2017
Të Fitoni Mirëbesimin e Zotit dhe të Familjes Suaj
nëntor 2017


Të Fitoni Mirëbesimin e Zotit dhe të Familjes Suaj

Burrat që kanë “integritet të zemrës”, janë burra tek të cilët mund të mirëbesosh, sepse mirëbesimi ndërtohet mbi integritetin moral.

Vëllezër, ndoshta nuk ka përgëzim më të madh që mund të marrim nga Zoti, sesa të dimë që Ai na mirëbeson se jemi mbajtës të denjë të priftërisë dhe bashkëshortë e etër të mrekullueshëm.

Një gjë është e sigurt, të fitosh mirëbesimin e Zotit është një bekim që vjen nëpërmjet përpjekjes së madhe nga ana jonë. Mirëbesimi është një bekim i bazuar te bindja ndaj ligjeve të Perëndisë. Të fitosh mirëbesimin e Zotit vjen si rrjedhojë e të qenit i vërtetë ndaj besëlidhjeve që kemi bërë në ujërat e pagëzimit dhe në tempullin e shenjtë. Kur i mbajmë premtimet që i kemi bërë Zotit, mirëbesimi i Tij ndaj nesh rritet.

Më pëlqejnë shumë të dyja, si shkrimet e shenjta të lashta dhe ato bashkëkohore që përdorin frazën “integritet të zemrës” kur përshkruajnë karakterin e drejtë të një personi.1 Integriteti moral ose mungesa e integritetit moral është një përbërës themelor i karakterit të një personi. Burrat që kanë “integritet të zemrës”, janë burra tek të cilët mund të mirëbesosh, sepse mirëbesimi ndërtohet mbi integritetin moral.

Të qenit një burrë me integritet moral thjesht nënkupton se qëllimet e tua, si dhe veprat e tua, janë të dëlira dhe të drejta në të gjitha aspektet e jetës tënde, si në publik, ashtu edhe në mjedis privat. Në çdo vendim që marrim, ne ose e meritojmë më shumë mirëbesimin e Perëndisë ose e zvogëlojmë mirëbesimin e Tij [ndaj nesh]. Ndoshta ky parim tregohet më qartë në përgjegjësitë tona të caktuara në mënyrë hyjnore si bashkëshortë dhe etër.

Si bashkëshortë dhe etër, ne kemi marrë një përgjegjësi hyjnore nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e ditëve moderne në dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ky dokument na mëson që: 1) “etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi”, 2) “etërit janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën” dhe 3) etërit janë përgjegjës për të mbrojtur familjet e tyre.2

Që ne ta fitojmë mirëbesimin e Perëndisë, do të na duhet t’i përmbushim këto tri përgjegjësi të caktuara në mënyrë hyjnore ndaj familjeve tona sipas mënyrës së Zotit. Siç shpallet më tej në proklamatën e familjes, mënyra e Zotit është që ne t’i përmbushim këto përgjegjësi së bashku me bashkëshorten tonë “si partnerë të barabartë”3. Për mua, kjo do të thotë se ne nuk përparojmë në marrjen e ndonjë vendimi të rëndësishëm lidhur me këto tri përgjegjësi, pa unitet të plotë me bashkëshorten tonë.

Hapi i parë në synimin tonë për të fituar mirëbesimin e Zotit është ta vendosim mirëbesimin tonë tek Ai. Profeti Nefi e ilustroi këtë lloj zotimi kur u lut: “O Zot, unë kam besuar te ti dhe unë do të besoj te ti përgjithmonë. Unë nuk do ta vë besimin tim në krahun prej mishi.”4 Nefi ishte krejtësisht i zotuar për të bërë vullnetin e Zotit. Përveçse tha se do të “bë[nte] gjërat që Zoti ka urdhëruar”, Nefi nuk u lëkund nga zotimi i tij për t’i përmbushur detyrat e tij siç tregohet në këtë thënie: “Ashtu si Zoti jeton dhe ashtu si ne jetojmë, ne nuk do të kthehemi tek ati ynë në vendin e shkretë, derisa ne të kemi plotësuar gjënë që Zoti na ka urdhëruar”5.

Për shkak se Nefi i mërbesoi së pari Perëndisë, Perëndia vendosi mirëbesim të madh te Nefi. Zoti e bekoi atë me derdhje të madhe të Shpirtit që e bekoi jetën e tij, jetën e familjes së tij dhe jetën e popullit të tij. Për shkak se Nefi kryesoi me dashuri dhe drejtësi dhe siguroi mirëqenie për familjen e tij, dhe e mbrojti atë e popullin e tij, ai shënon: “Ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë”6.

