Priftëria dhe Fuqia Shlyese e Shpëtimtarit
Në mënyrë që qëllimet e Atit Qiellor të përmbushen, fuqia shlyese e Krishtit duhet t’u vihet në dispozicion fëmijëve të Perëndisë. Priftëria i përçon këto mundësi.
Përfytyrojeni bashkë me mua një raketë të cilën po e manovrojnë drejt një pike lëshimi në mënyrë që të përgatitet për nisje. Tani, imagjinojeni ndezjen. Lënda djegëse, me një djegie të kontrolluar, kthehet në gaz të nxehtë që del jashtë vrullshëm, duke siguruar shtytjen e nevojshme për ta çuar raketën në hapësirë. Së fundmi, parafytyrojeni ngarkesën e çmuar apo pajisjen që qëndron në majë të raketës. Vlera e ngarkesës së çmuar së raketës kuptohet plotësisht vetëm kur ajo arrin atje ku duhet të jetë dhe funksionon siç duhet. Ju nuk keni nevojë të jeni shkencëtarë raketash për të kuptuar se një satelit i kushtueshëm komunikimi botëror ka pak vlerë nëse rri në magazinë. Misioni i raketës është thjesht që ta çojë një ngarkesë të çmuar [aty ku duhet].
Këtë mbrëmje, do të doja ta krahasoja priftërinë që ne mbajmë me një raketë dhe mundësinë për të përfituar nga fuqia shlyese e Shpëtimtarit me ngarkesën e çmuar që një raketë çon.
Për shkak të sakrificës së Tij shlyese, Jezu Krishti ka fuqinë dhe autoritetin për ta shëlbuar të gjithë njerëzimin. Për ta bërë të përdorshme fuqinë e Tij shlyese, Ai ia ka deleguar një pjesë të fuqisë dhe autoritetit të Tij burrave në tokë. Kjo fuqi dhe ky autoritet i deleguar quhet priftëri. Ajo u lejon mbajtësve të priftërisë ta ndihmojnë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në punën e Tyre – për të sjellë shpëtimin dhe ekzaltimin e fëmijëve të Perëndisë. Ajo e bën atë ngaqë u siguron fëmijëve të Tij mundësinë për të marrë bekimet e fuqisë shlyese të Shpëtimtarit.
Fuqia shlyese e Jezu Krishtit është thelbësore ngaqë asnjëri prej nesh nuk mund të rikthehet në shtëpinë tonë qiellore pa ndihmë. Në vdekshmëri, ne përherë bëjmë gabime dhe i shkelim ligjet e Perëndisë. Ne njollosemi nga mëkati dhe nuk mund të lejohemi që të kthehemi të jetojmë në praninë e Perëndisë. Ne kemi nevojë për fuqinë shlyese të Shpëtimtarit që të mund të pajtohemi me Atin Qiellor. Jezu Krishti i këputi lidhjet e vdekjes fizike, duke e lejuar ringjalljen për të gjithë. Ai ofron falje për mëkatet, të kushtëzuar nga bindja ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij. Nëpërmjet Tij, ofrohet ekzaltimi. Mundësia për të përfituar nga fuqia shlyese e Shpëtimtarit është ngarkesa e çmuar më e rëndësishme e krijimit.
Në mënyrë që qëllimet e Atit Qiellor të përmbushen, fuqia shlyese e Krishtit duhet t’u vihet në dispozicion fëmijëve të Perëndisë.1 Priftëria i përçon këto mundësi. Ajo është raketa. Priftëria është thelbësore pasi ordinancat dhe besëlidhjet e domosdoshme në tokë administrohen vetëm nëpërmjet autoritetit të saj. Nëse priftëria nuk arrin ta përçojë mundësinë për të përfituar nga fuqia shlyese e Shpëtimtarit, cili do të ishte qëllimi i saj? A nuk do të ishte ajo thjesht një fishekzjarr i ndërlikuar për të tërhequr vëmendjen? Perëndia ka për qëllim që priftëria të përdoret për më tepër sesa vetëm një orë mësimore të dielën apo vetëm si mundësi shërbimi. Ai ka për qëllim që ajo të çojë ngarkesën e çmuar.
