2017
Mbajtës të Dritës Qiellore
nëntor 2017


Mbajtës të Dritës Qiellore

Si mbajtës i priftërisë së Perëndisë dhe si dishepull i Jezu Krishtit, ju jeni mbajtës i dritës.

Një burrë i moshuar po rrinte në radhë te zyra postare për të blerë pulla poste te banaku i shërbimeve. Një e re e vuri re që ai ecte me vështirësi, dhe u ofrua t’i tregonte se si t’i blinte pullat e postës nga një makineri për të kursyer kohë. Zotëria i thyer në moshë tha: “Ju faleminderit, por parapëlqej të pres. Makineria nuk do t’ia dijë për artritin tim.”

Nganjëherë na ndihmon të flasim me dikë që interesohet për shqetësimet tona.

Dhembja, trishtimi dhe sëmundja janë përvoja të cilat ne të gjithë i kemi të përbashkëta – çastet e incidenteve, mjerimit dhe fatkeqësisë mund të zënë [një pjesë] mjaft të madhe të mendimeve në diskun e brendshëm të shpirtit tonë.

Kur është fjala për mirëqenien tonë trupore, ne e pranojmë plakjen dhe sëmundjen si pjesë të udhëtimit tonë në vdekshmëri. Ne kërkojmë këshillë nga profesionistë të cilët e kuptojnë trupin fizik. Kur vuajmë nga ankth emocional apo sëmundje mendore, ne kërkojmë ndihmën e specialistëve që i trajtojnë këto lloje lëngatash.

Ashtu siç përballemi me sprova trupore dhe emocionale në këtë vdekshmëri, ne përballemi edhe me sfida shpirtërore. Shumica prej nesh ka përjetuar në jetën e vet periudha kur dëshmia jonë shkëlqen fort. Ne gjithashtu mund të kemi përjetuar periudha kur Ati ynë Qiellor na duket i largët. Ka periudha kur ne i çmojmë si thesar gjërat e Shpirtit me gjithë zemër. Mund të ketë gjithashtu periudha kur ato duken më pak të çmueshme ose me më pak domethënie.

Sot dëshiroj të flas për mirëqenien shpirtërore – për mënyrën se si ne mund të gjejmë shërim prej amullisë dhe se si të ndjekim një shteg të shëndetit të shndritshëm shpirtëror.

Sëmundja Shpirtërore

Ndonjëherë sëmundja shpirtërore vjen si pasojë e mëkatit apo e plagëve emocionale. Ndonjëherë, rrënime shpirtërore vijnë kaq ngadalë saqë ne zor se mund ta kuptojmë çfarë po ndodh. Ashtu si shtresat e shkëmbinjve sedimentarë, dhembja dhe pikëllimi shpirtëror mund të shtohen me kalimin e kohës, duke rënduar mbi shpirtin tonë derisa të jenë thuajse tepër të rënda për t’u mbajtur. Për shembull, kjo mund të ndodhë, kur përgjegjësitë tona në punë, shtëpi dhe kishë bëhen kaq dërrmuese saqë e harrojmë gëzimin e ungjillit. Ne madje mund të ndiejmë sikur nuk kemi më shumë për të dhënë apo se të jetuarit e urdhërimeve të Perëndisë është përtej forcës sonë.

Por vetëm ngaqë sprovat shpirtërore janë reale, kjo nuk do të thotë se ato janë të pashërueshme.

Ne mund të shërohemi shpirtërisht.

Edhe plagët më të thella shpirtërore – po, edhe ato që mund të duket se janë të pashërueshme – mund të shërohen.

Miqtë e mi të dashur, fuqia shëruese e Jezu Krishtit nuk mungon në kohën tonë.

Prekja shëruese e Shpëtimtarit mund t’ua ndryshojë jetën [njerëzve] në kohën tonë ashtu siç bëri në kohën e Tij. Në qoftë se vetëm do të kemi besim, Ai mund të na kapë prej dore, të mbushë shpirtrat tanë me dritë qiellore e shërim dhe të na thotë fjalët e bekuara: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec”1.

Errësira dhe Drita

Çfarëdo që i shkakton lëngatat tona shpirtërore, ato kanë të gjitha një gjë të përbashkët: mungesën e dritës hyjnore.

