2017
Ndizeni Dritën Tuaj
nëntor 2017


Ndizeni Dritën Tuaj

Profetët po na thërrasin, motrat e mia. A do të jeni të drejta? A do ta shprehni qartë besimin tuaj? A do ta ndizni dritën tuaj?

Ju mund të mos e dini këtë, por unë dhe Presidenti Monson jemi binjakë. Ditën që unë linda – në të njëjtën orë – në Kaliforninë veriore, 36-vjeçari Tomas S. Monson u mbështet si Apostulli më i ri. Më pëlqen shumë lidhja ime e veçantë dhe vetjake me profetin e Perëndisë, Presidentin Monson.

Profetët po flasin rreth grave.1 Ju do t’i dëgjoni disa prej fjalëve të tyre në këtë mbledhje. Për temën time unë po kthehem prapa në kohë, gati 40 vjet, te një profeci e jashtëzakonshme e shkruar nga Presidenti Spenser W. Kimball. Shtatori i vitit 1979 ishte vetëm hera e dytë që gratë e Kishës mbarëbotërore ishin mbledhur në mbledhjen e tyre të përgjithshme. Presidenti Kimball e kishte përgatitur bisedën e tij, por kur erdhi dita e konferencës, ai qe në spital. Kështu që në vend të kësaj, ai i kërkoi bashkëshortes së vet, Kamila Ajring Kimballit, që t’i lexonte shënimet e tij në emër të tij.2

Motra Kamila Kimball duke folur në foltore

Motra Kimball i lexoi fjalët e profetit, të cilat theksonin ndikimin e grave SHDM te gratë e mira të botës përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Nga fundi, grave të Kishës iu dha një përgjegjësi elektrizuese për të cilën kemi folur që prej asaj kohe.

Lejomëni të citoj pak nga ajo që tha Presidenti Kimball:

“Së fundi, motrat e mia të dashura, më lejoni t’ju sugjeroj diçka që nuk është thënë më parë ose të paktën jo saktësisht në këtë mënyrë. Shumica e rritjes së madhe që po i vjen Kishës në ditët e fundit, do të vijë ngaqë shumë prej grave të mira të botës … do të tërhiqen në Kishë në numër të madh. Kjo do të ndodhë në masën që gratë e Kishës pasqyrojnë drejtësi e aftësi shprehëse në jetën e tyre dhe në masën që gratë e Kishës shihen si të dallueshme e të ndryshme – në mënyra të lumtura – nga gratë e botës.

Mes heroinave të vërteta në botë, të cilat do të vijnë në Kishë, ka gra që janë më të interesuara për të qenë të drejta se sa egoiste. Këto heroina të vërteta kanë përulësi të vërtetë, e cila i jep vlerë më të madhe integritetit se sa asaj që duket. …

… Do të jenë … shembujt femërorë të Kishës [që] do të jenë një forcë domethënëse si në rritjen numerike edhe atë shpirtërore të Kishës në ditët e fundit.”3

Ç’thënie profetike është ajo! Sa për ta përmbledhur:

  • Do të jenë marrëdhëniet e mira të grave që do ta nxitin shumë prej rritjes së madhe që do t’i vijë Kishës në vitet e ardhshme.

  • Miqësitë që gratë e Shoqatës së Ndihmës, të rejat dhe vajzat e Fillores ndërtojnë me gratë e çiltra, besnike, të perëndishme të besimeve dhe bindjeve të tjera do të jenë një forcë domethënëse në mënyrën se si rritet Kisha në ditët e fundit.

  • Presidenti Kimball i quajti këto gra me formim kulturor tjetër, “heroina”, të cilat do të jenë më të interesuara për të qenë të drejta se sa egoiste, të cilat do të na tregojnë se integriteti ka më shumë vlerë se ajo që duket.

I kam takuar shumë prej këtyre grave të mira teksa bëj punën time anembanë botës. Miqësitë e tyre janë të çmuara për mua. Edhe ju i njihni ato, midis mikeshave dhe fqinjave tuaja. Ato mund të jenë ose jo anëtare të Kishës pikërisht tani, por ne lidhemi nëpërmjet miqësisë, që është shumë e rëndësishme. Si e bëjmë pjesën tonë? Çfarë duhet të bëjmë? Presidenti Kimball përmend pesë gjëra:

E para është që të jemi të drejta. Të jemi të drejta nuk do të thotë që jemi të përkryera ose të mos bëjmë kurrë gabime. Do të thotë që të zhvillojmë një lidhje të fortë me Perëndinë, të pendohemi për mëkatet e gabimet tona dhe t’i ndihmojmë të tjerët bujarisht.

