2018
T’i Sjellim në Një Krye të Vetëm, në Krishtin, Të Gjitha Gjërat
Nëntor 2018


T’i Sjellim në një Krye të Vetëm, në Krishtin, të Gjitha Gjërat

Fuqia e ungjillit të Shpëtimtarit për të na shndërruar e për të na bekuar, rrjedh nga dallimi dhe zbatimi i ndërvarësisë së doktrinës, parimeve dhe praktikave të saj.

Një litar është një mjet i rëndësishëm të cilin të gjithë e njohim. Litarët përbëhen nga fije pëlhurash, bimësh, telash ose materialesh të tjera, ku secila individualisht thuret ose gërshetohet së bashku. Në mënyrë interesante, substancat që mund të jenë krejtësisht të zakonshme, mund të enden së bashku dhe të bëhen jashtëzakonisht të forta. Pra, bashkimi dhe lidhja në mënyrë të efektshme e materialeve, mund të prodhojnë një mjet të shkëlqyer.

Fije të endura në një litar

Ashtu si një litar e merr forcën e vet nga shumë fije të veçanta të ndërthurura, po kështu ungjilli i Jezu Krishtit siguron perspektivën më të madhe të së vërtetës dhe ofron bekimet më të pasura, ndërsa ia vëmë veshin këshillës së Palit që t’i “s[jellim] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe”1. Më e rëndësishmja, kjo sjellje së bashku dhe jetike e së vërtetës qendërzohet dhe përqendrohet te Zoti Jezu Krisht sepse Ai është “udha, e vërteta dhe jeta”2.

Unë lutem që Fryma e Shenjtë do ta ndriçojë secilin prej nesh ndërsa marrim në shqyrtim mënyrën se si parimi i sjelljes në një krye të vetëm, në Krishtin, i të gjitha gjërave gjen zbatim në mënyra praktike për të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit të Tij të rivendosur në jetën tonë të përditshme.

Një Stinë Zbulese

Ne jetojmë në një stinë të jashtëzakonshme dhe zbulese të Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit. Përshtatjet historike që u shpallën sot, kanë vetëm një qëllim gjithëpërfshirës: të forcojnë besimin tek Ati Qiellor e te plani i Tij dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti, e Shlyerja e Tij. Programi i mbledhjes të së dielës jo thjesht u shkurtua. Për më tepër, tani kemi mundësi dhe përgjegjësi të shtuara si individë dhe familje për ta përdorur kohën tonë për përforcimin e Shabatit si një kënaqësi në shtëpi dhe në Kishë.

Prillin e kaluar, struktura organizative e kuorumeve të priftërisë jo thjesht u ndryshua. Përkundrazi, dhënies së shërbesës ndaj vëllezërve dhe motrave tona iu vu theks dhe iu dha forcë në mënyrë më të lartë e më të shenjtë.

Sikurse fijet e thurura të një litari prodhojnë një mjet të fuqishëm e të qëndrueshëm, të gjitha këto veprime të ndërlidhura janë pjesë e një përpjekjeje të bashkuar për t’i përputhur më mirë përqendrimin, burimet dhe punën e Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit me misionin e saj themelor: për ta ndihmuar Perëndinë në veprën e Tij, për t’u sjellë shpëtimin dhe ekzaltimin fëmijëve të Tij. Ju lutem, mos u përqendroni kryesisht tek aspektet logjistike të asaj që është shpallur. Ne nuk duhet të lejojmë që hollësitë e procedurave të errësojnë arsyet shpirtërore gjithëpërfshirëse të këtyre ndryshimeve që po bëhen tani.

Dëshira jonë është që besimi në planin e Atit dhe në misionin shëlbues të Shpëtimtarit të mund të rritet në tokë dhe që të mund të vendoset besëlidhja e përjetshme e Perëndisë.3 Objektivat tona të vetme janë që ta lehtësojnë kthimin e vazhdueshëm në besim te Zoti dhe t’i duam më plotësisht e t’u shërbejmë në mënyrë më të efektshme vëllezërve dhe motrave tona.

