2018
Fjalët e Hapjes
Nëntor 2018


Fjalët e Hapjes

Është koha për një Kishë të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga ajo që ndodh brenda ndërtesave tona të degës, lagjes dhe kunjit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, e kemi pritur me padurim mbledhjen me ju sërish në këtë konferencë të përgjithshme të tetorit të Kishës. Ne i shprehim mirëseardhjen tonë të përzemërt secilit prej jush. Jemi thellësisht mirënjohës për lutjet tuaja mbështetëse! Mund ta ndiejmë ndikimin e tyre. Ju faleminderit!

Jemi mirënjohës për përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme për të vepruar sipas këshillës së dhënë në konferencën e përgjithshme gjashtë muaj më parë. Presidencat e kunjeve në mbarë botën kanë kërkuar zbulesën e domosdoshme për të riorganizuar kuorumet e pleqve. Burrat e këtyre kuorumeve, bashkë me motrat tona të përkushtuara të Shoqatës së Ndihmës, po punojnë me zell për t’u dhënë shërbesë vëllezërve dhe motrave tona në një mënyrë më të lartë e më të shenjtë. Ne jemi frymëzuar nga mirësia dhe përpjekjet tuaja të jashtëzakonshme për t’ua sjellë dashurinë e Shpëtimtarit familjeve, fqinjëve dhe miqve e mikeshave tuaja, si dhe për t’u dhënë shërbesë atyre ashtu siç do të bënte Ai.

Që nga koha e konferencës së prillit, Motra Nelson dhe unë jemi takuar me anëtarë në të katër kontinentet dhe në ishujt e detit. Nga Jerusalemi në Harare, nga Uinipegu në Bangkok, ne e kemi përjetuar besimin tuaj të madh dhe forcën e dëshmive tuaja.

Jemi gëzuar tej mase nga numri i të rinjve dhe të rejave tona që janë bashkuar me batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit të shpërndarë.1 Ne ju falënderojmë! Teksa vazhdoni t’i ndiqni ftesat që unë bëra në takimin tonë shpirtëror mbarëbotëror për rininë, ju po vendosni një standard për ta ndjekur ne të tjerët. Dhe çfarë ndryshimi po sillni ju rinia!

Në vitet e fundit, ne, në këshillat kryesuese të Kishës, kemi punuar për t’i dhënë përgjigje një pyetjeje themelore: Në ç’mënyrë mund t’i çojmë ungjillin, në pastërtinë e tij të thjeshtë, dhe ordinancat, me efektshmërinë e tyre të përjetshme, tek të gjithë fëmijët e Perëndisë?

Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, jemi mësuar ta mendojmë “kishën” si diçka që ndodh në shtëpitë tona të mbledhjeve, e përkrahur nga ajo që ndodh në shtëpi. Kemi nevojë për një përshtatje të këtij modeli. Është koha për një Kishë të përqendruar te shtëpia, të përkrahur nga ajo që ndodh brenda ndërtesave tona të degës, lagjes dhe kunjit.

Teksa Kisha vazhdon të zgjerohet në mbarë botën, shumë anëtarë jetojnë atje ku nuk kemi godina kishtare – dhe mund të mos kemi për një të ardhme të afërt. Më kujtohet një familje, pjesëtarëve të së cilës, për shkak të rrethanave të tilla, u kërkohej të mblidheshin në shtëpinë e tyre. E pyeta nënën se sa i pëlqente të shkonte në kishë në vetë shtëpinë e saj. Ajo u përgjigj: “Më pëlqen! Bashkëshorti im tani përdor fjalor më të mirë në shtëpi, duke e ditur se ai do ta bekojë sakramentin këtu çdo të diel.”

Qëllimi afatgjatë i Kishës është t’u japë ndihmesë të gjithë anëtarëve që ta rritin besimin e tyre te Zoti ynë Jezu Krishti dhe te Shlyerja e Tij, t’u japë ndihmesë atyre për t’i bërë dhe mbajtur besëlidhjet e tyre me Perëndinë, si dhe për t’i forcuar dhe vulosur familjet e tyre. Në këtë botë të ndërlikuar sot, kjo nuk është e lehtë. Kundërshtari po i rrit sulmet e tij mbi besimin dhe mbi ne dhe familjet tona me një shkallë eksponenciale. Që të mbijetojmë shpirtërisht, kemi nevojë për strategji kundërvepruese dhe plane paravepruese. Në përputhje me këtë, tani ne dëshirojmë të vëmë në zbatim disa përshtatje organizative që do t’i forcojnë më shumë anëtarët tanë dhe familjet e tyre.

Për shumë vite, udhëheqësit e Kishës kanë punuar për një program mësimor të harmonizuar për t’i forcuar familjet dhe individët nëpërmjet një plani të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha për ta mësuar doktrinën, forcuar besimin dhe nxitur një adhurim vetjak më të madh. Përpjekjet tona gjatë këtyre viteve të fundit për ta shenjtëruar Shabatin – për ta bërë atë një kënaqësi dhe një shenjë vetjake ndaj Perëndisë të dashurisë sonë për Të – do të shtohen nga përshtatjet që do të paraqitim tani.

Këtë mëngjes, do të njoftojmë një baraspeshë dhe një lidhje të re mes udhëzimit për ungjillin në shtëpi dhe atij në Kishë. Secili prej nesh është përgjegjës për rritjen tonë shpirtërore vetjake. Dhe shkrimet e shenjta e bëjnë të qartë se prindërit e kanë përgjegjësinë parësore për t’ua dhënë mësim doktrinën fëmijëve të tyre.2 Është përgjegjësia e Kishës që t’i japë ndihmesë çdo anëtari/eje për synimin e përkufizuar hyjnisht për rritje të njohurisë së tij apo të saj në ungjill.

Plaku Kuentin L. Kuk do t’i shpjegojë tani këto përshtatje të rëndësishme. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve janë të bashkuar në miratimin e këtij mesazhi. Me mirënjohje falënderojmë për frymëzimin nga Zoti që ka pasur ndikim në zhvillimin e planeve dhe procedurave që do të paraqitë Plaku Kuk.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, unë e di se Perëndia jeton! Jezusi është Krishti! Kjo është Kisha e Tij dhe Ai e drejton nëpërmjet profecisë dhe zbulesës ndaj shërbëtorëve të Tij të përulur. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.