2018
Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit
Nëntor 2018


Pjesëmarrja e Motrave në Mbledhjen e Izraelit

Unë po ju drejtoj juve, grave të Kishës, një lutje profetike për t’i dhënë formë të ardhmes duke ndihmuar që të mblidhet Izraeli i shpërndarë.

Është e mrekullueshme të jem me ju, motrat e mia të dashura e të çmuara. Ndoshta një përvojë e kohëve të fundit do t’ju japë një vështrim të shpejtë mbi mënyrën se si ndihem për ju dhe aftësitë hyjnore që ju janë dhuruar.

Një ditë, ndërsa po i flisja një bashkësie në Amerikën e Jugut, u emocionova gjithnjë e më shumë për temën time dhe, në një çast kulmor, thashë: “Si nëna e 10 fëmijëve, mund t’ju them se …”. Dhe pastaj vazhdova për ta përfunduar mesazhin tim.

Nuk e kuptova se kisha thënë fjalën nënë. Përkthyesi im, duke hamendësuar se isha ngatërruar, e ndryshoi fjalën nënëbaba, kështu që bashkësia nuk e mori vesh kurrë se unë i isha drejtuar vetes si nënë. Por bashkëshortja ime, Uendi, e dëgjoi atë dhe u kënaq nga shkarja ime frojdiane e gojës.

Në atë çast, dëshira e thellë e zemrës sime për të sjellë një ndryshim në botë – ashtu siç e bën vetëm një nënë – më vloi nga zemra. Përgjatë viteve, kurdoherë që më kanë pyetur se përse zgjodha të bëhesha mjek, përgjigjja ime ka qenë gjithmonë e njëjta: “Sepse nuk mund të zgjidhja që të bëhesha nënë”.

Ju lutem, vini re se kurdoherë që përdor fjalën nënë, nuk po flas vetëm për gratë që kanë lindur apo kanë birësuar fëmijë në këtë jetë. Unë po flas për të gjitha bijat e rritura të Prindërve tanë Qiellorë. Çdo grua është një nënë për arsye të vendmbërritjes së saj të përjetshme.

Kështu që sonte, si babai i 10 fëmijëve – nëntë bijave dhe një biri – dhe si President i Kishës, lutem që ju ta kuptoni se çfarë ndjenje të thellë kam për ju – për atë që jeni dhe për gjithë të mirat që mund të bëni. Askush nuk mund ta bëjë atë që mund të bëjë një grua e drejtë. Askush nuk mund ta riprodhojë ndikimin e një nëne.

Burrat munden dhe shpesh vërtet ua komunikojnë të tjerëve dashurinë e Atit Qiellor dhe të Shpëtimtarit. Por gratë kanë një dhunti të veçantë për të – një dhurim hyjnor. Ju keni aftësinë që ta ndieni se çfarë i nevojitet dikujt – dhe kur i nevojitet atij apo asaj. Ju mund t’ia shtrini dorën, ta ngushëlloni, mësoni dhe forconi dikë pikërisht në çastin e tij apo të saj të nevojës.

Gratë i shohin gjërat ndryshe nga burrat dhe ah, sa shumë na nevojitet këndvështrimi juaj! Natyra juaj ju shtyn që të mendoni për të tjerët së pari, ta merrni parasysh rrjedhojën që do të ketë mbi të tjerët cilido drejtim i veprimit.

Siç e vuri në dukje Presidenti Ajring, ishte Nëna jonë e lavdishme, Eva – me pikëvështrimin e saj largpamës për planin e Atit tonë Qiellor – që e filloi atë që ne e quajmë “Rënia”. Zgjedhja e saj e mençur dhe e guximshme, si dhe vendimi përkrahës i Adamit e çuan përpara planin e Perëndisë për lumturinë. Ata e bënë të mundur që secili prej nesh të vijë në tokë, të marrë një trup dhe të vërtetojmë se ne do të zgjedhim ta përkrahim Jezu Krishtin tani, pikërisht siç bëmë para vdekshmërisë.

Motrat e mia të dashura, ju keni dhunti dhe prirje të veçanta shpirtërore. Sonte unë ju nxit, me tërë shpresën e zemrës sime, që të luteni për t’i kuptuar dhuntitë tuaja shpirtërore – t’i lëvroni, përdorni dhe zgjeroni ato, madje më shumë nga sa keni bërë ndonjëherë. Ju do ta ndryshoni botën teksa e bëni këtë.

Si gra, ju i frymëzoni të tjerët dhe vendosni një standard të denjë për t’u marrë shembull. Më lejoni t’ju jap pak të dhëna mbi dy prej njoftimeve madhore që u bënë në konferencën tonë të fundit të përgjithshme. Ju, motrat e mia të dashura, ishit thelbësore për të dyja.

Së pari, dhënia e shërbesës. Standardi më i lartë për dhënien e shërbesës është ai i Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Në përgjithësi gratë janë dhe kanë qenë gjithmonë më pranë atij standardi sesa burrat. Kur jepni vërtet shërbesë, ju i ndiqni ndjenjat tuaja për ta ndihmuar dikë tjetër që të përjetojë më shumë nga dashuria e Shpëtimtarit. Prirja për të dhënë shërbesë është e natyrshme te gratë e drejta. Njoh gra që luten çdo ditë: “Kë dëshiron Ti që ta ndihmoj sot?”

