2018
Gëzimi i Shërbimit Vetëmohues
Nëntor 2018


Gëzimi i Shërbimit Vetëmohues

Ne i kemi premtuar Atit tonë në Qiell që do t’i shërbejmë Atij dhe të tjerëve me dashuri dhe që do ta bëjmë vullnetin e Tij në të gjitha gjërat.

Pas konferencës së fundit të përgjithshme, shumë njerëz m’u afruan me të njëjtën pyetje: “A janë të rehatshme ato karrige?” Përgjigjja ime ishte e njëjta çdo herë: “Ato karrige janë shumë të rehatshme nëse nuk të duhet të flasësh”. Është e vërtetë, apo jo? Karrigia ime nuk ka qenë dhe aq e rehatshme këtë konferencë, por jam vërtet mirënjohëse për bekimin dhe nderin që t’ju flas juve këtë mbrëmje.

Nganjëherë, kur shërbejmë, duhet të ulemi në karrige të ndryshme. Disa janë tejet të rehatshme dhe disa të tjera jo, por ne i kemi premtuar Atit tonë në Qiell që do t’i shërbejmë Atij dhe të tjerëve me dashuri dhe që do ta bëjmë vullnetin e Tij në të gjitha gjërat.

Disa vite më parë, të rinjtë në Kishë mësuan që, “kur ‘hyni në shërbim të Perëndisë’ [Doktrina e Besëlidhje 4:2], po i bashkoheni rrugëtimit më të hatashëm të mundshëm. Po e ndihmoni Perëndinë për ta përshpejtuar veprën e Tij dhe kjo është një përvojë e hatashme, e gëzueshme dhe e mrekullueshme.”1 Është një rrugëtim në dispozicion të të gjithëve – të çfarëdo moshe – dhe është gjithashtu një rrugëtim që na çon nëpër atë për të cilin profeti ynë i dashur ka folur si “shtegu [i] besëlidhje[s]”2.

Sidoqoftë, fatkeqësisht ne jetojmë në një botë vetëdashëse ku njerëzit gjatë gjithë kohës pyetin: “Ç’përfitim kam unë nga kjo?” në vend që të pyetin: “Kë mund të ndihmoj sot?” ose “Si mund t’i shërbej më mirë Zotit në thirrjen time?” ose “A po i jap gjithçka timen Zotit?”

Motra dhe Vëllai Antonieti
Viktoria Antonieti

Një shembull i shkëlqyer në jetën time i shërbimit vetëmohues është motra Viktoria Antonieti. Viktoria ishte një nga mësueset e Fillores në degën time kur unë po rritesha në Argjentinë. Çdo të martë pasdite, kur mblidheshim për Fillore, ajo na sillte një tortë me çokollatë. Të gjithëve iu pëlqente shumë torta – epo, të gjithëve përveç meje. Unë nuk e honepsja tortën me çokollatë! Dhe ndonëse ajo përpiqej të më jepte edhe mua tortë, unë gjithnjë nuk e pranoja ofertën e saj.

Një ditë, pasi u kishte dhënë tortë me çokollatë të gjithë fëmijëve të tjerë, e pyeta: “Pse nuk sjell një tortë me shije tjetër – si me portokall ose vanilje?”

Pasi qeshi paksa, më pyeti: “Pse nuk e provon një copëz? Kjo tortë është bërë me një përbërës të veçantë dhe të premtoj se, po ta provosh, do të të pëlqejë!”

Pashë përreth dhe, për befasinë time, dukej sikur të gjithëve po u shijonte torta. Rashë dakord ta provoja një herë. A mund ta gjeni se çfarë ndodhi? Më pëlqeu! Ajo ishte hera e parë që më shijoi një tortë me çokollatë.

Vetëm shumë vjet më vonë e zbulova se cili qe përbërësi i fshehtë në tortën me çokollatë të motrës Antonieti. Fëmijët e mi dhe unë e vizitonim çdo javë nënën time. Gjatë njërës prej këtyre vizitave, mamasë dhe mua po na shijonte nga një copë torte me çokollatë dhe i tregova asaj si arriti të më pëlqente torta me çokollatë për herë të parë fare. Pastaj ajo hodhi dritë mbi pjesën tjetër të historisë.

