2018
Të Mësuarit nga Mesazhet e Konferencës së Përgjithshme (2018 dhe 2019)
Nëntor 2018


Të Mësuarit nga Mesazhet e Konferencës së Përgjithshme (2018 dhe 2019)

Mësimet e dhëna nga profetët, shikuesit dhe zbuluesit e gjallë mund të japin udhërrëfim të frymëzuar për punën e kuorumeve të pleqve dhe Shoqatave të Ndihmës. Për javët kur do të studiohen mesazhet e konferencës, presidenca e kuorumit të pleqve ose e Shoqatës së Ndihmës do të përzgjedhë që të përdoret një mesazh nga konferenca, nisur nga nevojat e anëtarëve. Me raste, edhe peshkopi ose presidenti i kunjit mund të sugjerojë një mesazh. Udhëheqësit duhet ta vënë theksin te mesazhet nga anëtarë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Gjithsesi, anëtarët/et e presidencave mund të përzgjedhin cilindo mesazh nga konferenca e kohëve më të fundit, nisur nga nevojat e shenjtorëve vendorë dhe frymëzimi nga Shpirti.

Udhëheqësit/et dhe mësuesit/et duhet të gjejnë mënyra për t’i nxitur anëtarët/et që ta lexojnë mesazhin e përzgjedhur paraprakisht. Duhet t’i nxitin anëtarët/et që të vijnë në mbledhje të përgatitur për të shprehur të vërteta të ungjillit që i kanë mësuar dhe idetë e tyre rreth mënyrës se si të veprojnë sipas atyre të vërtetave. Veprimtaritë mësimore të sugjeruara më poshtë, të cilat bazohen në parimet e manualit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, mund t’i ndihmojnë anëtarët/et që të mësojnë nga mesazhet e konferencës së përgjithshme.

Plaku Kuentin L. Kuk

Kuentin L. Kuk, “Kthim i Thellë dhe Afatgjatë në Besimin tek Ati Qiellor dhe Zoti Jezu Krisht”

Anëtarët/et mund të jenë të interesuar të dëgjojnë nga njëri‑tjetri se cilat ishin reagimet e tyre të para kur dëgjuan rreth ndryshimeve të përshkruara në mesazhin e Plakut Kuk. Nëse një mik/e i/e një besimi tjetër fetar do t’i pyeste përse Kisha po i bën këto përshtatje, çfarë do të thonin ata? Nxitini të kërkojnë përgjigje të mundshme në mesazhin e Plakut Kuk. Çfarë mund të bëjmë si individë e familje dhe si një kuorum apo Shoqatë Ndihme, për të siguruar që ndryshimet përmbushin atë që ka për qëllim Zoti? Si pjesë e këtij diskutimi, ju mund të jepni edhe ide nga fjalët e hapjes të Presidentit Nelson, të cilat i frymëzojnë anëtarët/et që “me entuziazëm [t’]i përqafojnë” këto ndryshime.

Plaku Ronald A. Rasband

Ronald A. Rasband, “Mos u Shqetësoni”

Mesazhi i Plakut Rasband nxjerr në pah disa shkrime të shenjta që mund të na ndihmojnë për ta larguar çfarëdo frike që mund ta kemi prej kohës së vështirë në të cilën jetojmë. Vërini anëtarët/et të kërkojnë këshillë në këto shkrime të shenjta, të cilën mund t’ia japin dikujt që ka frikë për të ardhmen. Çfarë tjetër mund të thonë nga mesazhi i Plakut Rasband? Si “e ka kufizuar [frika] largpamësinë e fëmijëve të Perëndisë”? Ftojini anëtarët/et të tregojnë se si kanë mësuar ta mposhtin frikën dhe të jetojnë me besim.

Plaku Dejvid A. Bednar

Dejvid A. Bednar, “T’i Sjellim në një Krye të Vetëm, në Krishtin, Të Gjitha Gjërat”

Merreni parasysh të sillni një litar dhe një listë kontrolli për t’i shfaqur në klasë. Ftojini anëtarët/et të diskutojnë ndryshimin midis vështrimit të të vërtetave të ungjillit dhe programeve të Kishës si një litar dhe vështrimit të tyre si një listë kontrolli për tema dhe detyra individuale. Nxitini të kërkojnë ide te shembujt në mesazhin e Plakut Bednar. Çfarë do të thotë t’i “sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat”? (Shih Efesianëve 1:10.) Çfarë mund të bëjmë që të marrim premtimin në përfundim të mesazhit të Plakut Bednar?

