2021
Të Jesh një Ndjekës i Krishtit
Nëntor 2021


9:49

Të Jesh një Ndjekës i Krishtit

Të jesh një ndjekës i Krishtit do të thotë që të përpiqesh t’i përputhësh veprimet, sjelljen dhe jetën tënde me ato të Shpëtimtarit.

Gjatë studimit tim vetjak të shkrimeve të shenjta, më ka lënë mbresa kthimi në besim i Saulit nga Tarsi, i cili më vonë u bë i njohur me emrin Pal, siç përshkruhet në Bibël.

Pali ishte një njeri aktiv në përndjekjen e Kishës dhe të krishterëve. Por për shkak të fuqisë së qiellit dhe Shlyerjes së Jezu Krishtit, ai ndryshoi plotësisht dhe u bë një nga shërbëtorët më të mëdhenj të Perëndisë. Modeli i tij i jetës ishte Shpëtimtari Jezu Krisht.

Në njërin nga mësimet e Palit drejtuar korintasve, ai i ftoi ata të ishin ndjekësit e tij siç ishte ai vetë një ndjekës i Krishtit (shih 1 Korintasve 11:1). Kjo është një ftesë e sinqertë dhe e vlefshme nga koha e Palit deri më sot: të jesh një ndjekës i Krishtit.

Fillova të reflektoja mbi atë se ç’do të thotë të bëhesh një ndjekës i Krishtit. Dhe më e rëndësishmja, fillova të bëja pyetje: “Në çfarë mënyre duhet ta imitoj unë Atë?”

Të jesh një ndjekës i Krishtit do të thotë që të përpiqesh t’i përputhësh veprimet, sjelljen dhe jetën tënde me ato të Shpëtimtarit. Do të thotë të fitosh virtyte. Do të thotë të jesh një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.

Kam studiuar disa aspekte të jetës së Shpëtimtarit dhe kam veçuar, si pjesë të mesazhit tim sot, katër prej cilësive të Tij që përpiqem t’i imitoj dhe për të cilat do t’ju tregoj.

Cilësia e parë e Shpëtimtarit është përulësia. Jezu Krishti ishte shumë i përulur që në jetën paratokësore. Në Këshillin në Qiell, Ai e kuptoi dhe e lejoi vullnetin e Perëndisë që të triumfonte në planin e shpëtimit për njerëzimin. Ai tha: “Atë, vullneti yt u bëftë dhe lavdia qoftë e jotja përgjithmonë” (Moisiu 4:2).

Ne e dimë se Jezu Krishti dha mësim për përulësinë dhe e përuli veten e Tij për të përlëvduar Atin e Tij.

Le të jetojmë me përulësi, sepse ajo sjell paqe (shih Doktrina e Besëlidhje 19:23). Përulësia i paraprin lavdisë dhe na sjell miratimin e Perëndisë: “Po, nënshtrojuni të gjithë njëri‑tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve” (1 Pjetër 5:5). Përulësia sjell përgjigje të buta. Ajo është burimi i një karakteri të drejtë.

Plaku Dejll G. Renland dha mësim:

“Njerëzit që ecin përulësisht me Perëndinë, [e] mbajnë mend atë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë bërë për ta”.

“Ne veprojmë ndershmërisht me Perëndinë duke ecur përulësisht me Të” (“Të Zbatosh Drejtësinë, të Duash Mëshirën dhe të Ecësh Përulësisht me Perëndinë”, Liahona, nëntor 2020, f. 111, 109).

Cilësia e dytë e Shpëtimtarit është guximi. Kur mendoj për Jezu Krishtin në moshën 12‑vjeçare, të ulur në tempullin e Perëndisë mes mësuesve të ligjit dhe duke u dhënë mësim për gjëra hyjnore, vërej që Ai tashmë kishte, në një fazë shumë të hershme në jetën e Tij, një ndjesi të mirë guximi, një guxim i veçantë. Ndërkohë që shumica do të priste që ta shihte djaloshin të merrte mësime nga mësuesit e ligjit, Ai po u jepte mësim atyre ndërsa “ata po e dëgjonin dhe po i bënin pyetje” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Lluka 2:46 [te Lluka 2:46, poshtëshënimi c te Bibla në anglisht]).

Ne shërbyem në një mision kohëplotë në Republikën Demokratike të Kongos në Misionin e Mbuji‑Majit nga viti 2016 deri në 2019. Mënyra për të udhëtuar në mision nga njëra zonë në tjetrën ishte nëpërmjet rrugëve tokësore. Ishte shfaqur një fenomen në atë zonë, me banditë të armatosur me armë të mprehta që ia behnin në rrugë dhe e shqetësonin lëvizjen e udhëtarëve.

Pesë misionarë që po udhëtonin nga njëra zonë në tjetrën si pjesë e transferimit, ishin viktima të këtyre trazirave. Ngaqë kishim qenë vetë ndonjëherë më parë viktima të këtij fenomeni, ne filluam të kishim frikë për jetën dhe sigurinë e ne të gjithëve, madje ngurronim që të udhëtonim nëpër këto rrugë për të vizituar misionarët dhe për të zhvilluar konferenca të zonës. Nuk e dinim se sa do të zgjaste kjo. Shkrova një raport, të cilin ia dërgova Presidencës së Zonës dhe i shpreha ndjenjat e mia të frikës për vazhdimin e udhëtimeve, kur rrugët tokësore ishin e vetmja mënyrë për të shkuar te misionarët tanë.

