2018
Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht
Nëntor 2018


Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht

Qëllimi ynë është t’i baraspeshojmë përvojat në Kishë dhe në shtëpi në një mënyrë që do ta rritë shumë besimin e shpirtshmërinë dhe do ta thellojë kthimin në besim.

Siç e ka paraqitur bukur dhe qartë Presidenti Rasëll M. Nelson, udhëheqësit e Kishës për një kohë të gjatë kanë qenë duke punuar për “një plan të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha për ta mësuar doktrinën, forcuar besimin dhe nxitur një adhurim vetjak më të madh”. Presidenti Nelson më pas shpalli një përshtatje për të arritur “një baraspeshë dhe një lidhje të re mes udhëzimit për ungjillin në shtëpi dhe atij në Kishë”1.

Për t’i arritur këto qëllime – të përshkruara nga Presidenti Rasëll M. Nelson dhe nën drejtimin e tij, dhe në pajtim me vendimin e Këshillit të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve – orari i mbledhjeve të së dielës do të përshtatet në mënyrat vijuese, duke filluar në janar 2019.

Orari i Mbledhjeve të së Dielës

Mbledhjet e Kishës të dielën do të përbëhen çdo të diel nga një mbledhje sakramenti 60-minutëshe, e përqendruar te Shpëtimtari, tek ordinanca e sakramentit dhe mesazhe shpirtërore. Pas kohës për kalimin nëpër klasa, anëtarët e Kishës do të frekuentojnë një orë mësimore 50-minutëshe që do të alternohet me radhë çdo të diel:

  • Shkolla e së Dielës do të mbahet në të dielat e para dhe të treta të muajit.

  • Mbledhjet e kuorumeve të Priftërisë, të Shoqatës së Ndihmës dhe të Të Rejave do të mbahen në të dielat e dyta dhe të katërta.

  • Mbledhjet në të dielën e pestë do të jenë nën drejtimin e peshkopit.

Fillorja do të mbahet çdo javë gjatë së njëjtës periudhe 50-minutëshe dhe do të përfshijë kohën e të kënduarit dhe orët mësimore.

Orari i së dielës

Në lidhje me orarin e mbledhjeve të së dielës, udhëheqësit kryesues të Kishës kanë qenë të vetëdijshëm për shumë vite që, për disa prej anëtarëve tanë të shtrenjtë, mund të jetë i vështirë një orar prej tri orësh i të dielës në kishë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për prindërit me fëmijë të vegjël, fëmijët e Fillores, anëtarët e moshuar, të kthyerit e rinj në besim dhe njerëz të tjerë.2

Por ka shumë më tepër në këtë përshtatje sesa thjesht shkurtimi i orarit të së dielës në shtëpinë e mbledhjeve. Presidenti Nelson ka vënë në dukje me mirënjohje se sa shumë po arrihet si rrjedhojë e besnikërisë suaj ndaj ftesave të mëparshme. Ai dhe e gjithë udhëheqja e Kishës dëshirojnë t’u sjellin gëzim më të madh për ungjillin prindërve, fëmijëve, rinisë, beqarëve, të moshuarve, të kthyerve të rinj në besim dhe atyre njerëzve që misionarët po u japin mësime – nëpërmjet një përpjekjeje të baraspeshuar, të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha. Qëllimet dhe bekimet e lidhura me këtë përshtatje dhe ndryshimet e tjera të kohëve të fundit përfshijnë sa vijojnë:

  • Thellimin e kthimit në besim tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht, si dhe forcimin e besimit tek Ata.

  • Forcimin e individëve dhe të familjeve nëpërmjet një programi mësimor të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha, i cili kontribuon në të jetuarit plot gëzim të ungjillit.

  • Nderimin e ditës së Shabatit, me një përqendrim tek ordinanca e sakramentit.

  • Të ndihmuarit e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor në të dyja anët e velit nëpërmjet punës misionare dhe marrjes së ordinancave, besëlidhjeve dhe bekimeve të tempullit.

