2018
Përpiquni, Përpiquni, Përpiquni
Nëntor 2018


Përpiquni, Përpiquni, Përpiquni

Shpëtimtari po e vendos emrin e Tij në zemrat tuaja. Dhe ju po e ndieni dashurinë e pastër të Krishtit për të tjerët dhe për ju vetë.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, jam mirënjohës për mundësinë që të flas me ju. Kjo konferencë ka qenë frymëzuese dhe lartësuese moralisht për mua. Muzika e kënduar dhe fjalët e thëna janë mbajtur në zemrat tona nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Lutem që ajo që do të them, do të përçohet te ju nga po ai Shpirt.

Shumë vite më parë, isha këshilltar i parë i presidentit të distriktit në lindje të Shteteve të Bashkuara. Më shumë se një herë, ndërsa ishim duke ngarë makinën për në degët tona të vogla, ai më tha: “Hal, kur të takosh dikë, trajtoje atë sikur të jetë në telash të madh dhe do të kesh të drejtë më shumë se gjysmën e rasteve”. Ai jo vetëm që kishte të drejtë por kam mësuar përgjatë viteve se përllogaritja e tij për rastet ishte shumë e ulët. Sot, dëshiroj t’ju nxit në telashet që hasni.

Jeta jonë në vdekshmëri është projektuar nga një Perëndi i dashur që të jetë një provë dhe burim rritjeje për secilin prej nesh. Ju i mbani mend fjalët e Perëndisë lidhur me fëmijët e Tij gjatë Krijimit të botës: “Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë”1.

Që nga fillimi i botës, provat nuk kanë qenë të lehta. Ne hasim sprova që vijnë nga pasja e trupave të vdekshëm. Të gjithë ne jetojmë në një botë ku lufta e Satanit kundër të vërtetës dhe kundër lumturisë sonë vetjake po bëhet gjithnjë e më e madhe. Bota dhe jeta juaj mund t’ju duken sikur janë në një trazirë që sa vjen e rritet.

Siguria ime është kjo: Perëndia i dashur që i lejoi këto prova për ju, gjithashtu projektoi një mënyrë të sigurt për t’i kaluar ato. Ati Qiellor e deshi kaq shumë botën saqë dërgoi Birin e Tij të Dashur për të na ndihmuar.2 Biri i Tij, Jezu Krishti, dha jetën e Vet për ne. Jezu Krishti mbajti në Gjetseman dhe në kryq peshën e të gjitha mëkateve tona. Ai i përjetoi të gjitha hidhërimet, dhembjet dhe pasojat e mëkateve tona në mënyrë që të mund të na ngushëllonte dhe forconte gjatë çdo prove në jetë.3

Ju e mbani mend që Zoti u tha shërbëtorëve të Tij:

“Ati e unë jemi një. Unë jam në Atin dhe Ati në mua; dhe aq sa më keni pranuar mua, ju jeni në mua dhe unë në ju.

Si rrjedhim, unë jam në mes tuaj dhe unë jam bariu i mirë dhe shkëmbi i Izraelit. Ai që ndërton mbi këtë shkëmb, nuk do të bjerë kurrë.”4

Profeti ynë, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë gjithashtu po atë siguri. Veç kësaj, ai përshkroi një mënyrë se si ne mund të ndërtojmë mbi atë shkëmb dhe ta vendosim emrin e Zotit në zemrat tona që të na udhërrëfejë gjatë sprovave tona.

Ai tha: “Ju që për një çast mund të jeni të shkurajuar, kujtoni, jeta nuk ka për qëllim që të jetë e lehtë. Duhet të dalin sprova dhe duhet të durohet pikëllimi përgjatë udhës. Ndërsa kujtoni se ‘me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme’ (Lluka 1:37), dijeni se Ai është Ati juaj. Ju jeni një bir ose bijë e krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, që keni të drejtën për shkak të denjësisë suaj për të marrë zbulesë që t’ju ndihmojë në përpjekjet tuaja të drejta. Ju mund të merrni mbi vete emrin e shenjtë të Zotit. Ju mund të kualifikoheni për të folur në emrin e shenjtë të Perëndisë (shih DeB 1:20).”5

Fjalët e Presidentit Nelson na kujtojnë premtimin që gjendet në lutjen e sakramentit, një premtim që Ati ynë Qiellor e përmbush ndërsa bëjmë atë që premtojmë në këmbim.

Dëgjojini fjalët: “O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë shpirtrave të të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta. Amen.”6

Çdo herë që themi fjalën amen kur jepet ajo lutje në emrin tonë, ne zotohemi se duke e marrë bukën jemi të gatshëm të marrim mbi vete emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, gjithmonë ta kujtojmë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Në këmbim na premtohet se mund ta kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me vete. Për shkak të këtyre premtimeve, Shpëtimtari është shkëmbi mbi të cilin ne mund të qëndrojmë të sigurt dhe pa druajtje në çdo stuhi që hasim.