Defekte të vogla në raketë mund të shkaktojnë dështim të misionit. Guarnicione të vjetërsuara dhe dobësimi i materialeve mund ta bëjnë një raketë që të keqfunksionojë. Në mënyrë metaforike, për ta ruajtur priftërinë nga guarnicionet e vjetërsuara dhe dobësimi i materialeve, Perëndia e mbron edhe dhënien, edhe përdorimin e saj.2 Dhënia e priftërisë ruhet nga çelësat e priftërisë, të cilët janë të drejtat e kryesimit që i janë dhënë njeriut.3 Përdorimi i priftërisë ruhet në të njëjtën mënyrë nga çelësat e priftërisë, por edhe nga besëlidhjet që bën mbajtësi i priftërisë. Përdorimi i priftërisë, për rrjedhojë, udhëhiqet edhe nga çelësat e priftërisë, edhe nga besëlidhjet. Autorizimi në priftëri i një burri jepet individualisht dhe është pjesë e pandashme prej tij;4 priftëria nuk është një burim i patrajtë i fuqisë autonome.
Si priftëria Aarone, ashtu edhe ajo Melkizedeke merren me anë të një besëlidhjeje.5 Perëndia i përcakton kushtet dhe njeriu i pranon. E thënë në vija të trasha, mbajtësit e priftërisë bëjnë besëlidhje që ta ndihmojnë Perëndinë në punën e Tij. Në fillimet e kësaj periudhe ungjillore, Jezu Krishti shpjegoi se besëlidhja e priftërisë “është dhënë mbi ju për hirin tuaj dhe jo vetëm për hirin tuaj, por për hir të të gjithë botës … ngaqë ata nuk vijnë tek unë”6.
Kjo na mëson se qëllimi i priftërisë është që t’i ftojë të tjerët të vijnë te Krishti duke i ndihmuar ata të marrin ungjillin e rivendosur. Ne e kemi priftërinë në mënyrë që të mund t’i ndihmojmë fëmijët e Atit Qiellor të çlirohen nga barra e mëkatit dhe të bëhen si Ai. Nëpërmjet priftërisë, fuqia e perëndishmërisë manifestohet në jetën e të gjithë atyre që i bëjnë dhe i mbajnë besëlidhjet e ungjillit dhe i marrin ordinancat e lidhura [me to].7 Kjo është mënyra se si secili prej nesh vjen te Krishti, pastrohet dhe pajtohet me Perëndinë. Fuqia shlyese e Krishtit bëhet e përdorshme nëpërmjet priftërisë, e cila e çon ngarkesën e çmuar.
Besëlidhjet me Perëndinë janë serioze dhe solemne. Një burrë duhet të përgatitet për besëlidhje të tilla, të mësojë rreth tyre dhe të hyjë në ato besëlidhje me qëllimin për t’i nderuar. Besëlidhja bëhet një zotim i vetes. Duke parafrazuar dramaturgun anglez Robert Bolt, një burrë bën një besëlidhje vetëm kur ai dëshiron ta zotojë vetveten në mënyrë krejt të jashtëzakonshme ndaj një premtimi. Ai krijon një lidhje ndërmjet të vërtetës së premtimit dhe virtytit të tij vetjak. Kur një burrë bën një besëlidhje, ai po e mban veten sikurse ujin me pëllëmbët e veta të mbledhura. Dhe nëse i hap gishtat, ai nuk ka kurrsesi arsye të shpresojë se do ta gjejë më veten. Një shkelës besëlidhjeje nuk ka më një vetvete që ta zotojë apo një garanci që ta japë.8
Një mbajtës i Priftërisë Aarone bën besëlidhje që ta shmangë të ligën, t’i ndihmojë të tjerët të pajtohen me Perëndinë dhe të përgatitet për të marrë Priftërinë Melkizedeke.9 Këto përgjegjësi të shenjta përmbushen kur ai jep mësim, pagëzon, i forcon anëtarët e Kishës dhe i fton të tjerët ta pranojnë ungjillin. Këto janë funksionet e tij “raketore”. Në këmbim, Perëndia premton shpresë, falje, shërbesën e engjëjve dhe çelësat e ungjillit të pendimit dhe pagëzimit.10
