Mbledhjet e të Dielës së Katërt (Tetor–Dhjetor 2018)
Studimi Vetjak dhe Familjar i Shkrimeve të Shenjta
Të dielën e katërt gjatë vitit 2018, kuorumet e pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës do të diskutojnë studimin vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta. Udhëheqësit/et ose mësuesit/et mund të zgjedhin të udhëheqin diskutime për cilindo prej parimeve vijuese.
Studimi Vetjak i Shkrimeve të Shenjta
Për t’i ndihmuar anëtarët/et që të frymëzohen për t’i studiuar rregullisht shkrimet e shenjta, merreni parasysh ta ftoni çdo anëtar/e që të përzgjedhë për ta lexuar njërin prej fragmenteve vijuese: Jozueut 1:8; 2 Timoteut 3:15–17; 1 Nefi 15:23–25; 2 Nefi 32:3; Doktrina e Besëlidhje 11:22–23; 33:16–18. Pasi të kenë pasur kohë që të lexojnë e përsiatin, mund t’i tregojnë dikujt tjetër në dhomë se çfarë u mëson fragmenti i tyre rreth studimit të shkrimeve të shenjta.
Gjithashtu mund t’i ftoni anëtarët/et të japin dëshmitë e tyre për bekimet që marrin kur i studiojnë shkrimet e shenjta. Anëtarët/et gjithashtu mund të përfitojnë kur dëgjojnë njëri‑tjetrin duke treguar atë që bëjnë për ta bërë domethënës studimin vetjak të shkrimeve të shenjta (shih disa shembuj tek “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” në materialin burimor Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ju gjithashtu mund t’u tregoni anëtarëve atë që dha mësim Plaku Kuentin L. Kuk për “qëllimet dhe bekimet e lidhura me [përshtatjet në programin mësimor të së dielës] dhe ndryshime të tjera të kohëve të fundit” (shih “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, Liahona, nëntor 2018). Anëtarët/et mund të diskutojnë se si përpjekjet tona për ta përmirësuar studimin tonë të shkrimeve të shenjta mund të ndihmojnë për t’i përmbushur këto qëllime. Videot vijuese te LDS.org gjithashtu mund t’i frymëzojnë anëtarët: “Words with Friends” [“Fjalë me Miqtë”], “The Blessings of Scripture” [“Bekimet e Shkrimit të Shenjtë”], “Daily Bread: Pattern” [“Buka e Përditshme: Modeli”] dhe “What Scriptures Mean to Me” [“Çfarë Domethënieje Kanë Shkrimet e Shenjta për Mua”].
Vazhdueshmëria në Studimin e Ungjillit
Plaku Dejvid A. Bednar e krahasoi studimin e vazhdueshëm familjar të shkrimeve të shenjta dhe zakone të tjera të drejta me gjurmët e vogla të penelit të cilat krijojnë një pikturë të bukur. Për t’i ndihmuar anëtarët ta kuptojnë atë që dha mësim Plaku Bednar, ndoshta ju mund të paraqitni një pikturë në të cilën janë të dukshme gjurmët e penelit të artistit. Anëtarët/et më pas mund të lexojnë analogjinë e Plakut Bednar, që gjendet te biseda “Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi” (Liahona, nëntor 2009, f. 19–20), dhe të diskutojnë se si gjurmët e penelit në këtë pikturë janë të ngjashme me studimin e shkrimeve të shenjta. Çfarë na ka ndihmuar t’i kapërcejmë pengesat për studimin e vazhdueshëm të ungjillit, nëse po studiojmë qoftë si individë apo me familjet tona? Çfarë u premtoi Presidenti Rasëll M. Nelson atyre që “puno[jnë] me zell për ta shndërruar shtëpinë [e tyre] në një qendër të të mësuarit të ungjillit”? (Shih “Të Bëhemi Shenjtorë Shembullorë të Ditëve të Mëvonshme”, Liahona, nëntor 2018). Jepuni kohë anëtarëve/eve që të përsiatin dhe tregojnë atë që frymëzohen të bëjnë për shkak të asaj që mësuan sot.
Diskutimet e Ungjillit në Shtëpi dhe në Kishë
Një mënyrë se si t’i ndihmoni anëtarët/et që ta kuptojnë rëndësinë e diskutimeve për temat nga ungjilli në shtëpi dhe kishë, mund të jetë t’i ftoni një fëmijë dhe një prind të këndojnë “Mësom’ të Eci në Drit’” (Himne, nr. 199). Çfarë na mëson rreth të mësuarit të ungjillit ndërveprimi midis fëmijës dhe prindit në fjalët e kësaj kënge? Ndoshta disa anëtarë/e do të jenë të gatshëm/e të shprehin mendimet e tyre për mënyrën se si t’i bëjnë diskutimet e ungjillit një pjesë të natyrshme dhe të rregullt të jetës familjare. Shkrimet e shenjta vijuese mund të japin ide: Ligji i Përtërirë 11:18–20; 1 Pjetër 3:15; Mosia 18:9; Moroni 6:4–5, 9; Doktrina e Besëlidhje 88:122. Si mund të na sjellin më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit diskutimet tona në shtëpi dhe në kishë?