Zjarri Ynë i Kampit të Besimit
Për ata që e kërkojnë, e lejojnë dhe jetojnë për të, agimi i besimit, nganjëherë dalëngadalë, do të vijë ose mund të kthehet.
Të dashur vëllezër e motra, a nuk është e mrekullueshme të marrim zbulesë të vazhdueshme nga qielli nëpërmjet Presidentit Rasëll M. Nelson dhe udhëheqësve tanë të Kishës, e cila na fton të jetojmë në mënyra të reja dhe më të shenjta1, në shtëpi dhe në kishë, me gjithë zemrën, mendjen dhe forcën tonë?
A keni pasur ndonjëherë mundësi të bëni diçka për të cilën u ndiet të papërgatitur ose të papërshtatshëm, por që ju u bekuat për përpjekjen?
Unë po. Ja një shembull.
Disa vite më parë, Plaku Riçard G. Skot, një anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, plot mirësi më ftoi: “Gerit, a do të pëlqente të pikturoje me bojëra uji me mua?”
Plaku Skot tha se pikturimi e ndihmonte të vëzhgonte dhe të krijonte. Ai ka shkruar: “Përpiquni të jeni krijues, edhe nëse rezultatet janë të thjeshta. … Krijimtaria mund të sjellë një shpirt mirënjohjeje për jetën dhe për atë që Zoti ka ndërthurur brenda qenies suaj. … Nëse zgjidhni me urtësi, ajo nuk ka pse të zërë shumë kohë.”2
Presidenti Henri B. Ajring i përshkroi meditimet e tij artistike si të nxitura nga “një ndjenjë dashurie”, përfshirë “dashurinë e një Krijuesi i cili pret që fëmijët e Tij të bëhen si Ai – të krijojnë dhe të ndërtojnë”3. Veprat krijuese të Presidentit Ajring sigurojnë një “këndvështrim të pashoq shpirtëror mbi dëshminë dhe besimin”4.
Veprat artistike të Presidentit Bojd K. Paker ilustrojnë një mesazh themelor të ungjillit: “Perëndia është Krijuesi i qiejve, tokës dhe të gjitha gjërave që janë në to, që e tërë natyra jep dëshmi për atë krijim të drejtuar në mënyrë hyjnore dhe që ka [një] harmoni të plotë midis natyrës, shkencës dhe ungjillit të Jezu Krishtit”5.
Alma dëshmon: “Të gjitha gjërat tregojnë se ka një Perëndi”6. Fëmijët tanë të Fillores këndojnë: “Sa her’ që dëgjoj këngën e zogut ose shikoj qiellin shum’ blu, … gëzohem që jetoj në k’të tok’ t’bukur, [që] për mua Ati Qiellor krijoi”7. Autori Viktor Hygo kremton se “midis qenieve dhe sendeve ka marrëdhënie të çuditshme; në këtë bashkësi të pashtershme, nga dielli te pleshti. … Të gjithë shpendët që fluturojnë, kanë në këmbët e tyre fillin e pambarimit. … Një mjegullnajë është një mori yjesh.”8
Dhe kjo na kthen sërish te ftesa e Plakut Skot.
“Plaku Skot”, u përgjigja, “do të doja të bëhesha më vëzhgues dhe më krijues. Emocionohem kur përfytyroj se Ati Qiellor pikturon me re plot tallaz e me çdo ngjyrë të qiellit dhe të ujit. Por”, këtu pati një heshtje të gjatë, “Plaku Skot”, thashë, “unë s’kam asnjë aftësi për të pikturuar me bojëra uji. Shqetësohem se mund të bezdisesh kur të përpiqesh të më mësosh.”
Plaku Skot buzëqeshi dhe caktuam ditën kur do të takoheshim. Në ditën e caktuar ai përgatiti letrat, bojërat dhe furçat. Ai bëri disa skica dhe më ndihmoi ta lagia letrën.
