2018
Të Gjithë Duhet të Marrin Mbi Vete Emrin e Dhënë prej Atit
Nëntor 2018


Të Gjithë Duhet të Marrin mbi Vete Emrin e Dhënë prej Atit

Emri i Shpëtimtarit ka fuqi të pashoqe dhe thelbësore. Është i vetmi emër nëpërmjet të cilit është i mundur shpëtimi.

Disa javë më parë, mora pjesë në pagëzimin e disa fëmijëve tetëvjeçarë. Ata kishin filluar ta mësonin ungjillin e Jezu Krishtit nga prindërit dhe mësuesit e tyre. Fara e besimit të tyre tek Ai kishte filluar të rritej. Dhe tani ata donin ta ndiqnin Atë në ujërat e pagëzimit për t’u bërë anëtarë të Kishës së Tij të rivendosur. Teksa vështroja padurimin e tyre, pyeta veten sa e kuptonin ata njërin prej aspekteve të rëndësishme të besëlidhjes së tyre të pagëzimit: zotimin e tyre për të marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit.

Prej fillimit, Perëndia e ka shpallur epërsinë e emrit të Jezu Krishtit në planin e Tij për ne. Një engjëll i dha mësim atit tonë të parë, Adamit: “Ti do të bësh gjithçka që bën, në emër të Birit dhe do të pendohesh e do t’i thërrasësh Perëndisë në emër të Birit përgjithmonë”1.

Profeti i Librit të Mormonit, Mbreti Beniamin, i dha mësim popullit të tij: “Nuk do të ketë asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë”2.

Zoti ia përsëriti këtë të vërtetë Profetit Jozef Smith: “Vini re, Jezu Krishti është emri që jepet nga Ati dhe nuk ka asnjë emër tjetër të dhënë, me anë të të cilit njeriu mund të shpëtohet”3.

Në kohën tonë, Presidenti Dallin H. Ouks na mësoi se “ata që ushtrojnë besim në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit dhe … hyjnë në besëlidhjen e tij dhe i mbajnë urdhërimet e tij … mund të kenë pretendim mbi sakrificën shlyese të Jezu Krishtit”4.

Ati ynë Qiellor dëshiron ta bëjë absolutisht të qartë që emri i Birit të Tij, Jezu Krishtit, nuk është thjesht një emër mes shumë të tjerëve. Emri i Shpëtimtarit ka fuqi të pashoqe dhe thelbësore. Është i vetmi emër nëpërmjet të cilit është i mundur shpëtimi. Duke e theksuar këtë të vërtetë në çdo periudhë ungjillore, Ati ynë i dashur i siguron të gjithë fëmijët e Tij që ka një udhë kthimi për tek Ai. Por, pasja e një udhe të sigurt në dispozicion nuk do të thotë që kthimi ynë është automatikisht i siguruar. Perëndia na thotë se çfarë veprimi kërkohet: “Prandaj, gjithë njerëzit duhet të marrin mbi vete emrin që është dhënë nga Ati”5.

Në mënyrë që të kemi qasje te fuqia shpëtuese që vjen vetëm nëpërmjet emrit të Krishtit, ne duhet: “[të] përule[mi] para Perëndisë … dhe [të] vij[m]ë me zemra të thyera e shpirtra të penduar … dhe [të jemi] të gatshëm të marri[m] mbi vete emrin e Jezu Krishtit”, … e në këtë mënyrë të kualifikohemi si miqtë e mi tetëvjeçarë, që të “merre[mi] me anë të pagëzimit në kishën e tij”6.

Të gjithë ata që dëshirojnë sinqerisht ta marrin emrin e Shpëtimtarit mbi vete, duhet të kualifikohen për ordinancën e pagëzimit dhe ta marrin atë si një dëshmi fizike ndaj Perëndisë për vendimin e tyre.7 Por pagëzimi është vetëm fillimi.

Folja marr nuk është joveprore. Ajo është një folje veprore me përkufizime të shumta.8 Po ashtu, Zotimi ynë për ta marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit kërkon veprim dhe ka përmasa të shumta.

