Të Përditshmen si Përjetësinë
Përulësia për atë se cilët jemi dhe për qëllimin e Perëndisë për ne, është thelbësore.
Që nga shërbimi im në Misionin Britanik kur isha i ri, më ka pëlqyer shumë humori britanik. Nganjëherë ai karakterizohet nga një këndvështrim vetëkundërshtues, i thjeshtë, i përulur ndaj jetës. Një shembull për këtë është mënyra se si portretizohet stina e verës. Vera britanike është relativisht e shkurtër dhe e paparashikueshme. Siç e tha në mënyrë të përmbajtur një shkrimtare: “Më pëlqen shumë vera britanike, është dita ime më e parapëlqyer e vitit”1. Një personazh vizatimor britanik që më pëlqen shumë, u pikturua në shtratin e saj duke u zgjuar nga gjumi vonë në mëngjes dhe duke u shpallur qenve të saj: “E marrtë e mira! Mendoj se fjetëm më shumë nga ç’duhej dhe na iku vera.”2
Ka një analogji në këtë humor me jetën tonë në këtë tokë të bukur. Shkrimet e shenjta janë të qarta se ekzistenca jonë e çmuar në vdekshmëri është për një kohë shumë të shkurtër. Mund të thuhet që nga një këndvështrim i përjetshëm, koha jonë në tokë është po aq kalimtare sa një verë britanike.3
Nganjëherë qëllimi i njeriut dhe vetë ekzistenca e tij gjithashtu përshkruhen me terma shumë të përulur. Profeti Moisi u rrit në një mjedis që disa njerëz sot mund ta quajnë të privilegjuar. Siç shënohet në Perlën me Vlerë të Madhe, Zoti, duke e përgatitur Moisiun për detyrën e tij profetike, i jep atij një vështrim të përgjithshëm të botës dhe të gjithë fëmijëve të njerëzve, të cilët janë dhe ishin krijuar.4 Reagimi disi i habitur i Moisiut ishte: “Tani … unë e di se njeriu është një hiç, gjë të cilën kurrë nuk e kisha menduar më parë”5.
Si rrjedhojë, Perëndia, me atë që duket si një kundërshtim ndaj çdo ndjenje të mungesës së rëndësisë, që mund të ketë ndier Moisiu, shpalli qëllimin e Tij të vërtetë: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”6.
Ne jemi të gjithë të barabartë përpara Perëndisë. Doktrina e Tij është e qartë. Në Librin e Mormonit lexojmë: “Të gjithë janë njësoj para Perëndisë”, duke përfshirë “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra e gra”7. Sipas kësaj, të gjithë ftohen që të vijnë te Zoti.8
Çdo njeri që pretendon epërsi sipas planit të Atit, për shkak të karakteristikave të tilla si raca, gjinia, kombësia, gjuha apo rrethanat ekonomike, bën një gabim nga ana morale dhe nuk e kupton qëllimin e vërtetë të Zotit për të gjithë fëmijët e Atit tonë.9
Për fat të keq, në kohën tonë pothuajse në çdo segment të shoqërisë, ne shohim të valëviten vetërëndësia dhe arroganca, ndërkohë që përulësia dhe përgjegjshmëria ndaj Perëndisë denigrohen. Shumica e shoqërisë i ka humbur spirancat e saj themelore dhe nuk e kupton arsyen pse jemi në këtë tokë. Përulësia e vërtetë, e cila është thelbësore për ta arritur qëllimin e Zotit për ne, rrallë është e dukshme.10
Është e rëndësishme të kuptohet madhështia e përulësisë, drejtësisë, karakterit dhe inteligjencës së Krishtit, siç personifikohen në shkrimet e shenjta. Është marrëzi të nënvlerësohet domosdoshmëria e përpjekjes së vazhdueshme për këto cilësi e tipare si të Krishtit, veçanërisht e përulësisë, ditë për ditë.11
Shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se teksa kjo jetë është relativisht e shkurtër, ajo është jashtëzakonisht domethënëse. Amuleku, i cili ishte shok misionar i Almës tek Libri i Mormonit, tha: “Vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre”12. Nuk dëshirojmë, sikurse personazhi im vizatimor, që të flemë gjatë gjithë kësaj jete.