Në mënyrë që të përfaqësoja këndvështrimin e një gruaje mbi këtë temë, iu kërkova dy bijave të mia të martuara që të më ndihmonin. I pyeta a mund të më thoshin një ose dy fjali mbi mënyrën se si e shihnin rëndësinë e mirëbesimit teksa ndikon në martesën dhe jetën e tyre familjare. Këtu kemi mendimet e Lara Herrisit dhe Kristina Hensënit.

E para, Lara: “Një nga gjërat më të rëndësishme për mua është që e di se gjatë ditës bashkëshorti im bën zgjedhje që tregojnë respekt dhe dashuri kundrejt meje. Kur ne i mirëbesojmë njëri-tjetrit në këtë mënyrë, kjo sjell paqe në shtëpinë tonë, ku mund të shijojmë së bashku rritjen e familjes sonë.”

Tani mendimet e Kristinës: “Të mirëbesosh te dikush është njësoj si të kesh besim te dikush. Pa atë mirëbesim dhe besim, ka frikë dhe dyshim. Për mua, një nga bekimet më të mëdha që vjen nga mundësia për t’i mirëbesuar plotësisht bashkëshortit tim, është paqja – paqja e mendjes duke e ditur se ai vërtet e bën atë që thotë se do të bëjë. Mirëbesimi sjell paqe, dashuri dhe një mjedis ku ajo dashuri mund të shtohet.”

Lara dhe Kristina nuk e panë kurrë atë që tjetra kishte shkruar. Për mua është shumë interesante se, që të dyja në mënyrë të pavarur, e cilësuan bekimin e paqes në shtëpi si një rrjedhojë e drejtpërdrejtë e pasjes së një bashkëshorti të cilit mund t’i mirëbesonin. Siç u ilustrua nga shembulli i dy bijave të mia, parimi i mirëbesimit luan një rol tej mase të rëndësishëm në zhvillimin e një shtëpie të përqendruar te Krishti.

Unë qeshë gjithashtu në gjendje të gëzoja po atë kulturë të përqendruar te Krishti, kur po rritesha në një shtëpi ku im atë e nderonte priftërinë e tij dhe e fitonte mirëbesimin e gjithë familjes në saje të “integritetit të zemrës së tij”7. Më lejoni të ndaj me ju një përvojë nga rinia ime e cila tregon ndikimin e përhershëm pozitiv që një atë, i cili e kupton dhe e jeton parimin e mirëbesimit të bazuar mbi integritetin moral, mund të ketë në familjen e tij.

Kur isha djalosh, im atë ngriti një kompani që ishte e specializuar për automatizimet e fabrikave. Ky biznes projektonte, prodhonte dhe instalonte linja prodhimi të automatizuara në mbarë botën.

Kur isha në nëntëvjeçare, im atë donte që të më mësonte se si të punoja. Ai donte të më mësonte gjithashtu biznesin që nga themelet. Puna ime e parë përfshinte mirëmbajtjen e ambienteve të gjelbërta dhe lyerjet në pjesët e godinës që nuk shiheshin nga publiku i gjerë.

Kur hyra në shkollë të mesme, u ngrita në detyrë për të punuar me punonjësit e fabrikës. Fillova të mësoja se si të lexoja një skicë dhe si të vija në punë makinerinë për përpunimin e metaleve të rënda. Pas diplomimit në shkollën e mesme, ndoqa universitetin dhe më pas shkova në fushën e misionit. Kur u ktheva nga misioni, shkova menjëherë në punë. Duhej të fitoja para për shpenzimet e shkollës për vitin pasues.

Një ditë fill pas misionit, po punoja në fabrikë kur im atë më thirri në zyrë dhe më pyeti nëse do të kisha dëshirë të shkoja me të në një udhëtim pune në Los Anxhelos. Kjo ishte hera e parë që im atë më ftonte ta shoqëroja në një udhëtim pune. Në fakt, ai po më lejonte të paraqitesha në publik për ta ndihmuar që të përfaqësonim kompaninë.

Përpara se të niseshim për udhëtim, ai më përgatiti duke më dhënë detaje rreth këtij klienti të ri të mundshëm. Së pari, klienti ishte një sipërmarrje shumëkombëshe. Së dyti, ata po i përmirësonin linjat e tyre të prodhimit në mbarë botën me teknologjinë më të fundit për automatizimet. Së treti, kompania jonë nuk i kishte furnizuar kurrë më parë ata me shërbime apo teknologji inxhinierike. Dhe së fundi, drejtuesi i tyre kryesor i sipërmarrjes, përgjegjës për blerjen, e kishte kërkuar këtë mbledhje për të shqyrtuar ofertën tonë për një projekt të ri. Kjo mbledhje përfaqësonte një mundësi të re dhe me gjasë të rëndësishme për kompaninë tonë.