Për shembull, një kuptim i fjalës marr është të hash ose pish ose të futësh në trup, e tillë si kur ne pimë një pije. Duke e marrë mbi vete emrin e Krishtit, ne zotohemi t’i futim mësimet e Tij, karakteristikat e Tij dhe përfundimisht dashurinë e Tij thellë në qenien tonë që ato të bëhen pjesë e asaj që jemi. Pra, është e rëndësishme ftesa e Presidentit Nelson drejtuar të rinjve në moshë madhore që ata “të [kërkojnë] ta kuptojnë me lutje dhe vrull se çfarë do të thotë për [ata] vetë secili prej titujve dhe emrave … të ndryshëm [të Shpëtimtarit]”9 dhe të ushqehen me bollëk me fjalët e Krishtit në shkrimet e shenjta, veçanërisht në Librin e Mormonit.10

Një kuptim tjetër i fjalës marr është ta pranosh një person në një rol të caktuar ose të përqafosh vërtetësinë e një ideje ose parimi. Kur e marrim mbi vete emrin e Krishtit, ne e pranojmë Atë si Shpëtimtarin tonë dhe i përqafojmë në vazhdimësi mësimet e Tij si udhërrëfyes për jetën tonë. Në çdo vendim kuptimplotë që marrim, ne mund ta pranojmë se ungjilli i Tij është i vërtetë dhe ta jetojmë atë me bindje me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë.

Së fundi, fjala marr mund të nënkuptojë t’i bashkëngjitesh një emri ose kauze. Shumica prej nesh e ka pasur përvojën e marrjes përsipër të një përgjegjësie në punë ose të marrjes me një kauzë ose lëvizje. Kur e marrim mbi vete emrin e Krishtit, ne marrim përsipër përgjegjësitë e një dishepulli të vërtetë, përfaqësojmë kauzën e Tij dhe “qëndrojmë si dëshmitarë të [Tij] në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet që [ne] të gjende[mi]”11. Presidenti Nelson e ka thirrur “çdo të re dhe çdo të ri … që të rekrutohet në batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar që Izraeli të mblidhet”12. Dhe të gjithë ne jemi mirënjohës që mund të angazhohemi ndaj thirrjes profetike për ta përdorur emrin e Kishës së Tij të rivendosur sikurse u zbulua nga Vetë Shpëtimtari: Kisha e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.13

Në procesin e marrjes së emrit të Shpëtimtarit mbi vete, ne duhet ta kuptojmë se kauza e Krishtit dhe Kisha e Tij janë një dhe e njëjta gjë. Ato nuk mund të ndahen. Ngjashëm me këtë, dishepullimi ynë vetjak ndaj Shpëtimtarit dhe anëtarësia jonë aktive në Kishën e Tij janë gjithashtu të pandashme. Nëse zotimi ynë ndaj njërës ligështohet, zotimi ynë ndaj tjetrës do të zbehet, me aq siguri sa fakti që pas ditës vjen nata.

Disa ngurrojnë ta marrin përsipër emrin e Jezu Krishtit dhe kauzën e tij sepse e konsiderojnë si tepër të ngushtë, kufizuese dhe ndrydhëse. Në të vërtetë, marrja e emrit të Krishtit mbi vete është edhe çliruese, edhe zgjeruese. Ajo na zgjon dëshirën që ndiem kur e pranuam planin e Perëndisë nëpërmjet besimit te Shpëtimtari. Me këtë dëshirë të gjallë në zemrat tona, ne mund ta zbulojmë qëllimin e vërtetë të dhuntive dhe talenteve tona të dhëna në mënyrë hyjnore, mund ta përjetojmë dashurinë e Tij fuqizuese dhe ta rritim interesimin tonë për mirëqenien e të tjerëve. Kur e marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit, ne vërtet do të mbështete[m]i në çdo gjë të mirë dhe do të bëhemi si Ai.14

