2018
Zgjidhni Sot
Nëntor 2018


Zgjidhni Sot

Shkalla e lumturisë sonë të përjetshme varet nga sa e zgjedhim Perëndinë e gjallë dhe bashkimin me Të në veprën e Tij.

Personazhi artistik i Meri Popinsit është një dado tipike angleze e cila ka aftësi magjike.1 Ajo vjen duke fluturuar me erën nga lindja që t’i vijë në ndihmë familjes Benks plot telashe, e cila jeton në adresën Cherry Tree Lane, numër 17 në Londrën e fillimit të viteve 1900. Asaj i jepet përgjegjësia që të kujdeset për fëmijët, Xhejnin dhe Majkëllin. Me një mënyrë të rreptë, por dashamirëse, ajo fillon t’u japë mësime të vlefshme në një mënyrë të veçantë magjepse.

Xhejni dhe Majkëlli përparojnë mjaft, por Meri vendos se është koha për të që të largohet. Në shfaqjen skenike, miku oxhakpastrues i Merit, Bërti, përpiqet t’ia ndryshojë mendjen që të mos largohet. Ai argumenton: “Por ata janë fëmijë të mirë, Meri”.

Meri përgjigjet: “A do ta merrja mundimin të shqetësohesha për ta po të mos ishin? Por nuk mund t’i ndihmoj nëse ata nuk më lejojnë t’i ndihmoj dhe nuk ka njeri më të vështirë për ta mësuar sesa fëmija që di gjithçka.”

Bërti pyet: “Prandaj?”

Meri përgjigjet: “Prandaj ata duhet ta bëjnë vetë këtë pjesën që pason”2.

Vëllezër dhe motra, ashtu si Xhejn e Majkëll Benksi, ne jemi “fëmijë të mirë” për të cilët ia vlen të marrësh mundimin që të shqetësohesh. Ati ynë Qiellor dëshiron të na ndihmojë dhe të na bekojë, por ne nuk e lejojmë gjithmonë Atë. Madje nganjëherë ne veprojmë sikur tashmë e dimë gjithçka. Dhe ne gjithashtu kemi nevojë ta bëjmë vetë “pjesën që pason”. Kjo është arsyeja përse erdhëm në tokë nga një shtëpi qiellore e paralindjes. “Pjesa” jonë përfshin bërjen e zgjedhjeve.

Qëllimi i Atit tonë Qiellor si prindi ynë nuk është që t’i bëjë fëmijët e Tij të bëjnë atë që është e drejtë; është që t’i bëjë fëmijët e Tij të zgjedhin të bëjnë atë që është e drejtë dhe më së fundi të bëhen si Ai. Nëse thjesht Ai do të donte që ne të ishim të bindur, Ai do të përdorte shpërblime dhe ndëshkime të menjëhershme për të ndikuar te sjelljet tona.

Por Perëndia nuk ka interes që fëmijët e Tij thjesht të bëhen “kafshë shtëpiake” të ushtruara dhe të bindura, që nuk do t’i shqyejnë pantoflat e Tij në dhomën qiellore të ndenjjes.3 Jo, Perëndia do që fëmijët e Tij të rriten shpirtërisht dhe të bashkohen me Të në punën e familjes.

Perëndia krijoi një plan me anë të të cilit ne mund të bëhemi trashëgimtarë në mbretërinë e Tij, një shteg besëlidhjesh që na çon deri atje sa të bëhemi si Ai, na bën të kemi llojin e jetës që jeton Ai dhe të jetojmë përgjithmonë si familje në praninë e Tij.4 Zgjedhja vetjake ishte – dhe është – jetike për këtë plan, për të cilin mësuam në ekzistencën tonë para lindjes. Ne e pranuam planin dhe zgjodhëm të vinim në tokë.