Të Mësuarit e Ungjillit të Përqendruar te Shtëpia dhe të Përkrahur nga Kisha

Ky orar i së dielës lejon më shumë kohë për një mbrëmje në shtëpi dhe për ta studiuar ungjillin në shtëpi të dielën, ose në kohë të tjera siç mund ta zgjedhin individët dhe familjet. Një natë veprimtarie familjare mund të mbahet të hënën ose në kohë të tjera. Për këtë arsye, udhëheqësit duhet të vazhdojnë t’i mbajnë mbrëmjet e të hënave pa mbledhje dhe pa veprimtari të Kishës. Gjithsesi, koha e harxhuar në mbrëmjet e shtëpisë, në studimin e ungjillit dhe veprimtaritë për individët e familjet mund të organizohet në përputhje me rrethanat e tyre individuale.

Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet

Studimi i ungjillit në shtëpi si familje dhe individë do të rritet dukshëm nëpërmjet një programi të harmonizuar mësimor dhe një materiali të ri burimor, Eja, Më Ndiq për individët dhe familjet, që bashkërendohet me atë që jepet mësim në Shkollën e së Dielës dhe në Fillore.3 Në janar klasat e Shkollës të së Dielës për të rinjtë e të rriturit dhe klasat e Fillores në Kishë do të studiojnë Dhiatën e Re. Materiali i ri burimor për studimin në shtëpi, Eja, Më Ndiq për individët dhe familjet – i cili trajton gjithashtu Dhiatën e Re – është hartuar që t’i ndihmojë anëtarët ta mësojnë ungjillin në shtëpi. Ai shpjegon: “Ky material burimor është për çdo individ dhe familje në Kishë. Ai është hartuar që [të na] ndihmojë ta mëso[jmë] ungjillin – qoftë më vete ose me familjen [tonë]. … Përvijimet mësimore në këtë material [të ri] burimor organizohen në përputhje me një program … të përjavshëm.”4

Mësimet e reja nga Eja, Më Ndiq për Filloren, të dhëna mësim në kishë, do të ndjekin të njëjtin program të përjavshëm. Klasat e Shkollës të së Dielës për të rriturit dhe rininë në të dielat e para dhe të treta do të bashkërendohen që ta përkrahin materialin e ri burimor të shtëpisë Eja, Më Ndiq. Në të dielat e dyta dhe të katërta, të rriturit e priftërisë dhe të Shoqatës së Ndihmës do të vazhdojnë të studiojnë mësimet e udhëheqësve të Kishës, me theks te mesazhet e kohëve të fundit nga profetët bashkëkohorë.5 Të rejat dhe të rinjtë e Priftërisë Aarone do të studiojnë tema të ungjillit në ato të diela.

Materiali i ri burimor për studimin në shtëpi siguron “Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare”6. Përvijimet e mësimeve për secilën javë përmbajnë ide studimi dhe veprimtari të dobishme për individët e familjet. Materiali burimor Eja, Më Ndiq për individët dhe familjet gjithashtu ka shumë ilustrime, që do të ndihmojnë për ta rritur të mësuarit si individë dhe familje, veçanërisht për fëmijët.7 Ky burim i ri do t’i sigurohet çdo vatre familjare brenda dhjetorit të këtij viti.

Presidenti Nelson, duke filluar nga fjalimi i tij fillestar drejtuar anëtarëve të Kishës në janar, na ka nxitur që të përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit duke ecur në shtegun e besëlidhjeve.8

Kushtet në botë kërkojnë gjithnjë e më shumë thellimin e kthimit të individit në besim dhe forcimin e besimit tek Ati Qiellor, te Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij. Zoti na ka përgatitur, rresht pas rreshti, për kohët e rrezikshme me të cilat përballemi tani. Në vitet e fundit, Zoti na ka udhërrëfyer që t’u drejtohemi shqetësimeve thelbësore që lidhen me to, duke përfshirë:

  • Nderimin e ditës së Shabatit dhe të ordinancës së shenjtë të sakramentit, që është theksuar përsëri për tre vitet e fundit.

  • Nën drejtimin e peshkopit, kuorumet e forcuara të pleqve dhe Shoqatat e Ndihmës përqendrohen te qëllimi dhe përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore të Kishës9 dhe te të ndihmuarit e anëtarëve që të bëjnë e të mbajnë besëlidhje të shenjta.

  • Dhënia e shërbesës në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë po përvetësohet plot gëzim.

  • Duke e pasur në mendje që nga fillimi qëllimin përfundimtar, besëlidhjet e tempullit dhe shërbimi për historinë familjare po bëhen një pjesë plot qëllim e shtegut të besëlidhjeve.

