2017
Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli
nëntor 2017


Buka e Gjallë që Zbriti nga Qielli

Nëse dëshirojmë fort të banojmë në Krisht dhe Ai të banojë në ne, atëherë shenjtëria është ajo që kërkojmë.

Ditën pasi Jezusi i ushqeu mrekullisht të pesë mijë vetët në Galile, me vetëm “pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël”1, Ai u foli sërish njerëzve në Kapernaum. Shpëtimtari e kuptoi se shumë njerëz nuk ishin aq shumë të interesuar në mësimet e Tij saç ishin të interesuar që të ushqeheshin sërish.2 Prandaj, Ai u përpoq që t’i bindte ata për vlerën jashtëzakonisht më të madhe të “ushqimi[t] që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’jua japë Biri i njeriut”3. Jezusi shpalli:

“Unë jam buka e jetës.

Etërit tuaj hëngrën manën në shkretirë dhe vdiqën.

Kjo është buka që zbret nga qielli, që një mund të hajë e të mos vdesë.

Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli; nëse një ha nga kjo bukë do të jetojë përjetë; buka që unë do të jap është mishi im, që unë do ta jap për jetën e botës.”4

Domethënia që kishte si qëllim Shpëtimtari, humbi krejtësisht te dëgjuesit e Tij, të cilët e morën deklaratën e Tij vetëm fjalë për fjalë. Duke reaguar me neveri ndaj mendimit, ata pyetnin me vete: “Si mundet ky të na japë të hamë mishin e tij?”5 Jezusi e vazhdoi më tej metaforën e tij:

“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të mos pini gjakun e tij, nuk keni jetën në veten tuaj.

Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit.

Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije.”6

Më pas Ai shprehu domethënien e thellë të metaforës së Tij:

“Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.

Sikurse Ati i gjallë më ka dërguar dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim.”7

Prapëseprapë, dëgjuesit e tij nuk e rrokën atë që Jezusi po thoshte dhe, “kur i dëgjuan këto, shumë nga dishepujt e tij thanë: ‘Kjo e folur është e rëndë, kush mund ta kuptojë?’ … [Dhe] që nga ai moment shumë nga dishepujt e vet u tërhoqën dhe nuk shkuan më me të.”8

Të hamë mishin e Tij dhe të pimë gjakun e Tij është një mënyrë e pazakontë për të shprehur se sa plotësisht duhet ta sjellim Shpëtimtarin në jetën tonë – në vetë qenien tonë – që të mund të jemi një. Si ndodh kjo?

Së pari, ne e kuptojmë që kur e sakrifikoi mishin dhe gjakun e Tij, Jezusi shleu për mëkatet tona dhe e mposhti vdekjen, si fizike dhe atë shpirtërore.9 Atëherë qartësisht, ne marrim nga mishi i Tij dhe pimë nga gjaku i Tij, kur marrim prej Tij fuqinë dhe bekimet e Shlyerjes së Tij.

Doktrina e Krishtit shpreh atë që duhet të bëjmë për ta marrë hirin shlyes. Do të thotë të besoni dhe të keni besim në Krishtin, të pendoheni e të pagëzoheni dhe të merrni Frymën e Shenjtë, “dhe pastaj vjen një heqje e mëkateve tuaja me anë të zjarrit dhe me anë të Frymës së Shenjtë”10. Kjo është porta, hyrja jonë për te hiri shlyes i Shpëtimtarit dhe për te shtegu i ngushtë e i ngushtuar që na çon në mbretërinë e Tij.

“Prandaj, në qoftë se ju do të shkoni përpara, duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe të duroni deri në fund, vini re, kështu thotë Ati: Ju do të keni jetën e përjetshme.

… Vini re, kjo është doktrina e Krishtit dhe e vetmja doktrinë e vërtetë e Atit dhe e Birit dhe e Frymës së Shenjtë, që është një Perëndi, pa fund.”11