Për t’u siguruar që do të ushtronim besim dhe do të mësonim ta përdornim siç duhet lirinë tonë të zgjedhjes, një vel harrese u hodh mbi mendjet tona kështu që ne nuk do ta mbanim mend planin e Perëndisë. Pa atë vel, qëllimet e Perëndisë nuk do të arriheshin ngaqë ne nuk do të mund të përparonim dhe të bëheshim trashëgimtarët e besuar që Ai dëshiron që ne të jemi.

Profeti Lehi tha: “Kështu që, Zoti Perëndi e lejoi njeriun që ai të veprojë nga vetja e tij. Prandaj, njeriu nuk do të mund të vepronte nga vetja e tij, po të mos ishte që ai të joshej nga njëri ose tjetri.”5 Në një nivel themelor, njëra mundësi përfaqësohet nga Jezu Krishti, i Parëlinduri i Atit. Mundësia tjetër përfaqësohet nga Satani, Luciferi, i cili dëshiron ta shkatërrojë lirinë e zgjedhjes dhe të uzurpojë fuqi.6

Te Jezu Krishti ne “kemi një avokat te Ati”7. Pasi e kreu flijimin e Tij shlyes, Jezusi “u ngjit në qiell … për t’i kërkuar Atit të drejtat e tij të mëshirës që ai ka mbi fëmijët e njerëzve”. Dhe ngaqë i ka kërkuar të drejtat e mëshirës, “ai [e] përkrah çështjen e fëmijëve të njerëzve”8.

Ndërmjetësimi i Krishtit me Atin në emrin tonë nuk është në kundërshtim me planin. Jezu Krishti, i cili e lejoi vullnetin e Tij të shkrihej me vullnetin e Atit9, nuk do të përkrahte asgjë të ndryshme nga ajo që Ati ka dëshiruar gjatë gjithë kohës. Ati Qiellor pa dyshim brohoret dhe duartroket për sukseset tona.

Ndërmjetësimi i Krishtit është, të paktën pjesërisht, për të na kujtuar se Ai ka paguar për mëkatet tona dhe se askush nuk përjashtohet nga shtrirja e mëshirës së Perëndisë.10 Ata që besojnë te Jezu Krishti, pendohen, pagëzohen dhe durojnë deri në fund – një proces që çon drejt pajtimit11 – Shpëtimtari i fal, i shëron dhe ndërmjetëson për ta. Ai është ndihmuesi, këshilluesi dhe ndërmjetësi – duke vërtetuar dhe garantuar pajtimin tonë me Perëndinë.12

Krejtësisht ndryshe, Luciferi është një paditës ose përndjekës. Gjon Zbuluesi e përshkroi humbjen përfundimtare të Luciferit: “Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: ‘Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij’”. Përse? Sepse u “hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë. Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre.”13

Luciferi është ky paditës. Ai foli kundër nesh në ekzistencën para lindjes dhe vazhdon të na paditë në këtë jetë. Ai kërkon të na tërheqë poshtë. Ai dëshiron që ne të përjetojmë fatkeqësi pa fund. Është ai që na thotë se nuk jemi të përshtatshëm, është ai që na thotë se nuk jemi mjaft të mirë, është ai që na thotë se nuk ka shërim nga një gabim. Ai është kërcënuesi më i madh, është ai që na shkelmon kur jemi të rrëzuar përtokë.

Nëse Luciferi do të ishte duke e mësuar një fëmijë që të ecte dhe fëmija do të pengohej, ai do t’i bërtiste fëmijës, do ta ndëshkonte dhe do t’i thoshte të mos përpiqej më. Mënyrat e Luciferit sjellin shkurajim dhe dëshpërim – përfundimisht dhe përgjithmonë. Ky atë i gënjeshtrave është përçuesi më i madh i gjërave të rreme14 dhe djallëzisht vepron për të na mashtruar dhe për të na e shpërqendruar vëmendjen, “pasi ai kërkon që të gjithë njerëzit të jenë të mjeruar sikurse është ai vetë”15.

Nëse Krishti do të ishte duke e mësuar një fëmijë që të ecte dhe fëmija do të pengohej, Ai do ta ndihmonte fëmijën të ngrihej në këmbë dhe do t’i jepte zemër për të hedhur hapat vijues.16 Krishti është ndihmuesi dhe ngushëlluesi. Mënyrat e Tij sjellin gëzim dhe shpresë – më së fundi dhe përgjithmonë.