Përshtatja e shpallur këtë mëngjes është edhe një shembull tjetër i udhërrëfimit për sfidat e kohës sonë.

Programi mësimor tradicional i Kishës ka theksuar përvojën e Kishës të dielën. Ne e dimë se kur kemi mësimdhënie më të mirë dhe anëtarë të klasës më të përgatitur shpirtërisht, ne kemi një përvojë më të mirë të Kishës të dielën. Ne bekohemi që shpesh Shpirti e rrit dhe e forcon kthimin në besim në mjedisin e Kishës.

Programi i ri mësimor, i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha nevojitet që ta ndikojë më fuqishëm bindjen e sjelljen fetare si familje dhe bindjen e sjelljen fetare si person. Ne e dimë ndikimin shpirtëror dhe kthimin e thellë dhe afatgjatë në besim që mund të arrihet në mjedisin e shtëpisë. Vite më parë, një studim nxori si përfundim se për të rinjtë dhe të rejat ndikimi i Frymës së Shenjtë më së shpeshti shoqëron studimin e shkrimeve të shenjta dhe lutjen individuale në shtëpi. Qëllimi ynë është t’i baraspeshojmë përvojat në Kishë dhe në shtëpi në një mënyrë që do ta rritë shumë besimin e shpirtshmërinë dhe do ta thellojë kthimin në besim tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht.

Në pjesën e përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha të kësaj përshtatjeje, ka mundësi ndryshimi për secilin individ dhe secilën familje që të vendosë me lutje se si dhe kur do të vihet në jetë ajo. Për shembull, ndërkohë që kjo do t’i bekojë shumë të gjitha familjet, nisur nga nevojat vendore, do të jetë tërësisht e përshtatshme për të rinjtë beqarë, të rriturit e pamartuar, prindërit e vetëm, familjet pjesërisht anëtare, anëtarët e rinj10 dhe njerëz të tjerë që të mblidhen në grupe, veç shërbimeve të zakonshme të adhurimit të dielën, për t’u kënaqur me shoqërimin së bashku në ungjill dhe për t’u forcuar duke studiuar së bashku materialin burimor të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha. Kjo do të arrihet në mënyrë joformale nga ata që e dëshirojnë këtë gjë.

Në shumë vende të botës, njerëzit zgjedhin që të qëndrojnë në shtëpinë e mbledhjeve pas orarit të zakonshëm të së dielës që të gëzohen në shoqërinë e njëri‑tjetrit. Nuk ka asgjë në këtë përshtatje të shpallur që do të ndërhynte në ndonjë mënyrë me këtë praktikë të mrekullueshme dhe shpërblyese.

Që t’i ndihmojnë anëtarët të përgatiten për Shabatin, disa lagje tashmë dërgojnë në mesjavë një mesazh informues me postë elektronike, telefon celular ose mediat shoqërore. Duke marrë parasysh këtë përshtatje, ne e rekomandojmë fuqishëm këtë lloj komunikimi. Këto ftesa do t’i kujtojnë anëtarët për orarin e mbledhjeve të së dielës për atë javë, përfshirë temën e ardhshme të orës mësimore, dhe do ta përkrahin bashkëbisedimin e vazhdueshëm për ungjillin në shtëpi. Përveç kësaj, mbledhjet e të rriturve të dielën do të sigurojnë edhe informacion për të krijuar lidhje midis studimit në kishë dhe në shtëpi çdo javë.

Mbledhja e sakramentit dhe periudha e orës mësimore do të kërkojnë shqyrtim plot lutje për t’u siguruar që përparësitë shpirtërore theksohen mbi funksionet administrative. Për shembull, për pjesën më të madhe, lajmërimet mund të kryhen në ftesën e mesjavës ose me një program të shtypur. Ndërkohë që mbledhja e sakramentit duhet të ketë një lutje të hapjes dhe të mbylljes, mbledhja e dytë nevojitet të ketë vetëm një lutje të mbylljes.11

Siç u përmend më lart, orari i ri i së dielës nuk do të fillojë para janarit 2019. Ka disa arsye për këtë. Dy arsyet më të rëndësishme janë: së pari, të kemi kohë për të shpërndarë materialin burimor Eja, Më Ndiq për individët dhe familjet, dhe së dyti, të lejojmë kohë për presidentët e kunjeve dhe peshkopët që t’i përshtatin oraret e mbledhjeve me synimin që më shumë lagje të mblidhen më herët gjatë ditës.

