2021
Duke i Dhënë Shenjtëri Zotit
Nëntor 2021


10:16

Duke i Dhënë Shenjtëri Zotit

Sakrifica ka të bëjë më pak me “dhënien prej” vetvetes dhe më shumë me “dhënien ndaj” Zotit.

Vitin e kaluar, teksa shërbeja në Presidencën e Zonës së Azisë Veriore, mora një telefonatë nga Presidenti Rasëll M. Nelson që më ftoi për të shërbyer si Këshilltar i Dytë në Peshkopatën Kryesuese. Plot hir ai e ftoi bashkëshorten time, Lorin, që të merrte pjesë në bashkëbisedim. Pasi mbaroi telefonata, ende nuk po e besonim, ndërsa bashkëshortja ime pyeti: “Çfarë bën vallë Peshkopata Kryesuese?” Pas një çasti reflektimi, u përgjigja: “Nuk e di me saktësi!”

Një vit më vonë – dhe mbas ndjenjave të thella të përulësisë dhe mirënjohjes – unë mund t’i përgjigjem pyetjes së bashkëshortes sime me kuptueshmëri më të madhe. Mes shumë gjërash të tjera, Peshkopata Kryesuese mbikëqyr punën për mirëqenien dhe punën humanitare të Kishës. Kjo punë tani shtrihet në të gjithë rruzullin dhe bekon më shumë fëmijë të Perëndisë sesa ndonjëherë më parë.

Si Peshkopatë Kryesuese, neve na vijnë në ndihmë punonjës të mrekullueshëm të Kishës dhe njerëz të tjerë, përfshirë Presidencën e Përgjithshme të Shoqatës së Ndihmës, që shërbejnë me ne në Komitetin Ekzekutiv të Kishës për Mirëqenien dhe Mbështetjen te Vetja. Në detyrën tonë si anëtarë të atij komiteti, Presidenca e Parë më kërkoi mua – si edhe Motrës Sheron Iubank, e cila na foli mbrëmë – që t’ju jepnim juve një përditësim lidhur me përpjekjet humanitare të Kishës në kohët e fundit. Ata gjithashtu kërkuan veçanërisht që ne të shprehim mirënjohjen e tyre të thellë, sepse, vëllezër e motra, jeni ju që i keni bërë të mundshme ato përpjekje humanitare.

Dhurime humanitare
Dhurime shtesë humanitare

Teksa i vështruam me shqetësim efektet e hershme ekonomike të krizës së COVID-19 anembanë botës, ne mund të kishim pritur me lehtësi një pakësim në kontributet monetare që ishin në gjendje të jepnin shenjtorët. Në fund të fundit, vetë anëtarët tanë nuk ishin imunë ndaj pengesave të përjetuara nga pandemia. Merrini me mend ndjenjat tona kur vëzhguam pikërisht të kundërtën! Dhurimet humanitare në vitin 2020 dolën që ishin më të lartat se kurdoherë – dhe po shkojnë edhe më lart këtë vit. Si rrjedhojë e bujarisë suaj, Kisha ka qenë në gjendje të realizojë përgjigjen e saj më gjithëpërfshirëse që nga krijimi i Fondit Humanitar, me mbi 1 500 projekte ndihme ndaj COVID‑it në më shumë se 150 vende. Këto dhurime, të cilat ju ia keni dhënë Zotit në mënyrë kaq vetëmohuese, janë kthyer në ushqime jetësore, oksigjen, pajisje mjekësore dhe vaksinime për ata që përndryshe mund të mos i kishin marrë.

