2017
Përkthime të Reja të Shkrimeve të Shenjta
nëntor 2017


Përkthime të Reja të Shkrimeve të Shenjta

Projekte të reja të përkthimit të shkrimeve të shenjta, të miratuara gjatë disa viteve të fundit, përfshijnë Librin e Mormonit në birmanisht, efikisht, gjeorgjisht, navahoisht, ponpeianisht, sesotoisht e tshilubaisht dhe përkthimin e kombinimit tresh të shkrimeve të shenjta në gjuhën afrikane, amerikane të shenjave, amharike, arabisht, bislamisht, greqisht, hmongisht, iligajnisht, indisht, jorubaisht, laosianisht, lingalaisht, malajaisht, persisht, polonisht, serbisht, setsuanaisht, sinhalezisht, sllovakisht, sllovenisht, tahitisht, tamilisht, teluguisht, tok-pisinisht, turqisht, tuisht dhe urduisht.

Në një letër të datës 9 tetor 2017, Presidenca e Parë i renditi këto projekte dhe paraqiti një proces të ri që do t’i lejojë individët të studiojnë pjesë paraprake të përkthimeve përpara botimit të përkthimeve përfundimtare.

“Ndërkohë që përkthimet përparojnë, pjesë të përfunduara mund të botohen me radhë, herë pas here”, thotë letra. “Këto pjesë të njëpasnjëshme, edhe pse nuk konsiderohen përfundimtare derisa të përfundohet përkthimi i plotë, do të vihen në dispozicion te LDS.org dhe në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].” Ky botim fillestar për disa gjuhë të përzgjedhura do të fillojë më 30 nëntor 2017. Kur përkthimet të përfundohen, me rishikimet dhe miratimet e nevojshme, pjesët e njëpasnjëshme, të botuara më herët do të zëvendësohen nga variantet përfundimtare, me botimet e shtypura që do të pasojnë.

Projektet e përkthimeve kërkojnë disa vjet pasi tekstet e shkrimeve të shenjta përkthehen me kujdes. Si rrjedhim, projektet janë tani në faza të ndryshme. Botimi fillestar i përkthimeve paraprake të miratuara do të përfshijë përmbajtjen që është përkthyer dhe rishikuar nga udhëheqësit vendorë. Pjesët shtesë të përkthimeve do të vazhdohet të botohen herë pas here. Për përkthimet që janë tashmë afër përfundimit, nuk do të botohen përkthime paraprake.

Presidenca e Parë kërkon që, ndërsa projektet e përkthimit janë në vazhdim e sipër ose të mbetura pezull, anëtarët dhe udhëheqësit të “vazhdojnë të përdorin përkthimet e tanishme të Neneve të Besimit, lutjeve të sakramentit dhe lutjes së pagëzimit derisa të përfundohen përkthimet e reja”.

Botimet SHDM të shkrimeve të shenjta janë përkthyer dhe në dispozicion në numrin vijues të gjuhëve: Bibla e Shenjtë, 3; botime të parapëlqyera jo-shdm të Biblës së Shenjtë, 95; Libri i Mormonit, 90; Përzgjedhje nga Libri i Mormonit, 21; dhe Doktrina e Besëlidhje dhe Perla me Vlerë të Madhe, 58.