Presidenti Dallin H. Ouks

Dallin H. Ouks, “E Vërteta dhe Plani”

Si na ndihmon të kuptuarit e “të vërteta[ve të] ungjillit të rivendosur” kur përballemi me kundërshtim ndaj bindjeve dhe praktikave tona? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, anëtarët/et mund të shqyrtojnë shembuj nga të vërtetat themelore në pjesën II të mesazhit të Presidentit Ouks. Gjithashtu mund të shqyrtojnë shembuj për mënyrën se si zbatohen këto të vërteta (shih pjesa III). Mund të jetë e dobishme që anëtarët/et ta interpretojnë me role mënyrën se si do t’i përdornin disa prej këtyre të vërtetave themelore për t’iu përgjigjur kritikave ndaj një mësimi ose praktike të Kishës.

Plaku D. Tod Kristoferson

D. Tod Kristoferson, “I Vendosur dhe i Paepur në Besimin te Krishti”

Ju mund ta filloni një diskutim të këtij mesazhi duke vizatuar një vijë në tabelë me fjalët Të Nxitur nga Shoqëria në njërin cep dhe Zotim si të Krishtit në cepin tjetër. Ftojini anëtarët/et të lexojnë paragrafin që fillon me frazën “Shumica prej nesh në këtë çast e gjejnë veten në vazhdën …” dhe të përsiatin se ku e ndiejnë se janë në këtë vazhdë. Çfarë mësojmë nga shembujt në mesazhin e Plakut Kristoferson që na frymëzon të bëhemi të vendosur dhe të paepur gjatë fatkeqësisë? (Shih edhe Alma 36:27–28). Nxitini anëtarët/et të tregojnë shembuj të njerëzve që i njohin, të cilët kanë treguar zotim si të Krishtit ndaj ungjillit, edhe kur janë përballur me fatkeqësi.

Plaku Ulises Soares

Ulises Soares, “Një në … Krishtin”

Sipas Plakut Soares, si i përfaqëson lumi i Amazonës anëtarët e Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit? Çfarë na mëson ky krahasim rreth ndikimit që mund të kenë anëtarët e rinj mbi Kishën? Si mund ta ndjekim ne, si një kuorum ose Shoqatë Ndihme, këshillën e Plakut Soares që t’i nxitim, t’i përkrahim dhe t’i duam të kthyerit e rinj në besim? (Shih Moroni 6:4–5). Ndoshta disa anëtarë/e mund të tregojnë disa sfida me të cilat u përballën kur ishin anëtarë të rinj të Kishës dhe mënyrën se si anëtarë të tjerë i ndihmuan ata. Ju mund të diskutoni edhe mënyra se si anëtarët e rinj e kanë forcuar lagjen ose degën tuaj.

Plaku Gerit W. Gong

Gerit W. Gong, “Zjarri Ynë i Kampit të Besimit”

Merreni parasysh të paraqitni një pikturë të një zjarri kampi dhe të ftoni dikë të tregojë një përvojë kur ai ose ajo ishte mirënjohës/e që e patën një zjarr kampi. Kërkojuni anëtarëve/eve të diskutojnë atë që Plaku Gong donte të thoshte kur foli rreth një “zjarri të kampit”. Më pas mund t’i ndani anëtarët/et në grupe dhe ta ftoni secilin grup të shqyrtojë dhe të tregojë njërën nga pesë mënyrat që sugjeron Plaku Gong, se si mund të na nxitë një “zjarr … i kampit të besimit”. Jepuni kohë anëtarëve/eve të përsiatin se si mund ta forcojnë besimin e tyre vetjak ose besimin e dikujt që e njohin.

