Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës
Presidencia e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme
Ne, Presidencia e Parë dhe Këshilli i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, solemnisht shpallim se martesa midis një burri dhe një gruaje shugurohet nga Perëndia dhe se familja është thelbësore në planin e Krijuesit për destinacionin e përjetshëm të fëmijëve të Tij.
Të gjitha qeniet njerëzore, meshkuj dhe femra, janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Secili është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor. Gjinia është një karakteristikë thelbësore e identitetit dhe qëllimit individual të jetës para lindjes, të jetës së vdekshme dhe asaj të përjetshme.
Në mbretërinë paratokësore, bijtë dhe bijat shpirtërore e njihnin dhe e adhuronin Perëndinë si Atin e tyre të Amshuar dhe e pranuan planin e Tij, me anë të të cilit fëmijët e Tij mund të merrnin një trup fizik, mund të fitonin përvojë tokësore për të përparuar drejt përsosjes dhe së fundi, mund të arrinin destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme. Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht.
Urdhërimi i parë që Perëndia i dha Adamit dhe Evës, ishte rreth potencialit të tyre si burrë e grua për të qenë prindër. Ne deklarojmë se urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm. Ne më tej deklarojmë se Perëndia ka urdhëruar që fuqitë e shenjta të krijimit të jetës duhet të përdoren vetëm midis burrit dhe gruas, ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte.
Ne deklarojmë se mënyra me anë të së cilës krijohet jeta e vdekshme është caktuar dhe drejtuar nga Perëndia. Ne pohojmë shenjtërinë e jetës dhe rëndësinë e saj në planin e përjetshëm të Perëndisë.
Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre. “Bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti” (Psalmi 127:3). Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore dhe për t’i mësuar ata ta duan e t’i shërbejnë njëri-tjetrit, të zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe të jenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë. Bashkëshortët dhe bashkëshortet, nënat dhe etërit, do të mbahen përgjegjës përpara Perëndisë për plotësimin e këtyre detyrimeve.
Familja shugurohet nga Perëndia. Martesa midis burrit dhe gruas është thelbësore në planin e Tij të përjetshëm. Fëmijët kanë të drejtën të linden nga prindër brenda lidhjeve të martesës dhe të rriten nga një atë dhe një nënë të cilët i nderojnë me besnikëri të plotë besëlidhjet e martesës. Lumturia në jetën familjare është e mundur të arrihet më mirë kur bazohet në mësimet e Zotit Jezu Krisht. Martesat dhe familjet e suksesshme ngrihen dhe ruhen me parimet e besimit, lutjes, pendimit, faljes, respektit, dashurisë, dhembshurisë, punës dhe aktiviteteve të shëndosha argëtuese. Nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë. Paaftësia, vdekja ose rrethana të tjera mund të bëjnë të nevojshme përshtatjen ose ndryshimin e këtyre roleve. Të afërm të tjerë duhet të ndihmojnë kur është e nevojshme.
Ne paralajmërojmë se individët që shkelin besëlidhjet e dëlirësisë, që abuzojnë me bashkëshorten ose fëmijët apo që dështojnë në përmbushjen e përgjegjësive të tyre familjare, do të qëndrojnë një ditë përgjegjës përpara Perëndisë. Për më tepër, ne paralajmërojmë se shpërbërja e familjes do të sjellë mbi individët, komunitetet dhe kombet fatkeqësitë e parashikuara nga profetët e lashtë dhe modernë.
Ne u bëjmë thirrje qytetarëve dhe zyrtarëve të përgjegjshëm të qeverive kudo që janë të nxisin ato masa të krijuara për të ruajtur dhe forcuar familjen si njësia themelore e shoqërisë.