Zoti ishte me mua. Unë ndjeva mirëbesimin e Tij tek unë dhe kështu ndjeva mirëbesimin te pjesa ime e punës së Tij.

Ndodhi përsëri kur po shërbeja si peshkop. Mora një telefonatë nga një grua që pati bërë një gabim të rëndë dhe tani duhej të merrte një vendim të vështirë, që i ndryshonte jetën. Kur e vizitova, ndjeva se e dija përgjigjen për problemin e saj, por gjithashtu ndjeva fuqishëm se unë nuk duhej t’ia jepja atë përgjigje – ajo duhej ta merrte vetë. Fjalët e mia për të ishin: “Unë besoj se Perëndia do të të tregojë se çfarë të bësh nëse do ta pyetësh Atë”. Ajo më vonë tregoi se vërtet e pyeti Atë dhe Ai i tregoi asaj.

Në një rast tjetër erdhi një telefonatë kur isha peshkop – këtë herë nga policia. Më treguan se një shofer i dehur e kishte përplasur makinën e vet përmes xhamit në hyrjen kryesore të një banke. Kur shoferi i shushatur pa rojën e sigurisë me armën drejtuar atij, ai klithi: “Mos qëllo! Unë jam mormon!”

U mësua se shoferi i dehur ishte një anëtar i lagjes sime, i pagëzuar vetëm së fundi. Ndërkohë që prisja të flisja me të në zyrën time të peshkopit, planifikova se çfarë do t’i thosha që ta bëja të ndihej i penduar për mënyrën se si i pati thyer besëlidhjet e tij dhe e pati vënë Kishën në siklet. Por, ndërsa isha ulur duke e vështruar, dëgjova një zë në mendje të thoshte aq qartë sikur dikush po më fliste: “Do të të lejoj ta shohësh atë ashtu sikurse Unë e shoh”. Dhe mandej, për një çast të shkurtër, e gjithë pamja e tij m’u ndryshua. Unë nuk pashë një të ri të shushatur, por një bir të zgjuar, fisnik të Perëndisë. Unë befas e ndjeva dashurinë e Zotit për të. Ai përfytyrim e ndryshoi bashkëbisedimin tonë. Ai më ndryshoi edhe mua.

Unë mora mësime të rëndësishme nga këto përvoja duke ecur me Zotin për të bërë punën e Tij. Unë do të doja t’ju tregoj tri prej tyre. E para është që Perëndia vëren dhe do ta mbështetë edhe dhjakun më të ri në shërbim e moshë. Ju nuk duhet kurrë të ndiheni sikur jeni tepër i vogël apo tepër i parëndësishëm për Atë sa t’ju vërejë ju dhe shërbimin që po jepni në emrin e Tij.

Mësimi i dytë është se puna e Zotit nuk është thjesht të zgjidhë probleme; ajo është që të formojë njerëz. Kështu që, ndërsa ecni me Të në shërbimin e priftërisë, ju mund të zbuloni se ndonjëherë ajo që duket si zgjidhja më e efektshme, nuk është zgjidhja e parapëlqyer e Zotit sepse nuk i lejon njerëzit të rriten. Nëse mbani vesh, Ai do t’jua mësojë mënyrat e Tij. Kujtoni se vepra dhe lavdia e Perëndisë nuk është thjesht të drejtojë një organizatë të efektshme; ajo është “të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Kjo është, fundja, arsyeja përse Ai ua jep autoritetin e Tij të priftërisë të vdekshmëve të papërkryer si ju dhe unë, dhe na fton të marrim pjesë në punën e Tij. Përparimi ynë është puna e Tij!

Tani mësimi i tretë: Ecja me Shpëtimtarin në shërbimin e priftërisë do ta ndryshojë mënyrën se si i shihni të tjerët. Ai do t’ju mësojë t’i shihni ata nëpërmjet syve të Tij, që do të thotë të shohësh përtej pamjes së jashtme dhe brenda zemrës (shih 1 Samuelit 16:7). Kjo ishte mënyra se si Shpëtimtari qe në gjendje ta shihte Simonin, jo si një peshkatar të rrëmbyer por si Pjetër, udhëheqësin e ardhshëm e të patundur të Kishës së Tij (shih Lluka 5:1–11). Kjo ishte mënyra se si Ai qe në gjendje ta shihte Zakeun, jo si tagrambledhësin e korruptuar, siç e shihnin të tjerët, por si birin e ndershëm dhe të drejtë të Abrahamit (shih Lluka 19:1–9). Nëse ecni me Shpëtimtarin mjaft gjatë, ju do të mësoni ta shihni cilindo si fëmijë të Perëndisë me potenciale të pafundme, pavarësisht se si mund ta ketë pasur të kaluarën. Dhe nëse vazhdoni të ecni me Shpëtimtarin, ju do të zhvilloni një dhuratë tjetër që Ai ka – aftësinë për t’i ndihmuar njerëzit ta shohin atë potencial te vetja dhe kështu të pendohen.

Vëllezërit e mi të dashur të priftërisë, në shumë mënyra, ne jemi si dy dishepujt që ecën udhës për në Emaus në atë të Diel të parë Pashke. Ishte mëngjesi i Ringjalljes, por ata nuk qenë ende të sigurt se kishte ringjallje ose madje as çfarë do të thoshte ringjallje. Ata “kishi[n] shpresë se [Jezusi i Nazaretit] … do ta çlironte Izraelin”, por ata qenë “zemërngathët për të besuar” gjithçka që shkrimet e shenjta jepnin mësim rreth ringjalljes. Ndërsa ecnin rrugës dhe përpiqeshin të arsyetonin së bashku, “vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta. Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin”. (Shih Lluka 24:13–32.

Unë dëshmoj se, kur ne ecim në shtegun e shërbimit të priftërisë, Shpëtimtari Jezu Krisht ecën me ne, sepse ai është shtegu i Tij, udha e Tij. Drita e Tij shkon përpara nesh dhe engjëjt e Tij janë përreth nesh. Ne mund të mos kemi një kuptueshmëri të plotë për atë se çfarë është priftëria ose si ta ushtrojmë atë si Ai. Por, nëse u kushtojmë vëmendje të madhe atyre çasteve kur “na digje[t] zemra përbrenda” (Lluka 24:32), sytë tanë mund të hapen dhe ne do ta shohim dorën e Tij në jetën tonë dhe në shërbimin tonë. Unë dëshmoj se ne arrijmë ta njohim Atë më mirë duke ecur me Të dhe duke i shërbyer Atij në punën e madhe të sjelljes së shpëtimit te fëmijët e Perëndisë. “Pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer dhe që është i huaj për të, dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?” (Mosia 5:13.) Jezu Krishti është Mësuesi ynë. Kjo është Kisha e Tij. Është priftëria e Tij ajo që ne mbajmë. Zgjedhtë secili prej nesh të ecë me Të dhe ta dallojë se si Ai ecën me ne!

Unë ju jap dëshminë time solemne se Jezusi është Krishti, Zoti ynë i ringjallur. Jap dëshminë time se priftëria me të cilën Ai na ka mirëbesuar, është fuqia për të folur dhe për të vepruar në emrin e Tij. Ne jemi fëmijë të një Ati të dashur Qiellor, që u përgjigjet lutjeve tona dhe dërgon Frymën e Shenjtë për të na forcuar në çdo përgjegjësi të priftërisë që jemi bekuar të marrim. Jozef Smithi e pa Atin dhe Birin. Ai mori çelësat e priftërisë që kanë kaluar deri te Presidenti Tomas S. Monson, i cili i ushtron ato sot. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.