Një Drejtim i Ri për Mbledhjet e Priftërisë Melkizedeke dhe të Shoqatës së Ndihmës
“Çfarë do të bëj unë pa një manual?” mendoi Nensi Ferageni, një mësuese e Shoqatës së Ndihmës, kur shqyrtoi për herë të parë një kopje të programit Eja, Më Ndiq – Për Priftërinë Melkizedeke dhe Shoqatën e Ndihmës. “Fillimisht më zuri paniku”, pranoi ajo. “Më pas më erdhi mendimi: Zoti dëshiron që ne të marrim përsipër më shumë përgjegjësi për vetë të mësuarin tonë dhe ta shtojmë shpirtshmërinë tonë si vëllezër e motra në ungjill.”
“Është pak e frikshme t’i mirëbesosh Zotit dhe të vish e përgatitur që të udhëheqësh një diskutim pa shumë material”, tha Linda Harmëni, një presidente e Shoqatës së Ndihmës, “por pasi e bën këtë – nëse je përgatitur nëpërmjet lutjes, studimit, vajtjes në tempull dhe çfarëdo gjëje tjetër që frymëzohesh të bësh – është e mahnitshme.”
Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit
“Një sfidë lidhur me programin e ri mësimor është t’i bëjmë njerëzit të mos japin mësim sipas ‘mënyrës së vjetër’”, tha Peshkopi Bojd Roberts. “Ne duhet ta ndalim thjesht përhapjen e informacionit, të largohemi nga udha dhe ta lëmë Shpirtin të japë mësim.”
“Kjo është një mënyrë e re mësimdhënieje që mund të jetë e vështirë për disa njerëz”, tha Liza Smithi, një presidente e Shoqatës së Ndihmës, duke iu referuar manualit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit. “Kjo është arsyeja përse është e rëndësishme që të përdorim metoda të mira mësimdhënieje dhe t’i nxitim udhëheqësit që t’i frekuentojnë vazhdimisht, së bashku me mësuesit, mbledhjet e këshillit të mësuesve”, tha ajo.
Përgatitja dhe Mësimdhënia
Dejvid Mikëlsoni, një mësues i grupit të priftërinjve të lartë, tha se fraza “i mësoni me zell” te Doktrina e Besëlidhje 88:78 “ka të bëjë me përgatitjen tonë që më parë dhe aftësinë tonë për ta ndjekur me zell Shpirtin ndërkohë që japim mësim. Nëse japim mësim me zell, hiri i Shpëtimtarit do të na qëndrojë pranë dhe neve do të na jepet mësim më përsosurisht. Mendoj se ajo është mënyra e përsosur e Zotit për mësimdhënien. Mësuesi – personi që po e udhëheq diskutimin – duhet të jetë i gatshëm që të mësohet nga Shpirti.”
Adam Bushmani, një mësues i kuorumit të pleqve, u përgatit për mësimet duke shqyrtuar bisedën e përzgjedhur të konferencës së përgjithshme [dhe] duke marrë parasysh me lutje më pas se cilat koncepte janë më të rëndësishmet për kuorumin. “Për t’i ndihmuar burrat që të kenë më shumë kohë për të përsiatur”, shpjegon ai, “një mesazh me postë elektronike dërgohet gjatë javës që thotë: ‘Kjo është biseda që do të diskutojmë, dhe ne do të dëshironim që ju të merrnit parasysh pyetjet vijuese’.”
Këshillimi dhe të Mësuarit së Bashku
“Të dielat në Shoqatën e Ndihmës nuk janë më thjesht përgjegjësia e udhëheqëseve”, tha Bruk Xhenseni, një këshilltare në një presidencë të Shoqatës së Ndihmës. “Secila anëtare luan një rol aktiv.”