Është e rëndësishme ta mbajmë mend që marrja e emrit të Shpëtimtarit mbi vete është një zotim besëlidhës që fillon me besëlidhjen që bëjmë në pagëzim. Presidenti Nelson ka dhënë mësim: “Zotimi [ynë] për ta ndjekur Shpëtimtarin nëpërmjet bërjes së besëlidhjeve me Të dhe më pas nëpërmjet mbajtjes së atyre besëlidhjeve, do ta hapë derën drejt çdo bekimi dhe privilegji shpirtëror në dispozicion”15. Një nga privilegjet hyjnore të marrjes së emrit të Shpëtimtarit mbi vete me anë të pagëzimit është qasja që ai siguron tek ordinanca e radhës në shtegun tonë të besëlidhjes: konfirmimi ynë. Kur e pyeta një nga miket e mia tetëvjeçare se çfarë kuptimi kishte për të marrja e emrit të Krishtit mbi vete, ajo u përgjigj thjesht: “Do të thotë që mund të kem Frymën e Shenjtë”. Kishte të drejtë.

Dhurata e Frymës së Shenjtë merret me anë të konfirmimit pasi të kemi marrë ordinancën e pagëzimit. Kjo dhuratë është e drejta dhe mundësia për ta pasur Frymën e Shenjtë si shoqërues të vazhdueshëm. Nëse e dëgjojmë dhe i bindemi zërit të Tij të qetë e të vogël, Ai do të na mbajë në shtegun e besëlidhjes në të cilin hymë nëpërmjet pagëzimit, do të na paralajmërojë kur të tundohemi për t’u larguar prej tij dhe do të na nxitë të pendohemi dhe të ndreqemi sipas nevojës. Pikëpërqendrimi ynë pas pagëzimit është mbajtja e Frymës së Shenjtë gjithnjë me vete në mënyrë që të mund të vazhdojmë të përparojmë përgjatë shtegut të besëlidhjes. Fryma e Shenjtë mund të jetë me ne vetëm për aq sa ne e mbajmë jetën tonë të pastër e të lirë nga mëkati.

Për këtë arsye, Zoti ka siguruar një mënyrë që ne ta rifreskojmë vazhdimisht efektin pastrues të pagëzimit tonë nëpërmjet një ordinance tjetër: sakramentit. Çdo javë ne mund të “dëshmoj[m]ë … se [ne] j[emi] të gatshëm të marri[m] mbi vete emrin e Birit16 sërish duke u zgjatur dhe duke i marrë emblemat e mishit dhe gjakut të Zotit në duart tona – bukën dhe ujin – dhe duke i futur ato në vetë shpirtin tonë. Në këmbim, Shpëtimtari bën sërish mrekullinë e Tij pastruese dhe na kualifikon kështu për ta pasur ndikimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. A nuk është kjo një provë e mëshirës së pafundme që gjendet vetëm në emrin e Jezu Krishtit? Ashtu siç ne e marrim emrin e Tij mbi vete, Ai i merr mëkatet dhe pikëllimet tona mbi Vete dhe prapëseprapë krahu i Tij është “akoma [i] shtrirë”17 për të na rrethuar në krahët e dashurisë së Tij.18

Sakramenti është një kujtues i përjavshëm që marrja mbi vete e emrit të Jezu Krishtit është një zotim i gjallë e i vazhdueshëm, jo një ngjarje e vetme që ndodh vetëm një herë ditën e pagëzimit tonë.19 Ne mund ta gëzojmë në vazhdimësi dhe në mënyrë të përsëritur “atë flijim të shenjtë, që njer’zit s’kuptonin, që fajet të na falen [dhe] trupin [dhe] gjakun [e tij të] marrim”20. Nuk është çudi më pas që kurdoherë që fëmijët e Perëndisë i kuptojnë bekimet e fuqishme, shpirtërore që mund të vijnë nga marrja e emrit të Krishtit mbi vete, ndjenja e tyre është përherë ndjenjë gëzimi dhe dëshira e tyre është përherë që të hyjnë në një besëlidhje me Perëndinë e tyre.21