Në përgjigjen e tij, Plaku Kevin Hamilton, i cili ishte Presidenti ynë i Zonës së Afrikës Juglindore, më shkroi: “Këshilla ime është që të bëni më të mirën që mundeni. Jini të urtë dhe plot lutje. Mos e vini me vetëdije veten apo misionarët tuaj në rrezik, por në të njëjtën kohë shkoni përpara me besim. ‘Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie’ (2 Timoteut 1:7).”

Kjo këshillë na forcoi së tepërmi dhe na lejoi që të vazhdonim të udhëtonim dhe të shërbenim me guxim deri në fund të misionit tonë, sepse ne e dëgjuam udhëzimin nga Ati ynë në Qiell nëpërmjet atij shkrimi të shenjtë.

Në shkrimet e shenjta bashkëkohore, ne lexojmë fjalët e frymëzuara të Profetit Jozef Smith që pasqyrojnë inkurajimin që na jep Zoti: “Vëllezër, a nuk do të vazhdojmë në një kauzë kaq të madhe? Ecni përpara dhe jo prapa. Kurajo, vëllezër; dhe përpara, përpara drejt fitores!” (Doktrina e Besëlidhje 128:22.)

Paçim guximin për të bërë atë që është e drejtë, edhe kur nuk vlerësohet nga njerëzit – guximin për ta mbrojtur besimin tonë dhe për të vepruar me besim! Paçim guximin për t’u penduar çdo ditë, guximin për ta pranuar vullnetin e Perëndisë dhe për t’iu bindur urdhërimeve të Tij! Paçim guximin për të jetuar me drejtësi dhe për të bërë atë që pritet prej nesh në përgjegjësitë dhe detyrat tona të ndryshme!

Cilësia e tretë e Shpëtimtarit është falja. Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri, Shpëtimtari parandaloi që një grua të cilën e kishin kapur duke shkelur kurorën, të goditej me gurë. Ai e porositi atë: “Shko dhe mos mëkato më” (Gjoni 8:11). Kjo e çoi atë drejt pendimit dhe faljes përfundimtare, sepse siç shënohet në shkrimet e shenjta, “gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë dhe besoi në emrin e Tij” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 8:11 [te Gjoni 8:11, poshtëshënimi c te Bibla në anglisht]).

Gjatë një takimi shpirtëror për Krishtlindjen në dhjetor 2018, Presidenti ynë i dashur, Rasëll M. Nelsoni, foli për katër dhurata që i kemi marrë nga Shpëtimtari. Ai tha se një dhuratë që na ofron Shpëtimtari është aftësia për të falur:

“Nëpërmjet Shlyerjes së Tij të pafundme ju mund t’i falni ata që ju kanë lënduar dhe ata që mund të mos pranojnë kurrë përgjegjësi për mizorinë e tyre ndaj jush.

Është zakonisht e lehtë ta falni dikë që sinqerisht dhe përulësisht e kërkon faljen tuaj. Por Shpëtimtari do t’ju japë aftësinë që të falni çdo njeri që ju ka keqtrajtuar në çfarëdolloj mënyre” (“Katër Dhurata që Ju Ofron Jezu Krishti” [takim shpirtëror për Krishtlindje nga Presidenca e Parë, 2 dhjetor 2018], broadcasts.ChurchofJesusChrist.org).

E falshim njëri-tjetrin sinqerisht që të marrim faljen nga Ati! Falja na bën të lirë dhe të denjë për ta marrë sakramentin çdo të diel. Nga ne kërkohet të falim që të jemi vërtet dishepuj të Jezu Krishtit.

Cilësia e katërt e Shpëtimtarit është sakrifica. Ajo është pjesë e ungjillit të Jezu Krishtit. Shpëtimtari bëri sakrificën më madhështore të jetës së Tij për ne, që ne të mund të shëlboheshim. Pasi e ndjeu dhembjen e sakrificës, Ai i kërkoi Atit të Tij që t’ia hiqte kupën, por Ai e çoi gjer në fund sakrificën e përjetshme. Kjo është Shlyerja e Jezu Krishtit.

Presidenti M. Rasëll Ballard dha mësim këtë: “Sakrifica është shfaqja e dashurisë së pastër. Shkalla e dashurisë sonë për Zotin, për ungjillin dhe për bashkëqeniet tona mund të matet nga ajo që ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë për ta” (“The Blessings of Sacrifice”, Ensign, maj 1992, f. 76).

Ne mund ta sakrifikojmë kohën tonë për të kryer dhënie shërbese, për t’u shërbyer të tjerëve, për të bërë mirë, për të bërë punë për historinë familjare dhe për ta lartësuar thirrjen tonë në Kishë.

Ne mund të japim nga të ardhurat tona financiare duke paguar të dhjetën, ofertat e agjërimit dhe dhurime të tjera për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë në tokë. Na nevojitet sakrificë për t’i mbajtur besëlidhjet që kemi bërë me Shpëtimtarin.

Lutja ime është që duke e ndjekur Jezu Krishtin dhe duke u mbështetur te bekimet e Shlyerjes së Tij, ne do të bëhemi gjithnjë e më shumë të përulur, do të jemi më të guximshëm, do të falim gjithnjë e më shumë dhe do të sakrifikojmë më shumë për mbretërinë e Tij.

Unë dëshmoj se Ati ynë Qiellor jeton dhe se Ai e njeh secilin prej nesh individualisht, se Jezusi është Krishti, se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Perëndisë sot. Unë dëshmoj se Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është mbretëria e Perëndisë në tokë dhe Libri i Mormonit është i vërtetë. Në emrin e Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë, amen.