2021
Trajtimi i Shëndetit Mendor
Nëntor 2021


9:27

Trajtimi i Shëndetit Mendor

Më lejoni të tregoj disa vëzhgime që bëra teksa familja jonë ka kaluar përmes sprovave.

Ndonëse familja jonë ka gëzuar bekime të shumta ndërkohë që ka ecur me gëzim në shtegun e besëlidhjeve, ne gjithashtu kemi hasur male tejet të larta. Dua të tregoj disa përvoja shumë vetjake për sa i përket sëmundjes mendore. Këto përfshijnë depresionin klinik, ankthin e rëndë, çrregullimin bipolar, ADHD-në – dhe nganjëherë një ndërthurje të të gjithave. I tregoj këto përvoja prekëse me miratimin e atyre që përfshihen në to.

Gjatë shërbesës sime, kam hasur qindra individë dhe familje me përvoja të ngjashme. Ndonjëherë pyes veten nëse “sëmundj[a] shkatërruese” që mbulon tokën, siç përmendet në shkrimet e shenjta, mund të përfshijë sëmundjen mendore.1 Ajo është në të gjithë botën, duke prekur çdo kontinent e kulturë dhe duke ndikuar tek të gjithë – të rinj, të moshuar, të pasur dhe të varfër. Anëtarët e Kishës nuk janë përjashtuar.

Në të njëjtën kohë, doktrina jonë na mëson të përpiqemi që të bëhemi si Jezu Krishti dhe të përsosemi në Të. Fëmijët tanë këndojnë “Përpiqem t’jem si Jezusi”2. Ne duam me shpirt të jemi të përsosur madje siç janë të përsosur Ati ynë Qiellor dhe Jezu Krishti.3 Për shkak se sëmundja mendore mund të bjerë ndesh me perceptimin tonë për përsosurinë, ajo mbetet shumë shpesh një tabu. Si rrjedhojë, ka tepër padituri, tepër vuajtje të heshtur dhe tepër dëshpërim. Shumë njerëz, duke u ndier të mbingarkuar sepse nuk i plotësojnë standardet e perceptuara, gabimisht besojnë se nuk kanë vend në Kishë.

Për ta luftuar një mashtrim të tillë, është e rëndësishme që të kujtojmë se “Shpëtimtari e do secilin prej fëmijëve të Atit të Tij. Ai e kupton plotësisht vuajtjen dhe mundimin që shumë njerëz përjetojnë ndërsa jetojnë me një gamë të gjerë sfidash të shëndetit mendor. Ai vuajti ‘dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; … [duke] marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij’ (Alma 7:11; theksimi i shtuar; shih edhe Hebrenjve 4:15–16; 2 Nefi 9:21). Për shkak se Ai i kupton të gjitha vuajtjet, Ai e di se si ‘t[‘i] shër[ojë] ata që e kanë zemrën të thyer’ (Lluka 4:18; shih edhe Isaia 49:13–16).”4 Sfidat shpeshherë tregojnë nevojën për mjete dhe përkrahje shtesë dhe nuk janë një defekt i karakterit.

Më lejoni të tregoj disa vëzhgime që bëra teksa familja jonë ka kaluar përmes sprovave.

Së pari, shumë njerëz do të vajtojnë me ne, ata nuk do të na gjykojnë. Për shkak të sulmeve të rënda të panikut, ankthit dhe depresionit, djali ynë u kthye nga misioni i tij pas vetëm katër javësh. Si prindërit e tij, na u duk e vështirë që të përballeshim me zhgënjimin dhe trishtimin për shkak se ishim lutur aq shumë për suksesin e tij. Si të gjithë prindërit, ne duam që fëmijët tanë të begatohen dhe të jenë të lumtur. Misioni duhej të ishte një çast kulmor i rëndësishëm për djalin tonë. Ne gjithashtu vritnim mendjen se çfarë mund të mendonin njerëzit e tjerë.

Por ne nuk e dinim se kthimi i djalit tonë ishte pafundësisht më shkatërrues për të. Vini re se ai e donte Zotin dhe dëshironte që të shërbente dhe prapëseprapë nuk mundi për arsye që ai i kishte të vështira t’i kuptonte. Shpejt ai e gjeti veten në një pikë me humbje të plotë të shpresës, duke luftuar me fajin e thellë. Ai nuk ndihej më i pranuar por i mpirë shpirtërisht. E pushtuan mendimet e përsëritura rreth vdekjes.