Teksa i kam përsiatur fjalët e besëlidhjes dhe bekimet përkatëse që premtohen, kam pyetur veten se çfarë do të thotë të jesh i gatshëm të marrësh mbi vete emrin e Jezu Krishtit.

Presidenti Dallin H. Ouks shpjegon: “Është domethënëse se kur ne e marrim sakramentin, ne nuk dëshmojmë se marrim mbi vete emrin e Jezu Krishtit. Ne dëshmojmë se jemi të gatshëm ta bëjmë atë. (Shih te DeB 20:77.) Fakti që ne dëshmojmë vetëm për gatishmërinë tonë sugjeron se diçka tjetër duhet të ndodhë përpara se ne të marrim faktikisht mbi vete atë emër të shenjtë në kuptimin më të rëndësishëm.”7

Deklarata se ne jemi “të gatshëm të marri[m] mbi vete” emrin e Tij na tregon se ndërsa marrim fillimisht emrin e Shpëtimtarit kur pagëzohemi, marrja e emrit të Tij nuk mbaron me pagëzimin. Ne duhet të punojmë vazhdimisht për ta marrë emrin e Tij gjatë gjithë jetës sonë, përfshirë kohën kur i përtërijmë besëlidhjet në tavolinën e sakramentit dhe bëjmë besëlidhje në tempujt e shenjtë të Zotit.

Ndaj dy pyetjet vendimtare për secilin prej nesh janë: “Çfarë duhet të jem duke bërë për të marrë emrin e Tij mbi vete?” dhe “Si do ta di se kur po bëj përparim?”

Deklarata e Presidentit Nelson sugjeron një përgjigje të dobishme. Ai tha se ne mund ta marrim emrin e Shpëtimtarit mbi vete dhe se ne mund të flasim për Të. Kur flasim për Të, ne i shërbejmë Atij. “Pasi, si do ta njohë një njeri zotëruesin, të cilit nuk i ka shërbyer dhe që është i huaj për të, dhe është larg nga mendimet dhe qëllimet e zemrës së tij?”8

Të flasësh për Të kërkon një lutje me besim. Ajo kërkon një lutje të zjarrtë drejtuar Atit Qiellor për të mësuar se cilat fjalë mund të themi që ta ndihmojmë Shpëtimtarin në punën e Tij. Ne duhet të kualifikohemi për premtimin: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”9.

Sidoqoftë, për të marrë emrin e Tij mbi vete kërkohet më shumë sesa të flasësh për Të. Ne duhet të kemi ndjenja në zemrat tona për të cilat të kualifikohemi si shërbëtorë të Tij.

Profeti Mormon përshkroi ndjenjat që na kualifikojnë dhe krijojnë mundësinë për të marrë emrin e Tij mbi vete. Këto ndjenja përfshijnë besimin, shpresën dhe dashurinë hyjnore, që është dashuria e pastër e Krishtit.

Mormoni shpjegoi:

“Pasi unë gjykoj se ju keni besim në Krisht, për shkak të zemërbutësisë suaj; pasi po të mos keni besim në të, atëherë ju nuk jeni të denjë të numëroheni mes njerëzve të kishës së tij.

Dhe përsëri, vëllezër të mi të dashur, unë dua t’ju flas në lidhje me shpresën. Si do të mund të arrini të keni besim, po të mos keni shpresë?

Dhe për çfarë duhet të keni shpresë? Vini re, unë ju them juve se duhet të keni shpresë nëpërmjet shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së ringjalljes së tij, që të ngriheni në jetën e përjetshme dhe kjo për shkak të besimit tuaj në të, sipas premtimit.

Prandaj, në qoftë se një njeri ka besim, ai duhet të ketë shpresë, pasi pa besim, nuk mund të ketë ndonjë shpresë.

Dhe përsëri vini re, unë ju them juve se ai nuk mund të ketë besim dhe shpresë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përvuajtur në zemër.

Përndryshe, besimi dhe shpresa e tij është e kotë, meqë askush nuk pranohet para Perëndisë, në qoftë se nuk është i bindur dhe i përulur në zemër; dhe në qoftë se një njeri është i bindur dhe i përulur në zemër dhe pohon me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, ai duhet të ketë dashuri hyjnore; pasi në qoftë se nuk ka dashuri hyjnore, ai s’është asgjë; prandaj është e nevojshme që të ketë dashuri hyjnore.”

Pasi përshkroi dashurinë hyjnore, Mormoni vazhdon të thotë:

“Por, dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit dhe nuk ka mbarim; dhe kushdo që gjendet i zotëruar prej saj në ditën e fundit, do të jetë mirë me të.

Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai, pasi ne do ta shohim atë ashtu sikurse është; që të mund të kemi këtë shpresë; që ne të mund të pastrohemi, madje ashtu si ai është i pastër. Amen.”10

Dëshmia ime është se Shpëtimtari po e vendos emrin e Tij në zemrat tuaja. Për shumë prej jush, besimi juaj në Të po rritet. Ju po ndieni më shumë shpresë dhe optimizëm. Dhe ju po e ndieni dashurinë e pastër të Krishtit për të tjerët dhe për ju vetë.

Atë e shoh te misionarët që po shërbejnë në të gjithë botën. E shoh atë tek anëtarët të cilët po u flasin miqve dhe pjesëtarëve të tyre të familjes rreth Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Burrat, gratë, të rinjtë dhe madje fëmijët po japin shërbesë për shkak të dashurisë për Shpëtimtarin dhe për fqinjët e tyre.

Me të dëgjuar lajmin e parë për fatkeqësi nëpër botë, anëtarët bëjnë plane për të shkuar për të shpëtuar, ndonjëherë përtej oqeanit, pa iu kërkuar. Nganjëherë e kanë të vështirë të presin derisa zonat e shkatërruara të mund t’i pranojnë ata për të ofruar ndihmë.

E kuptoj se disa prej jush që po dëgjojnë sot mund të mendojnë se besimi dhe shpresa juaj po mposhten nga telashet tuaja. Dhe mund të dëshironi shumë të ndieni dashuri.

Vëllezër dhe motra, Zoti ju ka dhënë mundësi [që gjenden] pranë jush që ta ndieni dhe tregoni dashurinë e Tij. Ju mund të luteni me mirëbesim që Zoti t’ju udhëheqë për ta dashur dikë për Të. Ai u përgjigjet lutjeve të vullnetarëve zemërbutë si ju. Ju do ta ndieni dashurinë që Perëndia ka për ju dhe për personin të cilit ju i shërbeni për Të. Ndërsa i ndihmoni fëmijët e Perëndisë gjatë telasheve të tyre, vetë telashet tuaja do të duken më të lehta. Besimi juaj dhe shpresa juaj do të forcohen.

Jam një dëshmitar i asaj të vërtete. Gjatë gjithë jetës, bashkëshortja ime ka folur për Zotin dhe u ka shërbyer njerëzve për Të. Siç e kam përmendur edhe më parë, një nga peshkopët tanë një herë më tha: “Jam i habitur. Çdo herë që dëgjoj se një person në lagje është në telashe, ngutem që ta ndihmoj. Megjithatë, kur arrij unë, me sa duket, gjithmonë, bashkëshortja jote ka qenë tashmë aty.” Kjo ka qenë e vërtetë në të gjitha vendet në të cilat kemi jetuar për 56 vite.

Tani ajo mund të flasë vetëm pak fjalë në ditë. Atë e vizitojnë njerëz që i donte për Zotin. Çdo mbrëmje dhe mëngjes unë këndoj himne me të dhe lutemi. Unë duhet të jem zëri i saj në lutje dhe në këngë. Nganjëherë mund ta shoh të shqiptojë fjalë të himneve. Ajo i parapëlqen këngët e fëmijëve. Ndjenja që duket se pëlqen më shumë përmblidhet te kënga “I’m Trying to Be like Jesus” [“Përpiqem t’Jem si Jezusi”]11.

Ditën pasuese, pasi kënduam fjalët e refrenit: “Doni njer’zit si ju do Jezusi. [Përpiquni] mir’si [të] tregoni në gjithçka bëni”, ajo tha butësisht por qartësisht: “Përpiquni, përpiquni, përpiquni”. Mendoj se ajo do të zbulojë, kur ta shoh Atë, se Shpëtimtari ynë e ka vendosur emrin e Tij në zemrën e saj dhe se ajo është bërë si Ai. Ai po e mban atë tani gjatë telasheve të saj, ashtu siç do t’ju mbajë juve gjatë telasheve tuaja.

Ju jap dëshminë time se Shpëtimtari ju njeh dhe ju do. Ai e di emrin tuaj sikurse ju e dini emrin e Tij. Ai i di telashet tuaja. Ai i ka përjetuar ato. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai e ka mposhtur botën. Nëpërmjet gatishmërisë suaj për të marrë emrin e Tij mbi vete, ju do t’i lehtësoni barrët e panumërta të të tjerëve. Dhe me kalimin e kohës do të zbuloni se e njihni Shpëtimtarin më mirë dhe se e doni Atë më shumë. Emri i Tij do të jetë në zemrën tuaj dhe do të ngulitet në kujtesën tuaj. Është emri nëpërmjet të cilit ju do të thirreni. Kështu unë dëshmoj me mirënjohje për dashurinë e Tij të përzemërt për mua, për të dashurit e mi dhe për ju, në emrin e Jezu Krishtit, amen.