Segmentimi dhe Ndarja

Ndonjëherë si anëtarë të Kishës ne e segmentojmë, e ndajmë dhe e vëmë në zbatim ungjillin në jetën tonë duke krijuar lista të gjata kontrolli të temave individuale që duhen studiuar e detyrave që duhen përmbushur. Por një qasje e tillë mund ta kufizojë kuptimin dhe vizionin tonë. Duhet të jemi të kujdesshëm sepse një përqendrim si ai i farisenjve te listat e kontrollit mund të na devijojë nga afrimi më pranë Zotit.

Qëllimi dhe pastrimi, lumturia dhe gëzimi, dhe kthimi në besim e mbrojtja e vazhdueshme që vijnë nga “dhëni[a] e zemrave … t[ona] Perëndisë”4 dhe marr[ja e] shëmbëlltyrë[s së] Tij në pamjen t[onë]5, nuk mund të merren thjesht duke kryer dhe duke shenjuar të gjitha gjërat shpirtërore që supozohet të bëjmë. Përkundrazi, fuqia e ungjillit të Shpëtimtarit për të na shndërruar e për të na bekuar, rrjedh nga dallimi dhe zbatimi i ndërvarësisë së doktrinës, parimeve dhe praktikave të saj. Vetëm kur i sjellim në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, me një përqendrim të vendosur tek Ai, të vërtetat e ungjillit në mënyrë bashkëvepruese mund të na aftësojnë që të bëhemi çka Perëndia dëshiron që të bëhemi6 dhe të durojmë me guxim deri në fund.7

Të Mësuarit dhe Lidhja e të Vërtetave të Ungjillit

Ungjilli i Jezu Krishtit është një sixhade madhështore e së vërtetës që është “lidhur mirë”8 dhe është endur së bashku. Ndërsa i mësojmë dhe i lidhim së bashku të vërtetat e zbuluara të ungjillit, ne bekohemi që të fitojmë një perspektivë të çmuar dhe një aftësi të shtuar shpirtërore nëpërmjet syve që mund ta shohin ndikimin e Zotit në jetën tonë dhe veshëve që mund ta dëgjojnë zërin e Tij.9 Dhe parimi i sjelljes në një krye të vetëm – madje në Të – mund të na ndihmojë për t’i ndryshuar listat tradicionale të kontrollit në një listë të vetme të bashkuar, të integruar e të plotë. Më lejoni t’ju jap një shembull doktrinor si edhe një shembull të Kishës për atë që jam duke sugjeruar.

Shembulli 1. Neni i katërt i besimit është një nga ilustrimet më të mëdha të sjelljes në një krye të vetëm, në Krishtin, të të gjitha gjërave: “Ne besojmë se parimet dhe ordinancat e para të Ungjillit janë: së pari, Besimi në Zotin Jezu Krisht; së dyti, Pendimi; së treti, Pagëzimi me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve; së katërti, Vënia e duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë”10.

Besimi në Zotin Jezu Krisht

Besimi i vërtetë përqendrohet në dhe te Zoti Jezu Krisht – tek Ai si Biri Hyjnor dhe i Vetëmlindur i Atit dhe tek Ai e misioni shëlbues që Ai përmbushi. “Pasi ai ka përmbushur qëllimet e ligjit dhe kërkon të gjithë ata që kanë besim në të; dhe ata që kanë besim në të, do të kapen pas çdo gjëje të mirë; prandaj ai [e] përkrah çështjen e fëmijëve të njerëzve.”11 Të ushtrojmë besim në Krisht do të thotë t’i mirëbesojmë dhe ta vendosim besimin tonë tek Ai si Shpëtimtari ynë, tek emri i Tij dhe te premtimet e Tij.

Pendimi

Pasoja e parë dhe e natyrshme e mirëbesimit në Shpëtimtarin është pendimi dhe largimi nga e keqja. Ndërsa ushtrojmë besim në dhe te Zoti, ne natyrshëm kthehemi drejt Tij, vijmë tek Ai dhe varemi prej Tij. Pra, pendim do të thotë t’i mirëbesojmë Shëlbuesit dhe të mbështetemi tek Ai që të bëjë për ne atë që nuk mund ta bëjmë vetë. Secili prej nesh duhet të “[mbështetet] tërësisht në meritat e atij që është i fuqishëm të shpëtojë”12, pasi vetëm “nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë”13, ne mund të bëhemi krijesa të reja në Krishtin14 dhe përfundimisht të kthehemi e të banojmë në praninë e Perëndisë.

