2021
Gjërat e Shpirtit Tim
Nëntor 2021


13:4

Gjërat e Shpirtit Tim

Çfarë gjërash përsiatni? Cilat gjëra kanë vërtet rëndësi për ju? Cilat janë gjërat e shpirtit tuaj?

Vëllezërit dhe motrat e mia, teksa qëndroj edhe një herë në Qendrën tonë të dashur të Konferencave, më vijnë ndërmend fjalët e Apostullit Pjetër: “Zot, është mirë që ne jemi këtu”1.

Mendimet e mia sot përqendrohen te fjalët e profetit Nefi, i cili mbajti analin e popullit të tij pas vdekjes së atit të tij, Lehit. Nefi shkroi: “Dhe mbi këto unë shkruaj gjërat e shpirtit tim”2.

E lexoja me të shpejtë këtë varg, duke menduar se fjala gjërat nuk ishte aq elegante ose shpirtërore, jo aq fisnike sa të më ngjiste në “shpirti[n] tim”. Sidoqoftë, kam mësuar se fjala gjërat përdoret 2 354 herë në shkrimet e shenjta.3 Për shembull, te Moisiu: “Unë jam Fillimi dhe Mbarimi, Perëndia i Plotfuqishëm; me anë të të Vetëmlindurit tim i krijova këto gjëra4. Dhe fjalët e Nefit: “Vini re, shpirti im kënaqet pa masë në gjërat e Zotit; dhe zemra ime mediton vazhdimisht mbi gjërat që unë kam parë dhe dëgjuar”5.

Fjalët e Nefit ngrenë pyetjet: “Çfarë gjërash përsiatni?” “Cilat gjëra kanë vërtet rëndësi për ju?” “Cilat janë gjërat e shpirtit tuaj?”

Gjërat e shpirtit tonë shpeshherë qartësohen dhe thellohen nga bërja e pyetjeve.

Plaku Rasband në një mbledhje virtuale
Takim shpirtëror për rininë
Transmetim për të rinjtë në moshë madhore

Gjatë pandemisë jam takuar me të rinj e të reja nga mbarë bota në shumë takime shpirtërore, të mëdha e të vogla, nëpërmjet transmetimeve dhe në mediat shoqërore dhe kemi diskutuar për pyetjet e tyre.

14‑vjeçari Jozef Smith, kishte një pyetje thellë në shpirtin e tij dhe ia drejtoi Zotit. Presidenti Rasëll M. Nelson ka theksuar: “Drejtojuani pyetjet tuaja Zotit dhe burimeve të tjera besnike. Studioni me dëshirën që të besoni, në vend që të studioni me shpresën se mund të gjeni një të metë në strukturën e jetës së një profeti apo një mospërputhje në shkrimet e shenjta. Mos vazhdoni t’i shtoni dyshimet tuaja duke i ritreguar me njerëz … dyshues. Lejojeni Zotin t’ju udhëheqë në udhëtimin tuaj të zbulimit shpirtëror.”6

Të rinjtë e të rejat më pyesin shpesh se çfarë besoj dhe pse besoj.

Mbaj mend që vizitova virtualisht një të re në shtëpinë e saj. E pyeta nëse ishte hera e parë që një Apostull kishte qenë në shtëpinë e saj. Ajo shpejt buzëqeshi dhe u përgjigj “Po”. Pyetja e saj për mua ishte e mirë: “Cilat janë gjërat më të rëndësishme që duhet të di?”

Unë u përgjigja me gjërat e shpirtit tim, gjërat që më përgatitin t’i dëgjoj nxitjet, që e ngrenë vështrimin tim përtej mënyrave të botës, që i japin qëllim punës sime në ungjill dhe vetë jetës sime.

A mund t’ju tregoj disa nga gjërat e shpirtit tim? Këto gjëra gjejnë zbatim për të gjithë ata që kërkojnë të jenë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. Dhjeta do të ishte një numër i mirë, i rrumbullakosur. Sot do t’ju them shtatë me shpresën se do ta plotësoni ju tetën, nëntën dhe dhjetën nga vetë përvojat tuaja.

Së pari, duajeni Perëndinë Atin, dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë.

Jezusi dekretoi urdhërimin e parë të madh: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde”7.

Presidenti Nelson deklaroi përkushtimin e tij ndaj Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, kur ai u thirr për të udhëhequr Kishën e Zotit, duke thënë: “I njoh Ata, i dua Ata dhe betohem t’u shërbej Atyre – dhe juve – deri në frymën e fundit të jetës sime”8.

Ndaj së pari, duajeni Atin dhe Birin.