Errësira e ul aftësinë tonë për të parë në mënyrë të qartë. Ajo na e zbeh shikimin e asaj që më parë ishte e qartë dhe e kthjellët. Kur jemi në errësirë, ka më shumë gjasa të bëjmë zgjedhje të këqija, ngaqë nuk mund t’i shohim rreziqet në shtegun tonë. Kur jemi në errësirë, ka më shumë gjasa ta humbasim shpresën, ngaqë nuk mund ta shohim paqen e gëzimin që na presin nëse vetëm vazhdojmë të bëjmë përpara.

Drita, nga ana tjetër, na lejon t’i shohim gjërat siç janë në të vërtetë. Ajo na lejon të bëjmë dallimin ndërmjet të vërtetës dhe gabimit, ndërmjet jetikes dhe të parëndësishmes. Kur jemi në dritë, ne mund të bëjmë zgjedhje të drejta të bazuara në parime të vërteta. Kur jemi në dritë, ne kemi “një ndriçim të përkryer të shpresës”2, pasi ne mund t’i shohim sprovat tona në vdekshmëri nga një këndvështrim i përjetshëm.

Ne do të gjejmë shërim shpirtëror kur largohemi nga hijet e botës për në Dritën e pafundme të Krishtit.

Sa më shumë e kuptojmë dhe e zbatojmë konceptin doktrinor të dritës, aq më shumë mund t’u shmangemi sëmundjeve shpirtërore që na pikëllojnë apo shqetësojnë anë e kënd, dhe aq më mirë ne mund të shërbejmë si mbajtës energjikë, të guximshëm, të dashur dhe të përulur të priftërisë së shenjtë – shërbëtorë e dishepuj të vërtetë të Mbretit tonë të dashur e të përjetshëm.

Drita e Botës

Jezu Krishti tha: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”3.

Çfarë do të thotë kjo?

Thjesht këtë: Ai që e ndjek me përulësi Jezu Krishtin, do të provojë dritën e Tij e do të ketë pjesë në të. Dhe ajo dritë do të rritet derisa përfundimisht e davarit edhe errësirën më të thellë.

Kjo do të thotë se ka një fuqi, një ndikim të fortë, që buron nga Shpëtimtari. Ajo del “nga prania e Perëndisë për të mbushur pafundësinë e hapësirës”4. Për shkak se kjo fuqi e ndriçon, e ngre dhe i jep dritë jetës sonë, shkrimet e shenjta shpesh e quajnë atë dritë, por ajo përmendet edhe si shpirt dhe e vërtetë.

Te Doktrina e Besëlidhje lexojmë: “Sepse fjala e Zotit është e vërtetë dhe çfarëdo që është e vërtetë, është dritë, dhe çfarëdo që është dritë, është Shpirt, madje Shpirti i Jezu Krishtit”5.

Kjo pikëpamje e thellë – që drita është shpirt, që është e vërtetë dhe se kjo dritë ndriçon çdo shpirt që vjen në botë – është po aq e rëndësishme sa edhe shpresëdhënëse. Drita e Krishtit i ndriçon dhe i mbush tërësisht shpirtrat e të gjithë atyre që i binden zërit të Shpirtit.6

Drita e Krishtit e mbush universin.

Ajo e mbush tokën.

Dhe ajo mund të mbushë çdo zemër.

“Perëndia nuk tregohet i anshëm.”7 Drita e Tij është në dispozicion për të gjithë – të mëdhenj a të vegjël, të pasur a të varfër, të privilegjuar a të privuar.

Nëse e hapni mendjen dhe zemrën tuaj për ta marrë Dritën e Krishtit dhe e ndiqni përulësisht Shpëtimtarin, ju do të merrni më shumë dritë. Rresht pas rreshti, pak këtu e pak atje, ju do të mblidhni më shumë dritë e të vërtetë në shpirtin tuaj derisa errësira të jetë dëbuar tërësisht nga jeta juaj.8

Perëndia do t’jua hapë sytë.

Perëndia do t’ju japë një zemër të re.

