2018
Pakënaqësia e Shenjtë
Nëntor 2018


Pakënaqësia e Shenjtë

Pakënaqësia e shenjtë mund të na shtyjë të veprojmë me besim, t’i ndjekim ftesat e Shpëtimtarit për të bërë mirë dhe për t’ia dhënë jetën tonë përulësisht Atij.

Kur isha në shkollën fillore, ne ecnim për në shtëpi nëpër një shteg të shtruar që dredhonte sa para‑prapa përpjetë faqes së një kodre. Kishte një shteg tjetër, të pashtruar, që quhej “shtegu i djemve”. Shtegu i djemve ishte një udhë nëpër baltë që shkonte pa dredha përpjetë kodrës. Ishte më i shkurtër, por shumë më i rrëpirët. Kur isha vajzë e vogël, e dija se mund të ngjitja çfarëdo shtegu që mund të ngjitnin djemtë. Më me rëndësi, e dija se po jetoja në ditët e mëvonshme dhe se do të më duhej të bëja gjëra të vështira, ashtu siç bënë pionierët – dhe dëshiroja të isha e përgatitur. Kështu që, herë pas here, unë do të mbetesha prapa grupit të shoqeve të mia në shtegun e shtruar, do t’i hiqja këpucët dhe do ta ngjitja këmbëzbathur shtegun e djemve. Unë po përpiqesha të forcoja këmbët e mia.

Si një vajzë e vogël e Fillores, mendoja se kjo ishte ajo që mund të bëja që të përgatitesha. Tani e di se është ndryshe! Në vend që t’u ngjitem këmbëzbathur shtigjeve malore, e di se mund t’i përgatit këmbët e mia që të eci në shtegun e besëlidhjeve duke iu përgjigjur ftesave të Frymës së Shenjtë. Pasi Zoti, nëpërmjet profetit të Tij, po e thërret secilin prej nesh që të jetojë dhe të kujdeset [për të tjerët] në një “mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë” dhe që të “bëjë një hap për më lart”1.

Këto thirrje profetike për të vepruar, të bashkuara me ndjenjën tonë të lindur që ne mund të bëjmë e të jemi [diçka] më shumë, ndonjëherë krijojnë brenda nesh atë që Plaku Nil A. Maksuell e quajti “pakënaqësia e shenjtë”2. Pakënaqësia e shenjtë vjen kur ne e krahasojmë “atë që jemi [me] atë që kemi fuqinë që të bëhemi3. Secili prej nesh, nëse tregohemi të ndershëm, ndien një mospërputhje mes asaj se ku e cilët jemi dhe asaj se ku e cilët dëshirojmë të jemi. Ne jemi të etur për aftësi më të mëdha vetjake. Ne i kemi këto ndjenja pasi jemi bija e bij të Perëndisë, të lindur me Dritën e Krishtit, por prapëseprapë duke jetuar në një botë të rënë. Këto ndjenja jepen nga Perëndia dhe krijojnë një ngut për të vepruar.

Ne duhet t’i mirëpresim ndjenjat e pakënaqësisë së shenjtë që na thërrasin drejt një udhe më të lartë, ndërsa e dallojmë dhe e shmangim sajesën e Satanit – shkurajimin paralizues. Ky është një rast i çmuar, ku Satani është tejet i paduruar të veprojë. Ne mund të zgjedhim të ecim nëpër shtegun më të lartë që na bën ta kërkojmë Perëndinë dhe paqen e hirin e Tij, ose ne mund t’ia vëmë veshin Satanit, i cili na bombardon me mesazhe që ne kurrë nuk do të jemi mjaftueshëm [të mirë]: mjaftueshëm të pasur, mjaftueshëm të zgjuar, mjaftueshëm të bukur, mjaftueshëm në asgjë. Pakënaqësia jonë mund të bëhet shenjtëruese – ose shkatërrimtare.

