2018
Ndryshimet Ndihmojnë për ta Baraspeshuar Udhëzimin për Ungjillin në Shtëpi dhe atij në Kishë
Nëntor 2018


Ndryshimet Ndihmojnë për ta Baraspeshuar Udhëzimin për Ungjillin në Shtëpi dhe atij në Kishë

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për t’i ndihmuar shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta “mës[ojnë] doktrinën, [ta] forc[ojnë] besimin dhe [të] nxit[in] një adhurim vetjak më të madh”, Presidenti Rasëll M. Nelson njoftoi përshtatje për të ndihmuar që të baraspeshohen e të lidhen mënyrat e pashoqe dhe thelbësore se si anëtarët e adhurojnë dhe e mësojnë dhe e jetojnë ungjillin e Shpëtimtarit si në kishë edhe në shtëpi.

Udhëheqësit e Kishës kanë njoftuar ndryshime në programin për mbledhjen e së dielës, duke filluar nga janari i vitit 2019, në lidhje me nxjerrjen e një programi të ri mësimor të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha. Këto ndryshime dhe të tjera të ndërtuara mbi disa nisma të mëparshme që Kisha ka vënë në lëvizje vitet e fundit, kanë për qëllim t’i ndihmojnë anëtarët ta përqendrojnë jetën e tyre më plotësisht tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti dhe ta thellojnë besimin tek Ata. Këto nisma përfshijnë përqendrimin në një studim më kuptimplotë të ungjillit në shtëpi, nderimin e Zotit duke e mbajtur të shenjtë ditën e Shabatit dhe përkujdesin për njëri-tjetrin siç do të bënte Shpëtimtari dhe siç udhëzohemi nga Shpirti.

Me qëllim që ta përgatitin popullin e Zotit për rikthimin e Tij, këto ndryshime synojnë thellimin e kthimit individual në besim, shpjegoi Plaku Kuentin L. Kuk, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, ndërsa përvijoi ndryshimet në sesionin e paradites të së shtunës të konferencës së përgjithshme.

“Ne e dimë ndikimin shpirtëror dhe kthimin e thellë dhe afatgjatë në besim që mund të arrihet në mjedisin e shtëpisë … ”, tha ai. “Qëllimi ynë është t’i baraspeshojmë përvojat në Kishë dhe në shtëpi në një mënyrë që do ta rritë shumë besimin e shpirtshmërinë dhe do ta thellojë kthimin në besim tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht.”

Përshtatjet në Shtëpi

Udhëheqësit e Kishës po bëjnë ftesë për një përqendrim më të madh te rritja e pjesëmarrjes në ushtrimin e fesë personalisht dhe familjarisht në shtëpi, përfshirë studimin e ungjillit në shtëpi ditën e diel dhe gjatë gjithë javës si dhe përshtatjet në mbrëmjen familjare.

Si për udhëzimin ashtu edhe për vënien në zbatim, shtëpia është qendra thelbësore për të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit. Studimi individual dhe familjar i ungjillit në shtëpi të dielën dhe gjatë gjithë javës ofron mundësi për të gjetur forcë shpirtërore çdo ditë dhe lejon përshtatshmëri më të madhe për studim dhe zbulesë të individualizuar. Mbështetja vetëm te koha e kufizuar në kishë për udhëzimin për ungjillin krijon një çekuilibër që nuk ka gjasë ta arrijë kthimin e thellë dhe të qëndrueshëm në besim që është i nevojshëm.

“Secili prej nesh është përgjegjës për rritjen tonë shpirtërore vetjake”, tha Presidenti Nelson. “Dhe shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se prindërit e kanë përgjegjësinë parësore për t’ua dhënë mësim doktrinën fëmijëve të tyre.”

Ndryshimet përfshijnë futjen e një materiali të ri burimor për studimin e ungjillit për individët dhe familjet në shtëpi. Individët dhe familjet mund ta përdorin materialin e ri burimor Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet nëse dëshirojnë, për ta udhërrëfyer përvojën e tyre të studimit të ungjillit jashtë kishe. Materiali i ri burimor ecën paralel me burimet shoqëruese për mësuesit e Shkollës të së Dielës dhe Fillores për t’i harmonizuar mësimet e së dielës me studimin e shkrimeve të shenjta në shtëpi dhe sugjerimet për mbrëmjet familjare.

