2018
Kujdestaria si Një Bari për Shpirtrat
Nëntor 2018


Kujdestaria si një Bari për Shpirtrat

Ne u shkojmë të tjerëve në ndihmë, sepse kjo është ajo që na urdhëroi Shpëtimtari të bëjmë.

Në një bashkëbisedim të kohëve të fundit me një shok timin, ai më tha se kur ishte i vogël, anëtar i sapopagëzuar i Kishës, ai papritur u ndje sikur nuk i përkiste më lagjes së tij. Misionarët që i kishin dhënë mësimet, ishin transferuar larg dhe ai u ndje sikur ishte i papërfillur. Pa miq në lagje, ai gjeti miqtë e tij të vjetër dhe u përfshi me ta në veprimtari që e larguan nga pjesëmarrja në kishë – aq shumë sa filloi të dilte nga grigja. Me lot në sy, ai përshkroi se sa thellësisht mirënjohës qe kur një bashkanëtar i lagjes i zgjati një dorë shërbestare dhe, në një mënyrë të ngrohtë dhe përfshirëse, e ftoi të rikthehej. Brenda disa muajve ai u kthye në sigurinë e grigjës, duke forcuar njerëz të tjerë dhe veten. A nuk jemi mirënjohës për bariun në Brazil i cili shkoi për ta kërkuar të riun, Plakun Karlos A. Godoi, i cili tani është ulur prapa meje si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve?

A nuk është mbresëlënëse mënyra se si përpjekje të tilla të vogla mund të kenë pasoja të përjetshme? Kjo e vërtetë është në thelbin e përpjekjeve shërbestare të Kishës. Ati Qiellor mund t’i marrë përpjekjet tona të thjeshta, të përditshme dhe t’i kthejë ato në diçka mrekullibërëse. Kanë kaluar vetëm gjashtë muaj qëkur Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi se “Zoti ka bërë përshtatje të rëndësishme në mënyrën se si përkujdesemi për njëri-tjetrin”1, duke shpjeguar: “Do të vëmë në zbatim një qasje më të re, më të shenjtë ndaj përkujdesjes e dhënies së shërbesës për të tjerët. Këtyre përpjekjeve do t’iu referohemi thjesht si ‘dhënia e shërbesës’.”2

Presidenti Nelson shpjegoi gjithashtu: “Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre. Ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai. Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.”3

Që nga [ai] lajmërim, reagimi juaj ka qenë i pabesueshëm! Kemi marrë raportime për sukses të madh në vënien në zbatim të këtyre ndryshimeve pothuajse në çdo kunj në botë, sikurse u udhëzua nga profeti ynë i gjallë. Për shembull, familjeve u janë caktuar vëllezër dhe motra shërbestare, janë organizuar dyshe shoqëruese – përfshirë të rinjtë e të rejat – dhe po ndodhin intervista për dhënien e shërbesës.

Nuk mendoj se është një rastësi që gjashtë muaj para shpalljes së djeshme zbuluese – “një baraspeshë [të] re mes udhëzimit për ungjillin në shtëpi dhe atij në kishë”4 – u dha shpallja zbuluese mbi dhënien e shërbesës. Duke filluar nga janari, ndërsa shpenzojmë një orë më pak në adhurimin në kishë, e gjitha ajo që kemi mësuar gjatë dhënies së shërbesës do të na ndihmojë ta baraspeshojmë sërish atë boshllëk me një përvojë më të lartë dhe më të shenjtë Shabati të përqendruar në shtëpi, me familjen dhe me njerëzit tanë të dashur.

Me këto strukturime organizative që po vihen në funksionim, ne mund të pyetim: “Nga e dimë se po japim shërbesë sipas mënyrës së Zotit? A po i vijmë në ndihmë Bariut të Mirë sipas mënyrës që Ai ka për qëllim?”