Gjatë kësaj gjendjeje, kur nuk arsyetonte, djali ynë besonte se i vetmi veprim i mbetur ishte të vetëvritej. U desh Fryma e Shenjtë dhe një legjion me engjëj në të dyja anët e velit për ta shpëtuar.

Gjatë kohës që ai po luftonte për jetën e tij, dhe gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë, familja jonë, udhëheqësit e lagjes, anëtarët dhe miqtë tanë bën të pamundurën për të na përkrahur dhe për të na dhënë shërbesë.

Nuk e kam ndier kurrë një vërshim të tillë dashurie. Nuk e kam ndier kurrë më fuqishëm dhe në mënyrë aq vetjake se çfarë do të thotë të ngushëllosh ata që kanë nevojë të ngushëllohen. Familja jonë do të jetë gjithmonë mirënjohëse për atë vërshim dashurie.

Nuk mund t’i përshkruaj mrekullitë e panumërta që i shoqëruan këto ngjarje. Fatmirësisht, djali ynë mbijetoi, por u desh një kohë e gjatë dhe shumë përkujdesje mjekësore, terapeutike dhe shpirtërore që ai të shërohej dhe të pranonte që njerëzit e donin, e vlerësonin dhe kishin nevojë për të.

E kuptoj se jo të gjitha rastet e tilla kanë të njëjtin fund si rasti ynë. Pikëllohem me ata që kanë humbur njerëz të dashur shumë shpejt dhe tani kanë mbetur me ndjenja hidhërimi si dhe pyetje pa përgjigje.

Vëzhgimi im i radhës është se mund të jetë e vështirë që prindërit t’i identifikojnë mundimet e fëmijëve të tyre, por ne duhet ta edukojmë vetveten. Si mund ta dimë ndryshimin mes vështirësive që shoqërojnë zhvillimin e zakonshëm, dhe shenjave të një sëmundjeje [mendore]? Si prindër, ne kemi detyrën e shenjtë për t’i ndihmuar fëmijët tanë që të lundrojnë në sfidat e jetës; megjithatë, pak prej nesh janë specialistë të shëndetit mendor. Ne, sidoqoftë, duhet të kujdesemi për fëmijët tanë duke i ndihmuar ata që të mësojnë të jenë të kënaqur me përpjekjet e tyre të sinqerta teksa përpiqen të arrijnë pritshmëritë e duhura. Secili prej nesh e di prej mangësive të veta personale se rritja shpirtërore është një proces i vazhdueshëm.

Tani ne e kuptojmë që “nuk ka një kurë të thjeshtë që shëron gjithçka për mirëqenien emocionale dhe mendore. Ne do të përjetojmë stres dhe trazira sepse jetojmë në një botë të rënë me një trup të rënë. Për më tepër, shumë faktorë kontribues mund të çojnë në një diagnozë të sëmundjes mendore. Pavarësisht nga mirëqenia jonë mendore dhe emocionale, të përqendruarit te rritja është më e shëndetshme sesa të fiksohemi te mangësitë tona.”5

Për bashkëshorten time dhe mua, e vetmja gjë që na ka ndihmuar gjithmonë, ka qenë qëndrimi sa më pranë Zotit që të jetë e mundur. Në retrospektivë, ne tani e shohim se si Zoti me durim na ka dhënë mësim gjatë kohëve të një pasigurie të madhe. Drita e Tij na ka udhërrëfyer hap pas hapi përgjatë orëve më të errëta. Zoti na ka ndihmuar të kuptojmë që vlera e një shpirti të vetëm është shumë herë më e rëndësishme në skemën e përjetësisë sesa çfarëdo detyre apo arritje tokësore.

Përsëri, edukimi i vetvetes rreth sëmundjes mendore na përgatit që ta ndihmojmë veten dhe të tjerët që mund të jenë duke hasur vështirësi. Diskutimi i hapur dhe i ndershëm me njëri‑tjetrin do të ndihmojë që kjo temë e rëndësishme të marrë vëmendjen që meriton. Fundja, informacioni i paraprin frymëzimit dhe zbulesës. Këto sfida, shumë shpesh të padukshme, mund të prekin këdo dhe kur ne përballemi me to, ato duken të pakapërcyeshme.