Përveç nxitjes së studimit të ungjillit, udhëheqësit e Kishës e përsëritën ftesën e tyre ndaj të gjithëve që të marrin pjesë në ditën e Shabatit – dhe gjatë gjithë javës – në këshillat familjarë, mbrëmjen familjare, historinë familjare dhe punën në tempull, dhënien e shërbesës, adhurimin vetjak dhe çastet e gëzueshme me familjen.

Materialet që u janë dërguar anëtarëve dhe udhëheqësve, shpjegojnë se udhëheqësit e Kishës i nxitin anëtarët që të mbajnë mbrëmje familjare dhe të bëjnë studim të ungjillit në Shabat – ose në kohë të tjera si ta zgjedhin individët dhe familjet. Një natë veprimtarie familjare mund të mbahet të hënën ose në kohë të tjera. Për këtë arsye, udhëheqësit duhet të vazhdojnë t’i mbajnë mbrëmjet e të hënave pa mbledhje dhe pa veprimtari të Kishës. Gjithsesi, koha e shpenzuar për studimin e ungjillit në shtëpi dhe veprimtaritë për familjet dhe individët planifikohet sipas rrethanave individuale.

Adhurimi i Perëndisë në kishë, pjesëmarrja në ordinancat e shenjta atje dhe mbledhja së bashku për t’i dhënë mësim njëri-tjetrit, për ta forcuar e për t’i shërbyer njëri-tjetrit, janë elemente thelbësore të thellimit të besimit dhe kthimit vetjak në besim. Pakësimi i kohës së harxhuar në kishë mund të mos jetë frytdhënës nëse individët dhe familjet nuk e kanë për qëllim forcimin e shtëpive të tyre.

Presidenti Nelson dha mësim: “Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, jemi mësuar ta mendojmë ‘kishën’ si diçka që ndodh në shtëpitë tona të mbledhjeve, e përkrahur nga ajo që ndodh në shtëpi. Kemi nevojë për një përshtatje të këtij modeli. Është koha për një Kishë të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga ajo që ndodh brenda ndërtesave tona të degës, lagjes dhe kunjit.”

Përshtatjet në Kishë

Përshtatjet te përvoja në Kishë kanë për qëllim ta përkrahin rritjen e të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit në shtëpi. Këto ndryshime përfshijnë përshtatjen e programit javor për të dielën që të përfshijë:

  • Një mbledhje 60-minutëshe të sakramentit,

  • Kalimin 10-minutësh nëpër klasa,

  • Dhe një orë mësimore 50-minutëshe, siç përvijohet në modelin e programit më poshtë:

Programi për të dielën duke filluar nga janari i 2019-ës

60 minuta

Mbledhja e sakramentit

10 minuta

Kalimi nëpër klasa

50 minuta

Orët mësimore për të rriturit; orët mësimore për rininë; Fillorja

Ora mësimore 50‑minutëshe do të përfshijë Filloren çdo javë për fëmijët dhe do të ndryshojë çdo javë për rininë dhe të rriturit si vijon:

  • E diela e parë dhe e tretë: Shkolla e së Dielës.

  • E diela e dytë dhe e katërt: kuorumet e priftërisë, Shoqata e Ndihmës dhe Të Rejat.

  • E diela e pestë: mbledhjet për rininë dhe të rriturit nën drejtimin e peshkopit.

Nëse Fillorja është mjaft e madhe sa për t’u ndarë si Fillorja për më të vegjlit dhe Fillorja për më të rriturit, udhëheqësit duhet ta përmbysin rendin e programit në vijim për gjysmën e fëmijëve dhe ta rregullojnë kohën si të jetë e nevojshme.

Programi për Filloren duke filluar nga janari i 2019-ës

25 minuta

Lutja, shkrimi i shenjtë ose neni i besimit, bisedë (5 minuta).