Pagëzimi

Ordinanca e pagëzimit me anë të zhytjes për heqjen e mëkateve kërkon që ne t’i mirëbesojmë Atij, të mbështetemi tek Ai dhe ta ndjekim Atë. Nefi deklaroi: “Unë e di se, në qoftë se ju do të ndiqni Birin, me qëllim të plotë të zemrës, pa bërë hipokrizi dhe mashtrim para Perëndisë, por me bindje të vërtetë, duke u penduar për mëkatet tuaja, duke i dëshmuar Atit se jeni të gatshëm të merrni mbi vete emrin e Krishtit, me anë të pagëzimit – po, duke ndjekur Zotin tuaj dhe Shpëtimtarin tuaj poshtë në ujë sipas fjalës së tij, vini re, atëherë ju do të merrni Frymën e Shenjtë; po, atëherë vjen pagëzimi i zjarrit dhe i Frymës së Shenjtë”15.

Konfirmimi

Ordinanca e vendosjes së duarve për dhuratën e Frymës së Shenjtë kërkon që ne t’i mirëbesojmë Atij, të mbështetemi tek Ai, ta ndjekim Atë dhe të shkojmë përpara në Të me ndihmën e Shpirtit të Tij të Shenjtë. Ashtu siç shpalli Nefi: “Dhe tani, … e di se në qoftë se një njeri nuk duron deri në fund, duke ndjekur shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë, ai nuk mund të shpëtohet”16.

Sjellja në një krye të vetëm

Neni i katërt i besimit nuk përcakton thjesht parimet dhe ordinancat themelore të ungjillit të rivendosur. Përkundrazi, kjo thënie e frymëzuar për bindjen, i sjell në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat: mirëbesimin tek Ai dhe në Të, mbështetjen tek Ai, ndjekjen e Tij dhe të shkuarit përpara me Të – madje në Të.

Shembulli 2. Tani dua të përshkruaj mënyrën se si të gjitha programet dhe nismat e Kishës janë sjellë në një krye të vetëm, në Krishtin. Mund të paraqiten shumë ilustrime shtesë; unë do të përdor vetëm disa nga ato që kam përzgjedhur.

Ndërtimi dhe forcimi i Sionit

Në vitin 1978, Presidenti Spenser W. Kimball i udhëzoi anëtarët e Kishës që ta ndërtonin forcën e Sionit në mbarë botën. Ai i këshilloi shenjtorët të qëndronin në vendet e tyre të lindjes dhe të krijonin kunje të forta duke e mbledhur së bashku familjen e Perëndisë dhe duke u mësuar atyre udhët e Zotit. Ai më tej njoftoi se më shumë tempuj do të ndërtoheshin dhe premtoi bekime për shenjtorët kudo që ata jetonin në botë.17

Bllok tre orësh
Proklamata e familjes

Ndërsa numri i kunjeve u rrit, u intensifikua nevoja që shtëpitë e anëtarëve të “bëheshin [vendet] ku pjesëtarët e familjes [donin shumë] të ishin, ku ata [mund] ta pasuronin jetën e tyre dhe të gjenin dashuri, përkrahje, mirënjohje dhe nxitje”18. Rrjedhimisht, në vitin 1980, takimet e së dielës u konsoliduan në një bllok tre orësh për të “ritheksuar përgjegjësinë vetjake dhe familjare për të mësuarit, të jetuarit dhe dhënien mësim të ungjillit”19. Ky theks te familja dhe shtëpia u pohua sërish te dokumenti “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, të paraqitur nga Presidenti Gordon B. Hinkli në vitin 1995.20

