2017
E Vërteta e të Gjitha Gjërave
nëntor 2017


E Vërteta e të Gjitha Gjërave

Secili prej nesh ka përgjegjësi vetjake që të bëjë atë çka është e nevojshme për ta marrë dhe për ta ruajtur një dëshmi të fortë.

Sonte vijmë me shpresën dhe besimin që në njëfarë mënyre, ne do të largohemi që këtu të forcuar e të bekuar nga Fryma e Shenjtë, që na mëson të vërtetën.1 Është rreth kërkimit tonë individual për të vërtetën që dëshiroj të flas.

Kur isha i ri, kisha shumë pyetje rreth Kishës. Disa nga pyetjet e mia ishin të sinqerta. Të tjerat nuk ishin dhe pasqyronin dyshimet e të tjerëve.

Shpesh i diskutoja pyetjet e mia me nënën time. Jam i sigurt që ajo mund ta kuptonte se shumë prej pyetjeve të mia ishin të sinqerta dhe nga zemra. Mendoj se ajo ishte paksa e zhgënjyer prej atyre pyetjeve që ishin më pak të sinqerta dhe më shumë debatuese. Megjithatë, kurrë nuk më bëri të ndihesha keq ngaqë kisha pyetje. Ajo më dëgjonte dhe përpiqej t’u jepte atyre përgjigje. Kur e ndiente se kishte thënë gjithçka që mund të thoshte dhe unë akoma kisha pyetje, ajo do të thoshte diçka të tillë: “Dejvid, ajo është një pyetje e mirë. Ndërkohë që ti po kërkon, lexon e lutesh për përgjigje, përse s’i bën gjërat që ti e di se duhet t’i bësh, dhe të mos i bësh gjërat që e di se nuk duhet t’i bësh?” Ky u bë modeli i kërkimit tim për të vërtetën. Nëpërmjet studimit, lutjes dhe zbatimit të urdhërimeve, zbulova se ka përgjigje për të gjitha pyetjet e mia të rëndësishme. Gjithashtu zbulova se për disa pyetje, nevojiten besim i vazhdueshëm, durim e zbulesë.2

Nëna e vuri përgjegjësinë e zhvillimit të besimit dhe të gjetjes së përgjigjeve mbi mua. Ajo e dinte se përgjigjet e rëndësishme do të vinin nga kërkimi im për të vërtetën sipas mënyrës që e ka përshkruar Ati Qiellor. E dinte se kisha nevojë ta gjeja të vërtetën. E dinte se kisha nevojë të isha i sinqertë me pyetjet e mia dhe të isha i gatshëm të veproja me atë që tashmë e dija se ishte e vërtetë. E dinte se kisha nevojë të studioja e të lutesha dhe që kisha nevojë të zhvilloja durim më të madh teksa kërkoja përgjigje nga Zoti. Gatishmëria për të qenë të duruar është pjesë e kërkimit tonë për të vërtetën dhe pjesë e modelit të Zotit për ta zbuluar të vërtetën.3

Me kalimin e kohës arrita të di se nëna ime po më mësonte modelin e Atit Qiellor për kërkimin e së vërtetës. Besimi u rrit, përgjigjet filluan të vinin dhe unë pranova një thirrje për në mision.

Erdhi një kohë, në fillim të misionit tim, kur e kuptova që duhej ta dija vetë nëse Kisha ishte e vërtetë dhe Jozef Smithi ishte një profet i Perëndisë. Mendova atë që Presidenti Tomas S. Monson e shprehu kaq qartë në konferencën tonë të përgjithshme, të fundit: “Nëse nuk keni një dëshmi të qëndrueshme për këto gjëra, bëni atë çka është e nevojshme për të marrë një të tillë. Është thelbësore që ju të keni dëshminë tuaj vetjake në këto kohë të vështira, pasi dëshmitë e të tjerëve nuk do t’ju çojnë shumë larg.”4 E dija se ç’ishte e nevojshme. Më nevojitej ta lexoja Librin e Mormonit me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë dhe ta pyesja Perëndinë nëse është i vërtetë.

Dëgjojeni premtimin mbresëlënës të Atit tonë Qiellor, të dhënë nëpërmjet profetit Moroni: “Dhe kur ju t’i merrni këto gjëra, unë do t’ju këshilloja që të pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, në qoftë se këto gjëra nuk janë të vërteta; dhe në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën, nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”5.