Plaku Diter F. Uhtdorf,

Diter F. Uhtdorf, “Beso, Duaj, Bëj”

Ju mund ta filloni një diskutim të këtij mesazhi duke shkruar në tabelë fjalët Humbja e Shpresës dhe Lumturia. Ftojini anëtarët/et ta kontrollojnë mesazhin për cilësi e bindje që çojnë drejt humbjes së shpresës ose drejt lumturisë dhe t’i renditin ato në tabelë. Ftojini anëtarët/et të shprehin mënyra se si e kanë përjetuar lumturinë që vjen nga besimi, dashuria dhe bërja, sikurse jep mësim Plaku Uhtdorf. Nxitini anëtarët/et të gjejnë një citim nxitës nga mesazhi për ta vënë në një vend të dukshëm në shtëpinë e tyre ose për t’ia treguar një miku ose një mikeshe.

Motra Xhoi D. Xhons

Xhoi D. Xhons, “Për Të”

Merreni parasysh të tregoni historinë në fillim të mesazhit të Motrës Xhons dhe t’i pyetni anëtarët/et të mendojnë rreth rasteve kur shërbimi dhe përpjekjet e tyre për të dhënë shërbesë mund të jenë dukur si të “pa … vën[a] re … ose edhe [të] ishin të padëshiruara”. Pasi ta diskutoni historinë, merreni parasysh të shkruani në tabelë Përse duhet të shërbejmë? Ftojini anëtarët/et t’i përgjigjen kësaj pyetjeje duke rishikuar pjesën tjetër të mesazhit të Motrës Xhons, duke kërkuar ide (shih Doktrina e Besëlidhje 59:5). Si mund ta ndryshojë këshilla e Motrës Xhons mënyrën se si kujdesemi për njëri‑tjetrin dhe i japim shërbesë njëri‑tjetrit?

Motra Mishel D. Krejg

Mishel D. Krejg, “Pakënaqësia e Shenjtë”

Motra Krejg flet për “një mospërputhje mes asaj se ku e cilët jemi dhe asaj se ku e cilët dëshirojmë të jemi”. Si na do Perëndia të ndihemi rreth kësaj mospërputhjeje? Si na do Satani të ndihemi rreth saj? Çdo anëtar/e mund të hetojë një nga tri pjesët në mesazhin e Motrës Krejg për të gjetur përgjigje për këto pyetje. Çfarë mund të bëjmë që të sigurohemi që “pakënaqësia e shenjtë” nuk bëhet “shkurajim paralizues”?

Motra Kristina B. Franko

Kristina B. Franko, “Gëzimi i Shërbimit Vetëmohues”

Për të na mësuar se “dashuri[a] shenjtërohet nëpërmjet sakrificës”, Motra Franko tregoi dy histori – një rreth Viktorias dhe një rreth një të veje. Ju mund të ftoni dy anëtarë/e që të vijnë të përgatitur për të treguar atë që mësojnë nga këto histori rreth dashurisë dhe sakrificës. Çfarë përvojash të tjera mund të tregojmë që na e mësojnë të njëjtin parim? Shfaqja e një materiali filmik që e përshkruan Shpëtimtarin duke u shërbyer të tjerëve (të tillë si “Ndriçoje Botën – Ndiqeni Shembullin e Jezu Krishtit” te kanali Mormon Albanian në Youtube), mund të çojë te një diskutim i mënyrës se si mund ta ndjekim shembullin e Tij të “shërbimit të ndërthurur me dashurinë dhe sakrificën”.

Presidenti Henri B. Ajring

Henri B. Ajring, “Gratë dhe të Mësuarit e Ungjillit në Shtëpi”

Fragmente të shkrimeve të shenjta dhe citime nga “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës” që Presidenti Ajring i përdor në mesazhin e tij, japin ide rreth rëndësisë së ndikimit të grave në shtëpi. Anëtarët/et mund të punojnë së bashku për t’i gjetur këto fragmente e citime dhe për të diskutuar atë që mësojnë. Çfarë ftesash na drejton Presidenti Ajring? Çfarë premtimesh bën ai? Merreni parasysh mënyrën se si mund ta përforcojë diskutimin nëse këndoni ose lexoni një himn rreth shtëpisë, të tillë si “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia” (Himne, nr. 193).

