2017
Të Vërteta Thelbësore – Nevoja Jonë për të Vepruar
nëntor 2017


Të Vërteta Thelbësore – Nevoja Jonë për të Vepruar

Vegimi i Parë dhe Profeti Jozef Smith nxorën në dritë njohuri dhe të vërteta që janë thelbësore për lumturinë tonë në këtë jetë dhe për ekzaltimin tonë.

Kur isha rreth shtatë vjeç, e pyeta nënën time: “Kur unë dhe ti të vdesim dhe të shkojmë në qiell, a do të jesh ende nëna ime?” Ajo nuk e priste një pyetje të tillë. Por, duke u përgjigjur sipas njohurisë së saj më të mirë, ajo tha: “Jo, në qiell ne do të jemi vëllezër dhe motra. Unë nuk do të jem nëna jote.” Kjo nuk ishte përgjigjja që po shpresoja të merrja.

Pak kohë pas asaj bisede të shkurtër, dy të rinj erdhën te porta e shtëpisë sonë. Nga njëfarë mrekullie, babai im i lejoi të hynin. Ata thanë që ishin misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Këta pleq [eldra], siç u mësuam t’i thërrasim, filluan ta mësonin familjen tonë. Unë i mbaj mend shumë mirë ndjenjat tona të lumturisë dhe emocionet sa herë që ata na vinin në shtëpi. Ata na treguan se një i ri pati shkuar në një korie për ta pyetur Perëndinë se cila kishë ishte e vërtetë dhe se ai pa Perëndinë dhe Jezu Krishtin.1 Misionarët na treguan një ilustrim të atij vegimi dhe, kur e pashë, unë e dija se Jozef Smithi e kishte parë me të vërtetë Perëndinë dhe Jezu Krishtin. Misionarët thanë se në saje të këtij vegimi, Kisha e vërtetë e Jezu Krishtit ishte përsëri në tokë.2

Vegimi i Parë

Misionarët na mësuan gjithashtu planin e Perëndisë për lumturinë dhe iu përgjigjën pyetjeve të familjes sonë rreth fesë. Ata na mësuan se familjet vërtet mund të jenë së bashku pas kësaj jete si baba, nënë dhe bij e bija.

Familja jonë u pagëzua. Rruga drejt ndryshimit të zakoneve të vjetra, heqjes dorë nga traditat dhe të bërit anëtarë aktivë të Kishës ishte ndonjëherë me vështirësi. Por në saje të mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë dhe me ndihmën e shumë udhëheqësve dhe anëtarëve, ne ia dolëm në vitet e para sfiduese.

Miliona njerëz që i janë bashkuar tashmë Kishës, si dhe shumë të tjerë që po kthehen në besim dhe pagëzohen çdo javë, kanë fituar një dëshmi për Vegimin e Parë. Fryma e Shenjtë mund t’ia përsëritë këtë dëshmi shpesh secilit prej nesh ndërsa përpiqemi t’i jetojmë të vërtetat e thjeshta të ungjillit të Krishtit.

Vegimi i Parë dhe Profeti Jozef Smith nxorën në dritë njohuri dhe të vërtetë shtesë që janë thelbësore për lumturinë tonë në këtë jetë dhe për ekzaltimin tonë në praninë e Perëndisë. Unë do të përmend tri nga të vërtetat që fituam dhe sipas të cilave duhet të veprojmë, ngaqë një djalosh i ri u gjunjëzua në lutje të sinqertë.

Perëndia Thërret Profetë për të na Udhëhequr dhe Udhërrëfyer

Një e vërtetë thelbësore që mësojmë nga Vegimi i Parë dhe Profeti Jozef Smith, është se Perëndia thërret profetë3, shikues dhe zbulues për të na udhëzuar, udhërrëfyer, paralajmëruar e udhëhequr.4 Këta burra janë zëdhënësit e Perëndisë në tokë5, me autoritetin për të folur e për të vepruar në emrin e Zotit.6 Duke e ndjekur saktësisht këshillën e tyre, ne do të jemi të mbrojtur dhe do të marrim bekime të mrekullueshme në udhëtimin tonë në këtë tokë.

Kur studioja në Universitetin “Brigam Jang” si misionar i ri i kthyer e beqar, mora pjesë në një sesion të priftërisë të konferencës së përgjithshme në Tabernakullin te Sheshi i Tempullit. Presidenti Ezra Taft Benson, atëherë President i Kishës, e nxiti çdo misionar të kthyer që ta merrte seriozisht martesën dhe ta bënte përparësi kryesore në jetën e tij.7 Pas sesionit, unë e dija se isha thirrur për pendesë dhe duhej të veproja sipas këshillës së profetit.

