Gratë dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi
Shpëtimtari është shembulli juaj i përsosur i mënyrës se si do të luani një rol madhor në lëvizjen e Tij për të vënë një theks më të madh tek të mësuarit e ungjillit në shtëpi.
Motrat e mia të dashura, është e mrekullueshme të takohem me ju! Kjo është një kohë emocionuese në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Zoti po derdh njohuri mbi Kishën e Tij ashtu siç Ai premtoi se do të bënte.
Ju kujtohet që Ai tha: “Për sa kohë do të ngelen të papastra ujërat që rrjedhin? Çfarë fuqie do t’i ndalojë qiejt? Po aq sa njeriu mundet ta shtrijë krahun e tij të dobët për të ndaluar lumin Misuri në udhën e tij të përcaktuar ose t’ia kthejë mbrapsht rrjedhën, aq mund të pengohet i Plotfuqishmi nga derdhja e diturisë së tij prej qiellit mbi kokat e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”1
Një pjesë e përhapjes së tanishme të njohurisë së Zotit, lidhet me përshpejtimin e derdhjes së të vërtetës së përjetshme nga ana e Tij mbi kokat dhe në zemrat e popullit të Tij. Ai e ka bërë të qartë se bijat e Atit Qiellor do të luajnë një rol kryesor në atë përshpejtim të mrekullueshëm. Një provë e mrekullisë është se Ai po e udhëheq profetin e Tij të gjallë që të vërë një theks shumë më të madh tek udhëzimi i ungjillit në shtëpi dhe brenda familjes.
Ju mund të pyetni: “Si i bën kjo motrat besnike një forcë kryesore për ta ndihmuar Zotin që të derdhë njohuri mbi shenjtorët e Tij?” Zoti e jep përgjigjen te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ju i kujtoni fjalët, por ju mund të gjeni një domethënie të re dhe ta pranoni se Zoti i parashikoi këto ndryshime emocionuese që po ndodhin tani. Te proklamata, Ai u dha motrave porosi që të ishin edukatoret kryesore të ungjillit në familje, me këto fjalë: “Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre”2. Kjo përfshin edukimin me të vërtetat dhe njohurinë e ungjillit.
Proklamata vazhdon: “Etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.”3 Ata janë partnerë të barabartë, të barabartë në potencialin e tyre për rritje shpirtërore dhe për marrjen e njohurisë, dhe kështu janë të bashkuar duke e ndihmuar njëri-tjetrin. Ata janë të barabartë në fatin e tyre hyjnor për të qenë të ekzaltuar së bashku. Në fakt, burrat dhe gratë nuk mund të ekzaltohen vetëm.
Pse, atëherë, një bijë e Perëndisë në një marrëdhënie të bashkuar e të barabartë, merr përgjegjësinë kryesore për t’i ushqyer me lëndën më të rëndësishme ushqyese të gjithë ata që duhet ta marrin, me një njohuri të së vërtetës që vjen prej qiellit? Nga ajo që kuptoj, kjo ka qenë mënyra e Zotit që kur familjet u krijuan në këtë botë.
Për shembull, ishte Eva që e mori njohurinë se Adami kishte nevojë të hante frutën e pemës së njohjes për ta, t’i zbatonte të gjitha urdhërimet e Perëndisë dhe të formonte një familje. Nuk e di pse njohuria i erdhi Evës më parë, por Adami dhe Eva ishin të bashkuar në mënyrë të përkryer kur njohuria u derdh mbi Adamin.
Një shembull tjetër i përdorimit nga ana e Zotit të dhuratave edukative të grave, është mënyra se si Ai i forcoi bijtë e Helamanit. Më bëhet një lëmsh në fyt kur e lexoj rrëfimin dhe pastaj më kujtohen fjalët e qeta siguruese të nënës sime kur u largova nga shtëpia për shërbimin ushtarak.
Helamani shënoi:
“Nënat u kishin mësuar se, në qoftë se nuk do të dyshonin, Perëndia do t’i shpëtonte.
Dhe më përsëritën fjalët e nënave të tyre, duke thënë: Ne nuk dyshojmë që nënat tona e dinin atë.”4
Ndërkohë që nuk i di të gjitha arsyet përse Zoti u dha motrave besnike përgjegjësinë kryesore për edukimin në familje, unë besoj se ka të bëjë me aftësinë tuaj për të dashur. Duhet shumë dashuri për t’i ndier nevojat e dikujt tjetër më shumë sesa tuajat. Kjo është dashuria e pastër e Krishtit për individin që ju edukoni. Kjo ndjenjë e dashurisë hyjnore vjen nga individi i zgjedhur për të qenë edukatori, duke u kualifikuar për efektet e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Motoja e Shoqatës së Ndihmës, të cilën nëna ime e mishëronte, mua më duket e frymëzuar: “Dashuria Nuk Ligështohet Kurrë”.
