Roli i Librit të Mormonit në Kthimin në Besim
Ne po e mbledhim Izraelin për herë të fundit dhe po e bëjmë këtë me Librin e Mormonit, një nga mjetet më të fuqishme për kthimin në besim.
Shumë njerëz sot e pyetin veten rreth realitetit të Perëndisë dhe marrëdhënies tonë me Të. Shumë njerëz dinë pak ose aspak rreth planit të Tij të madh të lumturisë. Më shumë se 30 vjet më parë, Presidenti Ezra Taft Benson vërejti se “shumica e botës … sot e hedh poshtë hyjnueshmërinë e Shpëtimtarit. Ata e vënë në pikëpyetje lindjen e Tij të mrekullueshme, jetën e Tij të përsosur dhe vërtetësinë e Ringjalljes së Tij të lavdishme.”1
Në kohën tonë, pyetjet përqendrohen jo vetëm te Shpëtimtari ynë, por edhe te Kisha e Tij – Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme – të cilën Ai e rivendosi nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Këto pyetje shpesh përqendrohen te historia, mësimet ose praktikat e Kishës së Shpëtimtarit.
Libri i Mormonit na Ndihmon të Rritemi në Dëshmi
Nga manuali Predikoni Ungjillin Tim ne lexojmë: “Mbani mend se të kuptuarit tonë [për Atin Qiellor dhe planin e Tij të lumturisë] vjen nga profetët modernë – Jozef Smithi dhe pasuesit e tij – që marrin zbulesë të drejtpërdrejtë nga Perëndia. Kështu që, pyetja e parë që duhet t’i përgjigjet një kërkues është a ishte Jozef Smithi një profet dhe ai ose ajo mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje duke lexuar dhe duke u lutur rreth Librit të Mormonit.”2
Dëshmia ime për thirrjen hyjnore të Profetit Jozef Smith është forcuar duke e studiuar plot lutje Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit. Unë kam vepruar sipas ftesës së Moronit për ta “pye[tur] Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit”, që të di për vërtetësinë e Librit të Mormonit.3 Unë jap dëshmi se e di që ai është i vërtetë. Ajo njohuri më ka ardhur, ashtu siç mund t’ju vijë edhe ju, “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”4.
Në parathënien e Librit të Mormonit shpallet: “Ata që marrin këtë dëshmi hyjnore [për Librin e Mormonit] nga Shpirti i Shenjtë, do të mësojnë gjithashtu, nga e njëjta fuqi, se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës, se Joseph Smithi është zbuluesi dhe profeti i tij në këto ditë të fundit dhe se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Zotit e ngritur sërish mbi tokë, për të përgatitur për ardhjen e dytë të Mesias”5.
Kur shkova në Kili si misionar i ri në moshë, mora një mësim që të ndryshon jetën rreth fuqisë që ka Libri i Mormonit për të kthyer në besim. Zoti Gonzales shërbeu në një pozitë të nderuar në kishën e tij për shumë vjet. Ai kishte përgatitje të gjerë fetare, përfshirë edhe një diplomë në teologji. Ishte mjaft krenar për njohuritë e tij të veçanta biblike. Për ne ishte e dukshme që ai ishte një studiues feje.
Ai ishte mjaft i informuar rreth misionarëve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, gjatë kohës që ata vazhdonin punën e tyre misionare në qytetin e tij të lindjes në Limë të Perusë. Ai gjithmonë kishte dashur t’i takonte ata që të mund t’u jepte leksione rreth Biblës.
Thuajse si një dhuratë nga qielli, kështu mendoi ai, një ditë dy misionarë e ndaluan atë në rrugë dhe e pyetën a mund të shkonin në shtëpinë e tij dhe të flisnin rreth shkrimeve të shenjta me të. Ëndrra e tij u realizua! Lutjet e tij kishin marrë përgjigje. Më në fund, ai mund t’i sillte në rrugë të drejtë këta djelmosha që ishin në rrugë të gabuar. U tha atyre se do të kënaqej po t’i vinin në shtëpinë e tij dhe të diskutonin për shkrimet e shenjta.
Mezi e priti takimin. Ai ishte i gatshëm të përdorte Biblën për t’i përgënjeshtruar bindjet e tyre. Ai ishte i bindur se Bibla do t’i nxirrte sheshit dhe qartazi gabimet gjatë mësimdhënies së tyre. Takimi i asaj mbrëmjeje erdhi dhe misionarët i trokitën në derë. Mezi po përmbahej. Më në fund i kishte ardhur dita.