Veproni me Besim

Një mënyrë për ta dalluar pakënaqësinë e shenjtë nga sajesa e Satanit është që pakënaqësia e shenjtë do të na çojë drejt veprimit me besnikëri. Pakënaqësia e shenjtë nuk është një ftesë për të qëndruar në zonën tonë të rehatisë, as nuk do të na çojë në dëshpërim. Kam mësuar se, kur përhumbem në mendime të lidhura me gjithçka që nuk jam, unë nuk përparoj dhe më duket shumë më e vështirë që ta ndiej dhe ta ndjek Shpirtin.4

Kur ishte i ri, Jozef Smithi u bë mjaft i vetëdijshëm për dobësitë e tij dhe u shqetësua për “mirëqenien e shpirtit [të tij] të pavdekshëm”. Sipas fjalëve të tij: “Mendja ime u shqetësua jashtë mase pasi u binda për mëkatet e mia dhe, … e ndjeva se duhet të vajtoja për mëkatet e mia dhe për mëkatet e botës”5. Kjo e bëri atë “të mendonte seriozisht dhe nuk gjente rehati”6. A ju tingëllon e njohur kjo? A jeni në ankth apo i/e shqetësuar për dobësitë tuaja?

Epo, Jozefi bëri diçka. Ai u shpreh: “Unë shpesh thashë me vete: Çfarë duhet të bëhet?”7 Jozefi veproi me besim. Ai iu drejtua shkrimeve të shenjta, lexoi ftesën e Jakobit [Bibël] 1:5 dhe iu drejtua Perëndisë për ndihmë. Vegimi që rrodhi, nisi Rivendosjen. Sa mirënjohëse jam që pakënaqësia e shenjtë e Jozefit, periudha e tij e ankthit dhe e pështjellimit, e shtyu atë drejt veprimit me besnikëri.

Ndiqini Nxitjet për të Bërë Mirë

Bota shpesh e përdor ndjenjën e pakënaqësisë si një shfajësim për egoizmin, për kthimin e mendimeve tona nga vetja e prapa tek e kaluara dhe për mbajtjen e mendjes individualisht tek ajo se cili/a jam unë, cili/a nuk jam unë dhe çfarë dua unë. Pakënaqësia e shenjtë na nxit të ndjekim shembullin e Shpëtimtarit, “i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë”8. Teksa ecim në shtegun e dishepullimit, ne do të marrim shtysa shpirtërore për t’u vajtur në ndihmë të tjerëve.

Një histori që e dëgjova vite më parë, më ka ndihmuar që t’i dalloj nxitjet nga Fryma e Shenjtë dhe pastaj të veproj sipas tyre. Motra Boni D. Parkin, ish‑Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, tregoi sa vijon:

“Suzana … ishte një rrobaqepëse e mrekullueshme. Presidenti [Spenser W.] Kimball jetonte në lagjen [e saj]. Një të diel, Suzana vuri re që ai kishte veshur një kostum të ri. Kohët e fundit, i ati i kishte … sjellë ca cohë mëndafshi të një cilësie të shkëlqyer. Suzana mendoi që nga ajo cohë mund të qepte një kollare të bukur që do të shkonte me kostumin e ri të Presidentit Kimball. Kështu që, të hënën, ajo e qepi kollaren. E mbështolli me letër të hollë dhe eci përpjetë bllokut të ndërtesave për te shtëpia e Presidentit Kimball.

Udhës për te dera kryesore, ajo papritmas ndali dhe mendoi: ‘Kush jam unë që të qep një kollare për profetin? Ai ndoshta ka kollare me bollëk.’ Duke vendosur se kishte bërë një gabim, ajo u kthye për t’u larguar.

Pikërisht atë çast, motra Kimball hapi derën kryesore dhe tha: ‘Oh, Suzana!’

Suzana, duke iu marrë goja fare, tha: ‘E pashë Presidentin Kimball të veshur me kostumin e tij të ri të dielën. Babi sapo më solli ca mëndafsh nga Nju‑Jorku … dhe kështu i qepa një kollare.’

Përpara se Suzana të mund të vazhdonte, motra Kimball e ndaloi, i vuri duart mbi shpatullat e saj dhe tha: ‘Suzana, kurrë mos e ndrydh një mendim bujar’.”9

Më pëlqen shumë kjo! “Kurrë mos e ndrydh një mendim bujar.” Ndonjëherë, kur kam një mbresë për të bërë diçka për dikë, pyes veten a ishte një nxitje apo mos ishin thjesht mendimet e mia vetjake. Por më vjen ndërmend se “ajo që është e Perëndisë fton dhe nxit për të bërë mirë përherë; prandaj çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia”10.