Plaku Bushman mendoi se ulja në një rreth solli ndryshim. “Më pëlqen shumë”, tha ai. “E ndryshon natyrën e bashkëbisedimit. I ndryshon pritshmëritë e njerëzve. Tani ka shumë më tepër pjesëmarrje. Në vend të dy ose tre vëllezërve që zakonisht i përgjigjen pyetjes, po bëjnë komente njerëz të tjerë.”
Kur Rebeka Sibak, një motër e Shoqatës së Ndihmës, fillimisht dëgjoi rreth përqendrimit të ri në këshilla, ajo menjëherë mendoi për mikesha që ishin bërë më pak aktive. “I dija shqetësimet e tyre”, tha ajo. “Ato kishin qenë të çiltra me mua rreth pasigurive dhe vështirësive të tyre për të ardhur në kishë dhe unë mendova se kjo është mundësia e përkryer për t’iu afruar atyre dhe për t’iu thënë: ‘Na nevojiteni në këshillin tonë! Ju lutemi, ejani dhe tregoni!’”
“Kur më së fundi fola gjatë një mbledhjeje të këshillit”, tha Lona-Mëri Kuk, një këshilltare në një presidencë të Shoqatës së Ndihmës, “ishte e mrekullueshme që kishte njerëz të cilët e pohuan atë që po mendoja, dhe që isha pjesë e atij komuniteti.”
Marrja e Frymëzimit dhe Veprimi sipas Tij
“Ne po krijojmë një mjedis për Shpirtin që të na japë mësim, dhe për ne që të dëgjojmë e vëmë vesh”, tha Peshkopi Roberts. “Atëherë Shpirti bëhet mësuesi, duke na treguar atë që na nevojitet të bëjmë në jetën tonë vetjake, në familjet dhe thirrjet tona. Ajo që bëjmë si rrjedhojë e atyre nxitjeve, është ajo që na çon drejt kthimit të vërtetë në besim dhe shërbimit.”
Suzan Fari, një presidente e Shoqatës së Ndihmës, tha: “Kjo metodë na shtyn të çohemi e të bëjmë, jo thjesht të largohemi nga mësimi duke menduar ‘ai ishte frymëzues’, por më pas shpejt ta harrojmë atë. Këshillimi së bashku na ndihmon ta kuptojmë se të mësuarit dhe veprimet na takojnë neve të gjithave – jo vetëm mësueses.”
“Teksa i mbajmë shënim mbresat tona dhe më pas veprojmë sipas tyre, ne ushtrojmë një ndryshim zemre dhe bëhemi shërbëtore më të mira të Zotit”, tha Suzan Miçëlli, një këshilltare në një presidencë të Shoqatës së Ndihmës.
“Dijenia se do të mbahemi përgjegjëse për diçka dhe se dikush do të na pyesë se si u ndiem”, tha Motra Smith, “të bën një pjesëmarrëse aktive në ndërtimin e dëshmisë tënde.”
Lendën Rondi, një udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, tha se dërgimi i shënimeve me postë elektronike për atë që u diskutua dhe u planifikua, “i ndihmon anëtarët të dallojnë raste përvoje që i kanë gjatë javës, të cilat mund të dëshirojnë t’i tregojnë të dielën e ardhshme”.
“Nga këto shënime”, shtoi Peshkopi Roberts, “unë kam parë një shpirt të vazhdueshëm të dhënies së ideve dhe të mësuarit gjatë gjithë javës, teksa vëllezërit diskutojnë nëpërmjet postës elektronike mendime dhe ndjenja shtesë, duke e forcuar kuorumin e tyre.”
“Zoti dëshiron që ne t’i kthejmë zemrat tona tek njëra-tjetra dhe kjo mund të bëhet kur mblidhemi me një qëllim”, e përfundoi Motra Sibak. “Ky program i ri mësimor na ndihmon të përcaktojmë tema interesi, të caktojmë synime, të shohim te burimi i duhur për përgjigje, të marrim zbulesë vetjake dhe të lartësohemi nga njëra-tjetra teksa drejtohemi te profetët e gjallë për përgjigjet që na nevojiten në kohën tonë.”