Një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke bën besëlidhje për t’i përmbushur përgjegjësitë e lidhura me Priftërinë Aarone dhe për ta lartësuar thirrjen e tij në Priftërinë Melkizedeke.11 Ai e bën atë nëpërmjet mbajtjes së urdhërimeve të lidhura me besëlidhjen. Këto urdhërime përfshijnë mbajtjen “vesh me zell [të] fjalëve të jetës së përjetshme” duke jetuar me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë,12 dhënien e dëshmisë për Jezu Krishtin dhe veprën e Tij të ditëve të mëvonshme,13 mosmburrjen e vetvetes14 dhe bërjen mik me Shpëtimtarin, duke i mirëbesuar Atij siç do të bënte një mik.15
Në këmbim, Perëndia premton se një mbajtës i Priftërisë Melkizedeke do të marrë çelësa për t’i kuptuar misteret e Perëndisë. Ai do të bëhet i përkryer, në mënyrë që të mund të qëndrojë në prani të Perëndisë. Ai do të jetë në gjendje ta përmbushë rolin e tij në punën e shpëtimit. Jezu Krishti do ta përgatitë udhën përpara mbajtësit të priftërisë dhe do të jetë me të. Fryma e Shenjtë do të jetë në zemrën e mbajtësit të priftërisë dhe engjëjt do ta ngrenë atë lart. Trupi i Tij do të forcohet e ripërtërihet. Ai do të bëhet trashëgimtar i bekimeve të Abrahamit dhe, së bashku me gruan e tij, bashkëtrashëgimtar me Jezu Krishtin i mbretërisë së Atit Qiellor.16 Këto janë “premtime [të] çmueshme dhe shumë të mëdha”17. Premtime më të mëdha nuk mund të imagjinohen.
Secilit burrë që merr Priftërinë Melkizedeke, Perëndia ia pohon premtimet e Tij të besëlidhjes me një betim.18 Ky betim i përket vetëm Priftërisë Melkizedeke19 dhe është Perëndia, jo mbajtësi i priftërisë, që e bën betimin.20 Për shkak se kjo situatë e pashoqe përfshin fuqinë dhe autoritetin e Tij hyjnor, Perëndia përdor një betim, duke përdorur të folurin më të fuqishëm që mundet, për të na siguruar për natyrën detyruese dhe të pakthyeshme të premtimeve të Tij.
Pasoja të ashpra rrjedhin nga thyerja e besëlidhjeve të priftërisë dhe nga largimi tërësisht prej tyre.21 Të qenit i shkujdesur apo i plogësht në një thirrje priftërie është si të përfshish material të dobësuar në një komponent të raketës. Ajo e vë në rrezik besëlidhjen e priftërisë për shkak se mund të çojë në dështim të misionit. Mosbindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë e thyen besëlidhjen. Bekimet e premtuara zmbrapsen për një shkelës të vazhdueshëm, të papenduar të besëlidhjeve.
Unë arrita ta kuptoj më plotësisht marrëdhënien midis raketës së “priftërisë” dhe ngarkesës së çmuar së “mundësisë për të përfituar nga fuqia shlyese e Krishtit” disa vite më parë. Gjatë një fundjave, kisha dy detyra. E para ishte që të krijoja kunjin e parë në një vend dhe tjetra ishte që të intervistoja një të ri dhe, nëse çdo gjë ishte në rregull, t’i riktheja priftërinë dhe bekimet e tempullit. Ky burrë 30-vjeçar qe bashkuar me Kishën nga fundi i adoleshencës së tij. Ai shërbeu një mision plot nder. Por, kur u kthye në shtëpi, e humbi udhën dhe humbi anëtarësinë e tij në Kishë. Pas disa vitesh, “erdhi në vete”22 dhe me ndihmën e udhëheqësve të përzemërt të priftërisë dhe anëtarëve të dashur, u pendua dhe u ripranua nëpërmjet pagëzimit në Kishë.