Plani i Perëndisë përfshin udhëzime për ne, të cilave shkrimet e shenjta u drejtohen si urdhërime. Këto urdhërime nuk janë as një grumbull i çuditshëm, as një përmbledhje e paarsyeshme rregullash të detyrueshme që kanë si qëllim vetëm të na mësojnë se si të jemi të bindur. Ato lidhen me zhvillimin tonë të tipareve të perëndishmërisë, me kthimin tek Ati ynë Qiellor dhe marrjen e gëzimit të përhershëm. Bindja ndaj urdhërimeve të Tij nuk është e verbër; ne në mënyrë të vetëdijshme e zgjedhim Perëndinë dhe shtegun e Tij drejt shtëpisë. Modeli për ne është i njëjtë sikurse ishte për Adamin dhe Evën, ku “Perëndia u dha atyre urdhërime, pasi u bëri të ditur planin e shëlbimit”17. Edhe pse Perëndia do që ne të jemi në shtegun e besëlidhjeve, Ai na jep dinjitetin që të zgjedhim.

Me të vërtetë, Perëndia dëshiron, pret dhe udhëzon që secili prej fëmijëve të Tij të zgjedhë për veten e vet. Ai nuk do të na detyrojë. Nëpërmjet dhuratës së lirisë së zgjedhjes, Perëndia i lejon fëmijët e Tij të “veprojnë për veten e tyre dhe të mos detyrohen të veprojnë”18. Liria e zgjedhjes na lejon të zgjedhim që të hyjmë në shteg, ose jo. Na lejon të largohemi prej tij, ose jo. Ashtu si nuk mund të na detyrojnë të bindemi, ne nuk mund të na detyrojnë të mos bindemi. Askush, pa bashkëpunimin tonë, nuk mund të na largojë nga shtegu. (Tani, kjo nuk duhet të ngatërrohet me ata njerëz të cilëve u dhunohet liria e zgjedhjes. Ato nuk janë jashtë shtegut; ato janë viktima. Ata e marrin të kuptuarit, dashurinë dhe dhembshurinë e Perëndisë.)

Por, kur largohemi nga shtegu, Perëndia trishtohet ngaqë Ai e di se më së fundi, por pa asnjë përjashtim, kjo çon në lumturi të pakësuar dhe bekime të humbura. Në shkrimet e shenjta largimit nga shtegu i referohemi si mëkat dhe pakësimi i lumturisë që vjen si rrjedhojë, si dhe bekimet e humbura quhen ndëshkim. Në këtë kuptim, nuk është Perëndia që po na ndëshkon; ndëshkimi është pasojë e vetë zgjedhjeve tona, jo e zgjedhjeve të Tij.

Kur zbulojmë se jemi larguar nga shtegu, ne mund të qëndrojmë larg tij ose, për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit, mund të zgjedhim të kthehemi mbrapsht dhe të hyjmë sërish në të. Në shkrimet e shenjta procesit të marrjes së vendimit për të ndryshuar shtegun dhe për t’u kthyer në shteg i referohemi si pendim. Kur nuk arrijmë të pendohemi, kjo do të thotë që ne zgjedhim vetë të mos kualifikohemi për bekimet që Perëndia dëshiron të na i japë. Nëse “nuk [jemi] të gatshëm të gëzo[jmë] atë që mund të [kemi] marrë”, ne do të “kthehe[mi] … në vendin … [tonë], për të gëzuar atë që [jemi] të gatshëm të marri[m]”19 – zgjedhjen tonë, jo zgjedhjen e Perëndisë.

