Presidenti Nelson e Prin Udhën
Presidenti Rasëll M. Nelson e ka këshilluar secilin prej nesh që të jetë më i sjellshëm, më i ngjashëm me Krishtin dhe më shpirtëror ndërsa u japim shërbesë të tjerëve, dhe ka dhënë një shembull të asaj se çfarë do të thotë kjo me mënyrën se si ai ka dhënë shërbesë që nga konferenca e përgjithshme e fundit.
Pak pas konferencës së përgjithshme të prillit 2018, Presidenti Nelson u nis për një turne që e çoi atë dhe bashkëshorten e tij, Uendin, dhe Plakun Xhefri R. Holland, të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe bashkëshorten e tij, Patrishian, në Angli, Izrael, Kenia, Zimbabve, Indi, Tajlandë, Kinë dhe Havai, SHBA.
Në udhëtimin vijues, Presidenti Nelson u takua me anëtarë, misionarë, udhëheqës dhe miq të Kishës në Kanadanë perëndimore, qendrore dhe lindore; Siatëll të Uashingtonit në SHBA dhe Republikën Dominikane – ku foli gjerësisht në spanjisht, hera e parë që një President Kishe ka dhënë një bisedë të gjatë në një gjuhë tjetër përveç anglishtes.
Në mbledhjet dhe mbrëmjet rreth vatrës, Presidenti Nelson dha mësim për emrin e saktë të Kishës; shpërndarjen e ungjillit me të tjerët; ushqyerjen e dashurisë për Librin e Mormonit; mënyrën se si të jetuarit e ungjillit e bën jetën më të mirë; se si udha e Krishtit është udha e gëzimit dhe e lumturisë, tani dhe në përjetësi; lutjen; bërjen e shtëpisë një shenjtërore për fëmijët; përdorimin e lirisë së zgjedhjes për të mposhtur tundimin dhe për ta ndjekur Shpëtimtarin; përkujdesjen ndaj të tjerëve dhe përgatitjen e marrjen e bekimeve që vijnë nga tempulli.
Presidenti dhe Motra Nelson gjithashtu folën në një takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë më 3 qershor 2018, ku Presidenti Nelson tha se të rinjtë e të rejat që rekrutohen në “batalionin … [e] Zotit” dhe ndihmojnë për ta mbledhur Izraelin, kanë mundësinë të jenë “pjesë … e diçkaje të madhe, diçkaje të madhërishme, diçkaje madhështore”. Ai i nxiti të rinjtë e të rejat që të shkëputen nga përdorimi i vazhdueshëm i medias shoqërore, të sakrifikojnë pak kohë për Zotin, të bëjnë një vlerësim tërësor të jetës me Zotin, të luten përditë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të mund ta marrin ungjillin dhe të jenë një dritë për botën.