Ne përdorëm si model një pikturë të tij të bukur me bojëra uji, të titulluar Campfire at Sunset [Zjarr Kampi në Perëndimin e Diellit]. Teksa pikturonim, folëm rreth besimit – se si kur jemi përballë dritës dhe ngrohtësisë së një zjarri të kampit, ne e lëmë pas errësirën dhe pasigurinë – se si nganjëherë në netët e gjata, të vetmuara, zjarri i kampit tonë të besimit mund të na japë shpresë e siguri. Dhe agimi vërtet vjen. Zjarri i kampit tonë të besimit – kujtimet, përvojat dhe trashëgimia jonë e besimit për mirësinë e Perëndisë dhe mëshirat e dhembshura të Perëndisë në jetën tonë – na kanë forcuar përgjatë natës.
Dëshmia ime është – për ata që e kërkojnë, e lejojnë dhe jetojnë për të – se agimi i besimit, nganjëherë dalëngadalë, do të vijë ose mund të kthehet. Drita do të vijë kur ne e dëshirojmë dhe e kërkojmë atë, kur jemi të duruar dhe të bindur ndaj urdhërimeve të Perëndisë, kur jemi të gatshëm të pranojmë hirin, shërimin dhe besëlidhjet e Perëndisë.
Teksa filluam të pikturonim, Plaku Skot më nxiti: “Gerit, edhe me një mësim ti do të pikturosh diçka që do të dëshirosh ta ruash dhe ta kujtosh”. Plaku Skot kishte të drejtë. E çmoj shumë pikturën me bojëra uji të zjarrit tonë të kampit të besimit, të cilën Plaku Skot më ndihmoi ta pikturoja. Aftësia ime artistike ishte dhe mbetet e kufizuar, por kujtimi i zjarrit tonë të kampit të besimit mund të na nxitë në pesë mënyra.
Së pari, zjarri ynë i kampit të besimit mund të na nxitë të gjejmë gëzim në krijimtarinë e shëndetshme.
Imagjinata, të mësuarit, bërja e gjërave të reja me vlerë na sjellin gëzim. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur e thellojmë besimin dhe mirëbesimin tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Sado që mund ta duam veten tonë, ajo nuk mjafton që të shpëtohemi. Por Ati Qiellor na do më shumë nga sa e duam ne veten tonë dhe na njeh më mirë nga sa e njohim ne veten tonë. Ne mund të kemi besim te Zoti dhe të mos mbështetemi në gjykimin tonë.9
A keni qenë ndonjëherë i vetmi që nuk u ftuat në festimin e ditëlindjes së dikujt?
A jeni zgjedhur ndonjëherë i fundit, ose nuk jeni zgjedhur fare, kur u përzgjodhën skuadrat?
A jeni përgatitur për një provim në shkollë, një intervistë për punë, një mundësi që vërtet e dëshironit – dhe ndiet se dështuat?
A jeni lutur për një marrëdhënie që, për çfarëdo arsye, nuk ka shkuar mirë?
A jeni ndeshur me sëmundje kronike, jeni braktisur nga një bashkëshort/e, keni përjetuar agoni për familjen?
Shpëtimtari ynë i njeh rrethanat tona. Kur e ushtrojmë lirinë e zgjedhjes që na jepet nga Perëndia, dhe i përfshijmë të gjitha aftësitë tona me përulësi e besim, Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, mund të na ndihmojë të ndeshemi me sfidat e jetës dhe të përjetojmë gëzimet e saj. Besimi përfshin një dëshirë dhe zgjedhje për të besuar. Besimi gjithashtu vjen nga bindja ndaj urdhërimeve të Perëndisë, të cilat jepen për të na bekuar, ndërkohë që e ndjekim shtegun e Tij të besëlidhjeve.
Kur u ndiem, ose ndihemi, të pasigurt, të vetmuar, të acaruar, të zemëruar, të lënë në baltë, të zhgënjyer ose të veçuar nga Perëndia dhe Kisha e Tij e rivendosur, mund të kërkohet një shkallë më e madhe përpjekjesh dhe besimi për t’u futur sërish në shtegun e Tij të besëlidhjeve. Por ia vlen! Ju lutem ejani, ose ejani sërish, te Zoti Jezu Krisht! Dashuria e Perëndisë është më e fortë se zinxhirët e vdekjes – fizike ose shpirtërore.10 Shlyerja e Shpëtimtarit tonë është e pafundme dhe e përjetshme. Secili prej nesh shkon në udhë të gabuar dhe dështon. Për njëfarë kohe, ne mund ta humbasim udhën. Perëndia plot dashuri na siguron, pavarësisht se ku jemi ose çfarë kemi bërë, që nuk ka udhë pa kthim. Ai pret i gatshëm për të na përqafuar.11
Së dyti, zjarri ynë i kampit të besimit mund të na nxitë të japim shërbesë në mënyra të reja, më të larta dhe më të shenjta, të mbushura me Shpirtin.
