2017
Zemra e së Vesë
nëntor 2017


Zemra e së Vesë

Ne duhet të bëjmë atë që është e nevojshme për ta pasur zemrën e së vesë, duke u gëzuar me të vërtetë nga bekimet që do ta mbushin “skamjen” që pason.

Kam pasur bekimin e madh që të shërbej mes shenjtërove të Paqësorit për pjesën më të madhe jetës sime si i rritur. Besimi, dashuria dhe sakrificat mahnitëse të këtyre shenjtorëve të përkushtuar më mbushin me frymëzim, mirënjohje dhe gëzim. Historitë e tyre janë sikurse tuajat.

Kam pasur mendimin se këta shenjtorë kanë shumë gjëra të përbashkëta me të venë, të cilën Shpëtimtari e vëzhgoi teksa “u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla. …

Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: ‘Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

Sepse … [ata] hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.’”1

Edhe pse dy monedhat e saj të vogla ishin një ndihmesë e paktë, për Shpëtimtarin dhurata e saj kishte një vlerë të madhërishme, sepse ajo dha gjithçka. Në atë çast, Shpëtimtari e njohu tërësisht të venë ngaqë dhurata e saj i tregoi Atij zemrën e saj. Cilësia dhe thellësia e dashurisë dhe e besimit të saj ishin të tilla sa ajo dha duke e ditur që “skamj[a]” e saj do të merrte ndihmë.

E kam parë po atë zemër te shenjtorët e Paqësorit. Në një fshat të vogël, në njërin prej këtyre ishujve, një burrë i moshuar dhe bashkëshortja e tij e pranuan ftesën e misionarëve për t’i kërkuar çiltërsisht Zotit nëse ishin të vërteta mësimet që po u jepeshin. Në këtë proces, ata gjithashtu morën parasysh pasojat e zotimeve që do të kishin nevojë t’i bënin nëse përgjigjja që merrnin, do t’i çonte drejt pranimit të ungjillit të rivendosur. Agjëruan dhe u lutën që të dinin vërtetësinë e Kishës dhe saktësinë e Librit të Mormonit. Përgjigjja ndaj lutjeve të tyre erdhi në formën e një pohimi të ëmbël, por të qartë: “Po! Është e vërtetë!”

Pasi e morën këtë dëshmi, ata zgjodhën të pagëzoheshin. Kjo nuk ishte një zgjedhje pa pasoja negative për ta. Vendimi i tyre për ta pranuar ungjillin dhe për t’u pagëzuar mbarti me vete një çmim të lartë. Ata e humbën punësimin, e sakrifikuan pozitën shoqërore, humbën miqësi të rëndësishme dhe u larguan mbështetja, dashuria dhe respekti prej familjes. Tani ata ecnin për në Kishë çdo të diel, duke shkëmbyer vështrime të sikletshme me miqtë e fqinjët, të cilët po ecnin në drejtimin e kundërt.

Në këto rrethana të vështira, këtij vëllai të mirë iu bë pyetja se çfarë mendonte rreth vendimit të tyre që të bashkoheshin me Kishën. Përgjigjja e tij e thjeshtë dhe e palëkundshme ishte: “Është e vërtetë, apo jo? Zgjedhja jonë ishte e qartë.”

Këta dy shenjtorë të porsakthyer në besim me të vërtetë kishin zemrën e së vesë. Ata, sikurse e veja, “hodh[ën] gjithë” sa mund të jepnin, duke dhënë me vetëdije nga “skamja” e tyre. Si rrjedhojë e zemrës së tyre besuese dhe e besimit të tyre durues gjatë atyre kohëve të vështira, barrët e tyre u lehtësuan. Ata u ndihmuan dhe u rrethuan nga anëtarë përkrahës e shërbyes të Kishës dhe u forcuan personalisht nga shërbimi i tyre në thirrjet e Kishës.