Ndërtim tempulli

Në prill të vitit 1998, Presidenti Hinkli njoftoi ndërtimin e shumë tempujve më të vegjël, duke i sjellë në këtë mënyrë ordinancat e shenjta të shtëpisë së Zotit më pranë individëve dhe familjeve shenjtore të ditëve të mëvonshme në mbarë botën.21 Dhe këto mundësi të shtuara për rritjen dhe zhvillimin shpirtëror, u plotësuan nga rritja që lidhet me mbështetjen materiale te vetja nëpërmjet paraqitjes së programit të Fondit të Qarkullueshëm Arsimor në vitin 2001.22

Kujdesi për të varfrit e nevojtarët

Gjatë ushtrimit të detyrës të tij, Presidenti Tomas S. Monson në mënyrë të përsëritur i këshilloi shenjtorët të shkonin “në shpëtim [të të tjerëve]” dhe theksoi kujdesin për të varfrit e nevojtarët si një nga përgjegjësitë hyjnore caktuar Kishës. Duke e vazhduar vënien e theksit te përgatitja materiale, nisma për Shërbimet e Mbështetjes te Vetja u vu në zbatim në vitin 2012.

Bërja e Shabatit një kënaqësi

Gjatë viteve të kaluara, parimet themelore të bërjes së ditës së Shabatit një kënaqësi në shtëpi e në Kishë janë theksuar e përforcuar23, duke na përgatitur në këtë mënyrë për përshtatjen e programit të mbledhjes të së dielës që u shpall në këtë sesion të konferencës së përgjithshme.

Kuorumet e priftërisë Melkizedeke të rreshtuara me organizatat ndihmëse

Dhe gjashtë muaj më parë, kuorumet e Priftërisë Melkizedeke u forcuan dhe u rreshtuan në mënyrë më të efektshme me organizatat ndihmëse për të arritur një qasje më të lartë e më të shenjtë për të dhënë shërbesë.

Një punë e bashkuar

Unë besoj se rendi dhe koha e këtyre veprimeve gjatë shumë dekadave, mund të na ndihmojnë të shohim një punë të bashkuar e tërësore dhe jo thjesht një sërë nismash të pavarura e të veçanta. “Perëndia ka zbuluar një model të përparimit shpirtëror për individët dhe familjet nëpërmjet ordinancave, mësimdhënies, programeve dhe veprimtarive që janë të përqendruara te shtëpia dhe të mbështetura nga Kisha. Organizatat dhe programet e Kishës ekzistojnë për t’i bekuar individët dhe familjet dhe nuk janë qëllime në vetvete.”24

Lutem që të mund ta vlerësojmë punën e Zotit si një punë të madhe mbarëbotërore që po bëhet gjithnjë e më shumë e përqendruar te shtëpia dhe e mbështetur nga Kisha. Unë e di dhe dëshmoj se Zoti po zbulon dhe “përsëri do të zbulojë shumë gjëra të mëdha dhe të rëndësishme lidhur me Mbretërinë e Perëndisë.”25

Premtim dhe Dëshmi

E fillova mesazhin tim duke theksuar fuqinë që krijohet teksa fijet individuale të materialit thuren ose gërshetohen së bashku në një litar. Në mënyrë të ngjashme, premtoj se perspektiva, qëllimi dhe fuqia e shtuar do të jenë të dukshme në të mësuarit dhe të jetuarit e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit, ndërsa përpiqemi fort t’i sjellim në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat – madje në Të.

Të gjitha mundësitë dhe bekimet që kanë pasoja të përjetshme e kanë origjinën, janë të mundshme dhe kanë qëllim në saje të Zotit Jezu Krisht dhe ato mbahen nëpërmjet Tij. Ashtu siç Alma dëshmoi: “Nuk ka udhë ose mjet tjetër, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtojë, por vetëm në dhe nëpërmjet Krishtit. Vër re, ai është jeta dhe drita e botës.”26

Unë shpall plot gëzim dëshminë time për hyjninë dhe realitetin e gjallë të Atit të Amshuar dhe të Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit. Në Shpëtimtarin tonë, ne gjejmë gëzim. Dhe në Të ne gjejmë sigurinë e “paqe[s] në këtë botë dhe [të] jetë[s së] përjetshme në botën që vjen”27. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.