Kjo dhënie shërbese sjell mrekullitë dhe bekimet e ndjesisë se i përkasim besëlidhjes – ku ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe kërkojmë t’u japim shërbesë të tjerëve në atë frymë.
Jo shumë kohë më parë unë dhe Motra Gong u njohëm me një baba dhe një familje që u bekuan nëpërmjet një vëllai besnik që kishte priftërinë, i cili shkoi te peshkopi i tyre dhe pyeti a mund të ishte ai (vëllai që kishte priftërinë) në një dyshe si mësues shtëpie me atë baba. Babai nuk ishte aktiv dhe nuk kishte interes të ishte një mësues shtëpie. Por teksa zemra e babait ndryshonte, ai dhe ky vëlla i dashur që kishte priftërinë, filluan t’i vizitonin familjet “e tyre”. Pas një vizite të tillë, bashkëshortja e tij – ajo vetë në atë kohë nuk e frekuentonte kishën – e pyeti burrin e saj se si kishin shkuar gjërat. Babai pohoi: “Mund të kem ndier diçka” – dhe më pas shkoi në kuzhinë për të marrë një birrë.12
Por gjërat pasuan njëra‑tjetrën: përvoja të dhembshura, dhënie shërbese, ndryshim zemrash, klasë përgatitjeje për në tempull, ardhje në kishë, vulosje si familje në tempullin e shenjtë. Përfytyroni se sa mirënjohës u janë fëmijët dhe nipërit e mbesat babait dhe nënës së tyre, si edhe vëllait shërbestar, i cili shkoi si një mik dhe shoqërues me babanë e tyre për t’u dhënë shërbesë të tjerëve dhe për t’i dashur ata.
Një zjarr i tretë i kampit të besimit është nxitja: gëzimi dhe bekimet krijuese të ungjillit vijnë kur ne përpiqemi ta duam Zotin dhe të tjerët me gjithë zemrën dhe shpirtin tonë.
Shkrimet e shenjta na ftojnë ta vendosim gjithçka që jemi dhe që po bëhemi mbi altarin e dashurisë dhe të shërbimit. Në Dhiatën e Vjetër, Ligji i Përtërirë na këshillon ta “dua[m] … Zotin, Perëndinë [tonë]” me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tonë.13 Jozueu këshillon: “[Duajeni] Zotin, Perëndinë tuaj, … ec[ni] në të gjitha rrugët e tij, … zbat[oni] të gjitha urdhërimet e tij, … qendr[oni] sa më afër tij dhe … i shërb[eni] me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt”14.
Në Dhiatën e Re, Shpëtimtari ynë i shpreh qartë dy urdhërimet e mëdha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde … edhe të afërmin tënd porsi vetveten”15.
Në Librin e Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, mbreti Beniamin punoi “me të gjithë fuqinë e trupit të tij dhe me aftësinë e tërë shpirtit të tij” dhe vendosi paqe në tokë.16 Te Doktrina e Besëlidhje, sikurse e di çdo misionar, Zoti na kërkon t’i shërbejmë Atij me gjithë “zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën”17 tonë. Kur shenjtorët hynë në kontenë Xhekson, Zoti i urdhëroi ta mbanin të shenjtë Shabatin duke e dashur “Zotin, Perëndinë [e tyre], me gjithë zemrën [e tyre], me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën [e tyre]; dhe në emër të Jezu Krishtit duhet t’i shërbe[nin] atij”18.
Ne gëzohemi nga ftesa për t’ia përkushtuar tërë qenien tonë kërkimit të udhëve më të larta dhe më të shenjta për ta dashur Perëndinë, për t’i dashur njerëzit përreth nesh dhe për ta forcuar besimin tonë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në zemrat tona, në shtëpitë tona dhe në kishë.