Si bija të Perëndisë, ju keni një aftësi të lindur dhe të madhe për t’i kuptuar nevojat e të tjerëve dhe për t’i dashur ata. Kjo, nga ana tjetër, ju bën më të ndjeshme ndaj pëshpëritjeve të Shpirtit. Atëherë Shpirti mund ta udhëheqë atë që mendoni, atë që thoni dhe atë që bëni për t’i edukuar njerëzit në mënyrë që Zoti të mund të derdhë mbi ta njohuri, vërtetësi dhe guxim.
Ju motra që e dëgjoni zërin tim, jeni secila në një vend unik në udhëtimin tuaj të jetës. Disa janë vajza të reja në një sesion të përgjithshëm të grave për herë të parë. Disa janë të reja që po përgatiten të jenë edukatoret që Perëndia do që të jenë. Disa janë të sapomartuara, që ende nuk kanë pasur fëmijë; të tjerat janë nëna të reja me një ose më shumë fëmijë. Disa janë nëna adoleshentësh dhe të tjera janë me fëmijë në terrenin e misionit. Disa kanë fëmijë të cilët janë dobësuar në besim dhe janë larg nga shtëpia. Disa jetojnë vetëm, pa shoqërues besnikë. Disa janë gjyshe.
Megjithatë, pavarësisht nga rrethanat tuaja vetjake – ju jeni pjesë – një pjesë kyç – e familjes së Perëndisë dhe e vetë familjes suaj, qoftë në të ardhmen, në këtë botë apo në botën e shpirtrave. Përgjegjësia që iu është dhënë nga Perëndia është që të edukoni sa më shumë prej pjesëtarëve të familjes së Tij dhe tuajës që të mundeni, me dashurinë dhe besimin tuaj te Zoti Jezu Krisht.
Sfida juaj e zakonshme është që të dini se kë të edukoni, mënyrën dhe kohën kur ta bëni. Ju keni nevojë për ndihmën e Zotit. Ai i njeh zemrat e të tjerëve dhe Ai e di kur ata janë të gatshëm ta pranojnë edukimin nga ana juaj. Lutja juaj me besim do të jetë çelësi juaj i suksesit. Ju mund të mbështeteni te marrja e udhërrëfimit të Tij.
Ai dha këtë nxitje: “I kërkoni Atit në emrin tim, me besim, duke besuar se do të merrni dhe ju do të keni Frymën e Shenjtë, që i manifeston gjithë gjërat të cilat janë të domosdoshme.”5
Përveç lutjes, studimi serioz i shkrimeve të shenjta do të jetë pjesë e fuqisë suaj në rritje për të edukuar. Ja ku është premtimi: “As mos u shqetësoni që më parë se çfarë do të thoni; por mblidhni vazhdimisht si thesar në mendjet tuaja fjalët e jetës dhe do t’ju jepet në çastin e duhur ajo pjesë që do t’i shpërndahet çdo njeriu.”6
Pra, do të gjeni më shumë kohë për t’u lutur, për të përsiatur dhe për të medituar mbi çështjet shpirtërore. Mbi ju do të derdhet njohuri për të vërtetën dhe ju do t’ju shtohet fuqia për t’i edukuar të tjerët në familjen tuaj.
Do të ketë raste kur do të mendoni se përparimi juaj për të mësuar se si të edukoni më mirë është i ngadalshëm. Do të kërkojë besim për të duruar. Shpëtimtari ju dërgoi këtë nxitje:
“Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.
Vini re, Zoti kërkon zemrën dhe një mendje të gatshme; dhe të gatshmit dhe të bindurit do të hanë të mirat e tokës së Sionit në këto ditë të fundit.”7
Prania juaj sonte është një provë se jeni të gatshme ta pranoni ftesën e Zotit për t’i edukuar të tjerët. Kjo është e vërtetë edhe për më të voglën këtu sonte. Ju mund ta dini se kë të edukoni në familjen tuaj. Nëse luteni me qëllim të vërtetë, një emër ose fytyrë do të vijë në mendjen tuaj. Nëse luteni për të ditur se çfarë të bëni ose çfarë të thoni, ju do të ndieni një përgjigje. Sa herë që bindeni, fuqia juaj për të edukuar do të rritet. Do të jeni duke u përgatitur për ditën kur do të edukoni vetë fëmijët tuaj.