Shembulli i përulësisë dhe i sakrificës së Shpëtimtarit për tërë njerëzimin është ngjarja më e rëndësishme e historisë. Shpëtimtari, edhe si një pjesëtar i Kreut-Perëndi, ishte i gatshëm të vinte në tokë si një foshnjë e vobektë dhe të fillonte një ekzistencë që përfshiu mësimdhënien dhe shërimin e vëllezërve dhe të motrave të Tij dhe më së fundi vuajtjen e një dhembjeje të papërshkrueshme në Gjetseman e në kryq, me qëllim që ta përsoste Shlyerjen e Tij. Ky veprim dashurie dhe përulësie nga ana e Krishtit njihet si denjimi i Tij.13 Ai e bëri këtë për çdo burrë e çdo grua që Perëndia e ka krijuar ose do ta krijojë.
Ati ynë Qiellor nuk dëshiron që fëmijët e Tij të shkurajohen apo të heqin dorë nga kërkimi vetjak i lavdisë çelestiale. Kur i sjellim vërtet ndër mend Perëndinë, Atin, dhe Krishtin, Birin, se cilët janë Ata dhe se çfarë kanë arritur Ata për të mirën tonë, ne mbushemi me nderim, mahnitje, mirënjohje dhe përulësi.
Përulësia Është Thelbësore për ta Ndihmuar Zotin që të Vendosë Kishën e Tij
Alma bëri një pyetje në kohën e tij e cila është me vend sot: “Në qoftë se keni provuar një ndryshim të zemrës dhe në qoftë se ju keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”14 Alma vazhdoi: “A mund të thonit, … po të thirreshit që të vdisni në këtë çast, se keni qenë aq sa duhet të përulur?”15
Më lë mbresë sa herë që lexoj rreth Almës të Riut, i cili hoqi dorë nga roli i tij si kryetari i shtetit që të predikonte fjalën e Perëndisë.16 Qartësisht Alma kishte një dëshmi të thellë për Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin dhe u ndje i përgjegjshëm para Tyre tërësisht dhe pa asnjë ngurrim. Ai kishte përparësitë e duhura dhe përulësinë që ta braktiste gjendjen dhe pozitën, ngaqë e kuptoi se ishte më e rëndësishme t’i shërbente Zotit.
Pasja e përulësisë së mjaftueshme në jetën tonë që të ndihmojmë për ta themeluar Kishën, është veçanërisht me vlerë. Një shembull i historisë së Kishës e nxjerr këtë në pah. Në qershor të vitit 1837, Profeti Jozef u frymëzua, ndërkohë që ndodhej në Tempullin e Kirtlandit, t’i jepte një thirrje Apostullit Hibër C. Kimball që ta çonte ungjillin e Jezu Krishtit në “Angli … dhe të hap[te] derën e shpëtimit për atë komb’”17. Apostulli Orson Hajd dhe disa të tjerë u caktuan që ta shoqëronin atë. Përgjigjja e Plakut Kimball ishte mbresëlënëse. “Ideja e të qenit i caktuar në një mision kaq të rëndësishëm ishte gati më shumë nga ç’mund ta përballoja. … Isha pothuajse gati të fundosesha nën barrën që ishte vendosur mbi mua.”18 Megjithatë, ai e ndërmori misionin me besim, zotim e përulësi tërësore.
Nganjëherë përulësi është pranimi i thirrjeve kur nuk ndihemi të përshtatshëm. Nganjëherë përulësi është shërbimi me besnikëri kur ndihemi të aftë për një detyrë të një rëndësie më të madhe. Udhëheqës të përulur e kanë përcaktuar me anë të fjalëve dhe të shembullit që s’ka rëndësi se ku shërbejmë, por se si shërbejë me besnikëri.19 Nganjëherë përulësi është mposhtja e ndjenjave të lëndimit kur ndiejmë që na kanë keqtrajtuar udhëheqësit apo njerëz të tjerë.
Më 23 korrik 1837, Profeti Jozef u takua me Plakun Tomas B. Marsh, Presidentin e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve. Plaku Marsh ishte i shqetësuar dukshëm që Profeti i kishte thirrur dy anëtarë të kuorumit të tij për të shkuar në Angli pa u këshilluar me të. Kur Jozefi u takua me Plakun Marsh, çdo ndjenjë lëndimi u vu mënjanë dhe Profeti mori një zbulesë mbresëlënëse. Ajo tani është seksioni 112 i Doktrina e Besëlidhje.20 Ajo jep një udhëzim të jashtëzakonshëm nga qielli lidhur me përulësinë dhe punën misionare. Vargu 10 thotë: “Ji i përulur; dhe Zoti, Perëndia yt, do të të udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve të tua”21.