Ai e hapi derën dhe i ftoi misionarët në shtëpi. Një nga misionarët i dorëzoi një libër blu dhe shprehu një dëshmi të sinqertë se ai e dinte që libri përmbante fjalën e Perëndisë. Misionari i dytë shtoi dëshminë e tij të fuqishme për librin, duke dëshmuar se ai ishte përkthyer nga një profet bashkëkohor i Perëndisë, i cili quhej Jozef Smith dhe se libri të mësonte rreth Krishtit. Misionarët morën leje për t’u ngritur dhe u larguan nga shtëpia.
Zoti Gonzales u zhgënjye jashtë mase. Por ai e hapi librin dhe filloi t’i shfletonte faqet. Lexoi faqen e parë. Lexoi faqe për faqe dhe nuk ndaloi deri pasditen e vonë të së nesërmes. E lexoi të gjithë librin dhe e dinte se ishte i vërtetë. Ai e dinte se ç’duhej të bënte. U telefonoi misionarëve, mori mësimet dhe hoqi dorë nga jeta që njihte, për t’u bërë një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Ai njeri i mirë ishte mësuesi im në QTM të Provos në Juta. Historia e kthimit në besim të vëllait Gonzales dhe fuqia e Librit të Mormonit më lanë shumë mbresa.
Kur mbërrita në Kili, presidenti im i misionit, Presidenti Rojden J. Glejd, na ftoi që ta lexonim çdo javë dëshminë e Profetit Jozef Smith të shënuar te Joseph Smith – Historia. Ai na mësoi se një dëshmi për Vegimin e Parë do të kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me vetë dëshminë tonë për ungjillin dhe dëshminë tonë për Librin e Mormonit.
E mora seriozisht ftesën e tij. I kam lexuar rrëfimet për Vegimin e Parë; e kam lexuar Librin e Mormonit. Jam lutur siç na udhëzon Moroni dhe e kam pyetur “Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit”6 a është i vërtetë Libri i Mormonit. Jap dëshmi sot se e di që Libri i Mormonit, siç tha Profeti Jozef Smith, është “më i sakti nga ndonjë libër mbi tokë dhe gurthemeli i besimit tonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se nga ndonjë libër tjetër”7. Profeti Jozef shpalli gjithashtu: “Hiqni Librin e Mormonit e zbulesat dhe ku është besimi ynë? Ne nuk kemi asgjë.”8
Kthimi Vetjak në Besim
Kur e kuptojmë më mirë se kush jemi dhe qëllimet e Librit të Mormonit, kthimi ynë në besim thellohet dhe bëhet më i sigurt. Ne forcohemi në zotimin tonë për t’i mbajtur besëlidhjet që kemi bërë me Perëndinë.
Një qëllim themelor i Librit të Mormonit është që të mbledhë Izraelin e shpërndarë. Kjo mbledhje u jep të gjithë fëmijëve të Perëndisë mundësinë për të hyrë në shtegun e besëlidhjes dhe, duke i respektuar ato besëlidhje, të kthehemi sërish në praninë e Atit. Teksa japim mësim për pendimin dhe i pagëzojmë të kthyerit në besim, ne e mbledhim Izraelin e shpërndarë.
Në Librin e Mormonit shtëpia e Izraelit përmendet 108 herë. Në fillim të Librit të Mormonit, Nefi dha mësim: “Sepse i gjithë qëllimi im është që të mund të bind njerëzit, që të vijnë te Perëndia i Abrahamit, dhe te Perëndia i Isakut, dhe te Perëndia i Jakobit, dhe të shpëtohen”9. Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit është Jezu Krishti, Perëndia i Dhiatës së Vjetër. Ne shpëtohemi kur vijmë te Krishti nëpërmjet të jetuarit e ungjillit të Tij.
Më pas, Nefi shkroi:
“Po, madje ati im foli shumë në lidhje me Johebrenjtë dhe gjithashtu në lidhje me shtëpinë e Izraelit dhe se ata duhet të krahasoheshin me një pemë ulliri, degët e së cilës do të thyheshin dhe do të përhapeshin në të gjithë faqen e dheut. …
Dhe pasi shtëpia e Izraelit të shpërndahet, ata duhet të mblidhen tok përsëri; ose në fund, pasi Johebrenjtë të kenë pranuar plotësinë e Ungjillit, degët natyrale të pemës së ullirit ose të mbeturit e shtëpisë së Izraelit, duhet të shartohen në të, ose të vijnë në njohurinë e Mesias së vërtetë, Zotit të tyre dhe Shëlbuesit të tyre.”10
Në mënyrë të ngjashme, në fund të Librit të Mormonit, profeti Moroni na kujton për besëlidhjet tona duke thënë: “Që të mos hutohesh më, që besëlidhjet e Atit të Amshuar që bëri me ty, O shtëpi e Izraelit, të mund të plotësohen”11.