Koha e të kënduarit: Muzikë që i përkrah shkrimet e shenjta që studiohen në orën mësimore (20 minuta)

5 minuta

Kalimi nëpër klasa

20 minuta

Orët mësimore: mësimi nga Eja, Më Ndiq – Për Filloren

Ndryshimet në Programin Mësimor

Kjo përshtatje e programit për mbledhjet funksionon krah për krah me shtojcën më të re te programi mësimor i Kishës i materialit burimor Eja, Më Ndiq. Duke filluar nga janari, ky program mësimor i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha, do ta harmonizojë atë që po mësojnë të rriturit, rinia dhe fëmijët në orët mësimore të Shkollës të së Dielës dhe të Fillores, duke ua bërë më të lehtë familjeve që të studiojnë së bashku në shtëpi gjatë javës.

Udhëzimet, përvijimet e mësimeve dhe burimet mund të gjenden në:

  • Eja, Më Ndiq – Për Kuorumin ePleqve dhe Shoqatën e Ndihmës (gjendet te revistat Ensign dhe Liahona nëntor 2018)

  • Eja, Më Ndiq – Për Kuorumet e Priftërisë Aarone

  • Eja, Më Ndiq – Për të Rejat

  • Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës

  • Eja, Më Ndiq – Për Filloren

Vizitoni ejamendiq.lds.org për më shumë informacion.

Ndryshime të tjera të rëndësishme përfshijnë sa vijon:

  • Mbledhjet e këshillit të mësuesve do të mbahen çdo tre muaj dhe jo çdo muaj.

  • Programet mësimore të kuorumit të pleqve dhe Shoqatës së Ndihmës nuk do të përfshijnë më mbledhjen e këshillit të dielën e parë ose një temë të veçantë të dielën e katërt. Mësimet do të përqendrohen te mesazhet e konferencës së përgjithshme të fundit.

  • Koha e të kënduarit do të zëvendësojë kohën e përbashkët. Orientuesi për Kohën e Përbashkët do të ndërpritet.

  • Kursi Parimet e Ungjillit do të ndërpritet. Të gjithë anëtarët dhe miqtë e interesuar do të ftohen të marrin pjesë në orën e tyre mësimore përkatëse të Shkollës të së Dielës për të rriturit ose rininë.

  • Kurse jo të detyrueshme – të tilla si ato për forcimin e martesës dhe familjes, përgatitjen për tempull, përgatitjen për mision dhe historinë familjare – nuk do të mbahen gjatë kohës së orës mësimore të së dielës. Këto kurse mund të jepen mësim në kohë të tjera për individët, familjet ose grupet, bazuar te nevojat vendore dhe sipas vlerësimit të peshkopit.

Qëllimet e Këtyre Ndryshimeve

Udhëheqësit e Kishës po kërkojnë të krijojnë një baraspeshë të re dhe një lidhje më të madhe midis epërsive të pashoqe të përvojave në shtëpi dhe në Kishë me qëllime të veçanta në mendje.

“Ka shumë më tepër në këtë përshtatje sesa thjesht shkurtimi i orarit të së dielës në shtëpinë e mbledhjeve …”, tha Plaku Kuk. “Qëllimet dhe bekimet që lidhen me këtë përshtatje dhe ndryshime të tjera të kohëve të fundit, përfshijnë sa vijon:

  • Thellimin e kthimit në besim tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht, si dhe forcimin e besimit tek Ata.

  • Forcimin e individëve dhe të familjeve nëpërmjet një programi mësimor të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha, i cili kontribuon në të jetuarit plot gëzim të ungjillit.

  • Nderimin e ditës së Shabatit, me një përqendrim tek ordinanca e sakramentit.

  • Të ndihmuarit e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor në të dyja anët e velit nëpërmjet punës misionare dhe marrjes së ordinancave, besëlidhjeve dhe bekimeve të tempullit.”

Për njoftimin e këtyre përshtatjeve, shih Rasëll M. Nelson, “Fjalët e Hapjes”, në faqen 6 të kësaj reviste; Kuentin L. Kuk, “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”, në faqen 8. Për më shumë informacion rreth këtyre përshtatjeve, vizitoni Shabati.lds.org për të gjetur një letër nga Presidenca e Parë, përgjigjet ndaj pyetjeve të bëra rëndom dhe burime shtesë që mund t’i ndihmojnë individët dhe familjet ta nderojnë Shabatin.