Gratë që janë penduar e ndryshojnë rrjedhën e historisë. Kam një mikeshë e cila pësoi një aksident me makinë kur ishte e re, dhe për shkak të kësaj, krijoi varësi ndaj ilaçeve për dhembjen. Më vonë, prindërit e saj u shkurorëzuan. Ajo ngeli shtatzënë nga një marrëdhënie e shkurtër dhe varësitë e saj vazhduan. Por një natë, ajo i hodhi sytë nga pështjellimi dhe rrëmuja e jetës së saj dhe mendoi: “Boll!”. Dhe i bëri thirrje Shpëtimtarit Jezu Krisht që ta ndihmonte. Ajo tha se mësoi që Jezu Krishti ishte më i fortë madje edhe se rrethanat e saj të tmerrshme dhe se ajo mund të mbështetej në forcën e Tij ndërsa ecte në rrugën e pendimit.

Nëpërmjet kthimit te Zoti dhe udhët e Tij, ajo e ndryshoi rrjedhën e historisë së saj dhe të historisë së djalit të saj të vogël dhe të bashkëshortit të saj të ri. Ajo është e drejtë; ajo ka një zemër të madhe për të tjerët, të cilët kanë bërë gabime dhe duan të ndryshojnë. Dhe ashtu si të gjithë ne, ajo nuk është e përsosur, por di si të pendohet dhe të vazhdojë të përpiqet.

E dyta është që të jemi të afta për t’u shprehur. Të jemi të afta për t’u shprehur do të thotë të shprehim qartë se si ndihemi rreth diçkaje dhe përse ndihemi kështu. Në fillim të këtij viti, pati një publikim te lajmërimet në Facebook-un tim që e përçmonte krishterimin. E lexova dhe u mërzita pak, por e lashë të kalojë. Por një e njohura ime që nuk është anëtare e besimit tonë, u përgjigj me një koment të sajin. Ajo shkroi: “[Kjo është] plotësisht e kundërta e asaj që mbrojti Jezusi – ai ishte … radikal [në] kohën e tij ngaqë … e trajtoi botën njësoj. … Ai [i foli] prostitutës[ave], [hëngri] me mbledhësin e taksave … , u shoqërua me gra dhe fëmijë të pafuqishëm … [dhe] na dha historinë e Samaritanit të Mirë. … Nga kjo rrjedh që … të krishterët e vërtetë do të përpiqeshin fort për të qenë njerëzit MË TË dashur në botë.” Kur e lexova, thashë me vete: “Përse nuk e shkrova unë atë?”

Secila prej nesh ka nevojë ta përmirësojë të shprehurin e arsyeve për besimin e saj. Çfarë ndieni për Jezu Krishtin? Përse qëndroni në Kishë? Përse e besoni që Libri i Mormonit është shkrim i shenjtë? Ku e gjeni ju paqen tuaj? Përse është e rëndësishme që profeti ka diçka për të thënë në vitin 2017? Nga e dini ju që ai është një profet i vërtetë? Përdoreni zërin tuaj dhe fuqinë tuaj për ta shprehur atë që ndieni dhe dini – në mediat shoqërore, në bisedat e qeta me miqtë tuaj, kur bashkëbisedoni me nipërit e mbesat tuaja. Tregojuani atyre arsyen përse besoni, si ndiheni, a dyshuat ndonjëherë, si e kaluat, çfarë domethënieje ka Jezu Krishti për ju. Ashtu siç tha Apostulli Pjetër: “Mos kini asnjë druajtje… , madje shenjtëroni Zotin Perëndinë në zemrat tuaja dhe jini gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju”4.

E treta është që jemi të ndryshme. Më lejoni t’ju tregoj një histori që ndodhi korrikun e shkuar në plazhin e Panama-Sitit në Florida.5 Pasdite vonë, Roberta Ursëri i pa dy djemtë e saj të vegjël duke bërtitur për ndihmë, 90 metra larg në oqean. Ata ishin kapur nga një rrymë e fortë dhe po çoheshin drejt detit. Një çift atje pranë u përpoq që t’i shpëtonte djemtë, por edhe ata u morën nga rryma. Kështu që pjesëtarë të familjes Ursëri u zhytën për t’i shpëtuar notuesit që po përpëliteshin, dhe shpejt nëntë njerëz u morën nga rryma e bregut.