Dashuria e Perëndisë, drita dhe e vërteta do të bëjnë që gjërat e fjetura të vijnë në jetë dhe ju do të rilindeni në risinë e jetës në Krishtin Jezus.9

Zoti ka premtuar: “Nëse syri juaj drejtohet te lavdia ime, tërë trupat tuaj do të mbushen me dritë dhe nuk do të ketë errësirë në ju; dhe ai trup që mbushet me dritë, kupton gjithçka”10.

Ky është ilaçi themeltar për sëmundjen shpirtërore. Errësira zhduket në prani të dritës.

Një Metaforë për Errësirën Shpirtërore

Megjithatë, Perëndia nuk do të na detyrojë ta përqafojmë dritën e Tij.

Nëse zëmë rehat në errësirë, ka pak të ngjarë që zemrat tona do të ndryshojnë.

Që ndryshimi të ndodhë, ne duhet që aktivisht ta lëmë dritën të hyjë.

Gjatë fluturimeve të mia si kapiten avioni nëpër planetin tonë tokë, mahnitesha përherë nga bukuria dhe përsosuria e krijimeve të Perëndisë. Më dukej veçanërisht magjepsëse marrëdhënia ndërmjet tokës dhe diellit. Unë e shikoj atë si një mësim të thellë simbolik për mënyrën se si ekzistojnë errësira dhe drita.

Siç e dimë të gjithë, brenda çdo 24 orësh nata kthehet në ditë dhe dita kthehet në natë.

Pra, atëherë, çfarë është nata?

Nata nuk është asgjë më shumë sesa një hije.

Edhe në më të errëtën e netëve, dielli nuk pushon së rrezatuari dritën e tij. Ai vazhdon të ndriçojë po aq fort sa përherë. Por gjysma e tokës është në errësirë.

Mungesa e dritës shkakton errësirë.

Kur bie errësira e natës, ne nuk dëshpërohemi apo shqetësohemi që dielli është asgjësuar. Ne nuk arsyetojmë apriori se dielli nuk ekziston më apo është shuar. Ne e kuptojmë se jemi në hije, se toka do të vazhdojë të rrotullohet dhe se përfundimisht rrezet e diellit do të na arrijnë përsëri.

Errësira nuk nënkupton se nuk ka dritë. Më së shpeshti, ajo thjesht do të thotë se ne nuk jemi në vendin e duhur për të marrë dritë. Gjatë eklipsit diellor të kohëve të fundit, shumë veta bënë përpjekje të mëdha për të shkuar tek ai brez i ngushtë hijeje i krijuar nga hëna, në mes të një dite të shndritshme me diell.

Në një mënyrë shumë të ngjashme, drita shpirtërore ndriçon në mënyrë të vazhdueshme mbi të gjitha krijimet e Perëndisë. Satani do të bëjë gjithfarë përpjekjesh që të krijojë një hije apo që të na futë në një hije të krijuar nga ne vetë. Ai do të na shtrëngojë që të krijojmë eklipsin tonë vetjak; ai do të na shtyjë në errësirën e zgavrës së tij të ligë.

Errësira shpirtërore mund të hedhë një vel harrese madje edhe përqark atyre që dikur ecnin në dritë dhe gëzoheshin në Zotin. Sidoqoftë, edhe në çastet e errësirës më të madhe, Perëndia i dëgjon kërkesat tona të përulura, kur lutemi: “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim”11.

Në kohën e Almës, kishte shumë njerëz që kishin vështirësi t’i pranonin gjërat shpirtërore dhe, “për shkak të mosbesimit të tyre”, drita dhe e vërteta e Perëndisë nuk mund të hynin në shpirtrat e tyre “dhe zemrat e tyre ishin ngurtësuar”12.

Ne Jemi Mbajtës të Dritës

Vëllezër, ne e kemi vetë në dorë që të jemi në vendin e duhur për të parë dritën hyjnore dhe të vërtetën e ungjillit të Jezu Krishtit. Edhe kur ka rënë nata dhe bota duket në errësirë, ne mund të zgjedhim të ecim në dritën e Krishtit, t’i mbajmë urdhërimet e Tij dhe të dëshmojmë me guxim për realitetin e Tij dhe madhështinë e Tij.