Nënat e adoleshentëve mund të luten që të dinë se si ta edukojnë një bir apo bijë që duket apatik ndaj edukimit. Ju mund të luteni për të ditur se kush mund ta ketë ndikimin shpirtëror që fëmija juaj ka nevojë të ketë dhe do ta pranonte atë. Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve të tilla të sinqerta të nënave të shqetësuara, dhe Ai dërgon ndihmë.
Gjithashtu, një gjyshe këtu sonte mund të ndiejë dhembjen që i është shkaktuar nga stërmundimi dhe vështirësitë e fëmijëve dhe nipërve e mbesave të saj. Ju mund të merrni zemër dhe orientim nga përvojat e familjeve në shkrimet e shenjta.
Që nga koha e Evës dhe Adamit, nëpërmjet atit Izrael, dhe deri te çdo familje në Librin e Mormonit, ekziston një mësim i sigurt se çfarë duhet të bëni rreth pikëllimeve për fëmijët që nuk reagojnë: mos ndaloni kurrë së dashuri.
Ne kemi shembullin nxitës të Shpëtimtarit ndërsa Ai i edukoi fëmijët shpirtërorë rebelë të Atit të Tij Qiellor. Edhe kur ata ose ne shkaktojmë dhembje, dora e Shpëtimtarit është ende e shtrirë.8 Te 3 Nefi, Ai foli për motrat dhe vëllezërit e Tij shpirtërorë, të cilët Ai ishte përpjekur pa sukses t’i edukonte: “O ju njerëz … që jeni nga shtëpia e Izraelit, sa herë ju kam mbledhur si një klloçkë mbledh zogjtë e saj nën krahët e saj dhe ju kam ushqyer.”9
Për motrat në çdo fazë të udhëtimit të jetës, në çdo situatë familjare dhe në çdo kulturë, Shpëtimtari është shembulli juaj i përsosur i mënyrës se si do të luani një rol madhor në lëvizjen e Tij për të vënë një theks më të madh tek të mësuarit e ungjillit në shtëpi dhe familje.
Ju do të sillni ndjenjën tuaj të trashëguar të dashurisë hyjnore në ndryshimin e veprimtarive dhe praktikave në familjen tuaj. Kjo do të sjellë rritje më të madhe shpirtërore. Kur luteni me pjesëtarët e familjes suaj dhe për ta, ju do ta ndieni dashurinë tuaj për ta dhe dashurinë e Shpëtimtarit për ta. Kjo do të bëhet gjithnjë e më shumë dhurata juaj shpirtërore teksa e kërkoni atë. Pjesëtarët e familjes suaj do ta ndiejnë këtë ndërsa luteni me besim më të madh.
Kur familja të mblidhet për t’i lexuar me zë të lartë shkrimet e shenjta, ju do t’i keni lexuar ato tashmë dhe do të jeni lutur për to që ta përgatitni veten tuaj. Ju do të keni gjetur çaste për t’u lutur në mënyrë që Shpirti t’ua ndriçojë mendjen. Pastaj, kur të jetë radha juaj për të lexuar, pjesëtarët e familjes do ta ndiejnë dashurinë tuaj për Perëndinë dhe për fjalën e Tij. Ata do të edukohen prej Tij dhe prej Shpirtit të Tij.
E njëjta derdhje njohurie mund të vijë në çdo mbledhje familjare nëse luteni dhe planifikoni për të. Mund të kërkojë përpjekje dhe kohë, por do të sjellë mrekulli. Më kujtohet një mësim që më mësoi nëna ime kur isha i vogël. Ende mund ta shoh në mendje hartën me ngjyra që ajo kishte bërë për udhëtimet e Apostullit Pal. Pyes veten se si gjeti kohë dhe energji ta bënte atë. Dhe deri më sot, unë jam bekuar nga dashuria e saj për atë Apostull besnik.
Secila prej jush do të gjejë mënyra për të dhënë ndihmesë në derdhjen e së vërtetës mbi familjet tuaja në Kishën e rivendosur të Zotit. Secila prej jush do të lutet, do të studiojë dhe do të përsiatë për të ditur se cili do të jetë kontributi juaj i pashoq. Por unë e di këtë: secila prej jush, duke qenë nën zgjedhë barazisht me bijtë e Perëndisë, do të jetë një pjesë e rëndësishme e mrekullisë së të mësuarit dhe të jetuarit të ungjillit, që do ta shpejtojë mbledhjen e Izraelit dhe do ta përgatitë familjen e Perëndisë për kthimin e lavdishëm të Zotit Jezu Krisht. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.