Me qëllim që ta merrja atë që ishte në Librin e Mormonit, kisha nevojë ta lexoja atë. E nisa që nga fillimi librin dhe lexova çdo ditë. Disa njerëz marrin dëshmi shumë shpejt. Për të tjerë, do të duhet më shumë kohë e më shumë lutje dhe mund të përfshijë leximin e librit disa herë. Unë pata nevojë ta lexoja të gjithë librin përpara se ta merrja dëshminë e premtuar. Megjithatë, Perëndia ma tregoi të vërtetën e librit nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Në ditarin tim si misionar, përshkrova gëzimin tim që e dija të vërtetën, si edhe shprehjen time vetjake të zotimit dhe qëllimit të vërtetë për të vepruar sipas së vërtetës që kisha marrë. Shkrova: “Unë i jam betuar Atit tim në Qiell dhe vetes sime se do të bëj gjithçka mundem, do të jap 100 përqind për pjesën tjetër të jetës sime, çfarëdo që të më kërkohet, do ta bëj, por për tani kam pjesën e mbetur të misionit tim dhe do ta bëj atë një mision të mrekullueshëm, një mision për të cilin nuk do të ndihem keq, por jo për mua, po për Zotin. E dua Zotin dhe e dua punën, dhe thjesht lutem që ajo ndjenjë të mos më largohet kurrë.”

Arrita të di se nevojiten ushqimi i pandërprerë shpirtëror dhe përpjekja e vazhdueshme për t’u penduar dhe për t’i zbatuar urdhërimet që ajo ndjenjë të mos largohet kurrë. Presidenti Monson tha: “[Dëshmia] duhet të mbahet jetike dhe e gjallë përmes bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve të Perëndisë dhe përmes lutjes dhe studimit të përditshëm të shkrimeve të shenjta”6.

Përgjatë viteve i kam pyetur misionarët dhe të rinjtë nëpër botë se si e filluan përpjekjen e tyre vetjake për të kërkuar të vërtetën dhe për të fituar një dëshmi. Pothuajse pa përjashtim, ata u përgjigjën se përpjekja e tyre për të fituar një dëshmi vetjake filloi me vendimin vetjak që ta lexonin Librin e Mormonit që nga fillimi dhe t’i kërkonin Perëndisë nëse është i vërtetë. Duke e bërë këtë, ata zgjodhën që të “vepro[nin]” në vend që të “pëso[nin]”7 prej dyshimeve të të tjerëve.

Për ta ditur të vërtetën, na nevojitet që ta jetojmë ungjillin8 dhe të bëjmë një “provë”9 me fjalën. Na kërkohet të tregojmë kujdes që të mos e kundërshtojmë Shpirtin e Zotit.10 Pendimi, i shoqëruar me një vendosmëri për t’i zbatuar urdhërimet, është një pjesë e rëndësishme e kërkimit të çdo individi për të vërtetën.11 Në fakt, neve mund të na nevojitet të jemi të gatshëm që “t’i braktis[im] të gjitha” mëkatet tona me qëllim që ta dimë të vërtetën.12

Ne urdhërohemi që të “kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” dhe të “kërko[jmë] nga librat më të mirë fjalët e urtësisë”13. Kërkimi ynë për të vërtetën duhet të përqendrohet te “librat më të mirë” dhe burimet më të mira. Mes më të mirëve janë shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë.

Presidenti Monson i ka kërkuar secilit prej nesh që të “bë[jë] atë çka është e nevojshme” për ta marrë dhe për ta ruajtur një dëshmi të fortë.14 Çfarë është e nevojshme që ta thelloni dhe forconi dëshminë tuaj? Secili prej nesh ka përgjegjësi vetjake që të bëjë atë çka është e nevojshme për ta marrë dhe për ta mbajtur një dëshmi të fortë.

Mbajtja me durim e besëlidhjeve tona ndërkohë që “bëj[më] atë çka është e nevojshme” për të marrë përgjigje nga Zoti, është pjesë e modelit të Perëndisë për të mësuar të vërtetën. Veçanërisht kur gjërat janë të vështira, neve mund të na kërkohet t’i “nënshtr[ohemi] me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit”15. Mbajtja me durim e besëlidhjeve e rrit përulësinë tonë, e thellon dëshirën tonë për të ditur të vërtetën dhe e lejon Frymën e Shenjtë që të na “udhëheq[ë] në udhët e urtësisë, që [ne] të mund të je[mi] të bekuar, të begatuar dhe të ruajtur”16.