Pavarësisht se sa kohë kemi qenë larg shtegut ose sa larg jemi endur, në çastin kur vendosim të ndryshojmë, Perëndia na ndihmon të kthehemi.20 Sipas këndvështrimit të Perëndisë, nëpërmjet pendimit të sinqertë dhe shkuarjes përpara me vendosmëri në Krisht, pasi të kthehemi në shteg, do të jetë sikur të mos ishim larguar kurrë.21 Shpëtimtari shpaguan për mëkatet tona dhe na çliron nga pakësimi i pashmangshëm i lumturisë dhe bekimeve. Kësaj shkrimet e shenjta i referohen si falje. Pas pagëzimit, të gjithë anëtarët rrëshqasin jashtë shtegut – disa nga ne madje kërcejnë jashtë tij. Si rrjedhim, ushtrimi i besimit te Jezu Krishti, pendimi, marrja e ndihmës prej Tij dhe marrja e faljes nuk janë ngjarje që ndodhin vetëm një herë, por procese gjatë gjithë jetës, procese që janë të përsëritura dhe të ngadalshme. Kjo është mënyra se si “duro[jmë] deri në fund”22.

Ne kemi nevojë të zgjedhim se kujt do t’i shërbejmë.23 Shkalla e lumturisë sonë të përjetshme varet nga nga sa e zgjedhim Perëndinë e gjallë dhe bashkimin me Të në veprën e Tij. Teksa përpiqemi të bëjmë vetë “pjesën që pason”, ne e ushtrojmë përdorimin e lirisë sonë të zgjedhjes siç duhet. Sikurse thanë dy ish‑Presidente të Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, ne nuk duhet të jemi “fëmijë që kanë nevojë për vëmendje dhe korrigjim gjithë kohën”24. Jo, Perëndia dëshiron që ne të bëhemi të rritur të pjekur dhe ta qeverisim veten.

Zgjedhja për ta ndjekur planin e Atit është mënyra e vetme se si mund të bëhemi trashëgimtarë në mbretërinë e Tij; vetëm atëherë Ai mund të na mirëbesojë që madje as të mos e kërkojmë atë që është në kundërshtim me vullnetin e Tij.25 Por na nevojitet të kujtojmë se “nuk ka njeri më të vështirë për ta mësuar sesa fëmija që di gjithçka”. Prandaj na nevojitet të jemi të gatshëm që të mësohemi sipas mënyrave të Zotit nga Zoti dhe shërbëtorët e Tij. Ne mund të mirëbesojmë se jemi fëmijë të dashur të Prindërve Qiellorë26 për të cilët “ia vlen të marrësh mundimin që të shqetësohesh” dhe mund të jemi të sigurt se të jemi “vetëm”, nuk do të thotë kurrë “të vetmuar”.

Siç tha Profeti Jakob i Librit të Mormonit, unë them me të:

“Kështu që, gëzoni zemrat tuaja dhe kujtoni se ju jeni të lirë të veproni nga vetja juaj – të zgjidhni udhën e vdekjes së pafundme, ose udhën e jetës së përjetshme.

Kështu që, vëllezërit [dhe motrat] e mi[a] të dashur[a], pajtohuni me vullnetin e Perëndisë dhe jo me vullnetin e djallit … ; dhe kujtoni, se pasi të pajtoheni me Perëndinë, është vetëm dhe nëpërmjet hirit të Perëndisë që ju shpëtoni.”27

Prandaj zgjidhni besim te Krishti; zgjidhni pendim; zgjidhni të pagëzoheni dhe të merrni Frymën e Shenjtë; zgjidhni të përgatiteni në mënyrë të vetëdijshme për sakramentin dhe ta merrni atë me denjësi; zgjidhni të bëni besëlidhje në tempull; dhe zgjidhni t’u shërbeni Perëndisë së gjallë dhe fëmijëve të Tij. Zgjedhjet tona përcaktojnë se kush jemi dhe se kush do të bëhemi.

E përfundoj me pjesën tjetër të bekimit të Jakobit: “Kështu që, le t’ju ngrejë Perëndia nga … vdekja e pafundme nëpërmjet fuqisë së shlyerjes, që ju të mund të pranoheni në mbretërinë e përjetshme të Perëndisë”28. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.