Ndërkohë që udhëheqësit kanë kërkuar zbulesë, udhërrëfimi i marrë gjatë disa viteve të fundit është që ta forcojmë mbledhjen e sakramentit, ta nderojmë ditën e Shabatit dhe t’i nxitin e ndihmojmë prindërit dhe individët që t’i bëjnë shtëpitë e tyre një burim force shpirtërore dhe besimi të shtuar – një vend gëzimi e lumturie.

Bekime të Jashtëzakonshme

Çfarë domethënie kanë këto përshtatje për anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Jemi të sigurt që anëtarët do të bekohen në mënyra të jashtëzakonshme. E diela mund të jetë një ditë e të mësuarit dhe e mësimdhënies së ungjillit në kishë dhe në shtëpi. Teksa individët dhe familjet përfshihen në këshillat familjarë, në historinë familjare, dhënien e shërbesës, shërbimin, adhurimin vetjak dhe kohën e gëzueshme familjare, dita e Shabatit do të jetë me të vërtetë një kënaqësi.

Familja Karlvalho

Pjesëtarët e një familjeje nga Brazili janë anëtarë të një kunji ku u vu në provë materiali i ri burimor i shtëpisë Eja, Më Ndiq. Babai, Fernandoja, një misionar i kthyer, i cili me bashkëshorten e tij, Nensin, janë prindër të katër fëmijëve të vegjël, raportoi: “Kur programi Eja, Më Ndiq iu paraqit kunjit tonë, isha kaq i emocionuar dhe mendova se ‘do të ndryshojë mënyra se si i studiojmë shkrimet e shenjta në shtëpi’. Kjo vërtet ndodhi në shtëpinë time dhe si udhëheqës në Kishë pashë se ndodhi edhe në shtëpi të tjera. … Na ndihmoi vërtet që t’i diskutojmë shkrimet e shenjta në shtëpinë tonë. Bashkëshortja ime dhe unë patëm një kuptueshmëri më të thellë rreth temës që studionim. … Ajo na ndihmoi … që ta zgjeronim njohurinë tonë për ungjillin dhe ta rritnim besimin e dëshminë tonë. … Jap dëshminë time … që e di se ishte e frymëzuar nga Zoti në mënyrë që studimi i vazhdueshëm dhe i efektshëm i parimeve dhe doktrinave që përmbahen në shkrimet e shenjta, t’u sjellë më shumë besim, dëshmi e dritë familjeve … në një botë gjithnjë e më të rënë.”12

Në kunjet anembanë botës ku u bë provë, pati një përgjigje shumë të favorshme ndaj materialit të ri burimor të shtëpisë Eja, Më Ndiq. Shumë veta raportuan se përparuan nga leximi i shkrimeve të shenjta drejt studimit me të vërtetë të shkrimeve të shenjta. Gjithashtu përgjithësisht u ndie se përvoja ishte besimnxitëse dhe pati një ndikim të mrekullueshëm mbi lagjen.13

Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besim

Synimi i këtyre përshtatjeve është të arrihet një kthim i thellë dhe afatgjatë në besim për të rriturit dhe brezin e ri. Faqja e parë e materialit burimor për individët dhe familjet vë në dukje: “Qëllimi i tërë mësimit dhe mësimdhënies së ungjillit është që ta forcojnë kthimin tonë në besim dhe të na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Jezu Krishti. … Kjo do të thotë të mbështetemi te Krishti për t[a] ndryshuar zemrën tonë.”14 Kjo ndihmohet nëpërmjet shtrirjes “përtej një mjedisi të klasës deri brenda zemrës dhe shtëpisë së një individi. Ai kërkon përpjekje të vazhdueshme, të përditshme për ta kuptuar dhe jetuar ungjillin. Kthimi i vërtetë në besim kërkon ndikimin e Frymës së Shenjtë.”15

Synimi më i rëndësishëm dhe bekimi përfundimtar i kthimit të thellë dhe afatgjatë në besim është marrja me denjësi e besëlidhjeve dhe ordinancave të shtegut të besëlidhjeve.16

Ne kemi besim se ju do të këshilloheni së bashku dhe do të kërkoni zbulesë për vënien në zbatim të këtyre përshtatjeve – ndërkohë që nuk shihni përtej shenjës ose përpiqeni të diktoni se çfarë duhet të bëjnë individët ose familjet. Informacion shtesë do të jepet në komunikimet e ardhshme, përfshirë një letër të Presidencës së Parë dhe një material të bashkëngjitur.