Qoftë nëse janë nxitje të drejtpërdrejta apo thjesht shtysa për të ndihmuar, një vepër e mirë kurrë nuk shkon dëm, pasi “dashuria nuk ligshtohet kurrë”11 – dhe ajo kurrë nuk është përgjigjja e gabuar.

Shpesh koha e përzgjedhur është e papërshtatshme dhe ne rrallëherë e shohim ndikimin e veprave tona të vogla të shërbimit. Por hera‑herës, ne do ta dallojmë se kemi qenë mjete në duart e Perëndisë dhe do të jemi mirënjohës/e të dimë se të punuarit e Frymës së Shenjtë nëpërmjet nesh është një shfaqje e miratimit nga Perëndia.

Motra, unë dhe ju mund të përgjërohemi që Fryma e Shenjtë të na tregojë “të gjitha gjërat që duhet të bë[jmë]”12, edhe kur lista jonë e gjërave për t’u bërë duket tanimë plot. Kur marrim nxitje, ne mund t’i lemë pjatat në lavaman ose një kuti postare elektronike plot me sfida që kërkojnë vëmendje, me qëllim që t’i lexojmë një fëmije, të vizitojmë një mikeshë, të kujdesemi për fëmijët e një fqinji ose të shërbejmë në tempull. Mos më keqkuptoni – unë bëj lista gjithë kohën, më pëlqen shumë t’u heq vizë gjërave [në to]. Por paqja vjen nga dijenia se të qenit [diçka] më shumë, nuk është medoemos e barasvlershme me bërjen e [diçkaje] më shumë. Reagimi ndaj pakënaqësisë duke vendosur si synim që t’i ndjek nxitjet e ndryshon mënyrën sesi mendoj rreth “kohës sime personale” dhe unë i shoh njerëzit, jo si pengesa për kohën time, por si qëllimin e jetës sime [për t’u shërbyer].

Pakënaqësia e Shenjtë na Çon te Krishti

Pakënaqësia e shenjtë na çon në përulësi, jo në keqardhje për veten apo shkurajim që vjen nga bërja e krahasimeve nga të cilat ne përherë dalim jo mirë. Gratë që mbajnë besëlidhje, janë të gjitha të ndryshme; familjet e tyre, përvojat e jetës së tyre dhe rrethanat e tyre ndryshojnë.

Natyrisht, të gjithë ne nuk do ta arrijmë [plotësisht] potencialin tonë hyjnor dhe ka njëfarë të vërtete te përfundimi se të vetëm ne nuk jemi mjaftueshëm [të mirë]. Por lajmet e mira të ungjillit janë që, me anë të hirit të Perëndisë, ne jemi mjaftueshëm [të mirë]. Me ndihmën e Krishtit, ne mund të bëjmë gjithçka.13 Shkrimet e shenjta premtojnë se ne do të “gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje”14.

E vërteta e habitshme është se dobësitë tona mund të jenë një bekim kur na përulin dhe na kthejnë te Krishti.15 Pakënaqësia bëhet e shenjtë kur i drejtohemi përulësisht Jezu Krishtit me dëshirat tona [për përmirësim], jo kur prapsemi nga keqardhja për veten.

Në fakt, mrekullitë e Jezusit shpesh fillojnë me dallimin e një dëshire, nevoje, mossuksesi apo papërshtatshmërie. Ju kujtohen bukët dhe peshqit? Secili nga shkruesit e Ungjillit na tregon se si Jezusi i ushqeu mrekullisht mijëra njerëzit që e ndiqnin Atë.16 Por historia fillon me pikasjen nga dishepujt të asaj çfarë iu mungonte; ata e kuptuan se kishin vetëm “pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz”17? Dishepujt kishin të drejtë: ata nuk kishin mjaftueshëm ushqim, por ata ia dhanë atë që kishin Jezusit dhe atëherë Ai bëri mrekullinë.

A e keni ndier ndonjëherë se talentet dhe dhuntitë tuaja ishin tepër të vogla për detyrën që ju pret? Unë po. Por unë dhe ju mund t’ia japim atë që kemi Krishtit dhe Ai do ta shumëfishojë [efektshmërinë e] përpjekjeve tona. Ajo që keni për të dhënë, është më tepër sesa mjaftueshëm – madje edhe me dobësitë dhe të metat tuaja njerëzore – nëse mbështeteni te hiri i Perëndisë.

