2018
Ejani, Dëgjojeni Zërin e Profetit
Nëntor 2018


Ejani, Dëgjojeni Zërin e Profetit

Teksa e përforcojmë në jetën tonë praktikën e të dëgjuarit dhe vënies së veshit ndaj zërit të profetëve të gjallë, ne do të korrim bekimet e përjetshme.

Duke folur për Presidentin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Zoti shpalli:

“Dhe përsëri, detyra e Presidentit të detyrës së Priftërisë së Lartë është të kryesojë mbi gjithë kishën dhe të jetë si Moisiu—

… Po, që të jetë një shikues, një zbulues, një përkthyes dhe një profet, duke patur të gjitha dhuratat e Perëndisë, të cilat ai i dhuron mbi kreun e kishës” (Doktrina e Besëlidhje 107:91–92; theksimi i shtuar).

Kam qenë i bekuar që kam dëshmuar disa nga dhuratat e Perëndisë te profetët e Tij. A mund t’ju tregoj një përvojë të tillë të shenjtë? Përpara thirrjes sime të tanishme, unë mora pjesë në përcaktimin dhe rekomandimin e vendndodhjeve të tempujve të ardhshëm. Pas 11 shtatorit të vitit 2001, kalimet nëpër kufijtë e Shteteve të Bashkuara u bënë më të kontrolluara. Si rrjedhojë, shumë anëtarëve të Kishës u duhej dy deri në tri orë që të kalonin kufirin nga Vankuveri i Kanadasë, për të shkuar në Tempullin e Siatëllit në Uashington. Presidenti Gordon B. Hinkli, Presidenti i Kishës në atë kohë, sugjeroi se një tempull në Vankuver do t’i bekonte anëtarët e Kishës. U autorizua kërkimi për një vendndodhje dhe pasi shqyrtuam imtësisht disa prona që zotëronte Kisha, hetuam edhe vendndodhje të tjera që nuk ishin në pronësi të Kishës.

U gjet një vendndodhje e bukur në një zonë të përcaktuar për godina fetare pranë autostradës ndërurbane kanadeze. Te ajo pronë mund të shkoje fare lehtë, ishte plot e përplot me pisha kanadeze dhe kishte një vendndodhje të spikatur gjë që do ta bënte të dukshme për mijëra shoferë që kalonin.

Ne e paraqitëm vendndodhjen me fotografi dhe harta në mbledhjen mujore të Komitetit për Vendndodhjet e Tempujve. Presidenti Hinkli na autorizoi që të përgatitnim çmimin e ofertës për ta blerë dhe t’i përfundonim studimet e nevojshme. Në dhjetor të atij viti, ne i raportuam sërish komitetit se studimet kishin përfunduar dhe kërkuam miratim për të vijuar me blerjen. Pasi e dëgjoi raportimin tonë, Presidenti Hinkli tha: “Ndiej se duhet ta shikoj këtë vendndodhje”.

Nga fundi i muajit, dy ditë pas Krishtlindjes, ne u nisëm për në Vankuver me Presidentin Hinkli; Presidentin Tomas S. Monson dhe Bill Uilliamsin, një arkitekt tempujsh. Ne u takuam me Pol Kristensenin, presidentin vendor të kunjit, i cili na çoi te vendndodhja. Kishte paksa lagështirë dhe mjegull atë ditë, por Presidenti Hinkli doli nga makina dhe filloi t’i binte kryq e tërthor vendndodhjes.

Pasi kaloi kohë në vendndodhje, e pyeta Presidentin Hinkli nëse donte të shihte disa nga vendndodhjet e tjera që ishin marrë parasysh. Ai tha ‘po’, se donte. Kështu pra, duke parë vendndodhjet e tjera, ne ishim në gjendje të bënim një krahasim të veçorive të tyre.

Ne bëmë një xhiro të gjatë me makinë rreth e përqark Vankuverit duke parë prona të tjera e duke u kthyer si përfundim në vendndodhjen fillestare. Presidenti Hinkli tha: “Kjo është një vendndodhje e bukur”. Më pas ai pyeti: “A mund të shkojmë në shtëpinë e mbledhjeve që është në pronësi të Kishës afërsisht 0.4 km larg?”

“Patjetër, President”, u përgjigjëm ne.

U kthyem nëpër makina dhe i ngamë ato për në shtëpinë e mbledhjeve aty pranë. Teksa mbërritëm në ndërtesën kishtare, Presidenti Hinkli tha: “Këtu, kthehu majtas”. Ne u kthyem dhe ndoqëm rrugën siç u udhëzuam. Rruga sa vinte e bëhej më e përpjetë.