Në një diskutim kohët e fundit, Presidenti Henri B. Ajring i lëvdoi shenjtorët që iu përshtatën këtyre ndryshimeve të dukshme, por shprehu edhe shpresën e tij të sinqertë që anëtarët do ta dallojnë se dhënia e shërbesës është më shumë sesa “thjesht të qenit i sjellshëm”. Kjo nuk do të thotë se të qenit i sjellshëm është e parëndësishme, por ata që e kuptojnë frymën e vërtetë të dhënies së shërbesës, e kuptojnë se kjo shkon shumë më larg sesa thjesht të qenit i sjellshëm. Kur bëhet sipas mënyrës së Zotit, dhënia e shërbesës mund të ketë një ndikim të gjerë veprimi për mirë që shtrihet gjatë gjithë përjetësisë, sikurse ka ndodhur me Plakun Godoi.

“Shpëtimtari tregoi me anë të shembullit çfarë do të thotë të japësh shërbesë, teksa Ai shërbeu nga dashuria … Ai … dha mësim, u lut për njerëzit përreth Tij, i ngushëlloi dhe i bekoi ata, duke i ftuar të gjithë ta ndiqnin Atë. … Kur anëtarët e Kishës japin shërbesë [në një mënyrë më të lartë e të shenjtë], ata plot lutje kërkojnë të shërbejnë sikurse shërbeu Ai – … ‘të vëzhgoj[në] mbi kishën gjithmonë dhe të je[në] me ta e t’i forcoj[në] ata’, ‘të vizitoj[në] shtëpinë e çdo anëtari’ dhe ta ndihmojnë çdo anëtar që të bëhet dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.”5

Ne e kuptojmë se një bari i vërtetë i do delet e tij, e njeh secilën me emër dhe “interesohet personalisht” për to.6

Dele në male

Miku im i vjetër e kaloi jetën si pronar ferme, duke bërë punën e rëndë të rritjes së bagëtisë dhe deleve në Malet e thepisura Shkëmbore. Ai një herë më tregoi për sfidat dhe rreziqet që lidhen me rritjen e deleve. Ai më përshkroi se në fillim të pranverës, kur bora kishte shkrirë më së shumti mbi hapësirën e gjerë malore, ai e vendoste kopenë e familjes prej përafërsisht 2000 delesh në male për periudhën e verës. Atje, ai i vëzhgonte delet deri në fund të vjeshtës, kur lëviznin nga kullota e verës në një kullotë dimërore në shkretëtirë. Ai e përshkroi sa e vështirë qe përkujdesja për një grigjë të madhe delesh, që i kërkonte zgjim herët dhe fjetje natën vonë – duke u zgjuar mjaft kohë para lindjes së diellit dhe duke e mbaruar punën shumë kohë pasi errësohej. Ai nuk mundej kurrsesi t’ia dilte i vetëm.

Punëtorë ferme me delet

Njerëz të tjerë e ndihmonin të kujdesej për grigjën, përfshirë një larmi punëtorësh ferme me përvojë që ndihmoheshin nga punëtorë më të rinj në moshë të cilët përfitonin nga urtësia e shokëve të tyre të punës. Ai gjithashtu mbështetej te dy kuaj të vjetër, dy mëza në stërvitje e sipër, dy qen të vjetër stani dhe dy ose tre këlyshë të qenve të stanit. Gjatë verës, miku im dhe delet e tij përballeshin me erë dhe furtunë, sëmundje, dëmtime, thatësirë dhe pothuajse çdo vështirësi tjetër që mund të përfytyrohet nga dikush. Disa vjet atyre iu desh të bartnin ujë gjithë verën vetëm për t’i mbajtur gjallë delet. Më pas, çdo vit në fund të vjeshtës, kur moti dimëror bëhej kërcënues dhe i zbritnin nga mali e i numëronin delet, zakonisht kishin humbur më shumë se 200.

Dele duke kullotur
Tufë delesh

Tufa prej 2000 delesh kur vendosej nëpër male në fillim të pranverës zvogëlohej në më pak se 1800. Shumica e deleve që mungonin nuk u humbën prej sëmundjes ose vdekjes natyrale, por prej grabitqarëve të tillë si macet e egra ose ujqërit e stepave të Amerikës. Këta grabitqarë zakonisht i gjenin qengjat që ishin endur larg nga siguria e grigjës, duke u larguar nga mbrojtja e bariut të tyre. A mund ta merrni parasysh për një çast këtë që sapo përshkrova në një kontekst shpirtëror? Kush është bariu? Kush është grigja? Cilët janë ata që i vijnë në ndihmë bariut?