Refugjatët
Refugjatët
Refugjatët

Po aq domethënëse sa dhe ndihmesa në të mira materiale, është dhënia e mahnitshme e kohës dhe energjisë, të cilat anëtarët e Kishës i dhurojnë për kauza humanitare. Ndërkohë që është shtuar shumë pandemia, fatkeqësitë natyrore, konflikti civil dhe paqëndrueshmëria ekonomike kanë qenë të pandalshme dhe kanë vijuar të shpërngulin miliona njerëz nga shtëpitë e tyre. Kombet e Bashkuara tani raportojnë se ka mbi 82 milionë njerëz të shpërngulur forcërisht në botë.1 Shtojini kësaj miliona të tjerë që zgjedhin të arratisen nga varfëria ose shtypja në kërkim të një jete më të mirë për veten ose fëmijët e tyre, dhe ju mund të filloni ta kuptoni një grimë të përmasës madhore të kësaj situate globale.

Jam mirënjohës të raportoj se falë kohës dhe talenteve të dhuruara vullnetarisht nga kaq shumë njerëz, Kisha mban në funksionim qendra mikpritjeje të refugjatëve dhe emigrantëve në vendndodhje të ndryshme në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Falë kontributeve tuaja, ne japim të mira materiale, fonde dhe vullnetarë për t’i ndihmuar programet e ngjashme që drejtohen nga organizata të tjera anembanë botës.

Më lejoni t’u drejtoj mirënjohjen time të përzemërt atyre shenjtorëve që kanë ndihmuar për t’i ushqyer, veshur dhe shoqëruar këta refugjatë dhe i kanë ndihmuar të sistemohen dhe të bëhen të mbështetur te vetja.

Mbrëmë Motra Iubank ju tregoi për disa përpjekje të mrekullueshme të shenjtorëve lidhur me këtë gjë. Teksa reflektoj për këto përpjekje, mendimet e mia shpesh kthehen te parimi i sakrificës dhe lidhja e drejtpërdrejtë e këtij parimi me dy urdhërimet e mëdha të dashurisë për Perëndinë dhe dashurisë për të afërmin tonë.

Në përdorimin bashkëkohor, fjala sakrificë ka arritur të nënkuptojë konceptin e “dhënies” së gjërave për Zotin dhe mbretërinë e Tij. Sidoqoftë, në kohët e lashta, kuptimi i fjalës sakrificë ishte i lidhur më ngushtësisht me rrënjët e dy fjalëve të latinishtes: sacer që do të thotë “e shenjtë” ose “e shenjtëruar” dhe facere që do të thotë “të bësh”.2 Prandaj, sakrifica në lashtësi do të thoshte fjalë për fjalë “të bëje diçka ose dikë të shenjtë”.3 E parë kështu, sakrifica është një proces i bërjes të shenjtë dhe i arritjes për ta njohur Perëndinë, jo një ngjarje apo “dhënie” rituale e gjërave për Zotin.

Zoti tha: “Unë dëshiroj [dashurinë hyjnore] dhe jo [sakrificat], dhe njohjen e Perëndisë më shumë se olokaustet”4. Zoti dëshiron që ne të bëhemi të shenjtë5, të bëhemi të zotëruar prej dashurisë hyjnore6 dhe të arrijmë ta njohim Atë.7 Sikurse dha mësim Apostulli Pal: “Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë”8. Së fundi, Zoti dëshiron zemrat tona; Ai dëshiron që ne të bëhemi krijesa të reja në Krishtin.9 Siç i udhëzoi Ai nefitët: “Ju do të ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar”10.

Shenjtëri Zotit

Sakrifica është më pak rreth “dhënies prej” vetvetes dhe më shumë rreth “dhënies ndaj” Zotit. Të gdhendura mbi hyrjen e secilit prej tempujve tanë janë fjalët “Shenjtëri Zotit; Shtëpia e Zotit”. Kur i respektojmë besëlidhjet tona me anë të sakrificës, ne bëhemi të shenjtë nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit dhe në altarët e tempullit të shenjtë, me zemra të thyera dhe shpirtra të penduar, ne ia japim shenjtërinë tonë Zotit. Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Nënshtrimi i vullnetit [ose zemrës11] së një njeriu, është me të vërtetë e vetmja gjë vetjake, e pashoqe, që duhet ta vendosim mbi altarin e Perëndisë. … Megjithatë, kur ju dhe unë më në fund e nënshtrojmë veten, duke e lënë vullnetin tonë të përpihet në vullnetin e Perëndisë, atëherë ne me të vërtetë po i japim diçka Atij!”12