Sapo makina mbërriti në pikën më të lartë, Presidenti Hinkli tha: “Ndale makinën, ndale makinën”. Më pas e drejtoi gishtin në të djathtë te një ngastër toke dhe tha: “Po kjo prona? Ky është vendi ku duhet të ndërtohet tempulli. Ky është vendi ku Zoti do që të jetë tempulli. A mund ta blini këtë tokë? A mund ta blini këtë tokë?”

Ne nuk e kishim parë këtë pronë. Ishte shumë prapa dhe larg rrugës kryesore dhe nuk ishte vënë për shitje. Kur u përgjigjëm se nuk e dinim, Presidenti Hinkli e drejtoi gishtin nga prona dhe tha sërish: “Ky është vendi ku duhet të ndërtohet tempulli”. Qëndruam për disa minuta dhe më pas u nisëm drejt aeroportit për t’u kthyer në shtëpi.

Të nesërmen, mua dhe Vëllanë Uilliams na thirrën në zyrën e Presidentit Hinkli. Ai kishte vizatuar gjithçka në një copë letër: rrugët, godinën e kishës, [shënimin] “kthehu djathtas këtu”, e kishte shenjuar me një x vendin për tempullin. Ai pyeti se çfarë kishim zbuluar. Ne i thamë se nuk mund të kishte zgjedhur një pronë më të vështirë se kjo. Ajo ishte në pronësi të tre individëve: njërit nga Kanadaja, njërit nga India dhe njërit nga Kina! Dhe nuk ishte në zonën e duhur të përcaktuar për godina fetare.

“Epo, bëni më të mirën”, tha ai.

Më pas mrekullia ndodhi. Brenda disa muajve ne e morëm në zotërim pronën dhe më pas qyteti i Lenglit në Kolumbinë Britanike dha lejen për të ndërtuar tempullin.

Tempulli i Vankuverit, Kolumbia Britanike

Kur reflektoj mbi këtë përvojë, përulem që kuptova se ndonëse Vëllai Uilliams dhe unë kishim arsimimin profesional dhe vite përvoje me prona të paluajtshme dhe projektime tempujsh, Presidenti Hinkli nuk kishte një arsimim të tillë profesional, por kishte diçka shumë më të madhe – dhuratën e parashikimit profetik. Ai ishte në gjendje të parashikonte se ku duhej të ngrihej tempulli i Perëndisë.

Kur Zoti i urdhëroi shenjtorët e hershëm në këtë periudhë ungjillore për të ndërtuar një tempull, Ai shpalli:

“Por një shtëpi duhet të ndërtohet për emrin tim sipas modelit që unë do t’ua tregoj.

Dhe në qoftë se njerëzit e mi nuk e ndërtojnë atë sipas modelit që do t’ia tregoj … , unë nuk do ta pranoj atë nga duart e tyre” (Doktrina e Besëlidhje 115:14–15).

Sikurse me shenjtorët e hershëm, ashtu ndodh edhe me ne sot: Zoti ia ka zbuluar dhe vazhdon t’ia zbulojë Presidentit të Kishës modelet sipas të cilave duhet të drejtohet mbretëria e Perëndisë në kohën tonë. Dhe sipas jetës vetjake, ai jep udhërrëfim për mënyrën se si secili prej nesh duhet ta drejtojë jetën e vet, në mënyrë të tillë që sjellja jonë të mund të jetë gjithashtu e pranueshme për Zotin.

Në prill të 2013-ës unë fola rreth përpjekjeve që përfshihen për përgatitjen e çdo themeli të tempullit, për t’u siguruar që ai mund t’u bëjë ballë stuhive dhe katastrofave ndaj të cilave do të ekspozohet. Por themeli është vetëm fillimi. Një tempull përbëhet nga shumë blloqe konstruktive, të bashkuara bashkë sipas modeleve të projektuara më parë. Nëse jeta jonë duhet të bëhet tempulli që secili prej nesh po përpiqet të ndërtojë siç na e ka mësuar Zoti (shih te 1 Korintasve 3:16–17), ne me të drejtë, mund t’i bënim vetes një pyetje: “Çfarë blloqesh konstruktive duhet të vendosim me qëllim që ta bëjmë jetën tonë të bukur, madhështore dhe të qëndrueshme ndaj stuhive të botës?”

Ne mund ta gjejmë përgjigjen për këtë pyetje te Libri i Mormonit. Në lidhje me Librin e Mormonit, Profeti Jozef Smith tha: “Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër” (parathënia e Librit të Mormonit). Në parathënien e Librit të Mormonit, neve na mësohet se “ata që marrin [një] dëshmi hyjnore nga Shpirti i Shenjtë [se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë], do të mësojnë gjithashtu, nga e njëjta fuqi, se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, se Joseph Smithi është zbuluesi dhe [profeti i Tij i Rivendosjes] dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Zotit e ngritur sërish mbi tokë”.