Pasi mbërritëm në Los Anxhelos, unë dhe im atë shkuam te hoteli i drejtuesit ekzekutiv për mbledhjen. Pika e parë e punës ishte që të diskutonim dhe t’i analizonim hollësitë e hartimit inxhinierik të projektit. Pika e radhës e diskutimit kishte të bënte me hollësitë operative, përfshirë logjistikën dhe datat e dorëzimit. Pjesa përmbyllëse e rendit të ditës u përqendrua te çmimet, kërkesat dhe kushtet. Në këtë pikë gjërat u bënë interesante.

Drejtuesi i sipërmarrjes na shpjegoi se çmimi që kishim propozuar ne, ishte më i ulëti nga ata që kishin dorëzuar oferta për projektin. Më pas, për çudi na tregoi ofertën e parafundit me çmimin më të ulët. Më pas ai na pyeti nëse do të ishim të gatshëm ta kthenim mbrapsht propozimin tonë dhe t’ia ridërgonim. Ai tha se çmimi ynë i ri duhet të renditej fill poshtë ofertës tjetër me çmimin më të lartë. Më pas ai shpjegoi se duhet t’i ndanim me të dollarët shtesë, me fitim gjysmë për gjysmë. Ai e arsyetoi këtë duke thënë se të gjithë do të dilnin të fituar. Kompania jonë do të dilte e fituar sepse do të fitonim goxha më shumë para sesa oferta fillestare që bëmë. Kompania e tij do të dilte e fituar sepse prapëseprapë do të bashkëpunonte me ofruesin e çmimit më të ulët. Dhe sigurisht, ai do të përfitonte duke marrë përqindjen e tij për shkak se do të bënte të mundur këtë marrëveshje të shkëlqyer.

Më pas, na dha numrin e një kutie postare ku mund t’ia dërgonim paratë që kërkoi. Pas gjithë kësaj, ai pa tim atë dhe e pyeti: “Kështu pra, a arritëm në një marrëveshje?” Për habinë time të madhe, im atë u çua, i shtrëngoi dorën dhe i tha se do t’i kthente përgjigje më vonë.

Pasi u larguam nga mbledhja, ne hipëm në makinën e marrë me qira dhe im atë u kthye drejt meje dhe më pyeti: “Epo, çfarë mendon se duhet të bëjmë?”

Iu përgjigja duke i thënë se nuk mendoja se duhej ta pranonim këtë ofertë.

Im atë më pas pyeti: “A nuk mendon se kemi një përgjegjësi kundrejt gjithë punonjësve tanë për të mbajtur një ngarkesë të mjaftueshme pune?”

Ndërsa po e bluaja në mendje pyetjen e tij dhe përpara se t’i përgjigjesha, ai iu përgjigj vetë pyetjes që bëri. Ai tha: “Dëgjo Rik, kur e pranon njëherë ryshfetin ose bën lëshime tek integriteti yt moral, është shumë e vështirë ta rifitosh sërish atë. Mos e bëj kurrë atë, as edhe një herë të vetme.”

Fakti që po e tregoj këtë përvojë, do të thotë se nuk e kam harruar kurrë atë që më mësoi im atë në atë udhëtim të parë pune me të. E tregova këtë përvojë për të treguar ndikimin e përhershëm që kemi si etër. Ju mund ta përfytyroni mirëbesimin që kisha tek im atë në saje të integritetit të zemrës së tij. Ai i jetoi të njëjtat parime në jetën e tij private me nënën time, fëmijët e tij dhe me të gjithë njerëzit me të cilët u shoqërua.

Vëllezër, lutja ime këtë mbrëmje është që ne të gjithë të mund ta vendosim së pari mirëbesimin tonë te Zoti, siç shpjegoi Nefi, dhe më pas, me anë të integritetit tonë të zemrës, të fitojmë mirëbesimin e Zotit, si dhe mirëbesimin e bashkëshortes dhe fëmijëve tanë. Kur e kuptojmë dhe e zbatojmë këtë parim të shenjtë që mirëbesimi ndërtohet mbi integritetin moral, ne do të jemi të vërtetë ndaj besëlidhjeve tona të shenjta. Ne do t’ia dalim mbanë gjithashtu për të kryesuar në familjet tona me dashuri dhe drejtësi, duke siguruar nevojat e jetës dhe duke e mbrojtur familjen tonë nga të ligat e botës. Për këto të vërteta unë dëshmoj me përulësi, në emrin e Jezu Krishtit, amen.