2017
Ndihmë në Kohë Vështirësie
nëntor 2017


Ndihmë në Kohë Vështirësie

Pas një uragani dhe përmbytjes së rëndë në Hjuston, në Teksas të SHBA-së, një grua e moshuar vështroi shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të veshur me bluzat e verdha të Duarve Ndihmëtare, në udhë e sipër që të ndihmonin viktimat e shkatërrimit. “E dija që mormonët do të vinin!” tha ajo.

Kjo ngjarje, e raportuar si njoftim në Facebook nga presidenti i Misionit të Hjustonit në Teksasin Jugor, Aaron T. Holli, tregon se si Kisha u vjen në ndihmë si anëtarëve, ashtu edhe fqinjëve gjatë kohëve të vështirësisë. “Nuk ka sfidë tepër të madhe për anëtarët e Kishës së Zotit!” shkroi Presidenti Holl.

Kur fatkeqësia natyrore ndodh, Kisha është shpesh mes të parëve që përgjigjen, dhe, në zonat e ndikuara, ndihma humanitare e Kishës shpesh vazhdon gjatë rindërtimit si afatshkurtër ashtu edhe afatgjatë, me synimin e krijimit të mbështetjes te vetja. Udhëheqësit vendorë bashkëpunojnë me zyrat qendrore të Kishës për vlerësimin dhe sigurimin e nevojave dhe për organizimin e anëtarëve që të ndihmojnë për shpërndarjen e burimeve, pastrimin, riparimin dhe rindërtimin.

Nëpërmjet LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] dhe duke bashkëpunuar me agjenci ndihme të ngritura në zonat e dëmtuara, kohët e fundit Kisha ka siguruar ndihmë për viktimat e përmbytjes në Peru; të rrëshqitjeve të dheut në Sierra-Leone; të zjarreve të mëdha në Montana të SHBA-së dhe Alberta të Kanadasë; të uraganeve në Teksas, Florida dhe ishujt e Karaibeve, përfshirë Porto-Rikon, Haitin dhe Republikën Domenikane; dhe të dy tërmeteve të fuqishme në Meksikë.

Në shtator, Kisha shpalli se do të jepte 11 milionë dollarë amerikanë që të përkrahen projektet e ndihmës ndaj zisë së bukës dhe të ushqehen fëmijë të kequshqyer në tetë vende në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme. LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] po bashkëpunon me 11 organizata në 25 projekte për ta shpërndarë ndihmën.

LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM] ka dhënë gati 2 miliardë dollarë për të ndihmuar miliona njerëz në 189 vende që nga viti 1985, duke filluar me ndihmën e dhënë për viktimat e zisë së bukës në Etiopi.