E vërteta është se secili prej nesh është një brezni larg nga Hyjnia – secili është një fëmijë i Perëndisë.18 Dhe pikërisht sikurse ka vepruar edhe me profetët, edhe me burrat e gratë e zakonshëm nëpër epoka, kështu ka për qëllim të na shndërrojë ne Ati Qiellor.

C. S. Ljuisi e shpjegoi fuqinë shndërruese të Perëndisë në këtë mënyrë: “Përfytyrojeni veten tuaj si një shtëpi të banuar. Perëndia hyn brenda për ta rindërtuar atë shtëpi. Në fillim, ndoshta, ju mund ta kuptoni atë që Ai po bën. Ai po rregullon kanalet kulluese dhe po ndalon rrjedhjet në çati e kështu me radhë; ju e dinit se ato punë duheshin bërë dhe prandaj nuk çuditeni. Por tani Ai fillon ta godasë fort shtëpinë në një mënyrë që të dhemb në shpirt. … [E shihni], Ai po ndërton një shtëpi krejt të ndryshme nga ajo që menduat ju . … Ju menduat se do të bëh[eshit] një shtëpizë e hijshme me kopsht, por Ai po ndërton një pallat mbretëror. Ai ka për qëllim të vijë dhe të jetojë Vetë në të.”19

Për shkak të flijimit shlyes të Shpëtimtarit tonë, ne mund të arrijmë të jemi në lartësinë e detyrave që na presin në të ardhmen. Profetët kanë dhënë mësim se ndërsa ngjitemi nëpër shtegun e dishepullimit, ne mund të shenjtërohemi nëpërmjet hirit të Krishtit. Pakënaqësia e shenjtë mund të na shtyjë të veprojmë me besim, t’i ndjekim ftesat e Shpëtimtarit për të bërë mirë dhe për t’ia dhënë jetën tonë përulësisht Atij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Russell M. Nelson, në Tad Walch, “‘The Lord’s Message Is for Everyone’: President Nelson Talks about Global Tour”, Deseret News, 12 prill 2018, deseretnews.com.

  2. Neal A. Maxwell, “Becoming a Disciple”, Ensign, qershor 1996, f. 18.

  3. Neal A. Maxwell, “Becoming a Disciple”, f. 16; theksimi i shtuar.

  4. “Shkurajimi do ta dobësojë besimin tuaj. Në qoftë se i ulni pritshmëritë tuaja, efektiviteti juaj do të zvogëlohet, dëshira juaj do të dobësohet dhe do të keni vështirësi më të mëdha për ta ndjekur Shpirtin” (“What Is My Purpose as a Missionary?” Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service, bot. i rishik. [2018], lds.org/manual/missionary; [shih Predikoni Ungjillin Tim: Një Udhëzues për Shërbimin Misionar (2005), f. 1–16]).

  5. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 29.

  6. Joseph Smith – Historia 1:8.

  7. Joseph Smith – Historia 1:10; theksimi i shtuar.

  8. Veprat e Apostujve 10:38.

  9. Bonnie D. Parkin, “Personal Ministry: Sacred and Precious” (takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 13 shkurt 2007), f. 1, speeches.byu.edu.

  10. Moroni 7:13.

  11. 1 Korintasve 13:8.

  12. 2 Nefi 32:5.

  13. “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

  14. Hebrenjve 4:16.

  15. “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. Unë u jap njerëzve dobësi, që ata të jenë të përulur dhe hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta” (Ethëri 12:27; theksimi i shtuar).

  16. Shih Mateu 14:13–21; Marku 6:31–44; Lluka 9:10–17; Gjoni 6:1–14.

  17. Gjoni 6:9.

  18. Presidenti Bojd K. Paker dha mësim: “Pavarësisht nga brezat e shumtë të paraardhësve tuaj në vdekshmëri, pavarësisht se cilën racë ose popull përfaqësoni, prejardhja e shpirtit tuaj mund të shkruhet në një rresht të vetëm. Ju jeni një fëmijë i Perëndisë!” (“To Young Women and Men”, Ensign, maj 1989, f. 54).

  19. C. S. Lewis, Mere Christianity (1960), f. 160.