Kështu që vendosa të shkoj në vendlindjen time, Brazil, për të gjetur një bashkëshorte. Përpara se të nisesha për në Brazil për një praktikë 2-mujore mësimore, e mora në telefon nënën dhe disa miq dhe arrita të krijoja një listë me rreth 10 të reja – secila prej tyre një bashkëshorte e mundshme.

Ndërsa isha në Brazil, pas shumë përsiatjeje dhe lutjeje, u takova, dola dhe u fejova e caktova një datë për t’u martuar me një nga të rejat e listës. Krahasuar me studentët në Provo të Jutas nuk kisha arritur ndonjë rekord kohor për dalje në takime dhe për t’u fejuar, por ishte kohë e shkurtër sipas standardeve braziliane.

Pak muaj më vonë, unë u martova me Ileinën. Ajo është dashuria e jetës sime dhe një bekim i mrekullueshëm.

Nuk po sugjeroj që secili duhet të bëjë një listë të ngjashme, por po sugjeroj – ndoshta më shumë sesa sugjerim – që ne gjithmonë duhet të veprojmë kur profetët tanë të gjallë flasin.

Portret i Presidentit Tomas S. Monson

Profeti i Perëndisë sot është Presidenti Tomas S. Monson dhe ne do të bekohemi nga ndjekja me saktësi e këshillës së tij.

Njohja e Natyrës së Vërtetë të Perëndisë

Një e vërtetë tjetër që ne mësojmë në saje të Vegimit të Parë dhe Profetit Jozef Smith, është natyra e vërtetë e Perëndisë. Thjesht përfytyroni sa të bekuar jemi të dimë se Perëndia është një qenie me trup prej mishi e kockash po aq të prekshëm sa edhe yni8, që ne mund të adhurojmë një Perëndi që është i vërtetë, të cilin mund ta kuptojmë dhe që ua ka shfaqur dhe zbuluar Veten dhe Birin e Tij profetëve të Tij – profetëve në lashtësi si dhe profetëve në këto ditë të mëvonshme.9 Ai është Perëndi që i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona10; Perëndi që na vështron nga lart në qiell11 dhe është vazhdimisht i shqetësuar rreth mirëqenies sonë shpirtërore e tokësore; një Perëndi që na dha liri zgjedhjeje që të vendosim vetë për ta ndjekur Atë dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij pa shtrëngim12; një Perëndi që na jep bekime dhe na lejon të përballemi me sprova për t’u rritur e bërë si Ai.

Ai është një Perëndi i dashur që siguroi një plan nëpërmjet të cilit mund të gëzojmë lumturi në këtë jetë dhe në përjetësi.

Jezu Krishti Është Shpëtimtari Ynë

Nga Vegimi i Parë dhe Profeti Jozef Smith, ne morëm njohuri për realitetin dhe misionin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, i cili është guri i qoshes i fesë sonë.

Për shkak se vdekja hyri në botë, po me aq siguri sa jetojmë tani, ne të gjithë do të vdesim një ditë. Një nga ndikimet e vdekjes do të ishte humbja e përhershme e trupit tonë fizik; ne nuk do të ishim në gjendje të bënim asgjë për ta rifituar atë. Përveç kësaj, ngaqë të gjithë mëkatojmë gjatë udhëtimit tonë këtu në tokë, ne nuk do të ishim kurrë në gjendje të riktheheshim në praninë e Atit tonë Qiellor.

A mund t’i përfytyroni pasojat e të qenit të ndaluar nga prania e Perëndisë dhe e të mos pasurit kurrë një trup?

Një Shpëtimtar dhe Shëlbues nevojitej për të na çliruar nga vdekja dhe nga mëkati. Nën drejtimin e Atit Qiellor, Jezu Krishti erdhi në tokë, vuajti, vdiq në kryq dhe u ringjall që edhe ne të mund të ringjallemi dhe, me pendim të sinqertë dhe duke bërë e mbajtur besëlidhje të shenjta, të jemi edhe një herë në praninë e Perëndisë.

Jakobi shpjegoi: “O sa e madhe mirësia e Perëndisë sonë, që përgatit një udhë për udhëdaljen tonë nga kapja e këtij përbindëshi të tmerrshëm; po, ai përbindësh, vdekja dhe ferri, që unë e quaj vdekja e trupit dhe gjithashtu vdekja e shpirtit”13.

Jezusi dhe Maria te Varri

Jezusi është Mesia i premtuar, Ligjdhënësi, I Shenjti i Izraelit, Zoti ynë, Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë, Mbreti ynë, Gjithësia ynë.

Vazhdofshim të gjithë të veprojmë sipas këtyre të vërtetave dhe kësaj njohurie thelbësore, duke i ofruar bindjen tonë Perëndisë dhe Birit të Tij të Dashur. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.