Kur sakrificat tona në emër të të tjerëve shihen nga këndvështrimi i “dhënies”, ne mund t’i shohim ato si një barrë dhe mund të shkurajohemi kur sakrificat tona nuk vihen në dukje apo nuk shpërblehen. Gjithsesi, kur shihen nga këndvështrimi i “dhënies ndaj” Zotit, sakrificat tona në emër të të tjerëve bëhen dhurata, dhe gëzimi prej dhënies bujarisht bëhet shpërblimi i tyre. Të çliruara nga nevoja për dashuri, miratim apo vlerësim prej të tjerëve, sakrificat tona bëhen shprehjet më të pastra dhe më të thella të mirënjohjes dhe dashurisë sonë për Shpëtimtarin dhe bashkëqeniet tona. Çfarëdo ndjesie krenare e vetësakrificës ua lë vendin ndjenjave të mirënjohjes, bujarisë, kënaqësisë dhe gëzimit.13

Diçka bëhet e shenjtë – qofshin jeta jonë, zotërimet tona, koha jonë apo talentet tona – jo thjesht duke e dhënë atë, por përkundrazi duke ia përkushtuar14 atë Zotit. Puna humanitare e Kishës është një dhuratë e tillë. Ajo është fryti i ofertave të përbashkëta, të përkushtuara të shenjtorëve, një shfaqje e dashurisë sonë për Perëndinë dhe fëmijët e Tij.15

Motra Kenfilld me njerëzit të cilëve u shërben

Stiv dhe Anita Kenfilldi janë përfaqësues të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme anembanë botës, të cilët i kanë përjetuar vetë bekimet shndërruese të dhënies ndaj Zotit. Si misionarë të mirëqenies dhe mbështetjes te vetja, çiftit Kenfilld iu kërkua të jepte ndihmë në kampet e refugjatëve dhe qendrat e emigrantëve anekënd Europës. Në jetën e saj profesionale, Motra Kenfilld kishte qenë një mobiluese shtëpish me famë botërore, e pajtuar nga klientë të pasur për të zbukuruar shtëpitë e tyre luksoze. Papritur, ajo e gjeti veten të hedhur në një botë që ishte tërësisht e kundërta, ndërkohë që shërbente mes njerëzve që kishin humbur pothuajse gjithçka për sa u përket pasurive tokësore. Me fjalë të tjera, ajo i shkëmbeu “korridoret e mermerta me dyshemetë e ndotura” dhe nga bërja e kësaj, ajo gjeti një shkallë të pamatshme përmbushjeje, ndërkohë që ajo dhe bashkëshorti i saj filluan të shoqëroheshin – dhe shpejt t’i donin dhe t’i përkrahnin – ata të cilët kishin nevojë për kujdesin e tyre.

Çifti Kenfilld vërejti: “Nuk ndiem sikur kishim ‘dhënë’ ndonjë gjë për t’i shërbyer Zotit. Dëshira jonë ishte thjesht t’i ‘jepnim’ Atij kohën dhe energjinë tonë për t’i bekuar fëmijët e Tij në çfarëdo mënyre që Ai e shihte të përshtatshme për të na përdorur. Teksa punuam përkrah vëllezërve e motrave tona, çfarëdo paraqitjesh të jashtme – çfarëdo ndryshimesh në prejardhje apo pasuri – u shpërbënë për ne dhe thjesht pamë zemrat e njëri‑tjetrit. Nuk ka asnjë shkallë suksesi në karrierë apo fitimesh materiale që do ta kishte barazuar mënyrën se si na pasuruan këto përvoja, shërbimi mes fëmijëve më të përulur të Perëndisë.”