Së dyti, “duaje[eni] të afërmin t[uaj]”9.

Kjo nuk është thjesht një ide e mirë; është urdhërimi i dytë i madh. Të afërmit tuaj janë bashkëshortet/ët dhe familjarët tuaj, anëtarët e lagjes, kolegët e punës, shokët e shoqet e dhomës, njerëzit jo të besimit tonë, njerëzit që kanë nevojë për një dorë ndihmëtare, dhe e thënë shkoqur, gjithkush. Thelbi i fjalisë “Duaje të afërmin tënd” është shprehur te himni “Doni Njëri-Tjetrin”10.

Presidenti Nelson na kujton: “Kur e duam Perëndinë me gjithë zemrën tonë, Ai i kthen zemrat tona drejt mirëqenies së të tjerëve11.

Së treti, duajeni veten tuaj.

Kjo është e vështirë për shumë njerëz. A nuk është interesante që dashuria për veten duket se është më pak e lehtë sesa dashuria për të tjerët? Prapëseprapë, Zoti ka thënë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”12. Ai e vlerëson hyjninë brenda nesh dhe kështu duhet të bëjmë dhe ne. Kur jemi të rënduar me gabime, brenga, ndjenja papërshtatshmërie, zhgënjime, zemërim ose mëkat, fuqia e Shlyerjes së Shpëtimtarit është, sipas planit hyjnor, një nga gjërat që e ngre lart shpirtin.

Së katërti, zbatojini urdhërimet.

Zoti e ka bërë të qartë: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”13. Përpiquni fort çdo ditë që të jeni pak më të mirë dhe të bëni pak më mirë, dhe të shkoni përpara me drejtësi.

Së pesti, jini gjithmonë të denjë për ta frekuentuar tempullin.

Unë e quaj këtë si të qenit të rekomanduar te Zoti. Qoftë nëse keni ose jo mundësi që të shkoni në një tempull, të qenit i denjë për një rekomandim aktual tempulli ju mban të përqendruar vendosmërisht te gjërat që kanë rëndësi, te shtegu i besëlidhjeve.

Së gjashti, jini të gëzuar dhe plot hare.

“Merrni zemër dhe mos u frikësoni”14, ka thënë Zoti. Pse? Në ç’mënyrë, kur përballemi me sfida ngado që kthehemi? Për shkak të premtimit që është bërë nga Jezu Krishti: “Unë, Zoti, jam me ju dhe do t’ju qëndroj përkrah”15.

Presidenti Nelson e përshkruan ungjillin e rivendosur si “një mesazh gëzimi!”16 Dhe ai shpjegon: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë”17.

Së shtati, ndiqeni profetin e gjallë të Perëndisë.

Kjo mund të jetë e shtata në listën time të gjërave, por është e para në mendjen time për nga aspekti i rëndësisë që ka sot.

Ne kemi një profet të Perëndisë sot në tokë! Mos e nënvlerësoni kurrë rëndësinë që kjo ka për ju. Kujtoni të renë që përmenda në fillim. Ajo dëshironte të dinte se cilat gjëra kanë më tepër rëndësi. “Ndiqe profetin e gjallë”, i thashë atëherë dhe e theksoj sot përsëri.

Ne si Kishë shquhemi se udhëhiqemi nga profetë, shikues dhe zbulues të thirrur nga Perëndia për këtë kohë. Ju premtoj se teksa dëgjoni dhe e ndiqni këshillën e tyre, ju nuk do të çoheni kurrë në udhë të gabuar. Kurrë!

Ne jetojmë në një kohë kur jemi “të lëkundur dhe të transportuar”18, kur shpirtshmëria, mirësjellja, integriteti moral dhe respekti janë nën sulm. Ne duhet të bëjmë zgjedhje. Ne kemi zërin e Zotit nëpërmjet profetit të Tij që të na e qetësojë frikën dhe të na e ngrejë lart vështrimin, sepse kur Presidenti Nelson flet, ai flet në emër të Zotit.

Ne jemi bekuar me shkrime të shenjta dhe mësime që na kujtojnë: “‘Mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia’, thotë Zoti”19.

Kështu ndodhi me Naamanin, një udhëheqës i madh ushtarak në Siri, por prapëseprapë një lebros, të cilit i thanë se profeti Elise mund ta shëronte. Eliseu dërgoi lajmëtarin e tij që t’i thoshte Naamanit të lahej në lumin Jordan shtatë herë dhe ai do të shërohej. Naamani u ngërdhesh. Sigurisht që kishte një lumë edhe më të spikatur se Jordani dhe përse të dërgonte një shërbëtor kur ai priste Eliseun, profetin, që ta shëronte personalisht? Naamani u largua, por si përfundim e bindën shërbëtorët e tij: “Në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë?”20 Naamani më në fund u zhyt shtatë herë në Jordan dhe u shërua.

