Që Gëzimi Juaj të Jetë i Plotë
Jezu Krishti është burimi i të gjithë shërimit, paqes dhe përparimit të përjetshëm.
Vëllezër e motra, jam e gëzuar të jem me ju sot. Dhe kjo është ajo për të cilën do të doja të flisja me ju këtë mëngjes – të pasurit e një plotësie gëzimi.
Një titull i lajmeve të kohëve të fundit thotë: “Shkatërrimet tronditin kombin [dhe] botën”1. Nga uraganet dhe përmbytjet e deri te valët e të nxehtit dhe thatësirat, nga zjarret e mëdha dhe tërmetet e deri te luftërat dhe sëmundjet shkatërruese, duket sikur “i gjithë dheu [është] në rrëmujë”2.
Miliona njerëz janë shpërngulur dhe jetë të panumërta janë prerë në mes nga këto sfida. Grindja në familje dhe komunitete, si edhe beteja të brendshme me frikën, dyshimin dhe pritshmëri të papërmbushura na lënë gjithashtu të trazuar. Mund të jetë e vështirë ta ndieni gëzimin që dha mësim Lehi se është qëllimi i jetës.3 Me raste, ne të gjithë kemi pyetur: “Ku mund të gjej paqe? Ku kam ngushëllim … ?”4 Ne vrasim mendjen: “Si të gjej gëzim pavarësisht nga vështirësitë e jetës në vdekshmëri?”
Përgjigjja mund të duket tepër e thjeshtë, por ajo është provuar se është e vërtetë që nga ditët e Adamit. Gëzimi i përhershëm gjendet kur përqendrohemi te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, dhe kur e jetojmë ungjillin ashtu siç tregohet dhe jepet mësim prej Tij. Sa më shumë të mësojmë rreth Jezu Krishtit, të kemi besim në Të dhe t’i përngjasim Atij, aq më shumë arrijmë të kuptojmë se Ai është burimi i të gjithë shërimit, paqes dhe përparimit të përjetshëm. Ai e fton secilin prej nesh që të vijë tek Ai5, një ftesë që Presidenti Henri B. Ajring e ka karakterizuar si “ftesa më e rëndësishme që çdokush mund të pranojë”6.
Mësoni për Jezu Krishtin
Si vijmë tek Ai? Prillin e shkuar, Presidenti Rasëll M. Nelson dhe Plaku M. Rasëll Ballard na nxitën që ta studionim dokumentin “Krishti i Gjallë”7 si pjesë e të mësuarit për Shpëtimtarin. Shumë anëtarë e kanë pranuar sfidën dhe janë bekuar. Jo shumë kohë më parë, një mikeshë e dashur i dha secilit prej fëmijëve të saj të rritur kopje të këtij dokumenti, me figura të ungjillit që ilustronin secilën frazë. Ajo i nxiti fëmijët e saj që t’i ndihmonin nipërit e mbesat e saj ta kuptonin dhe ta mësonin atë përmendsh. Ca kohë më vonë, mikesha ime më tregoi një material filmik të mbesës së saj gjashtëvjeçare, Lejnit, duke e recituar variantin e saj të mësuar përmendsh me entuziazëm e vetësiguri. Kuptova që, nëse një gjashtëvjeçare mund ta bëjë atë, edhe unë mundem!
Ndërsa i kam studiuar jetën dhe mësimet e Jezu Krishtit me më shumë përqendrim dhe e kam rrënjosur në kujtesë tekstin e dokumentit “Krishti i Gjallë”, mirënjohja dhe dashuria ime për Shpëtimtarin tonë janë shtuar. Çdo fjali e atij dokumenti të frymëzuar përbën një predikim dhe e ka përmirësuar të kuptuarit e mi për rolet e Tij hyjnore dhe misionin e Tij tokësor. Ajo që kam mësuar dhe ndier gjatë kësaj periudhe studimi dhe reflektimi, vërteton se Jezusi është me të vërtetë “drita, jeta dhe shpresa e botës”8. Shkrimi i shenjtë i lashtë dhe fjalët e profetëve të ditëve të mëvonshme, të shkruara apo të thëna, në përlëvdim të Atij, dëshmojnë se “udha e Tij është shtegu që të çon drejt lumturisë në këtë jetë dhe jetës së përjetshme në botën që vjen”9.
Kini Besim te Jezu Krishti
Kur e studioni jetën dhe mësimet e Krishtit në një mori mënyrash, besimi juaj në Të do të rritet. Ju do të arrini ta dini se Ai ju do individualisht dhe ju kupton përsosurisht. Në 33 vitet e Tij në vdekshmëri, Ai vuajti mospranim, përndjekje, uri trupore, etje dhe lodhje10, vetmi, dhunë verbale e fizike dhe, përfundimisht, një vdekje mizore në duart e njerëzve mëkatarë.11 Në Kopshtin e Gjetsemanit dhe në kryqin e Kalvarit, Ai ndjeu gjithë dhembjet, hidhërimet, tundimet, sëmundjet dhe dobësitë tona12.