Unë dhe gruaja ime, Meri, njohim dikë që e duam shumë, e cila ka hasur vështirësi në pjesën më të madhe të jetës së saj me aspekte të caktuara të Kishës. Ajo e do ungjillin dhe e do Kishën, por ende ka pyetje. Ajo është e vulosur në tempull, është aktive në Kishë, i përmbush thirrjet e saj dhe është një nënë dhe bashkëshorte e mrekullueshme. Përgjatë viteve është përpjekur të bëjë ato gjëra që i dinte se ishin të drejta dhe t’i shmanget bërjes së atyre gjërave që i dinte se ishin të gabuara. I ka mbajtur besëlidhjet e saj dhe ka vazhduar të kërkojë. Me raste ka qenë mirënjohëse të mbështetej te besimi i të tjerëve.

Jo shumë kohë më parë peshkopi i saj kërkoi të takohej me të dhe burrin e saj. U kërkoi të pranonin një detyrë në tempull që të vepronin si mëkëmbës për ata që kishin nevojë për ordinanca tempulli. Kjo thirrje i befasoi, por ata e pranuan dhe filluan shërbimin e tyre në shtëpinë e Zotit. Biri i tyre adoleshent kohët e fundit kishte marrë pjesë në kërkimin për historinë familjare dhe kishte gjetur një emër të familjes për të cilin nuk ishin plotësuar ordinancat e tempullit. Më pas ata vepruan si mëkëmbës dhe i kryen ordinancat e tempullit për këtë person dhe familjen e tij. Kur u gjunjëzuan tek altari dhe po kryhej ordinanca vulosëse, kjo grua e mrekullueshme, e duruar, e cila ka qenë duke kërkuar për kaq shumë kohë, pati një përvojë të fshehtë shpirtërore me anë të së cilës ajo arriti të dinte se tempulli dhe ordinancat e kryera atje, janë të vërteta dhe reale. Ajo mori në telefon nënën e saj, i tregoi për përvojën e saj dhe i tha se, ndërkohë që ende ka disa pyetje, ajo e di që tempulli është i vërtetë, që ordinancat e tempullit janë të vërteta dhe që Kisha është e vërtetë. Nëna e saj qau me mirënjohje për një Atë Qiellor të dashur, të durueshëm dhe për një bijë e cila vazhdon me durim të kërkojë.

Mbajtja me durim e besëlidhjeve sjell bekimet e qiellit në jetën tonë.17

Unë kam gjetur ngushëllim të madh në premtimin e Zotit se “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund të dini të vërtetën e të gjitha gjërave”18. Ne mund ta dimë të vërtetën pa ditur gjithçka. Ne mund ta dimë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Në fakt, sikurse na mësoi Presidenti Rasëll M. Nelson këtë pasdite, ne mund “të ndiejmë, në ‘pjes[ën] më të thellë’ të zemrës sonë [shih Alma 13:27], se Libri i Mormonit është pa dyshim fjala e Perëndisë”. Dhe ne “mund ta ndiejmë atë kaq thellësisht sa kurrë nuk do të duam ta jetojmë qoftë edhe një ditë pa të”19.

Ne mund ta dimë që Perëndia është Ati ynë, i cili na do, dhe që Biri i Tij, Jezu Krishti, është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ne mund të dimë që anëtarësia në Kishën e Tij duhet të jetë ngazëlluese dhe që marrja e përjavshme e sakramentit do të na ndihmojë ne dhe familjen tonë që të jemi të siguruar. Ne mund ta dimë se nëpërmjet ordinancave të tempullit, familjet me të vërtetë mund të jenë së bashku përgjithmonë. Ne mund ta dimë se Shlyerja e Jezu Krishtit dhe bekimet e pendimit dhe të faljes janë të vërteta dhe reale. Ne mund ta dimë se profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson, është profeti i Zotit dhe se këshilltarët e tij dhe anëtarët e Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve janë apostuj, profetë, shikues dhe zbulues.

Të gjithë këtë unë e di që është e vërtetë dhe e jap dëshminë time në emrin e Jezu Krishtit, amen.