Simbolika e sakramentit të Darkës së Zotit është e bukur për t’u menduar. Buka dhe uji përfaqësojnë mishin dhe gjakun e Atij që është Buka e Jetës dhe Uji i Gjallë12, duke na kujtuar me ton prekës çmimin që pagoi Ai për të na shëlbuar. Kur copëtohet buka, ne kujtojmë mishin e copëtuar të Shpëtimtarit. Plaku Dallin H. Ouks dikur vërejti që “për shkak se ajo është e thyer dhe e copëtuar, çdo copë buke është e veçantë, ashtu siç janë të veçantë individët që e marrin atë. Të gjithë ne kemi mëkate të ndryshme për t’u penduar. Të gjithë ne kemi nevoja të ndryshme për të forcuar nëpërmjet Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht, të cilin ne e kujtojmë në këtë ordinancë”13. Kur e pimë ujin, ne mendojmë për gjakun që Ai derdhi në Gjetseman e në kryq dhe fuqinë e tij shenjtëruese.14 Duke e ditur se “asgjë e papastër nuk mund të hyjë në mbretërinë e tij”, ne zgjedhim të jemi midis “at[yre] që [i] kanë larë rrobat e tyre në gjakun [e Shpëtimtarit], për shkak të besimit të tyre dhe të pendimit për të gjitha mëkatet e tyre dhe të besnikërisë së tyre deri në fund”15.

Unë kam folur për marrjen e hirit shlyes të Shpëtimtarit, për t’i hequr mëkatet tona dhe njollën e atyre mëkateve te ne. Por figurativisht, ngrënia e mishit të Tij dhe pirja e gjakut të Tij ka një domethënie të mëtejshme, dhe kjo do të thotë që t’i përvetësojmë cilësitë dhe karakterin e Krishtit, duke e zhveshur njeriun e natyrshëm dhe duke u bërë shenjtorë “nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot”16. Kur e marrim bukën dhe ujin e sakramentit çdo javë, do të ishte mirë të merrnim në shqyrtim se sa plotësisht dhe tërësisht duhet ta përfshijmë karakterin e Tij dhe modelin e jetës së Tij të pamëkatë në vetë jetën dhe qenien tonë. Jezusi nuk do të mund të kishte shlyer për mëkatet e të tjerëve nëse Ai Vetë nuk do të ishte i pamëkatë. Përderisa drejtësia nuk kishte pretendim mbi Të, Ai mund ta ofronte Veten e Tij në vendin tonë për ta kënaqur drejtësinë dhe më pas për të treguar mëshirë. Kur e kujtojmë dhe e nderojmë flijimin e Tij shlyes, ne duhet të mendojmë gjithashtu për jetën e Tij të pamëkatë.

Kjo sugjeron nevojën për një përpjekje të fuqishme nga ana jonë. Nuk mund të jemi të kënaqur të qëndrojmë siç jemi, por duhet të lëvizim vazhdimisht drejt “masë[s së] shtatit të plotësisë së Krishtit”17. Ashtu si babai i mbretit Lamoni në Librin e Mormonit, ne duhet të jemi të gatshëm t’i braktisim të gjitha mëkatet tona18 dhe të përqendrohemi tek ajo që Zoti pret nga ne, individualisht dhe së bashku.

Jo shumë kohë më parë, një mik më tregoi një përvojë që e kishte pasur ndërsa shërbente si president misioni. Ai i ishte nënshtruar një operacioni që kërkonte disa javë për t’u shëruar. Gjatë shërimit, ai i kushtoi kohë kërkimit në shkrimet e shenjta. Një pasdite teksa përsiaste mbi fjalët e Shpëtimtarit te kapitulli 27 i 3 Nefit, dalëngadalë ra në gjumë. Më pas rrëfeu:

“Pashë një ëndërr në të cilën m’u dha një pamje e paharrueshme, tërësore e jetës sime. M’u treguan mëkatet e mia, zgjedhjet e mia të këqija, kohët … kur i kisha trajtuar njerëzit me padurim, dhe mungesën e gjërave të mira që duhej të kisha thënë apo bërë. … Në vetëm pak minuta m’u tregua një [pasqyrim] … i plotë i jetës sime, por ai m’u duk shumë më i gjatë. U zgjova, i befasuar dhe … papritur rashë në gjunjë, pranë shtratit dhe fillova të lutesha, të përgjërohesha për falje, duke i zbrazur ndjenjat e zemrës sime sikundër nuk e kisha bërë kurrë më parë.