Pavarësisht nga ajo që kemi vuajtur, Ai është burimi i shërimit. Atyre që kanë përjetuar ndonjë lloj dhune, humbje shkatërrimtare, sëmundje kronike apo vuajtje gjymtuese, akuza të pavërteta, përndjekje të egër ose dëmtim shpirtëror nga mëkati apo keqkuptimet, të gjitha mund të shërohen nëpërmjet Shëlbuesit të botës. Gjithsesi, Ai nuk do të hyjë pa u ftuar. Ne duhet të vijmë tek Ai dhe ta lejojmë Atë t’i kryejë mrekullitë e Tij.
Një ditë pranvere të bukur e lashë derën hapur për t’iu kënaqur ajrit të freskët. Një zog i vogël fluturoi nëpërmjet derës së hapur dhe më pas kuptoi se nuk ishte atje ku donte të ishte. Fluturonte me dëshpërim përqark dhomës, duke fluturuar vazhdimisht drejt dritares prej xhami, në përpjekje për t’u larguar. U përpoqa që ta udhërrëfeja butësisht drejt derës së hapur, por ai qe i frikësuar dhe vazhdonte të largohej vrullshëm. Më në fund qëndroi në majë të perdeve të dritares, i hutuar e i rraskapitur. Mora një fshesë dhe ngadalë e ngrita pjesën e fijeve të fshesës atje ku zogu kishte zënë vend me nervozizëm. Ndërsa e mbajta kokën e fshesës pranë këmbëve të tij, zogu me ngurrim hipi mbi fijet e trasha. Ngadalë, shumë ngadalë, eca drejt derës së hapur, duke e mbajtur fshesën sa më qëndrueshëm që mundesha. Sapo mbërritëm te dera e hapur, zogu fluturoi vrik drejt lirisë.
Ashtu si ai zog, ndonjëherë ne kemi frikë të mirëbesojmë ngaqë nuk e kuptojmë dashurinë dhe dëshirën absolute të Perëndisë për të na ndihmuar. Por kur e studiojmë planin e Atit Qiellor dhe misionin e Jezu Krishtit, ne e kuptojmë se objektivi i Tyre i vetëm është lumturia dhe përparimi ynë i përjetshëm.13 Ata kënaqen të na ndihmojnë kur ne pyesim, kërkojmë e trokasim.14 Kur ushtrojmë besim dhe përulësisht jemi të hapur ndaj përgjigjeve të Tyre, ne çlirohemi nga kufizimet e keqkuptimeve dhe hamendësimeve tona dhe neve mund të na tregohet udha përpara.
Jezu Krishti është gjithashtu burimi i paqes. Ai na fton të “mbështetemi në krahun e [Tij] të fuqishëm”15 dhe premton “paq[en] … që ia tejkalon çdo zgjuarsie”16, një ndjenjë që vjen kur Shpirti i Tij “i qetëso[n] shpirtrat tanë”17, pavarësisht nga sfidat që na rrethojnë. Qofshin ato vështirësi vetjake, shqetësime familjare apo kriza në komunitet, paqja do të vijë kur besojmë se Biri i Vetëmlindur i Perëndisë ka fuqi për ta qetësuar shpirtin tonë të vuajtur.
Snjezhana Podvinski, një prej shenjtoreve të pakta në Karlovac të Kroacisë, u mbështet te Shpëtimtari kur bashkëshorti i saj si dhe të dy prindërit e saj vdiqën brenda një periudhe gjashtëmujore vitin e kaluar. E tronditur nga pikëllimi, por duke pasur një dëshmi se familjet janë përgjithmonë, ajo i përdori gjithë kursimet e saj për të udhëtuar për në tempull, ku ajo u vulos me bashkëshortin dhe prindërit e saj. Ajo tregoi se ato ditë në tempull ishin një pikë kulmore në jetën e saj. Për shkak të dëshmisë së saj të palëkundur për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, ajo ka ndier paqe dhe ka përjetuar shërim, të cilat kanë qenë gjithashtu një forcë për njerëzit përreth saj.