Nuk kishte litarë. Nuk kishte roja bregdetare. Policia kishte dërguar një barkë shpëtimi, por njerëzit në oqean kishin qenë në vështirësi për 20 minuta, dhe ata ishin të sfilitur e kokat e tyre po mbuloheshin nga uji. Mes shikuesve në plazh ishte Xhesika Mej Simonsi. Ajo dhe bashkëshorti i saj patën idenë që të formonin një zinxhir me njerëz. Ata u bënë thirrje njerëzve në plazh që t’i ndihmonin dhe duzina njerëzisht i lidhën krahët e marshuan për në oqean. Xhesika shkroi: “Të shikoje njerëz nga raca e gjini të ndryshme që hynë në veprim për të ndihmuar njerëz TËRËSISHT të panjohur, [ishte] absolutisht mahnitëse që ta shikoje!!”6 Një zinxhir prej 80 vetash u zgjat drejt notuesve. Shikojeni këtë fotografi të atij çasti të pabesueshëm.

Notuesit duke krijuar një zinxhir me njerëz

Të gjithë që ishin në plazh, mundën të mendonin vetëm zgjidhje të zakonshme dhe u mpinë fare. Por një çift, sa hap e mbyll sytë, mendoi një zgjidhje të ndryshme. Risia dhe krijimtaria janë dhurata shpirtërore. Kur ne i mbajmë besëlidhjet tona, kjo mund të na bëjë të ndryshëm nga të tjerët në kulturën dhe shoqërinë tonë, por ajo na jep të drejtën të marrim frymëzim kështu që ne mund të mendojmë për zgjidhje të ndryshme, qasje të ndryshme, zbatime të ndryshme. Ne nuk do të përshtatemi gjithnjë me botën, por të qenit të ndryshme në mënyra pozitive mund të jetë një litar shpëtimi për të tjerët që po hasin vështirësi.

E katërta është që të jemi të dallueshme. E dallueshme do të thotë të identifikohesh me diçka që të dallon qartë. Le të kthehemi te historia rreth Xhesika Mej Simonsit në plazh. Sapo ai zinxhir njerëzish po zgjatej drejt notuesve, ajo e kuptoi se mund të ndihmonte. Xhesika Mej tha: “Mund ta mbaj frymën dhe … t’i bie përqark një pishine olimpike me lehtësi! [E dija se si të dilja nga një rrymë bregu.] E dija se mund ta çoja [çdo notues] te zinxhiri i njerëzve.”7 Ajo dhe bashkëshorti i saj rrëmbyen nga një dërrasë pluskuese dhe notuan përgjatë zinxhirit derisa ata dhe një shpëtues tjetër i arritën notuesit dhe më pas i çuan një e nga një deri te zinxhiri, që i nxori të sigurt në breg. Xhesika kishte një aftësi të dallueshme: ajo dinte se si të notonte kundër një rryme bregu.

Ungjilli i rivendosur identifikohet si i përcaktuar qartë. Por ne duhet të jemi të dallueshme në mënyrën se si e ndjekim atë. Ashtu si Xhesika ushtroi notin ne kemi nevojë ta ushtrojmë të jetuarin e ungjillit përpara rastit të ngutshëm kështu që, të patrembura, ne do të jemi mjaft të forta për të ndihmuar kur të tjerët po përpihen nga rryma.

Dhe së fundi, e pesta është që t’i bëjmë hapat, nga i pari tek i katërti, në mënyra të lumtura. Të jeni të lumtura nuk do të thotë të keni një buzëqeshje të rreme në fytyrën tuaj pavarësisht nga ajo që po ndodh. Por do të thotë t’i zbatoni ligjet e Perëndisë dhe t’i ngrini e lartësoni të tjerët.8 Kur ne lartësojmë, kur ne e ngremë barrën e të tjerëve, kjo e bekon jetën tonë në mënyra që sprovat tona nuk mund t’i largojnë ato. Kam një citim nga Presidenti Gordon B. Hinkli të vendosur atje ku e shoh çdo ditë. Ai tha: “Ju nuk mund … të ndërtoni mbi pesimizmin apo cinizmin. Ju shikoni me optimizëm, punoni me besim dhe gjëra ndodhin.”9

Si shembull i asaj fryme të lumtur, optimiste, është një vajzë 13-vjeçare, të cilën unë e njoh, që quhet Elsa, familja e së cilës po shpërngulet në Baton-Ruzh, në Luiziana, 2900 km larg prej miqve të saj. Nuk është shumë e lehtë për një 13-vjeçare të shpërngulet në një vend të ri. Kuptohej që Elsa ishte e pasigurt rreth shpërnguljes, kështu që i ati i dha një bekim. Pikërisht në çastin e bekimit, telefoni i nënës së saj tringëlliu nga një mesazh. Të rejat që jetojnë në lagjen në Luiziana kishin dërguar këtë fotografi me diçiturën: “Të lutemi, shpërngulu në lagjen tonë!”10

Të reja duke mbajtur tabelën e mirëseardhjes

Këto të reja ishin optimiste se do ta pëlqenin Elsën edhe pa e takuar atë. Entuziazmi i tyre krijoi optimizëm tek Elsa rreth shpërnguljes së ardhshme dhe iu përgjigj lutjes së saj mbi faktin a do të shkonte gjithçka mirë.