Pasi hodhën “gjith[çkanë]” e tyre, dita më e mrekullueshme erdhi kur u vulosën në tempull si një familje e përjetshme. Sikurse veproi Ai me të kthyerit në besim nën udhëheqjen e Almës, “Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit”2. E tillë është zemra e së vesë, e personifikuar te ky çift i mrekullueshëm.

Lejomëni të flas për një përvojë tjetër ku zemra e së vesë u shfaq me një pamje të plotë. Në Samoa, ne punojmë me këshillat e fshatrave për të marrë leje që misionarët të predikojnë ungjillin. Disa vite më parë, pata një bashkëbisedim me një kryetar nga një fshat ku misionarët nuk ishin lejuar për shumë, shumë vite. Bashkëbisedimi im ndodhi jo shumë kohë pasi kryetari drejtues ia kishte hapur fshatin Kishës, duke i lejuar misionarët tanë që t’iu jepnin mësim njerëzve të interesuar për të mësuar rreth ungjillit dhe doktrinave të tij.

Pas kaq shumë vitesh, kur e patëm këtë ndryshim të mrekullueshëm të ngjarjeve, unë u bëra kureshtar të mësoja rreth asaj që kishte ndodhur që e kishte bërë kryetarin drejtues ta ndërmerrte këtë veprim. Pyeta për këtë dhe kryetari me të cilin po bashkëbisedoja, u përgjigj: “Një njeri mund të jetojë në errësirë për njëfarë periudhe, por do të vijë një kohë kur ai do të jetë fort i dëshiruar që të vijë në dritë”.

Kryetari drejtues, në hapjen e fshatit, shfaqi zemrën e së vesë – një zemër që zbutet kur i zbulohet ngrohtësia dhe drita e së vërtetës. Ky udhëheqës ishte i gatshëm të hiqte dorë prej shumë vitesh tradite, të ndeshej me shumë kundërshtim dhe të qëndronte i palëkundur që të tjerët të mund të bekoheshin. Ky ishte një udhëheqës zemra e të cilit u përqendrua te mirëqenia dhe lumturia e popullit të tij, në vend që të mbante parasysh traditën, kulturën dhe pushtetin vetjak. Ai hoqi dorë prej atyre shqetësimeve në përkrahje të asaj që na ka dhënë mësim Presidenti Tomas S. Monson: “Kur e ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, e jona do të jetë mundësia për të qenë një dritë në jetën e njerëzve të tjerë”3.

Më së fundi, lejomëni t’ju tregoj edhe një përvojë tjetër mes shenjtorëve të Paqësorit, që mbetet e ngulitur thellësisht e shpirtërisht në qenien time. Disa vite më parë isha një këshilltar i ri i një peshkopi në një lagje të re në Samoan Amerikane. Kishim 99 anëtarë që përbëheshin nga fermerë që prodhonin vetëm për familjet e tyre, punonjës konservimi, punonjës të qeverisë dhe familjet e tyre. Kur Presidenca e Parë shpalli në vitin 1977 se një tempull do të ndërtohej në Samoa, pati gëzim e dhënie falënderimi të shprehura nga ne të gjithë. Të shkoje nga Samoa Amerikane në tempull në atë kohë duhej të udhëtoje për në Havai ose për në Zelandën e Re. Ky qe një udhëtim i shtrenjtë që ishte përtej mundësisë së shumë anëtarëve besnikë të Kishës.

Gjatë kësaj periudhe kohore, anëtarët u nxitën që të dhuronin për një fond ndërtimi, për të dhënë ndihmesë në ndërtimin e tempujve. Me këtë frymë, peshkopata jonë u kërkoi anëtarëve të lagjes që me lutje të merrnin parasysh se çfarë mund të jepnin. U caktua një datë që familjet të mblidheshin për t’i dhënë dhurimet e tyre. Më vonë, kur këto dhurime u hapën në fshehtësi, peshkopata jonë u ndje e përulur dhe e prekur nga besimi dhe zemërgjerësia e anëtarëve të mrekullueshëm të lagjes sonë.