Bariu i Mirë

Vetë Zoti Jezu Krisht tha: “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe … lë jetën time për delet”7.

Jezusi duke i ushqyer delet e Tij

Profeti Nefi po ashtu dha mësim se Jezusi “do [t’i] ushqejë delet e tij dhe në të ato do të gjejnë kullotë”8. Unë gjej paqe të qëndrueshme te dijenia se “Zoti është bariu im9 dhe se Ai e njeh dhe e ka nën kujdesin e Tij secilin prej nesh. Kur përballemi me erë dhe furtunë, sëmundje, dëmtime e thatësirë në jetë, Zoti – Bariu ynë – do të na japë shërbesë. Ai do t’i rimëkëmbë shpirtrat tanë.

Në të njëjtën mënyrë si u kujdes miku im për delet e tij me ndihmën e punëtorëve të rinj e të moshuar të fermës, të kuajve e të qenve të stanit, edhe Zoti kërkon ndihmë për punën sfiduese të përkujdesjes për delet në grigjën e Tij.

Jezu Krishti duke dhënë shërbesë

Si fëmijë të një Ati të dashur Qiellor dhe si dele në grigjën e Tij, ne gëzojmë bekimin e marrjes së shërbesës individuale nga Jezu Krishti. Në të njëjtën kohë, kemi përgjegjësi për t’u siguruar ndihmë me anë të shërbesës njerëzve të tjerë përreth nesh duke qenë vetë barinj. Ne ua vëmë veshin fjalëve të Zotit: “Do të më shërbesh dhe do të shkosh në emrin tim dhe do të mbledhësh tok delet e mia”10.

Kush është bari? Çdo burrë, grua dhe fëmijë në mbretërinë e Perëndisë është bari. Nuk kërkohet asnjë thirrje për këtë. Nga çasti kur dalim nga ujërat e pagëzimit, ne jemi të ngarkuar me këtë punë. Ne u shkojmë të tjerëve në ndihmë, sepse kjo është ajo që na urdhëroi Shpëtimtari të bëjmë. Alma theksoi: “Pasi, ç’bari … që ka shumë dele … nuk kujdeset për to, që ujqit të mos hyjnë dhe të përpijnë grigjën e tij? … A nuk [i] dëbon ai at[a]?”11 Sa herë që fqinjët tanë kanë shqetësime materiale ose shpirtërore, ne vrapojmë për t’i ndihmuar. Ne mbajmë barrët e njëri‑tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta. Vajtojmë me ata që vajtojnë. I ngushëllojmë ata që kanë nevojë për ngushëllim.12 Zoti plot dashuri, e pret këtë prej nesh. Dhe do të vijë dita kur do të mbajmë përgjegjësi për kujdesin që tregojmë në dhënien e shërbesës për grigjën e Tij.13

Miku im bari tregoi një element tjetër të rëndësishëm në vrojtimin ruajtës të deleve në kullotë. Ai përshkroi se delet e humbura qenë veçanërisht të cenueshme nga rreziqet e grabitqarëve. Në fakt, deri në 15 përqind e gjithë kohës së tij dhe të skuadrës së tij i përkushtohej gjetjes së deleve të humbura. Sa më shpejt t’i gjenin delet e humbura, përpara se delet të endeshin tepër larg grigjës, aq më pak gjasë kishte që delet të dëmtoheshin. Shpëtimi i deleve të humbura kërkonte shumë durim dhe disiplinë.

