I Favorizuar nga Zoti në të Gjitha Ditët e Mia
Si reagojmë ne ndaj vuajtjeve tona? A ndihemi falënderues për shkak se jemi më të përqendruar te bekimet tona sesa te problemet tona?
Pandemia e COVID-19 ka qenë një nga sprovat dhe sfidat e shumta me të cilën fëmijët e Perëndisë janë përballur gjatë gjithë historisë së botës. Në fillimin e këtij viti, familja ime e dashur dhe unë jetuam disa ditë të errëta. Pandemia dhe shkaqe të tjera i kanë sjellë vdekje dhe dhembje familjes sonë gjatë largimit nga jeta të disa prej njerëzve tanë të dashur. Pavarësisht nga kujdesi mjekësor, agjërimi dhe lutjet, gjatë një periudhe pesëjavore, vëllai im, Çarli, motra ime, Suzi, dhe kunati im, Xhimi, kaluan në anën tjetër të velit.
Nganjëherë kam menduar se përse Shpëtimtari qau kur e pa Marinë të hidhëruar nga vdekja e vëllait të saj, Llazarit, edhe pse e dinte se Ai kishte fuqinë që ta ngrinte nga vdekja Llazarin dhe se shumë shpejt Ai do ta përdorte këtë fuqi për ta shpëtuar mikun e Tij nga vdekja1. Jam i mahnitur nga dhembshuria e Shpëtimtarit dhe ndjeshmëria për Marinë; Ai e kuptoi dhembjen e papërshkrueshme që ndjeu Maria për vdekjen e vëllait të saj, Llazarit.
Ne ndiejmë po atë dhembje të madhe kur përjetojmë ndarjen e përkohshme nga njerëzit tanë të dashur. Shpëtimtari ka dhembshuri të përkryer për ne. Ai nuk na vë faj për dritëshkurtësinë tonë, as për të qenit të kufizuar në përfytyrimin e rrugëtimit tonë të përjetshëm. Përkundrazi, Ai ka dhembshuri për trishtimin dhe vuajtjen tonë.
Ati Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, duan që ne të kemi gëzim.2 Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Gëzimi që ndiejmë, ka të bëjë pak me rrethanat e jetës sonë dhe ka të bëjë plotësisht me përqendrimin e jetës sonë. Kur përqendrimi i jetës sonë është te plani i Perëndisë për shpëtim, … ne mund të ndiejmë gëzim pavarësisht nga ajo që po ndodh – apo nuk po ndodh – në jetën tonë.”3
Kur isha një misionar i ri në moshë, më kujtohet kur një misionar i mrekullueshëm që kisha arritur ta admiroja, mori disa lajme rrënuese. Nëna e tij dhe vëllai i tij më i vogël ndërruan jetë në një aksident tragjik. Presidenti i misionit i ofroi këtij misionari mundësinë që të kthehej në shtëpi për funeralin. Megjithatë, pasi foli me babanë e tij në telefon, ky misionar vendosi të qëndronte dhe ta përfundonte misionin e tij.
Pak kohë më pas, kur po shërbenim në të njëjtën zonë, unë dhe shoku im i misionit morëm një telefonatë urgjente; disa hajdutë kishin vjedhur biçikletën që i përkiste po këtij misionari dhe e kishin plagosur me thikë. Atij dhe shokut të vet të misionit u ishte dashur të shkonin në këmbë deri në spitalin më të afërt, ku unë dhe shoku im i misionit u takuam me ta. Rrugës për në spital, isha i brengosur për këtë misionar. E përfytyroja që do të ishte i rënë moralisht dhe se me siguri, pas kësaj përvoje tronditëse, ai tani do të donte të kthehej në shtëpi.
Megjithatë, kur arritëm në spital, e pashë këtë misionar të shtrirë në shtratin e vet, duke pritur që ta çonin në sallën e operimit, dhe ai po buzëqeshte. Mendova: “Si arrin të qeshë ai në një çast si ky?” Ndërkohë që po merrte veten në spital, ai u shpërndante me entuziazëm pamflete dhe kopje të Librit të Mormonit mjekëve, infermiereve dhe pacientëve të tjerë. Edhe me këto sprova, ai nuk donte të shkonte në shtëpi. Përkundrazi, ai shërbeu deri në ditën e fundit të misionit të tij me besim, energji, forcë dhe entuziazëm.
Në fillim të Librit të Mormonit, Nefi thotë: “Pasi kisha parë shumë vuajtje gjatë ditëve të mia, megjithatë, duke qenë jashtëzakonisht i favorizuar nga Zoti në të gjitha ditët e mia”4.
