2018
Plaku Bruk P. Hejls
Nëntor 2018


Plaku Bruk P. Hejls

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Kur Plaku Bruk P. Hejls ishte tetë ose nëntë vjeç, ai ishte në një mbledhje agjërimi dhe dëshmie ku babai i tij po kryesonte si peshkop. Babai i tij e ftoi bashkësinë për të dhënë dëshmi dhe thuajse të gjithë të pranishmit dhanë dëshmi. “Ishte ndoshta hera e parë që e ndjeva Shpirtin të më dëshmonte për vërtetësinë e ungjillit”, kujton Plaku Hejls.

Ai e ka ndier atë dëshmi shumë herë që nga ajo kohë, veçanërisht ndërsa shërbente si sekretar i Presidencës së Parë që nga viti 2008. Kur Presidenti Tomas S. Monson u mbështet si profet dhe President i Kishës, dhe sërish kur u mbështet Presidenti Rasëll M. Nelson, ai dëshmoi se “manteli i profetit bie mbi secilin prej këtyre burrave dhe unë e dija pa dyshim se ata ishin zgjedhur dhe thirrur për të qenë President i Kishës për kohën e tyre të veçantë”.

Plaku Hejls u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 17 maj 2018 dhe u mbështet më 6 tetor 2018. Ai do të vazhdojë si sekretar i Presidencës së Parë.

I lindur në Ogden, Jutë, SHBA, më 7 prill 1956, nga Klea dhe Glen Filip Hejlsi, Plaku Hejls mori diplomë universitare për shërbime bankare dhe financë nga Kolegji Shtetëror i Uibërit (tani Universiteti Shtetëror i Uibërit) në 1980-ën. Pas diplomimit, ai punoi për veprime të bankave tregtare dhe në Sektorin e Financave dhe Dokumenteve të Kishës. Ai u martua me Denis Imlei Hejlsin në vitin 1981 dhe ata janë prindërit e katër fëmijëve. Plaku Hejls ka shërbyer si misionar kohëplotë në Misionin e Francës, Paris, këshilltar në peshkopatë, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, peshkop, president kunji, organist i priftërisë, mësues i Shkollës të së Dielës dhe vulosës në tempull.

Atë ditë, kur ishte djalë i vogël, Plaku Hejls nuk e dha dëshminë e tij. Por që nga ajo kohë ajo është forcuar më shumë. “Ungjilli i Jezu Krishtit është rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith, Libri i Mormonit është i vërtetë, Perëndia na do në mënyrë të përsosur dhe mezi pret të na bekojë, Jezusi është Shpëtimtari ynë dhe jemi të bekuar që kemi shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë ndërsa jemi të denjë për të”, thotë ai.