Disa vjet më parë, gjeta një artikull në një gazetë vendore që ma zgjoi aq shumë kureshtjen, sa e ruajta. Titulli kryesor i faqes së parë thoshte: “Një Qen i Vendosur Nuk Pranon t’i Braktisë Delet e Humbura”14. Ky artikull përshkruan një numër të vogël delesh që i përkitnin një ferme jo larg pronës së mikut tim, që ishin lënë disi prapa në kullotën verore. Dy ose tre muaj më vonë, ato ngecën nëpër shkëmbinj dhe u bllokuan nga dëbora e maleve. Kur delet mbetën prapa, qeni i stanit qëndroi me to, sepse ishte detyra e tij që të kujdesej për delet e t’i mbronte ato. Ai nuk donte të ndalonte së bëri rojë! Ai qëndroi atje – duke u vërtitur përqark deleve të humbura për disa muaj në motin e ftohtë dhe me dëborë, duke shërbyer si mbrojtje kundër ujqërve, maceve të egra ose çdo grabitqari tjetër që do t’i dëmtonte delet. Ai qëndroi atje derisa qe në gjendje t’i udhëhiqte ose mblidhte përsëri tok delet drejt sigurisë së bariut dhe të grigjës. Pamja e kapur në faqen e parë të këtij artikulli bën të mundur që çdokush të shohë forcë karakteri në sytë dhe sjelljen e këtij qeni stani.

Forcë karakteri në sytë dhe sjelljen e një qeni stani

Në Dhiatën e Re ne gjejmë një shëmbëlltyrë dhe udhëzim nga Shpëtimtari që japin këndvështrim të mëtejshëm lidhur me përgjegjësinë tonë si barinj, motra e vëllezër shërbestarë, të deleve të humbura:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: ‘Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur’.”15

Teksa e përmbledhin mësimin që morëm në shëmbëlltyrë, ne gjejmë këtë këshillë të vlefshme:

  1. Ne duhet t’i identifikojmë delet e humbura.

  2. I kërkojmë ato derisa t’i kemi gjetur.

  3. Kur i gjejmë, mund të na duhet t’i marrim mbi supe për t’i sjellë në shtëpi.

  4. I rrethojmë ato me miq pas kthimit të tyre.

Vëllezër dhe motra, sfidat tona më të mëdha dhe shpërblimet tona më të mëdha mund të vijnë teksa u japim shërbesë deleve të humbura. Anëtarët e Kishës në Librin e Mormonit “u kujdesën për njerëzit e tyre dhe i ushqyen me gjëra që kishin të bënin me drejtësinë”16. Ne mund ta ndjekim shembullin e tyre dhe ta mbajmë mend që dhënia e shërbesës duhet të “udhëhiqet nëpërmjet Shpirtit, … [të jetë] e ndryshueshme dhe [të] përshtatet sipas nevojave të secilit anëtar”. Është gjithashtu thelbësore që ne të “përpiqe[mi] t’i ndihmoj[m]ë individët dhe familjet që të përgatiten për ordinancën e tyre të ardhshme, që t’i mbajnë besëlidhjet [e tyre] dhe që të bëhen të mbështetur te vetja”17.

Çdo shpirt është i çmuar për Atin tonë Qiellor. Ftesa e Tij vetjake për të dhënë shërbesë është me vlerë dhe rëndësi të skajshme për Të, pasi kjo është vepra dhe lavdia e Tij. Është me plot kuptimin e fjalës vepra e përjetësisë. Secili prej fëmijëve të Tij ka një potencial të pallogaritshëm në sytë e Tij. Ai ju do me një dashuri që ju nuk mundeni as të filloni ta kuptoni. Njësoj si qeni i përkushtuar i stanit, Zoti do të qëndrojë në mal për t’ju mbrojtur gjatës erës, furtunave, dëborës dhe më shumë se kaq.

Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi në konferencën e fundit: “Mesazhi ynë drejtuar botës [dhe më lejoni të shtoj ‘drejtuar grigjës sonë shërbestare’] është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme”18.

E ngritshim vështrimin tonë në lartësinë e këtij vegimi profetik që të mund t’u prijmë udhën si barinj shpirtrave drejt tempullit dhe përfundimisht te Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti! Ai nuk pret që ne të bëjmë mrekulli. Ai kërkon vetëm që ne t’i sjellim vëllezërit dhe motrat tona tek Ai, sepse Ai e ka fuqinë për t’i shëlbuar shpirtrat. Teksa e bëjmë këtë, ne mundemi dhe do ta sigurojmë këtë premtim: “Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket”19. Për këtë unë dëshmoj – dhe për Jezu Krishtin si Shpëtimtarin dhe Shëlbuesin tonë – në emrin e Jezu Krishtit, amen.