2017
Një Vështrim i Shpejtë brenda një Mbledhjeje të Këshillit
nëntor 2017


Një Vështrim i Shpejtë brenda një Mbledhjeje të Këshillit

Është e diel në mëngjes dhe 45 motra të Lagjes Bugambilias në Guadalahara të Meksikës janë të ulura në këshill. Pas himnit të hapjes, presidentja e Shoqatës së Ndihmës, Jara Ramiresi, i fton disa prej tyre që të tregojnë përvoja nga mësimi i tyre i javës së shkuar.

Pasi motrat i tregojnë përvojat e tyre për pak minuta, Motra Ramires shkruan një fjalë të vetme në tabelë përpara se të ulet sërish në vendin e saj në rreth.

“Bashkim”, është fjala.

Nën drejtimin e Motrës Ramires, ato shkojnë te Mosia 18:21 dhe lexojnë: “… duke pasur zemrat e tyre të thurura në bashkim dhe në dashuri kundrejt njëri-tjetrit”.

“Çfarë mund të bëjmë ne si Shoqatë e Ndihmës që ta vëmë këtë shkrim të shenjtë në jetë?” pyet ajo.

Motrat mendojnë për pak çaste. “Epo, të rinjtë e të rejat nuk mund të shkojnë në tempull”, thotë një motër. “Nuk ka mjaft motra të rritura që të shkojnë me ta.”

“Nuk e dija”, thotë një tjetër, me një pamje të habitur. “Nëse nuk e di se ekziston një nevojë”, pyet ajo, “si mund të ndihmosh?”

“Kjo është arsyeja përse jemi këtu”, përgjigjet Motra Ramires. “Ka nevoja si kjo për të cilat mësoj gjatë këshillit të lagjes dhe për të cilat ne të gjitha mund të ndihmojmë.”

“Përse të mos bëjmë një kalendar?” sugjeron dikush. Tani grupi bëhet më i interesuar. “Mendoj se rinia ka një kohë të caktuar në tempull një të enjte në muaj.”

“Unë e kam të vështirë vetë të shkoj në tempull”, shprehet një nënë e re në grup. “Nuk kam qenë atje prej shumë kohe dhe jam ndier paksa e përqendruar në vetvete. Do të doja shumë të shkoja e të shërbeja”, thotë ajo.

Disa motra të tjera tundin kokën si shenjë miratimi. Edhe ato e shohin të vështirë ta frekuentojnë tempullin aq shpesh sa duan.

Një tjetër nënë e re sugjeron që të shkëmbejnë mbajtjen e fëmijëve me njëra-tjetrën dhe ta bëjnë me radhë për të shkuar në tempull.

Më pas motrat fillojnë ta pyetin njëra-tjetrën se ku jetojnë dhe kush jeton pranë secilit të riu apo të reje. Ato diskutojnë se si mund ta bëjnë me radhë duke i ndihmuar të rinjtë e të rejat që të shkojë te veprimtaritë e tyre.

“Epo, do të kemi nevojë të fillojmë ta njohim edhe njëra-tjetrën”, thotë dikush. “Ne duhet të kemi veprimtari!”

Motrat vazhdojnë të bëjnë komente, të ofrojnë sugjerime dhe të bëjnë pyetje.

Në fund të këshillit, Motra Ramires i kërkon sekretares së vet që ta përmbledhë procesverbalin. “Si u ndiet ju të gjitha gjatë këshillit?” pyet ajo.

Ato përgjigjen se u ndien më të ndërgjegjshme ndaj nevojave të çdonjërës, që shërbimi i tyre ishte i nevojshëm dhe që ato ishin mes shoqesh.

“Bazuar në atë që e kemi përjetuar sot, te cilat veprime të veçanta duam të përqendrohemi këtë muaj si Shoqatë e Ndihmës?” pyet ajo.

Si grup, ato vendosin të hanë një vakt ushqimi së bashku duke sjellë secila diçka atë të diel pas kishës, të fillojnë të luajnë volejboll netët e të enjteve, të bëjnë një kalendar për frekuentimin e tempullit dhe të planifikojnë se si t’i ndihmojnë të rinjtë e të rejat që të shkojnë te veprimtaritë.

“Kemi përjetuar bashkim sot”, përfundon Motra Ramires, duke e ftuar secilën motër të mendojë mënyra se si ajo mund të shërbejë gjatë javës. “Fryma e Shenjtë do të vazhdojë të na japë nxitje kur veprojmë individualisht dhe si Shoqatë e Ndihmës. Ju ftoj të jeni gati që t’i tregoni përvojat tuaja të dielën e ardhshme.”