Përpara njoftimit të prillit 2018 mbi mënyrën më të lartë e më të shenjtë të përkujdesjes për të tjerët, prirja e disa burrave ishte që ta shenjonin detyrën e tyre të mësimit të shtëpisë si “të kryer” dhe të kalonin te detyra tjetër.

Por kur ju e ndiet se një motre, së cilës i bëtë vizita mësimore, i nevojitej ndihmë, ju reaguat menjëherë dhe pastaj vazhduat gjatë gjithë muajit. Pra, ishte mënyra se si ju e bënit vizitën mësimore që e frymëzoi zhvendosjen tonë më lart për te dhënia e shërbesës.

Së dyti, në konferencën e fundit të përgjithshme, ne gjithashtu i riorganizuam kuorumet e Priftërisë Melkizedeke. Kur u lutëm mbi mënyrën se si t’i ndihmonim burrat e Kishës që të ishin më të efektshëm në përgjegjësitë e tyre, e morëm parasysh me kujdes shembullin e Shoqatës së Ndihmës.

Në Shoqatën e Ndihmës mblidhen së bashku gra të moshave të ndryshme dhe në faza të ndryshme të jetës. Secila dekadë e jetës sjell sfida të pashoqe dhe sërish, ja ku ishit ju atje, javë pas jave, duke u shoqëruar së bashku, duke u rritur, duke dhënë mësim ungjillin së bashku dhe duke sjellë një ndryshim të vërtetë në botë.

Tani, duke ndjekur shembullin tuaj, mbajtësit e Priftërisë Melkizedeke janë anëtarë të kuorumit të pleqve. Këta burra kanë mosha nga 18 deri në 98 vjeç (ndoshta më shumë), me përvoja me gamë po aq të gjerë në priftëri dhe në Kishë. Këta vëllezër tani mund të krijojnë lidhje më të forta vëllazërore, të mësojnë së bashku dhe t’i bekojnë të tjerët me më shumë efektshmëri.

Ju kujtohet se qershorin e kaluar, Motra Nelson dhe unë u folëm të rinjve e të rejave të Kishës. Ne i ftuam ata të regjistrohen në batalionin e rinisë së Zotit për të ndihmuar në mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit. Kjo mbledhje është “sfida më e madhe, kauza më e madhe dhe puna më e madhe në tokë sot”1!

Është një kauzë që ka skajshëm nevojë për gratë, sepse gratë i japin formë së ardhmes. Kështu që sonte, unë po ju drejtoj juve, grave të Kishës, një lutje profetike për t’i dhënë formë të ardhmes duke ndihmuar që të mblidhet Izraeli i shpërndarë.

Nga mund t’ia nisni?

Më lejoni t’ju ofroj katër ftesa:

Së pari, ju ftoj të merrni pjesë në një agjërim 10‑ditor nga mediat shoqërore dhe nga çfarëdolloj mjeti tjetër komunikimi që ju sjell në mendje mendime negative dhe të papastra. Lutuni për të ditur se çfarë ndikimesh të hiqni gjatë agjërimit tuaj. Rezultati i agjërimit tuaj 10‑ditor mund t’ju befasojë. Çfarë vini re pasi të bëni një ndërprerje nga këndvështrimet e botës që po e lëndonin shpirtin tuaj? A ka ndonjë ndryshim te fakti se ku dëshironi tani ta shpenzoni kohën dhe energjinë tuaj? A është zhvendosur ndonjëra prej përparësive tuaja – qoftë edhe pak? Ju nxit që ta mbani shënim dhe të vijoni sipas secilës mbresë.

Së dyti, ju ftoj ta lexoni Librin e Mormonit duke filluar nga sot deri në fund të vitit. Sado e pamundur që mund të duket me gjithë gjërat që ju po përpiqeni të organizoni në jetën tuaj, nëse do ta pranoni këtë ftesë me qëllim të plotë të zemrës, Zoti do t’ju ndihmojë ta gjeni një mënyrë për ta arritur. Dhe, teksa studioni plot lutje, ju premtoj se qiejt do të hapen për ju. Zoti do t’ju bekojë me frymëzim dhe zbulesë të shtuar.

Teksa lexoni, do t’ju nxitja ta shenjoni çdo varg që flet për Shpëtimtarin ose i referohet Atij. Pastaj, jini të qëllimshme për të folur për Krishtin, për t’u gëzuar në Krishtin dhe për të predikuar për Krishtin te familjet dhe miqtë tuaj.2 Ju dhe ata do të shkoni më pranë Shpëtimtarit nëpërmjet këtij procesi. Dhe ndryshime, madje mrekulli, do të fillojnë të ndodhin.