Unë ju dëshmoj se në diskutimet e Këshillit të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve në tempull dhe pasi profeti ynë i dashur i bëri kërkesë Zotit për zbulesë që të ecnim përpara me këto përshtatje, u mor një pohim i fuqishëm nga të gjithë. Rasëll M. Nelsoni është Presidenti dhe profeti ynë i gjallë. Shpalljet e bëra sot do të çojnë në bekime të thella për ata që i përqafojnë me entuziazëm përshtatjet dhe e kërkojnë udhërrëfimin e Frymës së Shenjtë. Ne do t’u afrohemi më shumë Atit tonë Qiellor dhe Zotit e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, për të cilin unë jam një dëshmitar i sigurt. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, Liahona, nëntor 2018, f. 6.

  2. Gjithashtu jemi të vetëdijshëm që, në shoqërinë në tërësi, shumica më e madhe e ngjarjeve për informim, edukim dhe madje argëtim janë shkurtuar në mënyrë të dukshme.

  3. Ky program mësimor do të jetë i disponueshëm në formë dixhitale dhe të shtypur.

  4. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet (2019), f. vi.

  5. Shih “Eja, Më Ndiq – Për Kuorumin e Pleqve dhe Shoqatën e Ndihmës”, Liahona, maj 2018, f. 140. Në vend të të dielave të dyta dhe të treta, mesazhet nga konferenca të përgjithshme do të diskutohen në të dielat e dyta dhe të katërta.

  6. Shih Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, f. 4. Individët dhe familjet vendosin se çfarë pjese të studimit të ungjillit në shtëpi, të mbrëmjes familjare dhe veprimtarive familjare do të jetë pjesë e mbrëmjes familjare të shtëpisë (të cilën shumë veta tashmë e quajnë mbrëmja e shtëpisë). Ngaqë individët dhe familjet do ta marrin këtë vendim, mbrëmja e shtëpisë dhe mbrëmja familjare e shtëpisë janë përdorur në mënyrë të ndërthurur në përshtatjet që janë shpallur.

  7. Shih Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, f. 29.

  8. Shih Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

  9. Shih Manuali 2: Administrimi i Kishës (2010), 2.2. Përgjegjësitë e caktuara në mënyrë hyjnore “përfshijnë ndihmën për anëtarët që të jetojnë ungjillin e Jezu Krishtit, mbledhjen e Izraelit nëpërmjet punës misionare, përkujdesjen për të varfrit e nevojtarët dhe mundësimin e shpëtimit për të vdekurit duke ndërtuar tempuj dhe duke kryer ordinanca mëkëmbëse”. Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 110, që përmban tregimin e rivendosjes së çelësave thelbësorë.

  10. Kushtojuni vëmendje të veçantë atyre fëmijëve prindërit e të cilëve nuk janë anëtarë ose nuk e frekuentojnë rregullisht kishën. Beqarët ose njerëz të tjerë gjithashtu mund të takohen me një familje nëse kjo është e dobishme për të gjithë njerëzit e përfshirë.

  11. Ushtrimet e hapjes normalisht nuk do të jenë pjesë e mbledhjes së dytë.

  12. Familja e Fernando dhe Nensi de Karvalhos, në Brazil.

  13. Individët dhe familjet që u përfshinë në grupin e provës, mesatarisht e studiuan ungjillin më shpesh dhe patën studim më kuptimplotë të shkrimeve të shenjta dhe diskutime më kuptimplota për ungjillin në shtëpi. Ata raportuan se kishin më shumë diskutime joformale për ungjillin me familjen dhe anëtarët e lagjes, dhe e panë me vlerë studimin e të njëjtit bllok të shkrimeve të shenjta si edhe familjet e tyre. Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për rininë.

  14. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, f. v; shih edhe 2 Korintasve 5:17.

  15. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, f. v.

  16. Shih Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, f. 7.