Besimi në Jezu Krisht sjell edhe më shumë dhurata sesa shërim e paqe. Ashtu siç tregoi Presidenti Henri B. Ajring: “Kam qenë mirënjohës për mënyrat e shumta se si Zoti më ka vizituar me Ngushëlluesin kur kisha nevojë për paqe. Prapëseprapë, Ati ynë në Qiell nuk është i shqetësuar vetëm për ngushëllimin tonë, por akoma më shumë për përparimin tonë të madh.”18
Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, e cila përfshin dhuratat e shëlbimit dhe të ringjalljes, ne jemi në gjendje të pendohemi, të ndryshojmë dhe të përparojmë përjetësisht. Për shkak të fuqisë që Ai na jep kur jemi të bindur, ne jemi në gjendje të bëhemi më shumë sesa mund të bëheshim ndonjëherë vetë. Ne mund të mos ta kuptojmë plotësisht mënyrën, por secili prej nesh që e ka ndier besimin në Krisht t’i rritet, ka marrë gjithashtu një kuptueshmëri më të madhe të identitetit dhe qëllimit tonë hyjnor, që na çojnë drejt zgjedhjeve që janë në përputhje me atë njohuri.
Pavarësisht se bota do të përpiqet të na ulë në nivelin e “thjesht kafsh[ëve]”19, njohuria se Perëndia është Ati ynë na siguron se ne kemi potencial hyjnor dhe premtim mbretëror. Pavarësisht se bota na tregon që kjo jetë është një rrugë pa krye, njohuria se Biri i Vetëmlindur i Perëndisë ka bërë të mundur që ne të shëlbehemi dhe të ringjallemi, na jep shpresë për përparim të përjetshëm.
Përngjasojini Jezu Krishtit
Kur mësojmë më shumë rreth Jezu Krishtit, ne zhvillojmë besim më të madh tek Ai dhe natyrshëm duam ta ndjekim shembullin e Tij. Zbatimi i urdhërimeve të Tij bëhet dëshira jonë më e madhe. Zemrat tona digjen për t’ua lehtësuar vuajtjen të tjerëve, ashtu siç bëri Ai, dhe ne duam që ata të përjetojnë paqen dhe lumturinë që kemi gjetur ne.
Përse përpjekja për të vepruar siç veproi Ai është kaq e fuqishme? Për shkak se, kur e vëmë në veprim besimin tonë, Fryma e Shenjtë dëshmon për të vërtetën e përjetshme.20 Jezusi i udhëzon dishepujt e Tij që t’i zbatojnë urdhërimet e Tij ngaqë Ai e di se, kur ne e ndjekim shembullin e Tij, ne do të fillojmë të përjetojmë gëzim dhe kur vazhdojmë në udhën e Tij, ne do të arrijmë te një plotësi gëzimi. Ai shpjegoi: “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë”21.
A janë dëshmitë tona të ndërtuara mbi themelin e patundur të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij? Kur stuhitë e jetës ushtrojnë trysni mbi ne, a kërkojmë si të çmendur një libër udhëzimesh apo një publikim në internet për ndihmë? Gjetja e kohës për ta ndërtuar dhe forcuar njohurinë dhe dëshminë tonë për Jezu Krishtin do të prodhojë shpërblime të begata në kohë sprovash dhe fatkeqësish. Leximi i përditshëm i shkrimeve të shenjta dhe përsiatja e fjalëve të profetëve të gjallë, përfshirja në lutje vetjake kuptimplote, marrja me ndërgjegje e sakramentit çdo javë, dhënia e shërbimit ashtu siç do ta jepte Shpëtimtari – secila prej këtyre veprimtarive të thjeshta bëhet bazë për një jetë të gëzueshme.
Çfarë ju sjell gëzim? Të shikoni njerëzit tuaj të dashur në fund të një dite të gjatë? Kënaqësia e një pune të bërë mirë? Drita në sytë e dikujt kur ju e mbani me ta barrën e tyre? Fjalët e një himni që depërton thellë në zemrën tuaj? Shtrëngimi i duarve me një mik të ngushtë? Kaloni një çast me veten për të menduar mbi bekimet tuaja dhe pastaj gjeni mënyra për t’i treguar ato. Teksa vazhdoni që të shtrini dorën për t’u shërbyer dhe për t’i lartësuar vëllezërit dhe motrat tuaja në lagjen tuaj ose anembanë kësaj bote që është në rrëmujë, ju do të ndieni paqe dhe shërim më të madh, dhe madje do të përparoni.
Ejani tek Ai. Dëshmoj se, kur e përqendroni jetën tuaj te Jezu Krishti, ju do të gjeni gëzim në rrethanat tuaja, cilado qofshin ato. Me të vërtetë, përgjigjja është: “Vetëm Ai”22. Gjeni kohë dhe merrni kohë që të arrini ta njihni Jezu Krishtin nëpërmjet studimit me zell, zhvillimit të një besimi më të madh tek Ai dhe përpjekjes për t’u bërë përherë e më shumë si Ai. Kur e bëjmë këtë, edhe ne do të nxitemi të themi, me të voglën Lejni: “I qofshim falë Perëndisë për dhuratën e pashoqe që na ka bërë duke na dhënë Birin e Tij hyjnor”23. Në emrin e bekuar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.