Një nga gjërat e para që duhet të mësojmë, është që ne sigurisht nuk jemi vetëm. Ju ftoj që të studioni temën e shëndetit mendor te pjesa Ndihmë për Jetën e programit Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Të mësuarit do të çojë në më shumë kuptueshmëri, më shumë pranim, më shumë dhembshuri, më shumë dashuri. Ai mund ta zbutë tragjedinë duke na ndihmuar që të zhvillojmë dhe mbajmë pritshmëri të shëndetshme dhe ndërveprime të shëndetshme.

Vëzhgimi im i fundit: ne duhet të kujdesemi vazhdimisht për njëri‑tjetrin. Ne duhet ta duam njëri‑tjetrin dhe të jemi më pak gjykues – sidomos kur pritshmëritë tona nuk përmbushen menjëherë. Ne duhet t’i ndihmojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë që ta ndiejnë dashurinë e Jezu Krishtit në jetën e tyre, edhe kur ata hasin vështirësi për të ndier personalisht dashuri për veten e tyre. Plaku Orson F. Uitni, i cili shërbeu si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, i këshilloi prindërit rreth mënyrës se si t’i ndihmonin fëmijët që po hasnin vështirësi: “Lutuni për … fëmijët tuaj; qëndrojuni pranë me besimin tuaj”6.

E kam përsiatur shpesh se çfarë do të thotë t’u qëndrosh pranë me besim. Mendoj se përfshin vepra të thjeshta dashurie, zemërbutësie, mirësie dhe respekti. Do të thotë t’i lejojmë ata të zhvillohen sipas ritmit të tyre vetjak dhe të japim dëshmi që t’i ndihmojmë ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit tonë. Kjo kërkon që ne të mendojmë më shumë për ta dhe më pak për veten tonë ose të tjerët. Kjo zakonisht do të thotë të flasim më pak dhe të dëgjojmë shumë më tepër. Ne duhet t’i duam ata, t’u japim fuqi atyre dhe t’i lavdërojmë ata shpesh për përpjekjet e tyre për sukses dhe për të qenë besnikë ndaj Perëndisë. Dhe së fundi, ne duhet të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë që t’u qëndrojmë pranë – njësoj siç qëndrojmë pranë Perëndisë.

Për të gjithë që janë të prekur personalisht nga sëmundja mendore, mbahuni fort te besëlidhjet tuaja, edhe nëse mund të mos e ndieni dashurinë e Perëndisë në këtë kohë. Bëni gjithçka që është në fuqinë tuaj, dhe pastaj “qëndr[oni] të patundur … për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet”7.

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ai na njeh. Ai na do dhe Ai do të na presë. Gjatë sprovave të familjes sonë, unë kam arritur të di pikërisht sa pranë është Ai. Premtimet e Tij janë të vërteta:

Frik’ mos ki, me ty jam; mos bjer n’dëshpërim,

Se jam Per’ndia yt dhe t’vij Un’ në ndihm’.

T’forcoj, të ndihmoj, t’bëj në këmb’ të qëndrosh, …

Mbështetur në krahun Tim t’drejt’ dhe plot forc’.

Duke e ditur sa i fortë është themeli ynë, shpallshim gjithmonë me gëzim:

Shpirtin që te Jezusi kërkon t’pushoj’

Në duar t’armiqve Un’ kurr’ s’e lëshoj.

Atë shpirt, gjith’ ferri t’përpiqet t’trondis’, …

Un’ kurrë, jo kurrë, jo kurr’ s’e braktis!8

Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Doktrina e Besëlidhje 45:31.

  2. “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41.

  3. Shih 3 Nefi 12:48.

  4. Like a Broken Vessel”, Mental Health: General Principles, ChurchofJesusChrist.org.

  5. Sheldon Martin, “Strive to Be—a Pattern for Growth and Mental and Emotional Wellness”, Liahona, gusht 2021, f. 14.

  6. Orson F. Whitney, në Conference Report, prill 1929, f. 110.

  7. Doktrina e Besëlidhje 123:17.

  8. “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.