“Duhet ta dish, Kris”, tha mamaja ime, “se Viktoria dhe familja e saj nuk kishin shumë burime ekonomike dhe çdo javë asaj i duhej të zgjidhte midis pagimit për autobusin që do ta çonte atë dhe katër fëmijët e saj në Fillore, ose blerjes së përbërësve për të bërë një tortë me çokollatë për klasën e saj të Fillores. Ajo gjithnjë zgjidhte tortën me çokollatë në vend të autobusit dhe ajo dhe fëmijët e saj ecnin për më shumë se 3 km për secilin drejtim, pavarësisht nga moti.”

Atë ditë pata një vlerësim më të madh për tortën e saj me çokollatë. Më e rëndësishmja, mësova se përbërësi i fshehtë në tortën e Viktorias qe dashuria që ajo kishte për ata të cilëve u shërbente, dhe sakrifica e saj vetëmohuese për ne.

Mendimet prapa në kohë për tortën e Viktorias më ndihmojnë të kujtoj një sakrificë vetëmohuese në mësimin e dhënë nga Zoti për dishepujt e Vet ndërsa ecte drejt thesarit të tempullit, i cili vlen për çdo kohë. Ju e dini historinë. Plaku Xhejms E. Talmixh dha mësim se atje ishin 13 arka “dhe brenda tyre njerëzit hidhnin kontributet e tyre për qëllimet [e ndryshme] të treguara nga mbishkrime[t] në kuti”. Jezusi i pa rreshtat e dhuruesve që përbëheshin nga lloje të ndryshëm njerëzish. Disa i jepnin dhuratat e tyre me “qëllim të sinqertë” ndërkohë që të tjerë vinin “sasi të mëdha argjendi dhe ari”, duke shpresuar që të binin në sy, të dalloheshin dhe të lëvdoheshin për dhurimet e tyre.

“Mes njerëzve të shumtë qe një e ve e varfër e cila … hodhi në njërën nga arkat e thesarit dy monedha të vogla bronzi, që njiheshin si një kuadrant; kontributi i saj llogaritej në më pak se gjysmë centi me paratë amerikane. Zoti i thirri dishepujt e Tij rreth Vetes, ua tërhoqi vëmendjen për tek e veja e varfër dhe te vepra e saj dhe u tha: ‘Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar’ [Marku 12:43–44].”3

Monedhat e gruas së ve

E veja nuk dukej se kishte një pozitë të ngritur në shoqërinë e kohës së saj. Ajo në të vërtetë kishte diçka më të rëndësishme: qëllimet e saj qenë të pastra dhe ajo dha gjithçka që kishte për të dhënë. Ndoshta ajo dha më pak se të tjerët, më heshtur se të tjerët, më ndryshe se të tjerët. Në sytë e disave, sasia që dha ajo ishte e papërfillshme, por në sytë e Shpëtimtarit, [që mund] “të dallojë mendimet dhe dëshirat e zemrës”4 ajo dha gjithçka të sajën.

Motra, a po ia japim gjithçka tonën Zotit pa mbajtur asgjë? A po e sakrifikojmë kohën dhe talentet tona që brezi i ri të mund të mësojë ta dojë Zotin dhe t’i zbatojë urdhërimet e Tij? A po u japim shërbesë edhe atyre që na rrethojnë, edhe atyre që na janë caktuar me përkujdesje dhe zell – duke sakrifikuar kohë dhe energji që mund të përdoreshin në mënyra të tjera? A po i jetojmë dy urdhërimet e mëdha – ta duam Perëndinë dhe t’i duam fëmijët e Tij?5 Shpesh, ajo dashuri shpërfaqet si shërbim.

Presidenti Dallin H. Ouks dha mësim: “Shpëtimtari ynë dha veten në shërbim vetëmohues. Ai na mësoi që secili nga ne duhet Ta ndjekë duke i mohuar vetes interesat egoiste, për t’u shërbyer të tjerëve.”