Rrëfimi i Naamanit na kujton për rrezikun e marrjes dhe zgjedhjes së pjesëve nga këshillat profetike që përputhen me menduarin tonë, pritshmëritë tona ose normat e ditëve të sotme. Profeti ynë vazhdimisht na drejton për te lumi ynë Jordan që të shërohemi.

Fjalët më të rëndësishme që mund të dëgjojmë, të përsiatim dhe të ndjekim janë ato që zbulohen nëpërmjet profetit tonë të gjallë. Jap dëshmi se jam ulur për këshillim me Presidentin Nelson për të diskutuar çështjet me peshë të Kishës dhe të botës, dhe e kam parë zbulesën të vërshojë nëpërmjet tij. Ai e njeh Zotin, i njeh udhët e Tij dhe ai dëshiron që të gjithë fëmijët e Perëndisë ta dëgjojnë Atë, Zotin Jezu Krisht.

Për shumë vite kemi dëgjuar profetin dy herë në vit në konferencën e përgjithshme. Por me problemet e ndërlikuara të ditëve tona, Presidenti Nelson po flet shumë më shpesh nëpër forume21, media shoqërore22, takime shpirtërore23 madje dhe në konferenca për shtyp24. E kam vëzhguar atë të përgatitë dhe të paraqesë mesazhe të thella zbulese që kanë ngjallur më shumë mirënjohje, kanë nxitur përfshirje më të madhe të të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në tokë dhe e kanë shtuar paqen, shpresën, gëzimin, shëndetin dhe shërimin në jetët tona individuale.

Presidenti Nelson është një komunikues i talentuar, por më e rëndësishme, ai është një profet i Perëndisë. Është mbresëlënëse kur mendon për këtë, por është vendimtare të kuptohet se udhëzimi i tij i qartë do të na mbrojë të gjithëve nga mashtrimi, dinakëria dhe qasjet laike që po marrin vrull sot në botë.25

Manteli profetik ka të bëjë i gjithi me zbulesën. “Rivendosja e Plotësisë së Ungjillit të Jezu Krishtit: Një Proklamatë në Dyqindvjetor drejtuar Botës”, e dhënë në konferencën e përgjithshme të prillit 2020, thekson se Zoti po e drejton këtë punë. Në këtë proklamatë, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve deklarojnë: “Ne me gëzim shpallim se Rivendosja e premtuar shkon përpara nëpërmjet zbulesës së vazhdueshme. Toka kurrë më nuk do të jetë e njëjta, teksa Perëndia do ‘t’i s[jellë] në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat’ (Efesianëve 1:10).”26

“Të gjitha gjërat [në Krishtin]”27 dhe “gjërat e shpirtit tim”28 janë ato me të cilat kanë të bëjnë kjo Kishë, ky ungjill dhe këta njerëz.

Unë e mbyll me një ftesë për secilin prej jush që të merrni në konsideratë shtatë “gjërat e shpirtit tim” të cilat ua tregova sot: duajeni Perëndinë Atin, dhe Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë; duajeni të afërmin tuaj; duajeni veten tuaj; zbatojini urdhërimet; jini gjithmonë të denjë për një rekomandim tempulli; jini të gëzuar dhe plot hare dhe ndiqeni profetin e gjallë të Perëndisë. Ju ftoj që të identifikoni të tetën, të nëntën dhe të dhjetën tuaj. Merrni parasysh mënyra se si mund t’ua tregoni “gjërat” tuaja të përzemërta të tjerëve dhe t’i nxitni ata që të luten, të përsiatin dhe të kërkojnë udhërrëfimin e Zotit.

Gjërat e shpirtit tim janë po aq të çmuara për mua sa janë edhe tuajat për ju. Këto gjëra e forcojnë shërbimin tonë në Kishë dhe në të gjitha fushat e jetës. Ato na zotojnë ndaj Jezu Krishtit, na kujtojnë besëlidhjet tona dhe na ndihmojnë të ndihemi të sigurt në krahët e Zotit. Dëshmoj se Ai dëshiron që shpirti ynë “nuk do të ketë kurrë uri ose etje, por do të jetë i ngopur”29 me dashurinë e Tij teksa kërkojmë të bëhemi dishepujt e Tij të vërtetë, të jemi një me Të ashtu siç është Ai me Atin. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.