Presidenti Dallin H. Ouks

Dallin H. Ouks, “Prindërit dhe Fëmijët”

Teksa përgatiteni të jepni mësim, merreni parasysh se cila pjesë e mesazhit të Presidentit Ouks është më domethënëse për njerëzit në kuorumin ose Shoqatën tuaj të Ndihmës. Ja disa pyetje të mundshme që mund t’i bëni për ta nxitur diskutimin rreth këtij mesazhi: Si veprojnë kundër planit të Atit Qiellor prirjet bashkëkohore të përmendura në mesazhin e Presidentit Ouks te pjesa I? Çfarë shembujsh të grave besnike mund të tregojmë, që përfaqësohen nga thëniet rreth grave te pjesa II? Si mund t’i nxitim të rejat që njohim, që ta ndjekin këshillën e veçantë të Presidentit Ouks për to te pjesa III?

Presidenti Rasëll M. Nelson

Rasëll M. Nelson, “Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit”

Nëse jepni mësim në Shoqatën e Ndihmës, merreni parasysh t’i ndani motrat në katër grupe dhe kërkojini secilit grup të lexojë rreth njërës prej katër ftesave në mesazhin e Presidentit Nelson. Grupet mund të diskutojnë se çfarë u bën përshtypje atyre rreth ftesës, përvojave që kanë pasur kur vepruan sipas saj, dhe ideve rreth mënyrës se si të veprojnë në të ardhmen. Më pas secili grup mund t’u tregojë të gjithave se për çfarë folën. Nëse u jepni mësim mbajtësve të priftërisë, ju mund t’u kërkoni të gjejnë thënie në mesazhin e Presidentin Nelson që tregojnë se si ndihet Ati Qiellor rreth bijave të Tij. Çfarë mund të bëjmë që ta mbështetim e nxitim pjesëmarrjen e motrave në mbledhjen e Izraelit?

Presidenti M. Rasëll Ballard

M. Rasëll Ballard, “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”

Ju mund t’i ftoni anëtarët/et ta pranojnë ftesën e Presidentit Ballard dhe të lexojnë Doktrinën e Besëlidhjet 138 përpara diskutimit tuaj. Kërkojuni anëtarëve/eve të tregojnë gjatë mbledhjes përvojat e tyre me këtë seksion dhe me idetë në atë seksion. Pyetje si këto mund t’i ndihmojnë anëtarët/et ta kuptojnë rëndësinë e kësaj zbulese: Si na sjell ngushëllim kjo zbulesë? dhe Çfarë të vërtetash përmban kjo zbulesë që mund të ndikojnë te ‘mënyr[a] se si e jetojmë jetën çdo ditë’?

Motra Boni H. Kordën

Boni H. Kordën, “Të Bëhesh Bari”

Që t’i ndihmoni anëtarët/et të marrin parasysh mënyra se si mund t’i përmirësojnë përpjekjet e tyre të dhënies së shërbesës, ju mund t’i ndani në tri grupe dhe t’i kërkoni secilit grup të lexojë njërën prej tri pjesëve të titulluara të mesazhit të Motrës Kordën. Ftojini të tregojnë parimet që mësuan për dhënien e shërbesës. Si mund të na ndihmojë përpjekja e fortë për t’i ndjekur këto parime që të “bëhemi barinjtë që Zoti ka nevojë që ne të bëhemi”? Ftojini anëtarët/et të tregojnë përvoja kur dhënia e shërbesës nga dikush tjetër i ndihmoi të ndiejnë se Shpëtimtari i njeh dhe i do.

Plaku Xhefri R. Holland

Xhefri R. Holland, “Shërbesa e Pajtimit”

Ju mund ta filloni një diskutim rreth mesazhit të Plakut Holland duke i ftuar anëtarët/et të mendojnë rreth një marrëdhënieje në jetën e tyre që ka nevojë për shërim ose pajtim. Më pas mund ta hetojnë mesazhin e Plakut Holland, duke kërkuar mënyrën se si Bred dhe Pem Boueni ishin në gjendje ta ndihmonin atin e tyre që të shërohej. Çfarë bekimesh erdhën nga kjo përpjekje? Çfarë idesh fitojnë anëtarët/et që mund t’i ndihmojnë për t’i shëruar vetë marrëdhënien e tyre?

