2021
Të Mësojmë nga Mesazhet e Konferencës së Përgjithshme
Nëntor 2021


Eja, Më Ndiq

Të Mësojmë nga Mesazhet e Konferencës së Përgjithshme

Mësimet e profetëve të gjallë dhe udhëheqësve të tjerë të përgjithshëm të Kishës na sigurojnë udhërrëfim të frymëzuar ndërsa synojmë që të marrim pjesë në punën e Zotit. Të dielën e dytë dhe të katërt të çdo muaji, presidencat e kuorumeve të pleqve dhe të Shoqatave të Ndihmës përzgjedhin një mesazh nga konferenca për ta diskutuar, bazuar në nevojat e anëtarëve dhe udhërrëfimin nga Shpirti. Me raste, edhe peshkopi ose presidenti i kunjit mund të sugjerojë një mesazh. Në përgjithësi, udhëheqësit duhet ta vënë theksin te mesazhet nga anëtarë të Presidencës së Parë dhe të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve. Megjithatë, mund të diskutohet çfarëdo mesazhi nga konferenca më e fundit.

Udhëheqësit dhe mësuesit duhet të gjejnë mënyra për t’i nxitur anëtarët që ta lexojnë mesazhin e përzgjedhur përpara mbledhjes.

Për më shumë informacion mbi mbledhjet e kuorumeve të pleqve dhe Shoqatave të Ndihmës, shihni te Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, 8.2.1.2, 9.2.1.2, ChurchofJesusChrist.org.

Planifikimi për Mësimdhënien

Pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë mësuesit ndërsa planifikojnë të përdorin një mesazh nga konferenca e përgjithshme për ta dhënë mësim.

  1. Çfarë dëshiron folësi që të kuptojmë ne? Çfarë parimesh të ungjillit po jep mësim ai apo ajo? Si gjejnë zbatim këto parime në kuorumin tonë apo Shoqatën tonë të Ndihmës?

  2. Cilat shkrime të shenjta përdori folësi për ta përkrahur mesazhin e tij apo të saj? A ka shkrime të tjera të shenjta që mund t’i lexojmë, të cilat do të na e thellonin kuptueshmërinë? (Ju mund të gjeni disa te poshtëshënimet e mesazheve ose tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.)

  3. Çfarë pyetjesh mund të bëj që do t’i ndihmonin anëtarët ta përsiatnin mesazhin? Çfarë pyetjesh do t’i ndihmojnë ata që ta kuptojnë rëndësinë e mesazhit në jetën e tyre, në familjet e tyre dhe në punën e Zotit?

  4. Çfarë mund të bëj për ta ftuar Shpirtin në mbledhjen tonë? Çfarë mund të përdor për ta rritur nivelin e diskutimit, përfshirë histori, analogji, muzikë ose vepra arti? Çfarë përdori folësi?

  5. A bëri folësi ndonjë ftesë? Si mund t’i ndihmoj anëtarët që ta ndiejnë dëshirën për të vepruar sipas atyre ftesave?

Ide për Veprimtari

Ka shumë mënyra për t’i ndihmuar anëtarët që të mësojnë nga mesazhet e konferencës së përgjithshme. Ja tek janë disa shembuj; ju mund të keni ide të tjera që do të funksionojnë më mirë në kuorumin tuaj ose Shoqatën tuaj të Ndihmës.

  • Diskutoni në grupe. Ndajini anëtarët në grupe të vogla dhe caktojini secilit grup që të lexojë dhe diskutojë për një pjesë të ndryshme nga mesazhi i konferencës. Pastaj kërkojini secilit grup të tregojë një të vërtetë që e mësuan. Ose mund të formoni grupe me njerëz që kanë studiuar pjesë të ndryshme, dhe lërini t’ia tregojnë njëri‑tjetrit atë që kanë mësuar.

  • Përgjigjjuni pyetjeve. Ftojini anëtarët që t’u përgjigjen pyetjeve si ato në vijim rreth mesazhit të konferencës: Çfarë të vërtetash të ungjillit gjejmë në këtë mesazh? Si mund t’i vëmë në zbatim këto të vërteta? Çfarë ftesash dhe bekimesh të premtuara u dhanë? Çfarë na mëson ky mesazh rreth punës që Perëndia do që ne të bëjmë?

  • Shpërndajini citimet tek të tjerët. Ftojini anëtarët që të shpërndajnë tek të tjerët citime nga mesazhi i konferencës, që i frymëzojnë ata për t’i përmbushur përgjegjësitë e tyre në punën e shpëtimit. Nxitini ata që të marrin parasysh se si mund t’i shpërndajnë këto citime për të bekuar dikë, përfshirë njerëzit e dashur dhe ata të cilëve u japin shërbesë.

  • Jepni mësim me sende. Paraprakisht, ftojini disa anëtarë që të sjellin objekte nga shtëpia që mund t’i përdorin për të dhënë mësim rreth mesazhit të konferencës. Gjatë mbledhjes, kërkojuni anëtarëve që të shpjegojnë se si lidhen ato objekte me mesazhin.

  • Përgatitni një mësim që ta jepni në shtëpi. Kërkojuni anëtarëve që të punojnë në dyshe për të planifikuar një mësim për mbrëmjen në shtëpi, të bazuar te mesazhi i konferencës. Si mund ta bëjmë mesazhin që të ketë më shumë të bëjë me familjet tona? Si mund t’ua shpërndajmë këtë mesazh njerëzve, të cilëve u japim shërbesë?

  • Tregoni përvoja. Lexoni së bashku disa thënie nga mesazhi i konferencës. Kërkojuni anëtarëve që të tregojnë shembuj nga shkrimet e shenjta dhe nga jeta e tyre, që e ilustrojnë ose e përforcojnë doktrinën që na mësohet në këto thënie.

  • Mësoni rreth një shkrimi të shenjtë. Ftojini anëtarët që të lexojnë një shkrim të shenjtë të përmendur në mesazhin e konferencës. Kërkojuni atyre që të diskutojnë se si i ndihmojnë mësimet në mesazh për t’i kuptuar më mirë shkrimet e shenjta.

  • Gjeni një përgjigje. Përpara se të filloni, krijoni disa pyetje, përgjigjet e të cilave mund të gjenden duke përdorur mesazhin e konferencës. Përqendrohuni te pyetjet që nxitin mendim të thellë ose zbatim të parimeve të ungjillit (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit [2016], f. 31–32). Më pas lejoni që anëtarët të përzgjedhin një pyetje dhe t’i gjejnë përgjigjet te mesazhi. Ftojini ata që t’i diskutojnë përgjigjet e tyre në grupe të vogla.

  • Gjeni një frazë. Ftojini anëtarët që të hulumtojnë në mesazhin e konferencës, duke kërkuar fraza që janë kuptimplote për ta. Kërkojuni atyre t’i thonë frazat dhe atë që mësojnë prej tyre. Si na ndihmojnë këto mësime për ta përmbushur punën e Zotit?

  • Krijoni diçka. Ftojini anëtarët që të bëjnë një afishe ose libërshenjues që përfshin një thënie të shkurtër frymëzuese nga mesazhi i konferencës. Jepuni atyre një mundësi për ta treguar atë që krijuan.

Për më shumë ide për të studiuar dhe dhënë mësim nga mesazhet e konferencës së përgjithshme, shihni “Ide për të Mësuarit dhe Mësimdhënien nga Konferenca e Përgjithshme” që gjendet në pjesën Konferenca e Përgjithshme te Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].