Ka një energji që buron nga lumturia dhe optimizmi, që jo thjesht na bekon ne – por e lartëson çdo njeri përreth nesh. Çdo gjë e vogël që ju bëni për të ndezur lumturinë e vërtetë tek të tjerët, tregon se ju tashmë po e mbani pishtarin që ndezi Presidenti Kimball.

Isha 15 vjeç në kohën kur u dha biseda e Presidentit Kimball. Ne që jemi më shumë se 40 vjeç, e kemi mbajtur këtë përgjegjësi nga Presidenti Kimball që prej asaj dite. Tani e hedh vështrimin tek 8-vjeçaret, 15-vjeçaret, 20-vjeçaret e 35-vjeçaret, dhe po jua kaloj juve këtë pishtar. Ju jeni udhëheqëset e ardhshme në këtë Kishë dhe do të jetë në dorën tuaj që ta çoni këtë dritë përpara dhe të jeni përmbushja e kësaj profecie. Ne që jemi më shumë se 40 vjeç, i bashkojmë krahët tona nëpërmjet tuajve dhe e ndiejmë fuqinë dhe energjinë tuaj. Kemi nevojë për ju.

Vërjani veshin këtij shkrimi të shenjtë që gjendet te DeB 49:26–28. Ai mund të jetë shkruar në rrethana të ndryshme, por sonte nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, unë shpresoj se ju do ta merrni atë si një thirrje vetjake në këtë punë të shenjtë.

“Vini re, unë ju them, shkoni siç ju kam urdhëruar; pendohuni për gjithë mëkatet tuaja; kërkoni e do të merrni; trokisni e do t’ju çelet.

Vini re, unë do të shkoj përpara jush dhe do të jem praparoja juaj; dhe unë do të jem në mes jush e ju nuk do të ngatërroheni.

Vini re, unë jam Jezu Krishti dhe unë vij shpejt.”11

Unë i bëj thirrje secilës prej jush që ta vendosni veten në një vend ku mund ta ndieni dashurinë bujare që ka Perëndia për ju. Ju nuk mund ta vendosni veten tuaj përtej shtrirjes së asaj dashurie. Kur e ndieni dashurinë e Tij, kur e doni Atë, ju do të pendoheni dhe do t’i zbatoni urdhërimet e Tij. Kur i zbatoni urdhërimet e Tij, Ai mund të na përdorë në punën e Tij. Puna dhe lavdia e Tij është ekzaltimi dhe jeta e përjetshme e grave dhe e burrave.

Profetët po na thërrasin, motrat e mia. A do të jeni të drejta? A do ta shprehni qartë besimin tuaj? A mund ta duroni që të jeni të dallueshme dhe të ndryshme? A do t’i tërheqë lumturia juaj, pavarësisht nga sprovat tuaja, të tjerët që janë të mirë e fisnikë dhe që kanë nevojë për miqësinë tuaj? A do ta ndizni dritën tuaj? Dëshmoj se Zoti Jezu Krisht do të shkojë përpara nesh dhe do të jetë mes nesh.

E mbyll me fjalët e profetit tonë shumë të dashur, Tomas S. Monsonit: “Motrat e mia të dashura, kjo është dita juaj, kjo është koha juaj”12. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime.

  1. Presidenti Brigam Jang: “Le t’i organizojnë [motrat] Shoqatat Femërore të Ndihmës në lagjet e ndryshme. Kemi shumë gra të talentuara mes nesh dhe e duam ndihmën e tyre në këtë çështje. Disa njerëz mund të mendojnë se kjo është një gjë e papërfillshme, por nuk është kështu; dhe ju do të zbuloni se motrat do të jenë shtysa e lëvizjes” (në Daughters in My Kingdom: The History and Work of Relief Society [2011], f. 41).