Si mbajtës i priftërisë së Perëndisë dhe si dishepull i Jezu Krishtit, ju jeni mbajtës i dritës. Vazhdoni t’i bëni gjërat që do ta ushqejnë dritën e Tij hyjnore. “Mbani lart dritën tuaj”13 dhe “le të shndritë [ajo] para njerëzve” – jo në mënyrë që ata do t’ju shohin e admirojnë ju, por “që [ata] të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej”14.

Vëllezërit e mi të dashur, ju jeni mjete në duart e Zotit me qëllimin për t’i sjellë dritë e shërim shpirtit të fëmijëve të Atit Qiellor. Mbase nuk ndiheni të aftë t’i shëroni ata që janë shpirtërisht të sëmurë – me siguri jo më shumë sesa një punonjës i zyrës postare është i aftë të ndihmojë për artritin. Mbase përballeni me sfida shpirtërore tuajat. Sidoqoftë, Zoti ju ka thirrur ju. Ai ju ka dhënë juve autoritet dhe përgjegjësi për t’i ndihmuar ata që janë në nevojë. Ai ju ka dhuruar fuqinë e Tij të shenjtë të priftërisë për të sjellë dritë në errësirë dhe për t’i ngritur moralisht e bekuar fëmijët e Perëndisë. Perëndia e ka rivendosur Kishën e Tij dhe ungjillin e Tij të çmuar, “që shëron shpirtin e plagosur”15. Ai e ka përgatitur shtegun për te mirëqenia shpirtërore, që të gjejmë shërim nga amullia dhe të lëvizim drejt shëndetit të shndritshëm shpirtëror.

Sa herë e ktheni zemrën te Perëndia në lutje të përulur, ju e përjetoni dritën e Tij. Sa herë e kërkoni fjalën dhe vullnetin e Tij në shkrimet e shenjta, drita rritet në shkëlqim. Sa herë vini re dikë në nevojë dhe e sakrifikoni rehatinë tuaj vetjake për të ndihmuar me dashuri, drita rritet dhe shtohet. Sa herë që e flakni tundimin dhe zgjidhni pastërtinë, sa herë që kërkoni apo jepni falje, sa herë që dëshmoni me guxim për të vërtetën, drita e dëbon errësirën dhe tërheq të tjerë që po e kërkojnë gjithashtu dritën e të vërtetën.

Mendoni për përvojat tuaja vetjake, çastet e shërbimit ndaj Perëndisë dhe bashkëqenieve kur drita hyjnore shndriti në jetën tuaj – në tempullin e shenjtë, tek tryeza e sakramentit, në një çast të qetë përsiatjeje plot lutje, në mbledhjet e familjes suaj apo gjatë një vepre shërbimi priftërie. Tregojani ato çaste familjes, miqve dhe veçanërisht të rinjve tanë që po kërkojnë dritë. Ata kanë nevojë që të dëgjojnë nga ju se me këtë dritë vjen shpresë e shërim, madje edhe në një botë plot errësirë.

Drita e Krishtit sjell shpresë, lumturi dhe shërim nga çdo plagë apo lëngatë shpirtërore.16 Ata që e përjetojnë këtë ndikim përmirësues, bëhen mjete në duart e Dritës së Botës për t’u dhënë dritë të tjerëve.17 Ata do të ndiejnë atë që përjetoi Mbreti Lamoni: “Kjo dritë i kishte futur kaq gëzim në shpirtin e tij, sa ia kishte zhdukur renë e errësirës dhe drita e jetës së përhershme ndriçonte në shpirtin e tij”18.

Vëllezërit e mi të dashur, miqtë e mi të dashur, është misioni ynë madhor që të përpiqemi ta gjejmë Zotin derisa drita e Tij e jetës së përhershme të shkëlqejë fort përbrenda nesh dhe dëshmia jonë të bëhet e sigurt dhe e fortë edhe në mes të errësirës.

Është lutja dhe bekimi im që ju do t’ia dilni mbanë në përmbushjen e fatit tuaj si mbajtës të priftërisë së Perëndisë të Plotfuqishëm dhe do të jeni përherë mbajtës gëzimplotë të dritës së Tij qiellore. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, Mësuesit tonë, amen.