Këtë mëngjes u dha njoftimi lidhur me programin e ri mësimor të së dielës të përqendruar te shtëpia dhe të përkrahur nga Kisha. Ju, motrat e mia të dashura, jeni thelbësore për suksesin e kësaj përpjekjeje të re, të baraspeshuar dhe të bashkërenduar të mësimdhënies së ungjillit. Ju lutem, jepuni mësim njerëzve që i doni, atë që ju po mësoni nga shkrimet e shenjta. Mësojuni atyre se si t’i drejtohen Shpëtimtarit për fuqinë e Tij shëruese dhe pastruese kur mëkatojnë. Dhe mësojuni se si ta përdorin si burim fuqinë e Tij forcuese në çdo ditë të jetës së tyre.

Së treti, krijoni një model për pjesëmarrje të rregullt në tempull. Kjo mund të kërkojë pak më shumë sakrificë në jetën tuaj. Shtimi i kohës së rregullt në tempull do ta lejojë Zotin që t’ju mësojë se si ta përdorni si burim fuqinë e Tij të priftërisë, të cilën e keni marrë si dhurim në tempullin e Tij. Për ato prej jush që nuk jetojnë pranë një tempulli, ju ftoj të studioni plot lutje mbi tempujt në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve të gjallë. Kërkoni të dini më shumë, të kuptoni më shumë, të ndieni më shumë për tempujt nga sa keni bërë ndonjëherë më parë.

Në takimin tonë shpirtëror mbarëbotëror me të rinjtë e të rejat në qershorin e kaluar, unë fola për një të ri, jeta e të cilit ndryshoi kur prindërit ia ndryshuan telefonin inteligjent me një telefon me palosje. Nëna e këtij të riu është një grua e patrembur me besim. Ajo e pa që i biri po shkonte drejt zgjedhjeve të cilat mund ta pengonin atë të shërbente në një mision. Ajo shkoi në tempull duke u lutur që ta dinte se si ta ndihmonte më mirë të birin. Pastaj veproi sipas çdo mbrese.

Ajo tha: “E ndjeva Shpirtin të më udhërrëfente që ta kontrolloja telefonin e djalit tim në kohë të veçanta për të kapur gjëra të veçanta. Unë nuk di se si t’i përdor këta telefona inteligjentë, por Shpirti më udhërrëfeu nëpër të gjitha mediat shoqërore të cilat unë vetë as që i përdor. E di se Shpirti i ndihmon prindërit që po kërkojnë udhërrëfim për t’i mbrojtur fëmijët e tyre. [Në fillim] biri im u tërbua me mua. … Por vetëm pas tri ditësh, ai më falënderoi! Ai mundi ta ndiente ndryshimin.”

Sjellja dhe qëndrimet e djalit të saj ndryshuan rrënjësisht. Ai u bë më i gjindshëm në shtëpi, buzëqeshi më shumë dhe ishte më i vëmendshëm në kishë. Atij i pëlqeu shumë të shërbente për njëfarë kohe në një pagëzimore tempulli dhe të përgatitej për misionin e tij.

Ftesa ime e katërt, për ju që jeni më në moshë, është që të merrni pjesë plotësisht në Shoqatën e Ndihmës. Ju nxit ta studioni shpalljen e tanishme për qëllimin e Shoqatës së Ndihmës. Është frymëzuese. Mund t’ju udhërrëfejë që të hartoni vetë shpalljen tuaj të qëllimit për vetë jetën tuaj. Gjithashtu ju kërkoj plot zell t’i shijoni të vërtetat në deklaratën e Shoqatës së Ndihmës të botuar thuajse 20 vjet më parë.3 Një kopje në kornizë e kësaj deklarate varet në mur në zyrën e Presidencës së Parë. Emocionohem çdo herë që e lexoj. Ajo përshkruan se cilat jeni dhe cilat ka nevojë Zoti që të jeni pikërisht në këtë kohë teksa e bëni pjesën tuaj që të ndihmoni për të mbledhur Izraelin e shpërndarë.

Motrat e mia të dashura, ne kemi nevojë për ju! Ne “kemi nevojë për forcën tuaj, kthimin tuaj në besim, bindjen tuaj, aftësinë tuaj për të udhëhequr, urtësinë tuaj dhe zërat tuaj4. Ne thjesht nuk mund ta mbledhim Izraelin pa ju.

Unë ju dua e ju falënderoj dhe tani ju bekoj me aftësinë që ta lini botën pas teksa jepni ndihmesë në këtë punë jetike dhe të ngutshme. Së bashku ne mund të bëjmë gjithçka që Ati ynë Qiellor ka nevojë që të bëjmë për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Birit të Tij të Dashur.

Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit” (takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018), HopeofIsrael.lds.org.

  2. Shih 2 Nefi 25:26.

  3. Këto dokumente janë në dispozicion në internet. Për deklaratën e qëllimit të Shoqatës së Ndihmës, shih lds.org/callings/relief-society. Për deklaratën e Shoqatës së Ndihmës, shih Mary Ellen Smoot, “Rejoice, Daughters of Zion”, Liahona, janar 2000, f. 111–114.

  4. Rasëll M. Nelson, “Një Lutje drejtuar Motrave të Mia”, Liahona, nëntor 2015, f. 96; theksimi i shtuar.