Së katërti, zjarri ynë i kampit të besimit na nxit të krijojmë modele të rregullta të të jetuarit me drejtësi, të cilat e thellojnë besimin dhe shpirtshmërinë.
Këto zakone të shenjta, rutina të drejta ose modele plot lutje mund të përfshijnë lutjen; studimin e shkrimeve të shenjta; agjërimin; të kujtuarit e Shpëtimtarit dhe të besëlidhjeve tona nëpërmjet ordinancës së sakramentit; përhapjen e bekimeve të ungjillit nëpërmjet shërbimit misionar, shërbimit në tempull, historisë familjare dhe shërbimeve të tjera; mbajtjen e një ditari vetjak plot mendim dhe kështu me radhë.
Kur bashkohen modele të drejta dhe dëshira shpirtërore, koha dhe përjetësia takohen së bashku. Drita shpirtërore dhe të jetuarit vijnë kur mbajtja e rregullt e veprimtarive fetare na afron më pranë Atit tonë Qiellor dhe Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Kur i duam shpirtin dhe mësimet e ligjit, gjërat e përjetësisë mund të pikojnë mbi shpirtrat tanë sikurse vesa nga qiejt.19 Me bindjen e përditshme dhe ujin e gjallë që na freskon, ne gjejmë përgjigje, besim e forcë për t’u bërë ballë sfidave dhe për t’i plotësuar mundësitë e përditshme me durimin, këndvështrimin dhe gëzimin e ungjillit.
Së pesti, kur i ruajmë në mënyrën më të mirë modelet që i njohim, teksa kërkojmë mënyra të reja dhe më të shenjta për ta dashur Perëndinë, për të ndihmuar veten dhe të tjerët që të përgatitemi për ta takuar Atë, zjarri ynë i kampit të besimit mund të na nxitë të sjellim ndërmend se përsosja është në Krisht, jo brenda nesh ose në përsosjen e botës.
Ftesat e Perëndisë janë plot dashuri e mundësi, sepse Jezu Krishti është “udha, e vërteta dhe jeta”20. Ata të cilët ndihen të rënduar, Ai i fton: “Ejani tek unë” dhe atyre që vijnë tek Ai, Ai u premton: “Unë do t’ju jap çlodhje”21. “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të, … [duajeni] Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht.”22
Tek ajo siguri se “me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht”, gjenden gjithashtu ngushëllimi, paqja dhe premtimi që mund të vazhdojmë të shkojmë përpara me besim e vetëbesim në Zotin, edhe kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç shpresojmë, siç presim ose ndoshta siç dëshirojmë, pa asnjë faj nga ana jonë, edhe pasi të kemi bërë gjithçka mundemi.
Në raste dhe mënyra të ndryshme, ne të gjithë ndihemi të papërshtatshëm, të pasigurt, ndoshta të padenjë. Prapëseprapë në përpjekjet tona besnike për ta dashur Perëndinë dhe për t’i dhënë shërbesë të afërmit tonë, ne mund ta ndiejmë dashurinë e Perëndisë dhe frymëzimin që nevojitet për jetën e tyre dhe tonën në mënyra të reja dhe më të shenjta.
Me dhembshuri, Shpëtimtari ynë na nxit dhe premton që ne mund “të shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”23. Doktrina e Krishtit, Shlyerja e Shpëtimtarit tonë dhe ndjekja nga ana jonë me gjithë shpirt e shtegut të Tij të besëlidhjeve mund të na ndihmojnë t’i dimë të vërtetat e Tij dhe mund të na bëjnë të lirë.24
Unë dëshmoj se plotësia e ungjillit të Tij dhe plani i Tij i lumturisë janë rivendosur dhe janë dhënë mësim në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, në shkrimin e shenjtë dhe prej profetëve, që nga Profeti Jozef Smith dhe deri sot nga Profeti Rasëll M. Nelson. Unë dëshmoj se shtegu i Tij i besëlidhjeve çon drejt dhuratës më të madhe që premton Ati ynë i dashur Qiellor: “Ju do të keni jetën e përjetshme”25.
Qofshin tonat bekimet e Tij dhe gëzimi durues kur i ngrohim zemrën, shpresat dhe zotimin tonë te zjarri i kampit tonë të besimit, unë lutem në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.