Duke e njohur secilën familje dhe duke i ditur rrethanat e tyre, unë pata një ndjesi të thellë e të qëndrueshme mahnitjeje, respekti e përulësie. Këto ishin, në çfarëdo mënyre, monedhat e vogla të së vesë bashkëkohore, të dhëna nga “skamja” e tyre me dëshirë, me gëzim për bekimin e premtuar të ndërtimit të një tempulli të Zotit në Samoa. Këto familje ia kishin përkushtuar Zotit gjithçka që mundeshin, me besimin që nuk do të liheshin pa këtë bekim. Dhurata e tyre tregoi që zemrat e tyre ishin si zemra e së vesë. Të gjithë ata që dhanë, e bënë këtë gjë me gatishmëri e gëzim ngaqë zemra e së vesë brenda tyre mund të shihte me syrin e besimit bekimet e madhërishme kurorëzuese, të ruajtura për familjet e tyre dhe për të gjithë njerëzit e Samoas dhe të Samoas Amerikane për brezat që do të vinin. E di se dhurimet e tyre të përkushtuara, monedhat e tyre të vogla të të vesë, u njohën dhe u pranuan nga Zoti.

Zemra e së vesë, e cila i dha dy monedhat e saj të vogla, është një zemër që do të japë gjithçka nëpërmjet bërjes së sakrificave; nëpërmjet durimit të vështirësive, përndjekjes dhe mospranimit; dhe nëpërmjet mbartjes së barrëve të shumë llojeve. Zemra e së vesë është një zemër që e kupton, e ndien dhe e njeh dritën e së vërtetës dhe do të japë çfarëdo gjëje për ta përqafuar atë të vërtetë. Ajo gjithashtu i ndihmon të tjerët që ta shohin po atë dritë dhe që të vijnë tek e njëjta masë lumturie dhe gëzimi të përjetshëm. Më së fundi, zemra e së vesë përcaktohet nga një gatishmëri për të dhënë gjithçka për ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë.

Ne duhet të bashkohemi si shenjtorë anembanë botës që të bëjmë atë që është e nevojshme për ta pasur zemrën e së vesë, duke u gëzuar me të vërtetë nga bekimet që do ta mbushin “skamjen” që pason. Lutja ime për secilin prej nesh është një përgjërim që të kemi zemrën për t’i mbajtur barrët tona, për të bërë sakrifica të nevojshme dhe për të pasur vullnetin që të bëjnë e të japin. Premtoj se Zoti nuk do t’ju lërë pa bekime. Zemra e së vesë mbushet me falënderim që Shpëtimtari ishte një “njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes”4, kështu që neve nuk do të na nevojitej ta shijonim “kupë[n] e hidhur”5. Pavarësisht nga dobësitë e dështimet tona dhe për shkak të tyre, Ai vazhdon t’i ofrojë duart e Tij, që u shpuan për hatërin tonë. Ai do të na lartësojë nëse jemi të gatshëm të vijmë te drita e ungjillit të Tij, ta përqafojmë Atë dhe ta lejojmë të na e përmbushë “skamjen” tonë.

Unë jap dëshminë time për dashurinë e madhe që mund të tregojmë si dishepuj dhe pasues të Zotit Jezu Krisht. Unë e dua dhe e mbështet Presidentin Tomas S. Monson si profetin e Perëndisë në tokë. Libri i Mormonit është një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit drejtuar botës dhe ju ftoj të gjithëve ta lexoni dhe të zbuloni mesazhin e tij për ju. Të gjithë ata që e pranojnë ftesën e Zotit për të ardhur tek Ai, do të gjejnë paqe, dashuri e dritë. Jezu Krishti është Shembulli dhe Shëlbuesi ynë i madhërishëm. Është vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe mrekullisë së Shlyerjes së Tij të pafundme, që ne mund të marrim jetë të përjetshme. Për këtë unë jap dëshmi në emrin e Tij të shenjtë, madje Jezu Krishtit, amen.