Besëlidhjet e Atit të Amshuar
Çfarë “besëlidhje[sh të] Atit të Amshuar” përmendi Moroni? Ne lexojmë te libri i Abrahamit:
“Unë quhem Jehova dhe e njoh mbarimin që nga fillimi; si rrjedhim dora ime do të jetë mbi ty.
Dhe unë do të bëj prej teje një komb të madhërishëm dhe do të të bekoj jashtë mase, dhe do ta bëj emrin tënd të madh mes gjithë kombeve, dhe ti do të jesh një bekim për farën tënde pas teje, që në duart e tyre ata do ta mbajnë këtë shërbesë dhe Priftëri për të gjitha kombet.”12
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim në një transmetim mbarëbotëror kohët e fundit se, “këto me siguri janë ditët e mëvonshme dhe Zoti po e përshpejton punën e Tij që Izraeli të mblidhet. Ajo mbledhje është gjëja më e rëndësishme që po ndodh në tokë sot. Asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga rëndësia, asgjë tjetër nuk krahasohet për nga madhështia. Dhe nëse e zgjidhni, nëse e dëshironi, ju mund të jeni një pjesë e madhe e saj. Mund të jeni një pjesë e madhe e diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore!
Kur flasim për mbledhjen, po themi thjesht këtë të vërtetë themelore: çdonjëri nga fëmijët e Atit tonë Qiellor, në të dyja anët e velit e meriton ta dëgjojë mesazhin e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Ata e vendosin vetë a dëshirojnë të dinë më shumë.”13
Kjo është ajo që po bëjmë si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme: po përpiqemi t’i sjellim botës një kuptueshmëri për ungjillin e Jezu Krishtit dhe kthim në besim tek ai. Ne jemi “mbledhësit e ditëve të mëvonshme”14. Misioni ynë është i qartë. Vëllezër dhe motra, le të na njohin si ata që e kanë marrë seriozisht premtimin e Moronit, si ata që janë lutur dhe kanë marrë përgjigje për të ditur se Libri i Mormonit është i vërtetë dhe më pas e kanë shprehur me fjalë atë njohuri me të tjerët dhe më e rëndësishmja, me vepra.
Roli i Libri të Mormonit në Kthimin në Besim
Libri i Mormonit përmban plotësinë e ungjillit të Jezu Krishtit15. Ai na udhëheq drejt besëlidhjeve të Atit, të cilat nëse i mbajmë, do të na sigurojë dhuratën e Tij më të madhe – jetën e përjetshme16. Libri i Mormonit është gurthemeli i kthimit në besim të të gjithë bijve dhe bijave të Atit Qiellor.
Duke e cituar sërish Presidentin Nelson: “Teksa … [e] lexoni përditë Librin e Mormonit, do të mësoni doktrinën e mbledhjes, të vërteta rreth Jezu Krishtit, Shlyerjes së Tij dhe plotësinë e ungjillit të Tij që nuk gjendet në Bibël. Libri i Mormonit është qendror për mbledhjen e Izraelit. Në fakt, nëse nuk do të kishte Libër të Mormonit, mbledhja e premtuar e Izraelit nuk do të ndodhte.”17
Më lejoni ta mbyll me fjalët e Shpëtimtarit teksa u mësonte nefitëve për bekimet e premtuara: “Jeni fëmijët e profetëve; dhe jeni nga shtëpia e Izraelit dhe jeni nga besëlidhja që Ati bëri me etërit tuaj, duke i thënë Abrahamit: Dhe në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës”18.
Unë dëshmoj se jemi bij dhe bija të Perëndisë, fara e Abrahamit, shtëpia e Izraelit. Ne po e mbledhim Izraelin për herë të fundit dhe po e bëjmë këtë me Librin e Mormonit – një libër që, i ndërthurur me Shpirtin e Zotit, është mjeti më i fuqishëm për kthimin në besim. Ne udhëhiqemi nga profeti i Perëndisë, Presidenti Rasëll M Nelson, i cili po e drejton mbledhjen e Izraelit në kohën tonë. Libri i Mormonit është i vërtetë. Ai më ka ndryshuar jetën. Unë ju premtoj, siç ka bërë Moroni dhe shumë profetë përmes epokave, që ai mund ta ndryshojë jetën tuaj.19 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.