Historia e çiftit Kenfilld dhe shumë histori të tjera si kjo, më kanë ndihmuar të vlerësoj tekstin e një kënge të Fillores, të thjeshtë por kuptimplotë:

“Jep”, tha o rrëkeza,

Kodrës posht’ tek po zbriste;

E vogël jam, por kudo që shkoj,

Fushat më t’gjelbra bëhen.”

Po, secili prej nesh është i vogël, por së bashku, teksa veprojmë me të shpejtë për t’u dhënë Perëndisë dhe bashkëqenieve tona kudo ku shkojmë, jeta jonë pasurohet dhe bekohet.

Strofa e tretë e kësaj kënge është më pak e njohur, por ajo mbyllet me këtë ftesë plot dashuri:

Jep si Jezusi jep;

Diçka t’gjith’ mund t’japim ne.

Le t’bëjm’ si rrëket’ edhe lulet,

Që japin gaz e hare.16

Të dashur vëllezër e motra, teksa jetojmë për Perëndinë dhe të tjerët duke dhënë nga mjetet tona, koha jonë dhe po, edhe nga vetja jonë, ne po e lëmë botën pak më të gjelbër, po i lëmë fëmijët e Perëndisë pak më të lumtur dhe, në këtë proces, po bëhemi pak më të shenjtë.

Zoti ju bekoftë me bollëk për sakrificat që ju ia jepni Atij kaq lirisht!

Unë dëshmoj se Perëndia jeton. “Njeriu i Shenjtërisë është emri i tij.”17 Jezu Krishti është Biri i Tij dhe Ai është dhënësi i të gjitha dhuratave të mira.18 Nëpërmjet hirit të Tij dhe mbajtjes së besëlidhjeve tona nëpërmjet sakrificës, u bëfshim të shenjtë dhe i dhënshim përherë e më shumë dashuri e shenjtëri Zotit!19 Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih “Global Trends: Forced Displacement në 2020”, raporti i UNHCR‑së, 18 qershor 2021, unhcr.org.

  2. Fjala sakrificë vjen nga fjala latinishte sacrificium, e cila përbëhet nga rrënjët e dy fjalëve latine sacer dhe facere sipas fjalorit Merriam-Webster Dictionary (shih merriam-webster.com). Fjala sacer do të thotë “e shenjtë” ose “e shenjtëruar” dhe fjala facere do të thotë “të bësh”, sipas fjalorit Latin English Dictionary (shih latin-english.com).

  3. Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Sakrificë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

  4. Osea 6:6; shih edhe poshtëshënimin b te Bibla në anglisht që vë në dukje se fjala mëshirë në hebraisht do të thotë “dashuri hyjnore” ose “dashamirësi”. Shih edhe Mateu 9:10–13; 12:7.

  5. Shih Levitiku 11:44.

  6. Shih Moroni 7:47.

  7. Shih Mosia 5:13.

  8. 1 Korintasve 13:3; shih edhe Mosia 2:21.

  9. Shih 2 Korintasve 5:17.

  10. 3 Nefi 9:20, theksimi i shtuar; shih edhe vargun 19.

  11. Fjala zemër është shtuar këtu si sinonim për vullnetin.

  12. Neal A. Maxwell, “Swallowed Up in the Will of the Father”, Ensign, nëntor 1995; theksimi i shtuar. Shih edhe Omni 1:26; Romakëve 12:1.

  13. Shih Moroni 10:3.

  14. Përkushtoj do të thotë të “shpallësh ose veçosh si të shenjtë”, sipas fjalorit American Heritage Dictionary.

  15. Shih Mateu 22:36–40.

  16. “‘Jep’, Tha o Rrëkeza”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116.

  17. Moisiu 6:57.

  18. Shih Moroni 10:18.

  19. Shih Doktrina e Besëlidhje 97:8.