Përpara ëndrrës, nuk e dija se [kisha] kaq shumë nevojë për t’u penduar. Fajet dhe dobësitë e mia papritur u bënë kaq të qarta për mua saqë hapësira midis njeriut që unë isha dhe shenjtërisë e mirësisë së Perëndisë dukej [si] miliona kilometra. Në lutjen time atë pasdite vonë, unë i shpreha me gjithë zemrën time mirënjohjen më të thellë Atit Qiellor dhe Shpëtimtarit për atë që Ata kishin bërë për mua dhe për marrëdhëniet që çmoja me bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Ndërkohë që isha në gjunjë unë gjithashtu ndjeva se dashuria dhe mëshira e Perëndisë ishin kaq të prekshme, pavarësisht se ndihesha kaq i padenjë. …

Mund të them se nuk kam qenë më i njëjti që prej asaj dite. … Zemra ime ndryshoi. … Ajo që pasoi është se zhvillova më shumë ndjeshmëri ndaj të tjerëve, me një aftësi më të madhe për të dashur, të shoqëruar me një ndjenjë ngutjeje për ta predikuar ungjillin. … Mund të bëja lidhje me mesazhet e besimit, shpresës dhe të dhuratës së pendimit që gjenden në Librin e Mormonit [si] kurrë më parë.”19

Është e rëndësishme që ta kuptojmë se kjo zbulesë e paharrueshme e mëkateve dhe të metave të këtij burri të mirë, nuk e shkurajoi atë as nuk e çoi në dëshpërim. Po, ai ndjeu tronditje dhe brejtje të ndërgjegjes. E ndjeu fort nevojën për t’u penduar. Ai kishte qenë i përulur, por prapëseprapë ndjeu mirënjohje, paqe dhe shpresë – shpresë të vërtetë – për shkak të Jezu Krishtit, “buk[ës së] gjallë që zbriti nga qielli”20.

Miku im foli për hendekun që dalloi në ëndrrën e tij midis jetës së vet dhe shenjtërisë së Perëndisë. Shenjtëri është fjala e duhur. Të hash mishin dhe të pish gjakun e Krishtit do të thotë të ndjekësh shenjtërinë. Perëndia urdhëron: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë”21.

Enoku na këshilloi: “Mësojuani fëmijëve tuaj se të gjithë njerëzit, kudo, duhet të pendohen ose ata nuk mund të trashëgojnë në asnjë mënyrë mbretërinë e Perëndisë, sepse asgjë e papastër nuk mund të banojë atje, ose të banojë në prani të tij; sepse, në gjuhën e Adamit, Njeriu i Shenjtërisë është emri i tij dhe emri i të Vetëmlindurit të tij është Biri i Njeriut, madje Jezu Krishti”22. Kur isha djalë, pyesja veten përse në Dhiatën e Re Jezusi shpesh përmendet (dhe madje i referohet Vetes së Tij) si Biri i Njeriut kur Ai me të vërtetë është Biri i Perëndisë, por thënia e Enokut sqaron së këto përmendje janë në të vërtetë një pranim i hyjnisë dhe shenjtërisë së Tij – Ai është Biri i Njeriut të Shenjtërisë, Perëndisë, Atit.

Nëse dëshirojmë fort të banojmë në Krishtin dhe Ai të banojë në ne23, atëherë shenjtëria është ajo që kërkojmë, si në trup dhe në shpirt24. E kërkojmë atë në tempull, ku është skalitur “Shenjtëri Zotit”. E kërkojmë atë në martesat, familjet dhe shtëpitë tona. E kërkojmë atë çdo javë ndërsa gjejmë kënaqësi në ditën e shenjtë të Zotit.25 E kërkojmë atë madje në hollësitë e jetës së përditshme: në të folurin tonë, në veshjen tonë, në mendimet tona. Ashtu siç ka thënë Presidenti Tomas S. Monson: “Ne jemi produkt i gjithçkaje që lexojmë, i gjithçkaje që shohim, i gjithçkaje që dëgjojmë dhe i gjithçkaje që mendojmë”26. Ne e kërkojmë shenjtërinë teksa e marrim kryqin tonë çdo ditë.27

Motra Karol F. Mek-Konki, ka vërejtur: “Ne e njohim numrin e madh të provave, tundimeve, dhe mundimeve që mund të na tërheqin larg nga gjithçka që është e virtytshme dhe e denjë për t’u lavdëruar përpara Perëndisë. Por përvojat tona në vdekshmëri na ofrojnë mundësinë të zgjedhim shenjtërinë. Më së shpeshti janë sakrificat që ne bëjmë për t’i mbajtur besëlidhjet tona që na shenjtërojnë dhe na bëjnë të shenjtë.”28 Dhe unë do t’u shtoja “sakrifica[ve] që ne bëjmë”, edhe shërbimin që japim.