Teksa e ndjekim këtë shteg besëlidhjeje të projektuar hyjnisht, zotimi dhe përpjekjet tona për ta marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit do të na japin fuqi “ta mba[jmë] emrin [e Tij] gjithmonë të shkruar në zemrat t[ona]”22. Do ta duam Perëndinë dhe të afërmit tanë dhe do të ndiejmë një dëshirë për t’u dhënë shërbesë atyre. Do t’i mbajmë urdhërimet e Tij dhe do të dëshirojmë fort që t’i shkojmë më pranë Atij me anë të hyrjes në besëlidhje të Tjera me Të. Kur na duket vetja të dobët e të pazotë për të vepruar sipas dëshirave tona, do të përgjërohemi për forcën që vjen vetëm nëpërmjet emrit të Tij dhe Ai do të na vijë në ndihmë. Teksa durojmë me besnikëri, do të vijë dita kur do ta shohim Atë e do të jemi me Të dhe do të zbulojmë që jemi bërë si Ai, duke u kualifikuar kështu për t’u rikthyer në praninë e Atit.

Pasi premtimi i Shpëtimtarit është i sigurt: ata që “besojnë në emrin e Jezu Krishtit, dhe ta adhurojnë Atin në emrin e tij, dhe të durojnë me besim në emrin e tij deri në fund”23, do të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë. Me ju, unë gëzohem që këto bekime të pakrahasueshme janë të mundura me anë të marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit, për të Cilin dhe në emrin e të Cilit unë dëshmoj, amen.

Shënime

  1. Moisiu 5:8.

  2. Mosia 3:17.

  3. Doktrina e Besëlidhje 18:23.

  4. Dallin H. Oaks, “Taking upon Us the Name of Jesus Christ”, Ensign, maj 1985, f. 82.

  5. Doktrina e Besëlidhje 18:24; theksimi i shtuar.

  6. Doktrina e Besëlidhje 20:37; theksimi i shtuar.

  7. Presidenti Dallin H. Ouks ka dhënë mësim: “Ne e marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit tonë kur bëhemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. … Si besimtarë të vërtetë në Krisht, si të krishterë, ne e kemi marrë me gëzim këtë emër mbi vete” (“Taking upon Us the Name of Jesus Christ”, f. 80).

  8. Fjalori i autorëve Merriam-Webster në internet, rendit 20 përkufizime të formës kalimtare të foljes marr, që është forma në të cilën përdoret folja te fraza “marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit” (shih merriam-webster.com/dictionary/take).

  9. Rasëll M. Nelson, “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017), broadcasts.lds.org.

  10. Shih Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të? Liahona, nëntor 2017, f. 60–63.

  11. Mosia 18:9.

  12. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), hopeofisrael.lds.org.

  13. “Zoti ka ngulitur në mendjen time rëndësinë e emrit që Ai ka zbuluar për Kishën e Tij, madje Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Kemi punë përpara vetes, për ta sjellë vetveten në harmoni me vullnetin e Tij.” (Rasëll M. Nelson, tek “Emri i Kishës” [deklaratë zyrtare, 16 gusht, 2018], mormonnewsroom.org).

  14. Shih Moroni 7:19.

  15. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

  16. Doktrina e Besëlidhje 20:77; theksimi i shtuar.

  17. 3 Nefi 9:14; shih edhe Alma 5:33–34.

  18. Shih 2 Nefi 1:15.

  19. “Kur e dëshmojmë gatishmërinë tonë për ta marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit, ne po e tregojmë zotimin tonë për të bërë gjithçka që mundemi që të arrijmë jetën e përjetshme në mbretërinë e Atit tonë. Ne po shprehim kandidaturën – vendosmërinë tonë për t’u përpjekur fort për – ekzaltimin tonë në mbretërinë çelestiale. …

    … Ajo që dëshmojmë nuk është që ne e e marrim mbi vete emrin e Tij, por që jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Në këtë kuptim, dëshmia jonë lidhet me njëfarë ngjarjeje ose gjendjeje të ardhshme, fitimi i së cilës nuk merret me mend vetë, por varet nga autoriteti ose nisma e Vetë Shpëtimtarit” (Dallin H. Oaks, “Taking upon Us the Name of Jesus Christ”, f. 82, 83).

  20. “Per’ndi, At’ i Përjetshëm”, Himne, nr. 101.

  21. Shih Mosia 5; 6; 18; 3 Nefi 19.

  22. Mosia 5:12.

  23. Doktrina e Besëlidhje 20:29.