Atëherë këto janë disa blloqe themelore konstruktive të besimit dhe dëshmisë sonë individuale:

  1. Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës.

  2. Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë.

  3. Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë.

  4. Jozef Smithi është një profet dhe ne kemi profetë të gjallë në tokë sot.

Muajt e fundit, unë kam dëgjuar çdo bisedë të konferencës së përgjithshme që ka dhënë Presidenti Nelson qëkurse u thirr si Apostull për herë të parë. Kjo praktikë e ka ndryshuar jetën time. Teksa studiova dhe përsiata 34 vjet nga njohuria e mbledhur e Presidentit Nelson, nga mësimet e tij dolën në pah tema të qarta dhe me vijueshmëri. Secila nga këto tema lidhet me ato blloqe konstruktive që sapo i përmenda ose është një bllok tjetër kyç konstruktiv për tempujt tanë vetjakë. Ato përfshijnë besimin në Zotin Jezu Krisht, pendimin, pagëzimin për heqjen e mëkateve, dhuratën e Frymës së Shenjtë, shëlbimin për të vdekurit dhe punën në tempull, mbajtjen të shenjtë të ditës së Shabatit, duke filluar me një synim në mendje dhe duke qëndruar në shtegun e besëlidhjes. Presidenti Nelson ka folur për të gjitha ato me dashuri dhe përkushtim.

Guri kryesor i qoshes dhe blloku konstruktiv i Kishës dhe për jetën tonë është Jezu Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Presidenti Nelson është profeti i Tij. Mësimet e Presidentit Nelson dëshmojnë për jetën dhe karakterin e Jezu Krishtit dhe e zbulojnë atë për dobinë tonë. Ai flet me dashuri dhe njohuri për natyrën e Shpëtimtarit dhe misionin e Tij. Ai gjithashtu ka dhënë dëshmi të vazhdueshme dhe të zjarrta për thirrjen hyjnore të profetëve të gjallë – Presidentëve të Kishës – nën kryesimin e të cilëve ka shërbyer.

Tani, sot, është privilegji ynë që ta mbështetim atë si profetin e gjallë të Zotit në tokë. Ne jemi mësuar me [praktikën] e mbështetjes së udhëheqësve të Kishës nëpërmjet modelit hyjnor të ngritjes së dorës në kënd të drejtë për të treguar pranimin dhe mbështetjen tonë. Këtë gjë e bëmë vetëm pak minuta më parë. Por mbështetja e vërtetë shkon përtej kësaj shenje fizike. Siç shënohet te Doktrina e Besëlidhje 107:22, Presidenca e Parë duhet të “mbështet[et] nga mirëbesimi, besimi dhe lutja e kishës”. Ne arrijmë ta mbështetim plotësisht e me të vërtetë profetin e gjallë teksa e zhvillojmë modelin e mirëbesimit në fjalët e tij, duke pasur besimin për vepruar sipas tyre dhe më pas duke u lutur për bekimet e vazhdueshme të Zotit mbi të.

Kur mendoj për Presidentin Rasëll M. Nelson, ngushëllohem nga fjalët e Shpëtimtarit kur Ai tha: “Dhe nëse njerëzit e mi do t’i binden zërit tim dhe zërit të shërbëtorëve të mi të cilët i kam caktuar ta udhëheqin popullin tim, vini re, në të vërtetë unë ju them, ata nuk do të nxirren jashtë vendit të tyre” (Doktrina e Besëlidhje 124:45).

Dëgjimi dhe mbajtja vesh e profetëve të gjallë do të ketë ndikime të thella, madje ndikime që na e ndryshojnë jetën. Ne forcohemi [prej tyre]. Jemi më të sigurt dhe më mirëbesues ndaj Zotit. E dëgjojmë fjalën e Zotit. E ndiejmë dashurinë e Perëndisë. Ne do ta dimë se si ta jetojmë jetën tonë duke pasur qëllim.

Unë e dua dhe e mbështet Presidentin Rasëll M. Nelson dhe të tjerët që janë thirrur si profetë, shikues dhe zbulues. Unë dëshmoj se ai ka dhuratat që Zoti i ka derdhur mbi kokën e tij dhe unë dëshmoj se teksa e përforcojmë në jetën tonë praktikën e të dëgjuarit dhe të vënies së veshit ndaj zërit të profetëve të gjallë, jeta jonë do të ndërtohet sipas modelit hyjnor të Zotit për ne dhe ne do të korrim bekimet e përjetshme. Ftesa u drejtohet të gjithëve. Ejani, dëgjojeni zërin e profetit; po ejani te Krishti e jetoni. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.