Ai vazhdoi:

“Një shembull i njohur i hedhjes pa rezerva në shërbim të të tjerëve … është sakrifica që bëjnë prindërit për fëmijët. Nënat lejojnë dhembjen dhe humbjen e përparësive vetjake dhe të rehatisë, për të lindur dhe rritur secilin fëmijë. Etërit e përshta[t]in jetesën dhe përparësitë, për të mbajtur familjen. …

… Gëzojmë gjithashtu për ata të cilët interesohen për pjesëtarët e paaftë të familjes dhe për prindërit e moshuar. Asnjëri në këtë shërbim nuk pyet: ‘Ç’përfitim nxjerr unë?’ E gjitha kjo kërkon të lihet mënjanë përfitimi vetjak për të shërbyer me vetëmohim. …

[Dhe] e gjithë kjo ilustron parimin e përjetshëm se ne jemi më të lumtur dhe më të plotë kur veprojmë dhe shërbejmë për atë që japim, jo për atë që marrim.

Shpëtimtari ynë na mëson t’i shkojmë pas duke bërë sakrificat që janë të nevojshme për ta humbur veten tonë në shërbim vetëmohues ndaj të tjerëve.”6

Presidenti Tomas S. Monson në të njëjtën mënyrë dha mësim se “ndoshta kur të kemi kontakt ballë për ballë me Krijuesin tonë, nuk do të na bëhet pyetja: ‘Sa pozicione mbajte?’ por ‘Sa njerëz ndihmove?’ Në të vërtetë, nuk mund ta duash kurrë Zotin derisa t’i shërbesh Atij duke u shërbyer njerëzve të Tij.” 7

Me fjalë të tjera, motra, nuk do të ketë rëndësi a u ulëm në karrige të rehatshme apo a qëndruam me vështirësi në mbledhje në një karrige të ndryshkur që paloset në rreshtin e fundit. Nuk do të ketë rëndësi a dolëm në korridor nga nevoja për të ngushëlluar një foshnjë që po qan. Ajo që do të ketë rëndësi, është që erdhëm me dëshirën për të shërbyer, që i vumë re ata të cilëve u japim shërbesë, dhe i përshëndetëm me gëzim, si dhe që iu paraqitëm atyre që qenë në të njëjtin rresh karrigesh me palosje si ne – duke iu afruar miqësisht ndonëse nuk jemi caktuar t’u japim shërbesë atyre. Dhe me siguri do të ketë rëndësi fakti që e bëjmë gjithçka që bëjmë me përbërësin e veçantë të shërbimit të ndërthurur me dashurinë dhe sakrificën.

Kam arritur ta di se nuk kemi pse të bëjmë tortë me çokollatë për të qenë një mësuese e suksesshme ose e përkushtuar e Fillores, sepse çështja nuk qe tek torta. Çështja qe te dashuria që fshihej pas veprimit.

Unë dëshmoj se ajo dashuri shenjtërohet nëpërmjet sakrificës – sakrificës së një mësueseje dhe akoma më shumë nëpërmjet sakrificës më të lartë e të përjetshme të Birit të Perëndisë. Jap dëshmi se Ai jeton! E dua Atë dhe dëshiroj t’i largoj dëshirat egoiste në mënyrë që të dua dhe të jap shërbesë sikurse Ai. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Young Men General Presidency, “This Marvelous Work”, Liahona, janar 2015, f. 49.

  2. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

  3. James E. Talmage, Jesus the Christ (1916), f. 561.

  4. Doktrina e Besëlidhje 33:1.

  5. Shih Mateu 22:37, 39.

  6. Dallin H. Ouks, “Shërbimi Vetëmohues”, Liahona, maj 2009, f. 93, 94, 96.

  7. Thomas S. Monson, “Great Expectations” (takim shpirtëror i Universitetit “Brigam Jang”, 11 janar 2009), f. 6, speeches.byu.edu.