Mendoj për sprovat e shumta që përjetoi Nefi, shumë prej të cilave janë përfshirë në shkrimet e tij. Sprovat e tij na ndihmojnë të kuptojmë se të gjithë ne kemi ditët tona të errëta. Një nga këto sprova ndodhi kur Nefi u urdhërua të kthehej në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi që Labani i kishte në zotërim. Disa nga vëllezërit e Nefit ishin njerëz besimpakë dhe madje e rrahën Nefin me një shkop. Nefi përjetoi një sprovë tjetër kur theu harkun e tij dhe nuk mund të siguronte ushqim për familjen e vet. Më vonë, kur Nefi u urdhërua të ndërtonte një anije, vëllezërit e tij e tallën atë dhe nuk pranuan ta ndihmonin. Pavarësisht nga këto dhe shumë sprova të tjera gjatë rrjedhës së jetës së tij, Nefi gjithmonë e dalloi mirësinë e Perëndisë.
Ndërsa familja e tij po kalonte oqeanin në drejtim të tokës së premtuar, disa familjarë të Nefit “filluan të dëfreheshin”, të flisnin me ashpërsi dhe harruan se ishte fuqia e Zotit që i kishte ruajtur ata. Kur Nefi i qortoi, ata u fyen dhe e lidhën atë me litarë që të mos ishte në gjendje të lëvizte. Në Librin e Mormonit thuhet se vëllezërit e tij e “trajtuan [atë] me shumë egërsi”; kyçet e duarve dhe të këmbëve të tij “ishin shumë të enjtura dhe e madhe ishte dhembja e tyre”5. Nefi ishte i hidhëruar nga ngurtësia e zemrave të vëllezërve të tij dhe nganjëherë ndihej i kapluar nga pikëllimi.6 “Megjithatë”, deklaroi ai, “unë pashë te Perëndia im dhe e lavdërova atë gjatë gjithë ditës; dhe unë nuk mërmërita kundër Zotit për shkak të vuajtjeve të mia.”7
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, si reagojmë ne ndaj vuajtjeve tona? A mërmëritim përpara Zotit prej tyre? Apo, sikurse Nefi dhe shoku im i kahershëm i misionit, a ndihemi falënderues me fjalë, mendime dhe vepra për shkak se jemi më të përqendruar te bekimet tona sesa te problemet tona?
Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, na dha shembullin gjatë shërbesës së Tij tokësore. Në çaste vështirësie dhe sprove, ka pak gjëra që na sjellin paqe dhe kënaqësi më të madhe se sa shërbimi ndaj bashkëqenieve tona. Libri i Mateut rrëfen se çfarë ndodhi kur Shpëtimtari mësoi se kushëririt të Tij, Gjon Pagëzorit, i ishte prerë koka nga mbreti Herod për të kënaqur të bijën e Herodiadës:
“Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.
Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.
Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.
Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ‘Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime’.
Por Jezusi u tha atyre: ‘Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë’.”8
Jezu Krishti na tregoi se gjatë kohëve të sprovave dhe fatkeqësive, ne mund t’i kuptojmë vështirësitë e të tjerëve. Të prekur nga dhembshuria, ne mund t’u vijmë në ndihmë atyre dhe t’i ngremë ata emocionalisht. Teksa e bëjmë këtë, edhe ne ngrihemi emocionalisht nga shërbimi ynë si i Krishtit. Presidenti Gordon B. Hinkli shpalli: “Kundërhelmi më i mirë që di për shqetësimin, është puna. Mjekimi më i mirë për dëshpërimin është shërbimi. Kura më e mirë për lodhjen është sfida për të ndihmuar dikë që është edhe më i lodhur.”9
Në këtë, Kishën e Jezu Krishtit, kam pasur shumë mundësi për të dhënë shërbesë dhe për t’u shërbyer bashkëqenieve të mia. Pikërisht në kohë të atilla ndiej se Ati Qiellor i lehtëson barrët e mia. Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Perëndisë në tokë; ai është një shembull i shkëlqyer i mënyrës se si ne duhet t’u japim shërbesë të tjerëve gjatë sprovave të vështira. E bashkoj dëshminë time me ato të shumë shenjtorëve të tjerë, se Perëndia është Ati ynë i dashur Qiellor. E kam ndier dashurinë e Tij të pafundme gjatë ditëve të mia të errëta. Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, i kupton dhembjet tona dhe vuajtjet tona. Ai dëshiron të na i lehtësojë barrët dhe të na ngushëllojë. Ne duhet ta ndjekim shembullin e Tij duke u shërbyer dhe duke u dhënë shërbesë njerëzve me barrë edhe më të mëdha sesa tonat. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.