E dimë që “kur je[m]i në shërbimin e bashkëqenieve t[ona], [ne] je[m]i vetëm në shërbimin e Perëndisë t[onë]”29. Dhe Zoti na kujton që një shërbim i tillë është thelbësor për jetën dhe karakterin e Tij: “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave”30. Ashtu siç Presidenti Marion G. Romni e shpjegoi me mençuri: “Shërbimi nuk është diçka që ne e durojmë në këtë tokë, që të fitojmë të drejtën për të jetuar në mbretërinë çelestiale. Shërbimi është vetë thelbi nga i cili përbëhet jeta e ekzaltuar në mbretërinë çelestiale.”31

Zakaria profetizoi që në kohën e mbretërimit mijëvjeçar të Zotit, edhe zilkat e kuajve do të mbanin mbishkrimin “Shenjtëri Zotit”32. Me këtë në mendje, shenjtorët pionierë në këto lugina, e ngulitën atë kujtues, “Shenjtëri Zotit”, në gjërat në dukje të zakonshme apo të rëndomta, si edhe tek ato gjëra që lidheshin më drejtpërdrejt me ushtrimin fetar. Ajo ishte e skalitur te gotat dhe pjatat e sakramentit dhe ishte e shtypur në certifikatat e shugurimit të Të Shtatëdhjetëve dhe te një banderolë e Shoqatës së Ndihmës. “Shenjtëri Zotit” duket se shfaqet gjithashtu mbi dritaret reklamuese të Institutit Tregtar Kooperativ të Sionit, dyqaneve të shitjes të ITKS-së. Ajo u gjet në kokën e një çekani dhe në një daulle. “Shenjtëri Zotit” u skalit në dorezat metalike të shtëpisë së Presidentit Brigam Jang. Këto përmendje për shenjtërinë, në vende në dukje të pazakonta apo të papritura, mund të duken të papajtueshme, por ato sugjerojnë thjesht se sa depërtues dhe i vazhdueshëm nevojitet të jetë përqendrimi ynë te shenjtëria.

Gotë sakramenti
Pjatë sakramenti
Dritare reklamuese e ITKS-së
Çekan
Daulle
Dorezë

Marrja e mishit të Shpëtimtarit dhe pirja e gjakut të Tij nënkupton që të nxjerrim nga jeta jonë çdo gjë që nuk është në përputhje me një karakter si të Krishtit dhe t’i bëjmë tonat cilësitë e Tij. Ky është kuptimi më i gjerë i pendimit: jo vetëm të largohesh nga mëkati i së shkuarës, por “një kthim i zemrës dhe i vullnetit ndaj Perëndisë”33, duke shkuar përpara. Siç ndodhi me mikun tim në ëndrrën e tij zbuluese, Perëndia do të na tregojë të metat dhe dështimet tona, por Ai gjithashtu do të na ndihmojë që ta kthejmë dobësinë në forcë.34 Nëse pyetim me çiltërsi: “Çfarë më mungon tjetër?”35, Ai nuk do të na lërë të hamendësojmë, por me dashuri Ai do të na përgjigjet për hir të lumturisë sonë. Dhe Ai do të na japë shpresë.

Kjo është një përpjekje dërrmuese dhe do të ishte shumë e frikshme nëse në përpjekjet tona për shenjtëri ne do të ishim vetëm. E vërteta e lavdishme është që nuk jemi vetëm. Ne kemi dashurinë e Perëndisë, hirin e Krishtit, ngushëllimin dhe udhërrëfimin e Shpirtit të Shenjtë, dhe shoqërimin e nxitjen e bashkëshenjtorëve në trupin e Krishtit. Le të mos jemi të kënaqur me vendin ku jemi, por as të mos shkurajohemi. Ashtu si na nxit një himn i thjeshtë, por plot mendim:

Gjej koh’ të jesh i shenjtë, bota po nxiton;

vetëm me Jezusin më shumë koh’ kalo.

Si Ai do t’jesh, duke parë te Jezusi;

pamjen e Tij në sjelljen tënde tek ty miqtë do shohin.36

Jap dëshmi për Jezu Krishtin, “buk[ën] e gjallë që zbriti nga qielli”37, dhe se “kush[do që] ha mishin [e Tij] dhe pi gjakun [e Tij], ka jetë të përjetshme”38, në emrin e Jezu Krishtit, amen.