Kjo zbulesë ndodhi po atë ditë që Pleqtë Kimball, Hajd e Xhon Gudsën, plot me përulësi, po e shpallnin Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit në godinën kishtare Voks-holl në Preston të Anglisë.22 Kjo ishte hera e parë që misionarët e kishin shpallur ungjillin e rivendosur jashtë Amerikës Veriore në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore. Përpjekja e tyre misionare solli pagëzime pothuajse të menjëhershme të të kthyerve në besim dhe çoi drejt anëtarëve të shumtë besnikë.23
Pjesë pasuese të zbulesës e udhërrëfejnë përpjekjen misionare në kohën tonë. Pjesërisht aty lexohet: “Këdo që do ta dërgoni në emrin tim … do të ketë fuqi për të hapur derën e mbretërisë sime për cilindo komb … për aq sa ata do të përulen përpara meje dhe do t’i binden fjalës sime e do t’ia vënë veshin zërit të Shpirtit tim”24.
Përulësia që e ngriti themelin e kësaj pune të pabesueshme misionare, e lejoi Zotin ta vendoste Kishën e Tij në një mënyrë mbresëlënëse.
Plot mirënjohje, ne vazhdimisht e shohim këtë në Kishë sot. Anëtarët, përfshirë brezin e ri, japin kohën e tyre dhe shtyjnë arsimimin e punësimin që të shërbejnë në misione. Shumë anëtarë të moshuar e lënë punësimin dhe bëjnë sakrifica të tjera, me qëllim që t’i shërbejnë Perëndisë në çfarëdo pozicioni që thirren. Ne nuk i lejojmë çështjet vetjake që të na e tërheqin vëmendjen apo të na shmangin nga përmbushja e qëllimeve të Tij.25 Shërbimi në Kishë kërkon përulësi. Ne përulësisht shërbejmë në rolin që thirremi, me gjithë fuqinë, mendjen e forcën tonë. Në çdo nivel të Kishës, është e rëndësishme ta kuptojmë tiparin si i Krishtit të përulësisë.
Përulësia e Përditshme Është Thelbësore për t’i Ndihmuar Individët që të Përgatiten për t’u Takuar me Perëndinë
Synimi për ta nderuar Zotin dhe për ta nënshtruar veten ndaj vullnetit të Tij26 nuk vlerësohet në shoqërinë e sotme aq sa është vlerësuar në të shkuarën. Disa udhëheqës të krishterë të besimeve të tjera besojnë se po jetojmë në një botë ku krishterimi nuk është më domethënës.27
Për shumë breza, virtyti i përulësisë, i bazuar te feja, dhe virtytet shoqërore të thjeshtësisë dhe rezervimit në vlerësim kanë qenë standardi mbizotërues.
Në botën e sotme, ka një theksim në rritje për krenarinë, vetëlavdërimin dhe të ashtuquajturën “vërtetësi”, e cila nganjëherë çon drejt një mungese të përulësisë reale. Disa sugjerojnë që vlerat morale për lumturinë sot përfshijnë “të qenit i vërtetë, të qenit i fortë, të qenit frytdhënës – dhe më e rëndësishmja, të mos mbështetesh te njerëz të tjerë … sepse fati yt është … në vetë duart e tua”28.
Shkrimet e shenjta këshillojnë një metodë të ndryshme. Ato sugjerojnë që ne duhet të jemi dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. Kjo përfshin krijimin e një ndjenje të fuqishme të përgjegjshmërisë ndaj Perëndisë dhe një këndvështrim të përulur ndaj jetës. Mbreti Beniamin dha mësim që njeriu i natyrshëm është një armik ndaj Perëndisë dhe këshilloi që ne kemi nevojë të dëgjojmë “thirrjet e Frymës së Shenjtë”. Ai shpjegoi, mes gjërave të tjera, se kjo kërkon që të bëhemi “[të] nënshtruar, [të] bindur, [të] përulur, [të] duruar [dhe] plot me dashuri”29.