Plaku Nil L. Andersen

Nil L. Andersen, “Të Plagosur”

Për ta paraqitur mesazhin e Plakut Andersen, ju mund të lexoni së bashku te Lluka 10:30–35 ose të shihni materialin filmik “Parable of the Good Samaritan” [“Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë”] (LDS.org). Ku ngjasojmë ne të gjithë me burrin që ra në duart e kusarëve? Sipas Plakut Andersen, në çfarë kuptimi Jezu Krishti është “Samaritani ynë i Mirë”? Si mund ta pranojmë shërimin e Tij? Ndoshta mund t’i ftoni anëtarët/et të tregojnë mënyra në të cilat Shpëtimtari i ka shëruar plagët e tyre ose plagët e njerëzve të tyre të dashur. Ata mund të kërkojnë edhe fjalët e Plakut Andersen për të gjetur një mesazh nxitës që mund t’ia japin dikujt që është i plagosur.

Presidenti Rasëll M. Nelson

Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”

Jezu Krishti ka urdhëruar që Kisha të quhet sipas emrit të Tij. Ju mund t’i ndihmoni anëtarët/et ta rritin dëshirën e tyre për ta ndjekur këtë udhëzim duke i ftuar të hetojnë mesazhin e Presidentit Nelson, duke kërkuar arsyet përse “emri i Kishës nuk është i diskutueshëm”. Më pas ftojini të kërkojnë në fund të mesazhit të Presidentit Nelson për premtimet që ai tha se do të na vijnë kur punojmë për ta “rivendosur emrin e saktë të Kishës së Zotit”. Çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar në këtë përpjekje?

Presidenti Henri B. Ajring

Henri B. Ajring, “Përpiquni, Përpiquni, Përpiquni”

Presidenti Ajring ngre “dy pyetje vendimtare”: “Çfarë duhet të jem duke bërë për të marrë emrin e [Shpëtimtarit] mbi vete?” dhe “Si do ta di se kur po bëj përparim?” Ndoshta mund t’i shkruani këto pyetje në tabelë dhe t’i ftoni anëtarët/et që të japin ide që i fitojnë rreth këtyre pyetjeve nga mesazhi i Presidentit Ajring dhe shembulli i Motrës Ajring. Presidenti Ajring gjithashtu i drejtohet këngës “I’m Trying to Be like Jesus” [“Përpiqem t’Jem si Jezusi”] (Children’s Songbook, f. 78–79). Çfarë i shtojnë diskutimit fjalët e kësaj kënge?

Plaku Dejll G. Renland

Dejll G. Renland, “Zgjidhni Sot”

Anëtarët/et mund të mendojnë për dikë që do të donin ta nxitnin të ndjekë planin e Atit Qiellor, të tillë si një pjesëtar i familjes ose dikush të cilit i japin shërbesë. Më pas ata mund të shqyrtojnë mesazhin e Plakut Renland për të zbuluar se çfarë ndiejnë për ne Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Si na ndihmojnë Ata që të zgjedhim bindjen? Çfarë sugjeron shembulli i Tyre rreth mënyrës se si mund t’i përmirësojmë përpjekjet tona në familjet tona dhe në dhënien e shërbesës sonë?

Plaku Geri E. Stivenson

Geri E. Stivenson, “Kujdestaria si Një Bari për Shpirtrat”

Njerëzit të cilëve u jepni mësim, mund të kenë bërë një pyetje si kjo nga mesazhi i Plakut Stivenson: “Nga e dimë se po japim shërbesë sipas mënyrës së Zotit?” Ata mund të përfitojnë nga diskutimi i përgjigjeve të mundshme për këtë pyetje që i gjejnë në këtë mesazh. Ose përndryshe mund të sillni një figurë të Shpëtimtarit si bari (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit [2009], nr. 64) dhe ftojini anëtarët/et të tregojnë një të vërtetë nga mesazhi i Plakut Stivenson që e përfaqëson figura. Më pas anëtarët/et mund të tregojnë gjëra që kanë pasur mbresa t’i bëjnë si rrjedhojë e diskutimit.