    Presidenti Lorenco Snou: “Ju gjithmonë jeni gjendur përkrah Priftërisë, gati … të bëni pjesën tuaj për të ndihmuar për përparimin e interesave të mbretërisë së Perëndisë; dhe ndërsa e keni bërë pjesën tuaj në këto punë, kështu ju do të keni me siguri pjesën tuaj në ngadhënjimin e punës dhe në ekzaltimin e lavdinë të cilat Zoti do t’ua japë fëmijëve të Tij besnikë” (në Daughters in My Kingdom, f. 7).

    Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Ka fuqi në këtë organizatë [të Shoqatës së Ndihmës] që nuk është ushtruar ende plotësisht, për t’i forcuar shtëpitë e Sionit dhe për të ndërtuar Mbretërinë e Perëndisë – që as nuk do të ushtrohet derisa edhe motrat edhe priftëria [vëllezërit] ta rrokin largpamësinë e Shoqatës së Ndihmës” (në Daughters in My Kingdom, f. 142).

    Presidenti Hauard W. Hanter: “Ka një nevojë të madhe për t’i mbledhur gratë e Kishës që të qëndrojnë me Vëllezërit dhe për Vëllezërit, që ta pengojnë rrymën e ligësisë që na rrethon dhe që ta çojnë përpara veprën e Shpëtimtarit tonë. … Prandaj ne ju lutemi të shërbeni me ndikimin tuaj të fuqishëm për mirë në forcimin e familjeve tona, të kishës sonë dhe të komuniteteve tona” (në Daughters in My Kingdom, f. 157).

    Presidenti Gordon B. Hinkli: “Te gratë e kësaj Kishe ka forcë dhe zotësi të madhe. Ka udhëheqje dhe drejtim, një lloj fryme pavarësie dhe, prapëseprapë, kënaqësie të madhe në të qenit pjesë e kësaj, e mbretërisë së Zotit, dhe te puna krah për krah me priftërinë për ta çuar atë përpara” (në Daughters in My Kingdom, f. 143).

    Presidenti Tomas S. Monson, duke cituar Bell Smith Spafordin, Presidenten e nëntë të Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës: “‘Gratë kurrë nuk kanë pasur një ndikim më të madh se sa kanë në botën e sotme. Kurrë nuk kanë qenë dyert e mundësive më të hapura për to. Kjo është një periudhë kohore tërheqëse, emocionuese, sfiduese dhe kërkuese për gratë. Është një kohë e begatë në shpërblime, nëse e ruajmë drejtpeshimin, i mësojmë vlerat e vërteta të jetës dhe i përcaktojmë përparësitë me urtësi’ [A Woman’s Reach (1974), f. 21]. Motrat e mia të dashura, kjo është dita juaj, kjo është koha juaj” (“The Mighty Strength of the Relief Society”, Ensign, nëntor 1997, f. 95).

    Presidenti Rasëll M. Nelson: “Unë iu lutem motrave të mia të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme të bëjnë një hap përpara! Zëreni vendin tuaj të ligjshëm dhe të nevojshëm në shtëpinë tuaj, në komunitetin tuaj dhe në mbretërinë e Perëndisë – më shumë sesa e keni zënë ndonjëherë më parë. Unë ju lutem që ta përmbushni profecinë e Presidentit Kimball. Dhe ju premtoj në emrin e Jezu Krishtit, se kur ta bëni këtë, Fryma e Shenjtë do ta lartësojë ndikimin tuaj në një mënyrë të pashembullt! (“Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 97).

  2. Shih materialin filmik të Motrës Kamila Kimball duke lexuar fjalimin e Presidentit Spenser W. Kimball në lds.org/general-conference/1979/10/the-role-of-righteous-women; shih edhe Spencer W. Kimball, “The Role of Righteous Women”, Ensign, nëntor 1979, f. 102–104.

  3. Spencer W. Kimball, “The Role of Righteous Women”, f. 103–104; theksimi i shtuar.

  4. 1 Pjetër 3:14–15.

  5. Shih McKinley Corbley, “80 Beachgoers form Human Chain to Save Family Being Dragged Out to Sea by Riptide”, 12 korrik 2017, goodnewsnetwork.org.

  6. Jessica Mae Simmons, në Corbley, “80 Beachgoers Form Human Chain”.

  7. Simmons, në Corbley, “80 Beachgoers Form Human Chain”.

  8. Shih Alma 41:10; 34:28; Doktrina e Besëlidhje 38:27; Lluka16:19–25.

  9. Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli (2016), f. 73.

  10. Shënim nga familja e Virxhinia Pirsit.

  11. Doktrina e Besëlidhje 49:26–28.

  12. Thomas S. Monson, “The Mighty Strength of the Relief Society”, Ensign, nëntor 1997, f. 95.