Disa njerëz e keqpërdorin të qenit të vërtetë për të nënkuptuar një kremtim të njeriut të natyrshëm dhe të cilësive që janë të kundërta me përulësinë, mirësinë, mëshirën, faljen dhe njerëzinë. Ne mund ta kremtojmë veçantinë tonë individuale si fëmijë të Perëndisë pa e përdorur si justifikim për një sjellje jo si të Krishtit.
Në kërkimin tonë për përulësi, interneti bashkëkohor krijon sfida për shmangien e krenarisë. Dy shembuj janë metoda vetëkënaqëse “më shiko mua” ose sulmi ndaj të tjerëve duke bërë komente idhnake në mjetet shoqërore të informimit. Një shembull tjetër është “mburrja e përulur”. Kjo përkufizohet si “një thënie [ose figurë] gjoja e thjeshtë ose vetëmospranuese, qëllimi i vërtetë i së cilës është të tërheqë vëmendjen ndaj diçkaje për të cilën një njeri është krenar”30. Profetët gjithmonë na kanë paralajmëruar ndaj krenarisë dhe theksimit të gjërave të kota të botës.31
Përkeqësimi i gjithëpërhapur i diskutimit mbi qytetarinë është gjithashtu një shqetësim. Parimi i përjetshëm i lirisë së zgjedhjes kërkon që ne të respektojmë shumë zgjedhje me të cilat nuk biem dakord. Konflikti dhe grindja tani shpesh i dhunojnë “kufijtë e mirësjelljes së përbashkët”32. Na nevojitet më shumë thjeshtësi e përulësi.
Alma këshillon kundër “fry[rjes] në krenarinë e zemrave tuaja”, “të mend[uarin] se njëri është më i mirë se tjetri” dhe përndjekjes së të përulurve që “ecin sipas urdhrit të shenjtë të Perëndisë”33.
Kam gjetur një dashamirësi të çiltër mes njerëzve të të gjitha besimeve fetare, të cilët janë të përulur e ndihen të përgjegjshëm ndaj Perëndisë. Shumë prej tyre i ndjekin mësimet e profetit të Dhiatës së Vjetër, Mikeas, i cili shpalli: “Çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?”34
Kur jemi me të vërtetë të përulur, ne lutemi për falje dhe i falim të tjerët. Siç lexojmë te Mosia, Alma dha mësim se kurdo që pendohemi, Zoti do të na i falë shkeljet tona.35 Nga ana tjetër, siç tregohet në Lutjen e Zotit,36 kur nuk ua falim të tjerëve shkeljet e tyre, ne e çojmë veten tonë në dënim.37 Për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, me anë të pendimit mëkatet tona falen. Kur nuk i falim ata që bëjnë shkelje kundrejt nesh, ne në fakt nuk po e pranojmë Shlyerjen e Shpëtimtarit. Mbajtja e mërisë, mospranimi për të falur dhe mospranimi për t’iu drejtuar marrëdhënieve tona me përulësi, në një mënyrë si e Krishtit, me të vërtetë na çojnë në dënim. Mbajtja e mërisë është helmuese për shpirtrat tanë.38
Lejomëni t’ju paralajmëroj edhe ndaj çdo forme të arrogancës. Zoti, nëpërmjet profetit Moroni, bën një dallim të qartë midis arrogantit dhe të përulurit: “Të marrët tallen, por ata do të vajtojnë; dhe hiri im është i mjaftueshëm për të përulurit”. Zoti më tej shpalli: “Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur; dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta”39.
Përulësia gjithashtu përfshin të qenit mirënjohës për bekimet tona të shumta dhe ndihmën hyjnore. Përulësia nuk është njëfarë arritje madhështore e përcaktueshme dhe as kapërcimi i disa sfidave madhore. Është shenjë e forcës shpirtërore. Është të kemi vetëbesimit të heshtur që ditë pas dite dhe orë pas ore ne mund të mbështetemi te Zoti, t’i shërbejmë Atij dhe të plotësojmë qëllimet e Tij. Është lutja ime që në këtë botë plot grindje ne vërtet do të përpiqemi vazhdimisht për përulësinë e vërtetë çdo ditë. Një poemë e parapëlqyer, e shpreh atë në këtë mënyrë:
Është prova e madhështisë
Mënyra se si e kalon të Përditshmen si përjetësinë.40
Unë jap një dëshmi të sigurt për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij dhe për rëndësinë mbizotëruese për t’i shërbyer Atij me përulësi gjithnjë e çdo ditë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.