Më vonë, ai bëri kërkesë për rikthimin e priftërisë dhe bekimeve të tij të tempullit. Ne vendosëm një takim për të shtunën në orën 10 paradite në shtëpinë e mbledhjeve. Kur mbërrita për intervistat e para, ai ishte tanimë atje. Ishte aq në ankth për ta marrë sërish priftërinë, saqë thjesht nuk mund të priste.
Gjatë intervistës sonë, i tregova letrën që shpjegonte se Presidenti Tomas S. Monson e kishte shqyrtuar personalisht kërkesën e tij dhe e kishte autorizuar intervistën. Ky i ri ndonëse stoik, qau. Më pas, i thashë se data e intervistës sonë nuk do të kishte kurrfarë domethënie zyrtare në këtë jetë. Ai shikoi i hutuar. I bëra të ditur se pasi t’ia riktheja bekimet, dokumenti i tij i anëtarësisë do të shfaqte vetëm datat fillestare të pagëzimit, konfirmimit, shugurimit në priftëri dhe marrjes së indaumentit [dhurimit]. Iu mbajt fryma sërish.
I kërkova që të lexonte nga Doktrina e Besëlidhje:
“Vini re, ai që është penduar për mëkatet e tij, po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato.
Në këtë mënyrë ju mund të dini nëse një njeri pendohet për mëkatet e tij—vini re, ai do t’i rrëfejë ato e do t’i braktisë ato.”23
Sytë iu mbushën me lot për herë të tretë. Më pas, i vendosa duart mbi kokën e tij dhe në emrin e Jezu Krishtit e me anë të autoritetit të Priftërisë Melkizedeke, dhe me autorizimin e Presidentit të Kishës, ia riktheva priftërinë dhe bekimet e tempullit.
Gëzimi që na pushtoi qe i thellë. Ai e dinte se ishte përsëri i autorizuar ta mbante dhe ta ushtronte priftërinë e Perëndisë. Ai e dinte se bekimet e tij të tempullit u kthyen tërësisht në fuqi. Kishte një hov në ecjen e tij dhe dritë rrëzëlluese në të. Isha kaq krenar për të dhe ndjeva se sa krenar ishte Ati Qiellor për të, gjithashtu.
Pas kësaj, u organizua kunji. Mbledhjet patën pjesëmarrje të mirë nga shenjtorë të entuziazmuar, besnikë dhe u mbështet një presidencë e mrekullueshme kunji. Sidoqoftë, për mua, ngjarja historike e organizimit të këtij kunji të parë në vend mbeti prapa nga gëzimi që ndjeva për rikthimin e bekimeve këtij të riu.
Kam arritur të kuptoj se qëllimi i organizimit të një kunji, apo i përdorimit të priftërisë së Perëndisë në çfarëdo mënyre, është që ta ndihmojnë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në punën e Tyre – për t’i siguruar mundësinë për shëlbim dhe ekzaltim secilit fëmijë të Perëndisë. Ashtu si raketa qëllimi i së cilës është që të çojë një ngarkesë të çmuar, priftëria e përçon ungjillin e Jezu Krishtit, duke u dhënë mundësi të gjithëve që të bëjnë besëlidhje dhe të marrin ordinancat e lidhura [me to]. “Gjaku shlyes [i] Krishtit”24 mund të zbatohet në këtë mënyrë në jetën tonë ndërsa përjetojmë ndikimin shenjtërues të Frymës së Shenjtë dhe marrim bekimet që premton Perëndia.
Përveç bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit nga ana juaj, ju ftoj që të bëni e mbani besëlidhjet e priftërisë. Merreni betimin e Perëndisë dhe premtimin e Tij. Lartësojini përgjegjësitë tuaja në priftëri për ta ndihmuar Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin. Përdoreni priftërinë që të ndihmoni për t’a përçuar për te dikush tjetër mundësinë për të përfituar nga fuqia shlyese e Shpëtimtarit! Ndërsa e bëni atë, bekime të mrekullueshme do t’ju vijnë juve dhe familjes suaj. Dëshmoj se Shëlbuesi jeton dhe e udhëheq këtë punë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.